LEZHA – VEND I SHENJTË I SHTETËSISË SHQIPTARE

Në 550-vjetorin e kalimit në përjetësi të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Skënderbeun e njohu tërë opinioni botëror dhe për këtë atij i thurën mburrje e lëvdata. Përballë depërtimeve otomane në vijën e parë gjendej edhe Arbëria (Shqipëria). Skënderi – arkitekti i shtetit demokratik gjithëkombëtar. Betimi në lterin e kombit

Shkruan: Frrok KRISTAJ

Vepra madhështore e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, përkatësisht kontributi i tij në çështjen arbëroro-shqiptare – në bashkimin kombëtar, në themelimin e shtetit gjithëshqiptar e shumëçka tjetër, por edhe kontributi i tij në mbrojtjen e vendit, në mbrojtjen e civilizimit e të krishterimit evropian, bënë që ai i vetmi në botë të mbajë titullin “Atlet i Krishtit”, që ia akordoi Papati i kohës.

Vepra e tij e madhe në nivelin gjithëkombëtar arbëror – shqiptar dhe në nivelin evropian e botëror, i siguroi Gjergj Kastriotit pavdekshmëri të përjetshme.

Skënderbeun e njohu tërë opinioni botëror dhe për këtë atij i thurën mburrje e lëvdata shumë shkrimtarë, historianë, piktorë e kompozitorë. Vetëm deri në vitin 1881 janë shkurar 191 vepra përkatësisht deri me tash afro 1000 sosh në gjuhën angleze, frenge, gjermane, latine, italiane, spanjolle, portugeze, suedeze, greke e të tjera. Ishin këto lëvdata e mburrje që nuk i përkasin vetëm kryeheroit tonë legjendar Gjergj Gjon Kastriotit – Skënderbeu, por gjithë popullit arbëror, përkatësisht shqiptarë, që u bashkua me te si një trup i vetëm.

Kryeheroi ynë është figura e vetme historike, madje jo vetëm e historisë kombëtare, që njëkohësisht veprat e strategut largpamës në shumë fusha, si në bashkimin kombëtar, në formimin e vetëdijes kombëtare, në shtetformim, në luftë, në diplomaci, në ngritjen morale të ushtrisë së vet e të kapedanëve të principatave shqiptare, në marrëdhëniet ndërfisnore, në zgjidhjen e konflikteve brendakombëtare, në kultivimin e traditave kombëtare – si të besës e ndihmës së ndërsjellë, e kështu me radhë. Të gjitha këto veti të larta të Gjergjit tonë të madh ia patën tërhequr vëmendjen botës e sidomos Evropës.

Daljen e Kastriotit në ballë të politikës ushtarake e favorizuan shumë faktorë

Përballë depërtimeve osmane në vijën e parë gjendej Perandoria Bizantine, Arbëria (Shqipëria), Rasha (Serbia e mëvonshme), Bosnja, principatat e krishtera të Egjeut, Rumania, Hungaria pastaj mund të konsiderohet se në vijën e parë ishte edhe Republika e Venedikut, ngase ajo zotëronte pjesë të bregdetit shqiptar, grekë dhe të Egjeut, pastaj Selia e Shenjtë – Vatikani, kurse në vijën e dytë konsideroheshin shtetet siç ishte Mbretëria Arogoneze – Napolitane, Perandoria Romane –  Gjermane, Polonia, e të tjera, si dhë në vijën e tretë gjendeshin shtetet e tjera të kohës të Evropës.

Daljen e Gjergj Kastriotit në ballë të jetës politike e ushtarake e favorizuan shumë faktorë. Së pari, duhet të kihet parasysh roli i tij në organizmin e kryengritjes fitimtare të vitit 1443, pastaj shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve në zemër të vendit, qenia e Krujës në duart e Skënderbeut, qendrës më të rëndësishme politike e ushtarake të tokave shqiptare të çliruara, por edhe lidhjet farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë bujarë e familje sundimtarësh të tjerë shqiptarë.

Në fakt, këto martesa paraqitnin një akt politik, që e ndoqi Gjergj Kastrioti, për hir të përforcimit të politikës së brendshme, politikë kjo që shpiente drejt bashkimit sa më organik të sundimtarëve të fuqishëm shqiptarë. Në këtë frymë u bë edhe martesa e Gjergj Kastriotit me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit. Pastaj, martesa të këtilla ishin bërë edhe më parë kur Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, vajzën e vet Marën e kishte martuar me Shtjefën Çërnojën e Zetës, Vlajkën me Gjon Muzakën, Angjelinën me Vladan Arianitin (vëlla i Gjergj Arianitit) e Jellën me Pal Stres Balshën, kurse Mamica (Marica) ishte martuar me Muzakë Topinë në kohën e Skënderbeut.

Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Krujë

Në këtë drejtim, sapo kishte shpalosur flamurin tashmë kombëtar në Kalanë e Krujës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, shkoi prej një vendi në tjetrin për ta ftuar popullin shqiptar në luftën e përbashkët çlirimtare kundër Perandorisë Otomane, që kishte okupuar edhe shumë vise të trojeve etnike shqiptare. Si rezultat i atyre vizitave e bisedave me kryezotërunjtë shqiptarë nëpër vise të tjera shqiptare, doli thirrja e një kuvendi të përbashkët. Për shumë arye, vendi se ku do të mbahej kuvendi ishte caktuar Lezha. Në fakt, Lezha atëbotë ishte nën sundimin e Republikës së Venedikut.

Dhe, kështu, në Kuvendin e përgjithshëm shqiptar, Lidhjen apo Besëlidhjen shqiptare, që u mbajt në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444, morën pjesë shumë kryezotërinjë nga pjesë të ndryshme të Arbërisë (Shqipërisë) etnike, si Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini, Pjetër Spani i Shalës të Shoshit, në Shqipërinë Veriore, Gjergj Stres Ballsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës, Teodor Korona, Muzaku i Beratit, nga Shqipëria Jugore, Lekë Zaharina, kryzot i Zadrimes së Epërme dhe i qytetit të Danjës, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e Zadrimës, Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me të dy të bijtë – Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushën, Shtjefën Çernoja, bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhablaku i Malit të Zi, Gjergj Arianit Topia, Komneni i Kaninës dhe i Shpatës, kryzot i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Shqiptëria e Veriut dhe ajo e Jugut.

Besëlidhja shqiptare

Në Kuvendin e Bashkimit Kombëtar, që u mbajt në Lezhë, në vendin e shenjtë të shtetësisë arbërore – shqiptare, pra në vendthemelet e shtetësisë së shtetit gjithëshqiptar – gjithëkombëtar, pjesëmarrësit kishin arritur marrëveshje të plotë për çështje jetike, ndaj edhe me vendimet që ishin miratuar ishte realizuar strategjia shtetformuese e Gjergj Kastriotit, që ishte dëshira dhe përpjekja e kahmotshme e tij për të krijuar një shtet shqiptar, përkatësisht gjithëkombëtar. Ky në fakt ishte një shtet, që në fillim i kishte përmbushur të gjitha premisat juridike. Nga ai Kuvend kishte dalë kërkesa që të formohej një organ juridik e që do ta luante rolin e një qeverie të kohës, që ishte pagëzuar Lidhja e Lezhës, përkatësisht Lidhja Shqiptare e Lezhës.

Pastaj, në Kuvend njëzërit ishte zgjedhur komandanti apo kapiteni i përgjithshëm i Lidhjes e që ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Lidhja po ashtu kishte formuar edhe ushtrinë (armatën e vet), e që kishte afro 20 mijë ushtarë, prej të cilëve shumicën e mbante Skënderbeu rreth vetes e të cilët do të mblidheshin nga princat shqiptarë. Bërthamën themelore të ushtrisë e përbënin fshatarët duke marrrë feude të vogla dhe duke u bërë oficerë të ushtrisë shqiptare.

Gjergj Kastrioti e kishte ndarë ushtrinë në të rregullt dhe në të përkohëshme. Ushtrinë e rregullt e përbënin garda pretoriane me 2000-3000 kalorës të lehtë, që luftonin nën komandën e Skënderbeut dhe njësitë kufitare me 3000-5000 ushtarë nën komandën e Moisi Golemit, që mbronin kufirin lindor të atdheut. Ndërkaq, ushtria e përkohëshme përbëhej nga fshatarëve që sipas listave të rekrutimit, ishte themeluar mbi parimin “burrë për shtëpi”. Ushtria e përkohëshme kishte 8000-10.000 ushtarë, të shumtën këmbësorë, kurse një pjesë e vogël e tyre ishin kalorës. Do përmendur se kuadrin komandues të ushtrisë së Gjergj Kastriotit e përbënin oficerët e rekrutuar nga radhët e aristrokracisë feudale, por oficerë bëheshin edhe ata ushtarë, që dalloheshin për trimëri, taktikë dhe aftësi për udhëheqje. Ekspertët ushtarakë të kohës brenda e jashtë atdheut e kanë çmuar Skënderbeun si strateg të madh dhe e kanë konsideruar si njërin nga prijësit më të shquar ushtarak të asaj kohe. Atij i shkoi për dore jo vetëm të organizojë një ushtri të tillë, që iu përgjigj më së miri kërkesave të Lëvizjes Shqiptare, por ishte edhe mjeshtër i madh i sulmit dhe mbrojtjes së kombinuar. Ai i hartonte planet e luftës në konsultim me bashkëluftëtarët e vet. Skënderbeu njëkohësisht udhëhiqte ushtrinë dhe luftonte heroikisht si çdo ushtar i thjesht.

Arkitekti i shtetit demokratik gjithëkombëtar

Shteti kombëtar shqiptar i Gjergj Kastriotit përfshiu pjesën më të madhe të trevave të banuara me shqiptarë. Ai shtrihej nga malet Pindus dhe Janinë e deri në Kotorr, nga Adriatiku e deri në Ohër, Dibër, Prizren e Gjakovë, kurse Peja dhe Rrafshi i Kosovës (Vushtërria, Novobërda, Prishtina etj.) kishin mbetur jashtë kufijve të shtetit kombëtar shqiptar. Arsyet ishin këto: Peja qeverisej nga Leka III Dukagjini, i cili qe Vasal i Sulltanit dhe rival kryesor i Skënderbeut, kurse Rrafshi i Kosovës qeverisej nga Sanxhaku i Vushtrrisë, nga pashallarët e sidomos nga kusherinjtë e Zognos Mehmed pashës.

Mirëpo, kur Leka III Dukagjini hoqi dorë nga vasaliteti i sulltanit dhe iu bashkua Skënderbeut, i cili më vonë iu bë miku më i ngushtë deri në vdekje, Peja u pushtua nga ushtria osmane. Me këtë pushim u krijua dinastia e Mahmudbegollajve të Pejës. Mahmud beu ishte i biri i Nikollë Dukagjinit, i cili si endrenas qëndroi në Stamboll deri në vdekje.

Shteti i Skënderbeut ishte ngritur mbi parimin demokratik

Shteti i parë kombëtar arbëror – shqiptar ishte ndërtuar mbi parimin demokratik. Këtë e dëshmon e dhëna se krijimi i kombit anglez dhe shteti kombëtar angleze si dhe kombi francez dhe shtet kombëtar francez, si kombe dhe shtete të para të Evropës Perëndimore, dallojnë në shumë aspekte. Së pari, se ato u formuan më vonë – nga fundi i shekullit XV, dhe se ato shtete u krijuan nga lart, pra nëpërmjet monarkive absolute, monarki këto që u sollën shtresave të gjera shfrytëzim politik, ekonomik arsimor e kulturor. Ndërkaq, shteti kombëtar i Gjergj Kastriotit, në radhë të parë, ishte pothujse shteti i parë kombëtar në Evropë, pastaj se ai u krijua nga poshtë dhe se ishte popullor e human. Po ashtu, princat shqiptarë në atë Kuvend kishin arritur një aleancë politike e ushtarake, duke ndërtuar raporte mjaft demokratike në drejtim të pengimit të ushtrimit të pushtetit të pakufishëm nga një person. Ata ishin të bindur se lufta për çlirim kombëtar duhet të vazhdojë deri në çlirim. Mu për këtë edhe shteti kombëtar shqiptar ishte përkrahur edhe nga vende të tjera e veçmas nga principatat shqiptare, që tashmë kishin karakter të një konfederalizmi, si me ushtarë, ushqime, armë e mjete materiale. Pra, në Kuvend pjesëmarrësit ishin marrë vesh se burimet financiare do të grumbullohen nga ndihmat e princave shqiptarë, nga principata e Krujës dhe nga kriporet e Durrësit. Këto të ardhura do të arrinin deri në 200 mijë dukatë – flori në vit.

Se në Kuvend, kishin marrë pjesë burra të fjalës dhe se atje kishin arritur një pajtueshmëri të plotë për bashkim dhe mbrojtje të atdheut dëshmon edhe realizimi i vendimeve, që filloi menjëherë. Pas Kuvendit ishte tubuar ushtria, kishte filluar mbrojtja, forcimi i fortesave, ishin krijuar dhe mbuluar me ushtarë të gjithat pikat strategjike për mbrojtje, ishin emëruar dhe vendosur komandatët kryesorë dhe të besueshëm. Po ashtu, Gjergj Kastrioti menjëherë e kishte përpunuar strategjinë ushtarake deri në detaje dhe atë e kishte biseduar me kapedanë e deri edhe me ushtarë.

Struktura e pjesëmarrësve në Kuvend nuk ishte e kufizuar as sipas moshës e as për nga fuqia e as për nga renomeja, sikurse edhe as për nga divergjencat e mëparshme. Me mbajtjen e Kuvendit të Lezhës u realizua strategjia shtetformuese e Gjergj Kastriotit dhe u krijua një atmosferë e tolerancës dhe e mirëkuptimit, që në fakt i siguroi sukses të plotë Kuvendit.

Betimi në lterin e kombit

Edhe sot e kësaj dite çdo kryetar i shtetit me rastin e inaugurimit e jep betimin para deputetëve të parlamentit. Edhe kryetari i Shqipërisë vepron kështu. Por, do të ishte me inters që në të ardhmen kryetari i Shqipërisë betimin ta japë para parlamentarëve, por jo në Kuvend të Shqipërisë në Tiranë, por në lterin e shtetit kombëtar, në kompleksin memorial të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Lezhë, aty ku u bë bashkimi i parë kombëtar, por edhe shteti i parë gjithëkombëtar. Bile, do të ishte me interes dhe mjaft simpatike që çdo konstituim i parlamentit në nivel të Shqipërisë të bëhet në atë vend të shenjtë të kombit dhe të shtetësisë shqiptare, atje të betohen edhe parlamentarët se do të veprojnë për të mirën e gjithë atdheut etnik, të gjithë popullit shqiptar, që është synim edhe i gjithë shqiptarëve.

I Madhi Ismail Kadare ndër të tjera thotë: “Se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte dhe mbeti kryeheroi më i madh i të gjitha kohëve të shqiptarëve, është se në kohën e tij arbërorët (shqiptarët) i takonin të njëjtës ushtri, komandoheshin nga e njëjta ushtri dhe e mbronin të njejtin vend”. Për këtë sot asnjë hero kombëtar i asnjë populli të Evropës apo të botës, nuk ka më shumë përmendore nëpër Evropë e botë se sa Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – ynë i Madh.

Llesh D. Biba – Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (drugdhendje)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
Google+
Google+
http://www.merbraha.com">
YouTube
YouTube