TË MOHUAR NGA REGJIMI: BURGJET, SISTEMI I INTERNIM-DËBIMEVE DHE PUNA E DETYRUAR NË SHQIPËRI 1945-1990

0

Nga Frank Shkreli
Për ata që mund t’u ketë shpëtuar lajmi, ose për ata që nuk kanë mësuar nga mediet e përditëshme shqiptare, të cilat siç duket nuk e mbuluan siç duhej dhe sa duhej, më 30-31 Tetor, 2018, në Tiranë u mbajtë Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Të Mohuar nga Regjimi: Burgjet, Sistemi i Internim-Dëbimeve dhe Puna e Detyruar në Shqipëri 1945-1990”. Për nga përmbajtja e programit si dhe për nga lista e pjesëmarrësve, vendas dhe ndërkombëtarë, duket se duhet të ketë qenë një konferencë tepër interesante, me një rëndësi të veçantë historike dhe shoqërore, kur të merret parasyshë se Shqipëria zyrtare ka qenë shumë e ngadalshme, për të mos thënë aspak active dhe as e gatëshme, këto 28-vjetë komunizëm, për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste. Me sa vura re, mungesa e pjesëmarrjes së përfaqsuesve të qeverisë dhe e opozitës në këtë konferencë është një shenjë e mëtejshme treguese për një mos interesim të vazhdueshëm të tyre në këtë subjekt, tepër me rëndësi, për historinë kombëtare, për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit. Siç u shpreh në fjalën e saj të hapjes së Konferencës edhe Kryetarja e Autoritetit Për Informim Mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH) Zonja Gnetiana Sula, “A është normale që ende sot të mbetemi kaq të përçarë? Kaq të pandjeshëm për vuajtjet e bashkëqytetarëve tanë? Kaq pak të interesuar për të vërtetat?” https://www.facebook.com/notes/autoriteti-për-informim-mbi-dokumentet-e-ish-sigurimit-të-shtetit-19441991/fjala-e-hapjes-në-konferencën-shkencore-të-mohuar-nga-regjimi-kampet-burgjet-dhe/2102364843149461/ Megjithëkëtë, kjo konferencë ndërkombëtare — e organizuar nga AIDSSH në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe me Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë — duhet të konsiderohet si një hap përpara, jo vetëm drejt përballimit të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj të hidhur komuniste, por edhe si një hap drejt zbulimit të së vërtetës historike, me qëllim të zbulimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri. Për këtë kontribut, merita i shkon pikësëpari, “Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, ashtu si edhe sponsorizuesve dhe mbështetësve të tjerë, vendas dhe ndërkombëtarë ndër të cilët, sipas Autoritetit ishin: zyra e OKB-ës, PNUD në Shqipëri, Qeveria e Italisë, në kuadër të projektit, “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS), Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS) dhe Muzeu Historik Kombëtar. Siç mund të shihet edhe nga programi
https://www.fhf.edu.al/wpcontent/uploads/2018/10/PROGRAMI-KONFERENCA.pdf, ishte kjo një konferencë, e parë e këtij lloji, në nivel shkencor, akademik dhe historik, ku u paraqitën punime të studiuesve vendas dhe të huaj, të organizuar në panele të punës shkencore dhe kujtesës. Kryetarja e AIDSSH, Zonja Sula, deklaroi në hapjen e konferencës se enti që ajo kryeson, “Me partnerë shumë të çmuar ia ka dalë ta gjejë veten duke luajtur një rol të rëndësishëm, mes një procesi të hulumtimit që synon rishqyrtimin e historisë bashkëkohore, ’44 -‘90””, ndërkohë që gjithsejt, “36 studiues, nga brenda dhe jashtë vendit, kanë vënë mundin e djersën e tyre, plus intelektin dhe formimin, me qëllim që të ndihmojnë shoqërinë tonë t’u përgjigjet pyetjeve “Pse?” dhe “Si ndodhi?”, që në një kohë aspak të largët, shqiptarët u “vunë kundër njëri-tjetrit”, siç e thotë bukur një rrëfyes”, ka thënë ajo. Znj. Gentiana Sula, u shpreh në hapje të takimit, se “Ne e kemi provuar në lëkurë që studimi i historisë bashkëkohore ka sfida të mëdha. Protagonistët ende jetojnë, faktet akoma nuk kanë dalë të gjitha në dritë; kujtimet dhe ditarët janë ende pa mbledhur e pa botuar; arkivat, përveçse janë masive, janë ende të pashfrytëzueshme, plotësisht. Vetëm një studim korrekt dhe një dialog i bazuar në dokumente e fakte mund të bëjë të mundur që historia bashkëkohore ’45 – ‘90 e periudhës që kemi në dorë, të mund të kuptohet më mirë”, ka theksuar ajo në fjalën e saj me rastin e hapjes së punimeve të konferencës.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit njofton në faqen e tij të internetit se të ftuar shqiptarë e të huaj dhe personalitete të kërkimit shkencor e institucioneve të kujtesës, hapën siparin e kësaj konference të parë që trajton, përmes studimesh cilësore, periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Perspektivës studimore të profesorëve dhe akademikëve vendas e të Kosovës, u është shtuar kontributi i ndjeshëm i studiuesve të huaj dhe pjesëmarrja aktive e Rrjetit Europian të Kujtesës (ENRS) e BsTu, Autoritetit gjerman të Hapjes së Dosjeve, thuhet në njoftimin e AIDSSH-it, ku jepet një përmbeldhje e shkurtër e disa prej folësve vendas dhe të huaj.
Ndër ta Z. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë dhe anëtar i këshillit shkencor të konferencës, veç kënaqësisë për realizimin e një aktiviteti shkencor të përmasave të tilla, e vuri theksin te diskutimet e shumta që pritet të hapen pas trajtimit të temave të përzgjedhura. Ndërsa, Z. Brian Williams, përfaqësues i OKB në Shqipëri, mbështetës i veprimtarive të Autoritetit, nënvizoi rëndësinë e objektivave të Kombeve të Bashkuara, mes të cilëve është përmbushja e detyrimeve të shoqërisë për të drejtat e njeriut, sidomos për të dënuarit dhe të ndëshkuarit në diktaturë. Z. Bernd Borschardt, ambasador i OSBE-së në Shqipëri u tha të pranishëmve se, “Është e domosdoshme të krijohet një narrativë për të shkuarën, të qëmtohen faktet dhe të arrihet tek e vërteta. Ne e mbështesim fuqimisht këtë proces”, është shprehur ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.
Ndërkaq, në vijim të konferencës, Znja. Rafaella Campanati, përfaqësuese e Ambasadës Italiane, shpjegoi rëndësinë e posaçme që ka projekti “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, në kuadër të të cilit organizohet konferenca. Sipas saj, “Duke e analizuar të shkuarën dhe duke u dhënë zë viktimave, do të mund ta projektojmë më mirë të ardhmen”. Znj. Vasilika Hysi, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, anëtare e Komisionit të Ligjeve, vuri në dukje bashkëpunimin në organizimin e konferencës, mes të gjitha institucioneve zyrtare të kujtesës, në respekt të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për ta. Sipas Hysit, “përkujtimi është detyrë e shoqërisë së sotme, e cila duhet të marrë përgjegjësitë që i takon”.
Në emër të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z. Çelo Hoxha, se veç entuziazmit për përfshirjen e shumë aktorëve në organizimin e konferencës, nënvizoi se “tek e shkuara nuk duhet të përqendrohemi te dhimbja, duhet të fokusohemi te padrejtësia, kush e shkaktoi dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej kësaj”.
Në të njëjtën linjë, drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, e vuri theksin te koncepti juridik i ndëshkimit sa i përket punës së detyruar, jo dënimit si të tillë. Fëmijë i lindur, rritur dhe burrëruar në internim, i ndëshkuar që në lindje, z. Kola bëri thirrje që “të dëgjohet zëri i kësaj shtrese, e cila e rrëfen me fakte jetën e saj, përvojën e mundimshme dhe mbijetesën, përballë dokumentacionit të makinës së pushtetit”.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Dorian Koçi, bëri një paraqitje të bashkëpunimeve institucionale në kuadër të kujtesës, të cilat prej më shumë se një viti kanë synuar të ndërtojnë një paradigmë studimore, ku me konferencën shkencore arrijnë të projektojnë njëherazi kujtesën dhe lirinë.
Në emër të Fondacionit Konrad Adenauer, znj. Klaudia Zerva kërkoi që pas përvojave përkatëse të secilit institucion a organizatë në trajtimin e së shkuarës, të arrihet në ndërtimin e strategjive të përbashkëta për të pasur rezultate të qenësishme dhe kontribute të ndjeshme në të sotmen, me punën profesionale të të gjithëve.
Në vijim u shfaq filmi “Dyert memece të Ferrit”, një rrugëtim nëpër burgjet dhe kampet e punës së detyruar në Shqipëri, i realizuar nga bashkëpunimi i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Fondacionit Konrad Adenauer. (Burimi: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991)
Siç u shpreh edhe Profesori i Filozofisë Gjergj Sinani, njëri nga pjesëmarrsit në atë konferencë se, “Pa të Vërtetën nuk ka Liri”. Prandaj, sot pothuaj 30-vjetë post-komunizëm — siç tha edhe Kryetarja e AIDSSH-ës, Zonja Gentiana Sula, “Mungesa e një procesi të mirëfilltë shkencor për studimin e historisë ka bërë që empatia dhe mirëkuptimi të mungojë sot e kësaj dite për këto privime. Nga njëra anë është zemërimi, trishtimi, ankthi, humbja dhe të ndjerët i përjashtuar nga grupet e prekura, kurse nga ana tjetër është mohimi i krimeve, mungesa e ndjeshmërisë për vuajtjet dhe viktimat, si dhe nostalgjia për arritjet e diktaturës, siç u bë e qartë në studimin që OSBE kreu mbi perceptimet për diktaturën në vitin 2016”, ka thënë ajo.
Është konstatuar gjatë këtyre 30-vjet post-komunizëm, nga ekspertë dhe historianë nga Evropa dhe më gjërë, se shumë prej krimeve të regjimeve komuniste – bazuar në ligjet ndërkombëtare ç’prej vitit 1945 – mund të cilësohen si krime kundër njerëzimit. Le të shpresojmë se konferenca me temën: “Të Mohuar nga Regjimi: Burgjet, Sistemi i Internim-Dëbimeve dhe Puna e Detyruar në Shqipëri 1945-1991”, që u mbajtë javën që kaloi në Tiranë, të frymëzojë zbulimin e mëtejshëm të së vërtetës dhe të çojë në zbardhjen e plotë të krimeve të komunizmit në Shqipëri: në hapjen e të gjitha dosjeve dhe arkivave si dhe në njohjen e vuajtjeve dhe në kujtimin e të gjitha viktimave të komunizmit në atë vend, me shpresën që totatilitarizmi të mos rikëthet më, në asnjë formë të veten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok