Rreshta status-quoje
Nga Blerim Rrecaj
Fol! Hesht! Mbaja dikah! Kah? Andej, këndej, djathtas, majtas, poshtë, lart… Respektoji rregullat e shenjat! Andej tym, këndej zjarr, djathtas mjegull, majtas pluhur dhe kundërmime plehrash, poshtë dikush bërtet lart se të vrava dhe lart dëgjon të njëjtin urdhër. Rregullat e shenjat shkelen pa pikë mëshire. Gjyqtarët(qyqarët) si të kapur e të zënë peng i sistemeve e vetë këtij kaos-sistemi të sotëm. Dhe rri pezull, i heshtur e i ngrirë, pa lëvizur. I përhumbur. Gysmë-gjallë e gjysmë-vdekur.
Zemër- mërdhirë e tru-mpirë. Mbase vetëm me një dëshirë të vakët për ta vazhduar pak lojën tragjikomike të fjalëve pa ndikim e kuptim. Për të përmendur gërditshëm e në mënyrë të përsëritur gjëra të cilat të ngacmojnë e të nxisin për t’u shprehur siç të bën për të pështyrë e vjellur kalimi nëpër mbikalimin ngjitur për trafon elektrike përballë shkollës. Ose… Çka ose?! Shembull tjetër ilustrues për të faktuar e argumentuar ndyrësitë e gjithëllojshme… Jo, s’ka nevojë mbase as për ta zgjatur më lojën përderisa rënia e vazhdueshme e pastërtisë, e ndershmërisë, e…e…e… po pësojnë humbje të thellë në terren.
Dhe fajtorët shtohen si mizat e si mushkonjat që na (s)përkasin e na pijnë gjakun, përderisa shtohen faktorët e fajtorët pamjeve tona përçudnuese.
Loja tragjikomike vazhdon (që si një figura ilustruese mund edhe të themi) nën qiellin e hirtë e të zi me bubullima e vetëtima por pa shi, pa të reshura… E nëse përdorim tjera figura ilustruese mbase edhe duke u rënë në qafë shprehemi: s’duket as dritë në fund të tunelit(mund të shtoni se ndonëse i kemi gërmadha hekurudhat e gati jemi duke mbetë edhe pa trena)e rrufetë na fundosin me t’gjallë e me gjë ne që mashtrohemi vazhdimisht dhe injorojmë vënien e rrufepritësve…
Fatmirësisht nëpër shumë shkrime të ndryshme ne kemi parë e lexuar se shumë problematika janë shtjelluar për të na kthjelluar se ka rrugë, shtigje e brigje për të ecur e lundruar vijave të paracaktuara drejt dijes, zhvillimit e përparimit të përgjithshëm kombëtar e njerëzor. Për shembull ne kemi parë e lexuar se si duhet të jetë politika e diplomacia, arsimi, ekonomia e shëndetësia, se si duhet të jetë mjedisi, arkitektura, urbanistika e bujqësia, si duhet jetë kultura, sporti e veprimtaritë e ndryshme e të dobishme për veten, familjen, rrethin, shoqërinë. Se si t’i ruajmë malet e detet,si të shryëzojmë e mirëpërdorim pasuritë mbi e nëntokësore e si të shryëzojmë e mirëpërdorim resurset tona, si ta ruajmë edhe veten nga ndarjet e përçarjet, nga kajta, lakmia, bashkëpunimi me të ligjtë e armiqtë, nga joshja që shtyen në degjenerim e korrupcion.
Si të krijojmë një mozaik harmonik, të lumtur e të bukur si pasqyrë kthjelltësie e qartësie e identiteti vlerash të vendit tonë, kjo po duket është kryeçështja! Mes shpresash e dyshimeve të mëdha sado me zë të mekët themi se do vazhdojmë rrugën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe mos të lëngojë as Atdheu ynë as ne. Kjo katandi është e tmerrshme dhe lufta kundër saj në shumë fronte duhet të vazhdojë. Thamë se fatmirësisht po hasim në shumë zëra që bëjnë thirrje për pastrim, trajtim, mjekim e shërim të gjithë e gjithë këtyre plagëve por fatkeqësisht po vërejmë se zërat mirëdashës e atdhedashës shpërfillen e luftohen nga bajraktarët politikë që duan t’i pajisin me pushtet sikurse siç kanë bërë deri tash ku servilët e dallkaukët janë bashkë me ta në krye të vendit hedhin vallen tallava e cila vazhdon pa i bërë syri tërr, e nga lejimi i vazhdimit të saj ne mund ta korrim vetëm të zezën tonë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok