Përndryshe: Dru zjarri për dimrin e Tranzicionit
Nga Vangjush Saro
Këto ditë, u bë shumë zhurmë në lidhje me atë që u cilësua “Skandali i financimeve të mediave shqiptare dhe Kishës nga Ministria e Jashtme e Greqisë”. Nuk ka shumë për t’u habitur, jo ngase para të dyshimta kanë ardhur e vijnë nga ana e anës, por sepse, më e pakta, për pensionistët (kinse minoritarë, por që shumica s’janë të tillë) dhe Kishën, dihet, nuk ka asgjë të re. Mirëpo, në radhë për euro, ‘qenkeshin vënë’ edhe disa politikanë, mediat, gazetarët, madje edhe këngëtarët; dhe kështu, u artikuluan edhe akuza konkrete, u përmendën emra, pastaj kanë filluar deklaratat plot habi e ngritje supesh dhe mandej apologjitë…
Sigurisht, ku ka zë nuk është pa gjë, siç thotë fjala e urtë; nëse na interesojnë ende këto, se tani, një pjesë e madhe e njerëzve nuk duan t’ia dinë për përvojë e kulturë të trashëguar; ata flasin e shkruajnë vetëm në dy mënyra: si ua pret kaplloqja atyre, ani pse mund të numërohen me gishtat e dorës librat që kanë lexuar ose… ashtu siç diktojnë shefat. E thënë shkurt, në këtë zhurmë ka patjetër të vërteta, sikundër u duk që në fillim se krahas pandehmës së parave, parave të dyshimta që lëvrohen kaherë, do të gjendeshim patjetër edhe në rrjetat e ndonjë provokimi, nga ato që klane të caktuara nga vendet fqinje i kanë për ‘zanat’; jetë e mot.
Por tema është kaq e lodhur. Vetë tranzicioni shqiptar është viktimë e parasë, e luftës së paprerë për para. Dhe problemi është që kahja e parasë dhe e interesave të mjegullta kërcet prej dekadash. Madje, ata që e bëjnë ‘luftën’, nuk kanë të ngopur, duan edhe më shumë, nuk tuten përpara asgjëje, mendjen e kanë po në një vend, përveçse në raste të caktuara, kur u duhet të bërtasin që të shpëtojnë lëkurën. A nuk u bë e gjithë gjullurdia e vitit ‘97 për ato të flamosura para? Ish-Presidenti i parë ‘demokrat’, z. Sali Berisha, e pat në dorë të ndërtonte një tranzicion sa më të drejtë, por paraja e fundosi sakaq varkën e tij provincialiste; ai ngatërroi me para, me tendera e me biznese të errëta edhe fëmijët e tij. A nuk e akuzoi ndërtuesi Dine Fratari haptazi z. Edi Rama, kryeministrin aktual, se i kishte kërkuar aq e kaq për lejë pallati? Dhe po flasim vetëm për… fillime, për ‘gjëra të vogla’… Paraja, si kudo fundja, e tjetërsoi botën shqiptare – këtu e në Kosovë – me trafiqet e gjithfarshme, me armët, me naftën, me vetë pushtetin. Paraja lidhi politikën me krimin, shkatërroi një sërë familje shqiptare, shkaktoi drama që s’është nevoja dhe as vendi t’i shkruajmë këtu.
Pra, telenovela e radhës, vetëm sa na solli në një diskutim të radhës, ku mund të shtojmë edhe gjëra të rëndësishme. I them këto sepse ndërkohë që një pjesë e politikanëve, zyrtarëve e gazetarëve shqiptarë janë bërë pasanikë dhe mbetën duke u tundur e shkundur, shumica e qytetarëve, përfshi edhe intelektualë, ish-politikanë e shkrimtarë dhe gazetarë kokëulur, janë me ‘të tyret’ në këtë jetë të mbushur me bixhoz e gënjeshtra. Jo çdokush e ka apo e fiton me doemos, me kohë, dashurinë shkatërruese për para… (“Është e vështirë të ta marrin nderin; atë mund veç ta humbasësh.” A. Çehov) Ka politikanë e ish-deputetë që u larguan me nder nga karriera, duke treguar se nuk kishin qenë atje për t’u pasuruar, por për t’i dhënë një dorë përparimit të vendit e të qytetarisë në udhët e ëndërruara e të programuara (formalisht nga të gjithë) në fillimet viteve ‘90. Do të përmendja këtu autoritete të tilla, si Petrit Kalakula, Haxhi Aliko, Rexhep Uka, Taulant Dedja, Et’hem Ruka, Niko Faber, etj., duke shpresuar se ka ende dëshirë për të ndjekur vizionin e mirë.
