Entela Binjaku: Përurohet në Tiranë përmbledhja publicistike ‘Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës’

0

Është përuruar paraditen e sotme  në  mjediset e Hotelit “Tirana International” libri me titull “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” i  autorit Shaban Murati.

Në këtë përurim ishin bashkuar personalitete me rëndësi ne jetën e vendit duke filluar që nga qytetari numër një i shtetit presidenti i Republikës z. Meta, ambasadorët e shteteve tona në kryeqendrat Prishtinë e Tiranë, ish ministra, deputetë, studiues, njerëz të mendimit dhe qytetarë të angazhuar në sfera të ndryshme të jetës.

Në këtë ceremoni fjalën e çeljes e mbajti edhe drejtuesi i Fondacionit “Alsar” Mehdi Gurra. Ky libër ishte pikërisht botim i këtij Fondacioni që nuk ishte e para herë që e mbështeshte daljen në dritën e botimit të studimeve të ambasadorit Murati.

Më tej fjalën e morën Prof. Dr. Enver Hoxhaj, Zëvendës Kryeministri i  Republikës së Kosovës, Maxhun Peka si një diplomat në karrierë dhe si një mik i hershëm i autorit më të cilin e lidhte viti 1966, Prof. dr.  Ylber Sela  nga Insituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare me qendër në Shkup si dhe analisti Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Në recenzat e tyre të gjithë pohuan vlerën e këtij studimi dhe dobishmërinë e tij në klasën politike dhe diplomatike shqiptare.

Në fjalën e tij Prof. dr. Sela si drejtues i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare përmendi kontributin e rëndësishëm të ambasadorit Murati gjatë kohës kur shërbente në misionin diplomatik në Maqedoni duke u ndalur sidomos kontributin e tij në themelimin e Universitetit të Tetovës. Mes duartrokitjesh ai  tha “Dy vjet më parë Instituti ynë organizoi përurimin në Shkup të një tjetër botimi të amabasdorit Murati” duke u ndalur në disa prej pikave më të rëndësishme të kësaj përmbledhjeje publicistike prej 64 artikujsh. Ky libër që erdhi si një buqetë mendimesh në 10 vjetorin e pavarësisë Kosovës përmblidhte  20 vjetët në publicistikë të autorit.

“Z. Murati i qaset interpretimit diplomatik, politik dhe social…. Duke i hequr “dorezat” e diplomatit të karrierës, më shumë shfaqet si një analist kritik, por, edhe pragmatik në lidhje me intensitetin dhe efikasitetin të diplomacisë së shteteve shqiptare, (Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë), në lidhje me konsolidimin e shtetit të Kosovës”, vijoi Sela.  Në këtë libër ai veçoi faktin e të thënit të gjërave troç prej autorit, duke lënë mënjanë të gjitha përllogaritjet e  interesit personal në favor të artikulimit të mendimit dhe ndërtimit të strategjive diplomatike për çështjen kombëtare. Sipas z. Sela nga përmbajta dhe metodologjia e ndërtimit të artikujve të këtij libri, del se autori shfaqet si njeri me diapazon të gjerë intelektual dhe njohës shumë i mirë i rrethanave diplomatike evropiane dhe botërore.

Me anë të kryqëzimit të informatave që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale politike dhe diplomatike me shembuj të ngjashëm nga e kaluara e afërt dhe e largët historike, ky diplomat, jo vetëm që nxjerr gjykime të qarta në lidhje me proceset me të cilat përballen shqiptarët gjatë këtyre dy dekadave të kaluara, por njëherësh ai edhe ndërton edhe pikëpamje tejet të avancuara mbi të drejtën historike kombëtare në krijimin e shtetit të Kosovës.

Politika e jashtme me të gjithë elementët që intrigojnë paraqiten në këtë libër përmes formulave të qarta diplomatike.  Siç z. Sela pohoi në fjalën e tij botimi i çdo artikulli lidhet me momentin e duhur kohor të veprimeve apo projekteve të caktuar kombëtare, dhe sidomos, ndërkombëtar. Me qëndrimet e tij të ashpra kritike në libër shprehen edhe qëndrimet korrigjuese të politikave shtetërore shqiptare, me theks të veçantë të asaj kosovare.

E ardhmja evropiane e Kosovës dhe angazhimi i shtetit në strukturat euroatlantike, ruajtja e pavarësisë shtetërore dhe tërësisë territoriale të saj si dhe njohja e shtetit të Kosovës nga serbia si prioriteti numër një ishin disa nga elementët që z. Sela vlerësoi në fjalën e tij mbi librin e ambasadorit Murati.

Sipas tij boshti tematik i numrit më të madh të artikujve mbështetet në procesin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia, procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë, procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë dhe sjellja dhe qëndrimi i shqiptareve ndaj miqve tradicionalë dhe aleatëve strategjik, si dhe ndaj institucioneve dhe shteteve tjera të cilat,  theksoi ai  luajnë një  rol të rëndësishëm në planin të politikave gjeostrategjike ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok