PASURIA IME MË E VYER ËSHTË LIRIA E VENDIT TIM

0

Nga Marjana Bulku
Gjergj Kastriot Skënderbeu, ky lider shqiptar i njohur ndërkombëtarisht dhe i pranuar historikisht nga shqiptarët si një rast unik që arriti ti bashkonte ato si rrallkush, vjen këtë herë krejt ndryshe në veprën ” Naltësimi i Iskanderit” nga Benjamin Disrael, dy herë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (1868 dhe 1874-80.) , përkthyer mjeshtërisht nga studiuesi Mal Berisha. Kur Patricia Nugge ekspozonte rreth 37 libra për Skënderbeun, antikuare autorësh të ndryshëm, nuk di nëse e dinte që një prej ish -kryeministrave të vendit të saj kishte shkruar pikërisht këtë vepër tërësisht letrare në vitin 1833 ”The Rise of Iskander” e cila vjen e përkthyer nga një ish ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesi dhe autori i disa veprave me karakter historik, biografik, shënime, ketë herë me një profil tjetër atë të përkthyesit Mal Berisha. Kishte mjaftuar një udhëtim nëpër Mesdhe ku natyrisht Shqipëria dhe historia e saj e kishin nxitur Disraelin për këtë vepër por pa dyshim efekti Bajron i cili Shqipërinë në vargjet e tij e konsideron “vendin ku lindi Iskanderi” , janë mbase kēto disa arsyje më shumë për një trajtim të tillē ku rrëfimi rrjedh përmes përshkrimeve , dialogjeve dhe ngjarjeve që përshkojnë pothuaj tërë Mesdheun.
Vepra përshkrohet nga romantizmi i kohës ku sfondi letrar ndërton një hero me shpatë e përkrenare, betejash e dyluftimesh po ku brenda të cilit jetojnë edhe ndjenja lirike e njerëzore , dashurie e raportesh me miq, të dashur e kundërshtarë që veprës i japin një dimension të ri , të panjohur më parë , atë të heroit i cili jeton midis ndjenjës për Idunën detyrimeve ndaj atdheut e ku triumfon kjo e dyta.
Në fakt po t’u referohesh kërkimeve pothuajse nuk ka asnjë histori zyrtare mbi martesën e Skënderbeut dhe aty ku shkruhet pak aludimet dhe pasaktësitë intensifikohen por dihet që kronologjitë historike mbi Skënderbeun kanë në themel Marin Barletin,Gjon Muzakën, Fan Nolin ku përmendet Marina me të cilën lidhet dasma e Skënderbeut nē vitin 1451.
Disraeli ka sjellë një vepër ku sfondi historik nuk mungon duke u bërë prezent përmes personazheve reale(Gjergj Kastrioti , Hyniadi i Hungarisë,Princ Mehmeti II , sulltani i ardhshëm Faith, pērmes toponimeve gjeografike si; Petrela,Kruja, Kështjella e Justinianit, Fusha e Kallishtës, Kulla e Babelit, si dhe mjaft përshkrime realiste të mjediseve , veshjeve të cilat e bëjnë të gjallë ngjarjen . ” Qilimat persianë , kolltukët e kadifenjtë, banjat në formë guaske , apo çatitë dritpërçuese” vizatojnë edhe kohën se kur zhvillohet ky idil , ku nuk mungon realizmi, aksioni, trilli.
Mal Berisha na ka sjellë Skënderbeun të zbritur nga kali , më njerëzor se kurrë, në raportet e tij me miqtë, kundërshtarët , ndjenjat, veprimet. Është pikërisht ky hero – njeri që i ka munguar lexuesit shqiptar i cili është mësuar ta shohë Skënderbeun midis legjendës dhe historisë , gjithmone një hero në dyluftim. Vepra na sjell gjithashtu një tjetër qasje , tashmë të një politikani të shquar britanik i cili para se të jetë i tillë ishte shkrimtar dhe gazetar , publicist dhe autor i disa veprave prandaj trajtimi i Skënderbeut prej tij konsiderohet si avantazh për ne si komb i vogël me udhëheqës gjurmët e të cilëve i njeh, ruan , çmon dhe përçon mes veprash Europa . “Vepra gjithashtu është risi për përkthyesin e saj Mal Berisha i cili duke i qëndruar besnik tekstit ka sjellë një dialog të zhdërvjellët përmes të cilit lexuesi i vëmendshëm kupton karakteret në vepër , ata realë që i njeh historia dhe ato jorealë që e plotësojnë atë. Naltësimi i Iskanderit” vjen si një vepër më shumë në kolanën e gjatë të veprave kushtuar Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeu ku atmosfera e luftës është gjithmonë prezente edhe pse ka trill, kështjella, fate princeshash, burgime ëndrrash, tablotë e luftës nuk mungojnë” turq të masakruar, kodra të mbushur me turq që ikin , epiriotë që i ndjekin, fusha të shtruara me trupa të vdekur, armë pa zot, çadra e flamuj, re tymi që bëjnë hije mbi ta” Përshkrime tē tilla të gjalla nuk mund të jenë pjesë e trillit por me siguri ato janë pasojë e historive që Disraeli falë natyrës së tij kërkuese e studjuese ka shfrytëzuar për të sjellë një vepër të tillë që lexohet nga çdo brez tashmë edhe në gjuhën shqipe.
Dialogjet dhe rrëfimet, përshkrimet dhe përsiatjet e ndjenjave konfigurojnë thelbin patriotik të veprës çka ravijëzohet përmes fatit dhe disfatës, betejave të drejta dhe të padrejta dhe që prevalon në fjalët e Iskanderit ” Pasuria ime më e vyer është liria e vendit tim” .E dukshme , e nëndheshme , gjithmonë prezente , angazhimi patriotik u fal heronjve realë dhe jo realë të kësaj vepre letrare energji të pafundme njerëzore , përçimi i të cilave edhe 550 vjet më vonë përcjell dimensione sa historike e patriotike po aq edhe humane gjithmonë e më aktuale në terrenin shqiptar e kudo ku jetojnë ato. A mund të konsiderohet vepra si një dokument më shumë mbi atë figurë historikë tashmë unike në historinë tonë?! Mendimi im është po edhe pse vepra është letrare konflikti historik është aty, protagonistët e saj gjithashtu dhe për më tepër vendet , kalatë , udhëtimet Kruja na e bëjnë sfondin historik të epokës së Skënderbeut më prezent se kurrē.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok