Cilat janë ushqimet më të mira për stinën e vjeshtës?

Të ushqyerit duhet të ndryshojë dhe përshtatet edhe sipas stinëve të vitit. Në pranverë dhe verë, kur rritet energjia dhe sistemi ynë i tretjes bëhet më i fortë, ne mund të konsumojmë më shumë ushqime të papërpunuara dhe të ftohta, ndërkaq në vjeshtë rritet dëshira për ushqime të gatuara dhe të ngrohta.
Nga Ajshe Leka*
Në pranverë dhe verë nuk kemi nevojë të shpenzojmë shumë energji për të ngrohur vetveten, por kjo nevojë na paraqitet në vjeshtë, për shkak të temperaturave të jashtme. Ushqimet e ngrohta ua mundësojnë disa personave që të kenë tretje më të lehtë.
Ka shumë faktorë që mund të ndikojnë që procesi i tretjes të bëhet më i dobët. Plakja, stresi kronik, funksionimi i dobët i tiroides, mangësitë e lëndëve ushqyese, sëmundjet autoimune dhe çrregullimet në bakteret e zorrëve, mund të ndikojnë në aftësinë tonë për të tretur mirë ushqimin që konsumojmë.
Për shkak se ushqimi i papërpunuar përmban sasi të lartë të lëndëve ushqyese dhe enzimave, te disa njerëz kjo mund të paraqet vështirësi për tretje, prandaj mund të rezultojë me fryrje të stomakut, gazra, dispepsi ose parehati. Prandaj, vjeshta është një stinë e rëndësishme, kur rritet dëshira për të ngrënë ushqime të gatuara. Këto ushqime ua mundësojnë disa personave që të kenë tretje më të lehtë të ushqimit.
Prodhimet vendore stinore, pothuajse gjithmonë vijnë në treg me një çmim më të lirë, përmbajnë më pak gjurmë të karbonit dhe janë më të freskëta dhe më të shijshme se ushqimi i ftohtë. Disa lëndë ushqyese humbasin vlerat kur ushqimi ruhet. Prandaj preferohet një shumëllojshmëri më e madhe e ushqimeve, ndër të tjera, sepse kjo ndihmon mikrobiologjinë tonë.
Antioksidantët gjenden te një mori ushqimesh, veçanërisht në fruta dhe perime me ngjyra të ndezura, të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin e një sërë sëmundjesh.
Ushqimi i mirë mund të ndihmojë në rritjen e sistemit imunitar, i cili do të ishte i gatshëm për të luftuar problemet shëndetësore të stinës së vjeshtës.
Këshilla jonë është që ushqimet e mëposhtme t`i përfshini gjithsesi në vaktin tuaj. Për të siguruar zinkun duhet të ushqeheni me mish të kuq të dobët, ushqime deti, qumësht, kokrra, thjerrëza, arra dhe të tjera. Për të siguruar vitaminën E ju keni nevojë për arra, fara, vajra bimorë etj., për vitaminën D – peshk, kërpudha, vezë, qumësht etj., për vitaminën C – fruta dhe perime, për hekur – mish, bishtajore, drithëra të fortifikuar të mëngjesit etj.
Duhet të bëni maksimumin për të qenë sa më aktivë, duke ecur, ngarë biçikletën, sport etj. Meqë gjatë vjeshtës, rrezet e diellit janë më të dobëta, kjo do të thotë që ju mund të kaloni më shumë kohë në diell, pa rrezikun e djegies, gjë që ju ndihmon për të rritur nivelet e vitaminës D.
Mos harroni se ngjyrat e stinës së vjeshtës në tryezën tuaj vijnë nga: kungulli, karota, panxhari, misri, kungull i njomë, patëllxhani, molla, lakra, lulelakra, rrushi, kivi, hurma, dardha, gështenja, ftoi, mushmolla, ullinjtë, brokoli, finoku, kërpudha, patatet, prasi, spinaqi, pazi, rrepa, selino (gjeth), majdanozi, kopër, labot, lëpjetë, çikore, nenexhik (menta) e të tjera.
Bukuria e stinës së vjeshtës nuk qëndron vetëm te gjethet e zverdhura, por edhe te pemët dhe perimet e stinës, të cilat e begatojnë tryezën tonë.
*Autorja është konsulente për nutricion dhe dietologji: fb.com/nutricistedietologe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
Google+
Google+
http://www.merbraha.com">
YouTube
YouTube