Tej modestisë, dikur, atëherë kur duhej madje – ndonjëherë s’bëjmë keq të flasim për vete, sepse shumëkush përpiqet t’i përmbledhë gjithë intelektualët e gazetarët në një kallëp – atëherë, pra, kam drejtuar një gazetë të rëndësishme për kohën; dhe kam parë vetëm punën… Kush nuk e do paranë! Që në vitin e dytë të gjimnazit, shumë mote më parë, më ranë në dorë aso. Sapo kisha filluar të botoja vjershat dhe skicat e para në revistat “Hosteni” e “Fatosi” dhe në gazeta si “Bashkimi” e “Përpara”; kjo e fundit gazetë e Korçës. Organet e shtypit ishin mjaft të organizuara e korrekte. Dërgonin përgjigje për krijimtarinë e shkrimet, bënin vërejtje, thoshin botohet apo jo dhe kur… Mandej, pas botimit, dërgonin honorarin, shpërblimin në lekë përmes Postës Shqiptare. Nuk ishte ndonjë shumë kushedi çfarë, por ishte një pagim i shpeshtë dhe i pastër. Kështu edhe më tej. Megjithatë (ky ishte motivi pse shkova aq larg) paraja nuk u bë asnjëherë ‘ylli polar’ për mua. Ishte edhe një nga arsyet pse nuk e mbajta dot një vend drejtues në vendin tim, pse nuk mbajta dot një vend pune në profesionin tim, kur pas vitit 2010 e këtej, i papunë, iu fala përfundimisht dheut të huaj.
E jo, nuk është kjo historia e të gjithëve. Në fillim të viteve ‘90, kur fillova të merresha edhe me gazetari, pamë se si kolegë të sapoardhur nga rrethet e që, ndryshe nga ne, flinin në konviktet e Qytetit “Studenti”, brenda pak vitesh u bënë me para; më pas iu qepën rodhe politikës e politikanëve dhe, si është ajo fjala, oreksi vjen duke ngrënë, ‘sulmuan’ për llokma edhe më të mëdha, donin biznes, televizione, shtypshkronja, ndërtime, poste; për këto, ishin gati të shisnin gjithçka, veten e tyre, të afërmit, dinjitetin… Ata lundruan (ç’është e vërteta, pa u lodhur shumë pa le ç’do të thuhej e shkruhej për ta) atje ku gjendeshin paratë: Pranë Presidentit ‘demokrat’, që për hir të së vërtetës i mbante ata që e ndiqnin me fanatizëm, sikundër shkelte me këmbë ata që i kundërviheshin; pranë qeverisë a qeverive e zyrtarëve të lartë, ku ‘nuhatej’ paraja; pranë fondacioneve të pasura (ra në sy Soros-i); etj.
Unë bëj pjesë ndër njerëzit që nuk i shohin me simpati deformimet dhe peripecitë shoviniste e ndjesitë nacionaliste, ngado që ato të vijnë: nga fqinjët, nga ne, nga historia, nga inteligjenca apo nga idiotizmi. Pra, bindja ime është që Kali i Trojës është rimodeluar dhe ka mbushur barkun me para të dyshimta, që ‘vizatojnë’ kufij, perçe, kuleta për disa, etj. Por ato para erdhën nga s’erdhën: Nga vendet arabe, nga Turqia, nga Greqia, nga Serbia. Erdhën edhe nga droga, prostitucioni, ndërtimet pa lejë, tenderat. Ato para ndezën zjarrin e ahengut në vend të punës, ndoshta edhe njëlloj justifikimi për dimrin e zgjatur të tranzicionit. Telenovela më e fundit, po t’i shtosh edhe një sërë arestime diku të duartrokitura e diku të komentuara me mllef e dyshim, duket vërtet si dru zjarri për më tej…
Duke uruar që mediat dhe njerëzit të përmbahen kur flasin dhe kur akuzojnë, por duke dëshiruar që organet e Drejtësisë të thonë fjalën e tyre, edhe në temat e mësipërme, po sjell thënien e një filozofi dhe esteti të njohur, Ralf Waldo Emerson: “Bota i bën rrugë dikujt që e di se ku po shkon…” Ne e dimë ku po shkojmë? Ndoshta e dinë qytetarët, por s’e dinë politikanët dhe disa nga mediat. Atyre mund t’ua mësosh duke i rinovuar e gdhendur; por me durim, me drejtësi, me votë; edhe me burg, pse jo…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok