Krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare – Kundër Kryengritjes së Ilindenit’

Historiografia komuniste shqiptare me të pa drejtë e ka përkrahur  Kryengritjen e Ilindenit si: “Kryengritje maqedonase-shqiptare”

KRERËT E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE NË KRYE ME ISMAIL QMALIN U SHPREHËN:   “KUNDËR KRYENGRITJES SË  ILINDENIT   PASI AJO CËNONTE INTERESIN KOMBËTAR SHQIPTAR”

Nikolla Naço: “Besën nuk mund t’a japë, sepse stërgjyshërit tanë ua dhanë shumë popujve (besën), dhe u mashtruan”

Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili

Por edhe sot shtrohet pyetja pse shqiptarët mysliman dhe krerët e saj më të njohur nuk morën pjesë në Kryengritjen e Ilndenit, pasi ata ishin të bindur se kjo kryengritje ishte kundër interesave të tyre nacionale. Prandaj krerët shqiptarë jo vetë që e injoruan këtë kryengritje por edhe e luftuan me të gjitha mjetet që kishin në disponim. Krerët shqiptarë e injoruan fuqishëm këtë kryengritje sllave të iniciuar nga vetë Bullgaria dhe Rusia. Sot historiografia maqedonase manipulon me një “Manifest” që fare nuk ka ekzistuar gjatë kryengritjes, por ka në dorë një ”Manifest” tjetër që mban datën e 6 gushtit dhe në fund kërkohet autonomia e Maqedonisë.[1] Prandaj ky Manifest është i trilluar nga politika ditore bullgaro-sllave. Siç dihet edhe flamuri i Kryengritjes së Krushevës, është sjellë nga Bullgaria.[2] Në këtë kohë Lëvizja Kombëtare Shqiptare ishte një stadium më lartë dhe shumë më e organizuar se lëvizja sllavo-maqedonase, prandaj “Manifesti i tyre” nuk luante ndonjë peshë me rëndësi, që shqiptarët dhe krerët e saj të rendnin pas kësaj lëvizje.(V.Xh).

Sot e kësaj dite shtrohet pyetja kush është ai Këshill i qytetit të Krushevës prej 60 anëtarëve, që mban datën e  4 gushtit, ku ishin të propozuar 20 shqiptarë, 20 vlleh dhe 20 maqedonas. Ky Këshill  asnjëherë nuk u konstitua dhe as që ka funksionuar, por ngeli e shkruar vetëm në letër.  Ata shqiptarë që u trilluan në këtë letër si “dokument”, nga politika ditore sllavo-bullgare, ndoshta fare nuk kanë pasur njohuri për këtë këshim inekzistent ose me siguri kanë qenë pa ndjenja nacionale. Si mund të emërohet një Këshill, kur dihet se kurrë në atë kohë nuk janë  mbajtur  zgjedhje në Krushevë. Kur dihet se në atë kohë pushteti turk ishte shumë i fortë, ku përkrahej edhe nga vetë klasa sunduese shqiptare. Ata që janë të apostrofuar në këtë “Këshill Kryengritës” si: Vangjell Dino, Nikolla Balu e disa të tjerë të cilët për nga origjina dhe gjaku mund të jenë shqiptarë, por pa ndjenja kombëtare, siç ishte edhe Pjetër Gurri (Pitu Guli), i cili në atë kohë vepronte në Sofje, për nga baba ishte shqiptar ndërsa nga nëna Vllehe. V.Xh).

Siç dihet në këto çaste të vështira të popullit shqiptar, këta shqiptarë të apostrofuar më lartë e tradhtuan Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe platformën  e saj tl trasuar nga Krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në krye me Abdyl Frashërin në Lidhjen e Parë të Prizrenit në vitin 1878. Në këtë Kuvend marë kombëtar mbajtur në Prizrem u trasua platforma  për çlirim dhe bashkim të katër vilajeteve shqiptare, ku bënte pjesë edhe vilajeti i Manastirit me Krushevën deri në Prilep. Ndërsa Velesi i takonte vilajetit të Kosovës. (V.Xh)

Sot shtrohet pyetja këta dy apo tre vetë që apostrofohen nga historiografia sllavo-maqedonase, apo ajo bullgare, nëse kanë qenë shqiptarë,me ndjenja të pastra nacionale, atëherë shtohet pyetja pse luftuan për interesa të huaja bullgaro-sllave, kur dihet se sa e sa lekë ka harxhuar diplomacia ruse që ta risë dhe ushtroj ndikimin e vetë në këtë pjesë të Shqipërisë lindore. Këta shqiptarë…? pse dolën në krah të politikës hegjemoniste për ti ndihmuar Bullgarisë që ajo të ushtrojë politikën  e saj gllabëruese mbi këto territore shqiptare, që ajo dhe politika e saj hegjemoniste të sundojë në këto territore shqiptare, të hiqet dominimi shqiptarë dhe të mbisundojë politika sllave  mbi këto treva lindore të vilajetit të Manastirit. Pra me forcimin e politikës ruso-bullgare në këto pjesë të Shqipërisë lindore shkonte në dëm të popullit shqiptar që jetonte në këto troje të veta etnike dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në përgjithësi, e cila luftonte për bashkimin e katër vilajeteve në një shtet me një princ shqiptar.

Po ashtu, në këtë kohë është me rëndësi të potencohet edhe mendimi i një veprimtari të madh të kohës, Shahin Kolonja, në lidhje me çështjen e bashkëpunimit me maqedonasit, i cili deklaron: “Ky bashkëpunim mund të ishte nga ana tjetër edhe një faktor përçarës”. Për një kërkesë të disa shqipfolësve, në vitin 1903 pati edhe prishje midis Toma Avramit dhe Shahin Kolonjës, me të cilin bashkëpunonte për botimin e gazetës “Drita”.  Toma Avrami, i cili filloi të botonte organin e tij me emër “Vetëtima”, kishte dashur të afrohej me Mihajllovskin dhe me Komitetin maqedonas.

Shahin Kolonja ishte i mendimit “se nuk qe e mundur të bashkëpunohej me armiq, që donin ta gllabëronin gjysmën e Shqipërisë dhe t’ia bashkonin një Bullgarie të ardhshme të Madhe”.[3] Mendimi i Shahin Kolonjës mund të plotësohet edhe nga qëndrimi i Fuqive të Mëdha, ku pas këtyre reformave të aplikuara vetëm në krahinën e Maqedonisë, fshihej diçka tjetër.[4]

Vlerësimi i situatës politike nga disa krerë të Lëvizjes kombëtare Shqiptare ishte i drejtë dhe tejet largpamës. Pas trazirave të Ilindenit në vilajetin e Manastirit, atdhetari i shquar shqiptar që vepronte në vilajetin Manastirit, i shoqi i Parashqevi Qiriazit, i cili në këtë kohë jetonte në Manastir Kristo Dako, do të dëshmojë në memoaret e tij ku thotë: “Krushova hoqi të zitë e ullirit gjatë Kryengritjes Bullgare më 1903”.[5]

Meqë termi “Maqedoni” dhe e ashtuquajtura çështje “maqedonase”, u imponuan në mënyrë arbitrare në qarqet diplomatike, pa u marrë në konsideratë realitetet historike dhe etnografike, cenonte rëndë edhe tërësinë gjeografike dhe etnike të Shqipërisë, kufiri i së cilës në lindje shtrihej  midis Shkupit e Velesit, mali Mokrino-fshati Barabaras në lindje të Makedonski Brodit, ndërmjet fshatrave Deviç dhe Ropotovë-fshati Sopot në juglindje të Kërçovës, i zhdukur në vitin 1913 nga forcat pushtuese serbe, vazhdonte ndërmjet fshatrave Vraneshnicë, Kërçovë dhe Dolencë, Demir-Hisar, Gjavatë, ndërmjet Manastirit e Resnjës dhe vazhdonte përmes Pelisterit.[6]  Shtrirja gjeografike e “Maqedonisë”, në kuptimin e saj më të gjerë, deri-diku përplasej me kufijtë e gjerë të Shqipërisë, konstaton edhe K. Pavlloviq.[7]

Prandaj edhe termi “Maqedoni” ishte i pa pranueshëm për Perandorinë turke, kur dihet se administrata e saj gjatë gjithë sundimit të saj në këto territore, fare nuk njihte termin-emërtimin Maqedoni. Po ky  ishte i papranueshëm me atë domethënie edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për shkak të motiveve ekspansioniste që promovoheshin me atë emërtim apo nocion  ndaj tokave shqiptare, përkatësisht Shqipërisë Lindore.[8]

Ndërsa Ismail Qemali në kujtimet e veta do të shprehet: “Faza e fundit të ngjarjeve të Maqedonisë dhe vendimi i marrë prej Evropës për organizimin e këtij vendi, i bëri Shqiptarët të kujtojnë se mund të komprometonin bashkimin e tyre nacional. Prandaj filluan të ndjejnë një farë shqetësimi të fortë duke u habitur për fatin që e priste vendin e tyre. Që në këtë kohë kritike nga xhon-turqit u kërkua ndihmë në zbatimin e programit të tyre politik, i cili në shikimin e parë dukej konformë me aspiratat kombëtare shqiptare për bashkimin e gjithë elementëve etnikë nën të njëjtin flamur të drejtësisë e të barazisë dhe në këtë mënyrë t’u bënin ballë lakmive të huaja”.[9]

Pasi në këtë pjesë të Shqipërisë ishte shumë aktive politika dhe roli i bullgarëve, misioneve ruse dhe i klerit ortodoks e tjerë. Në këtë pjesë të territorit të Shqipërisë Lindore, prej vitit 1903, do të vendoseshin tërësisht ose edhe pjesërisht, xhandarmëria  ndërkombëtare dhe një inspektorat e përgjithshme. Me këtë iniciativë, rrjedhimisht, popullsitë e krishtera sllavofone dukeshin sikur luanin rolin e “Kolonës së pestë”, domethënë të bashkëpunëtorëve realë ose edhe potencialë të shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha. Prandaj, kundër këtyre reformave u shprehën edhe përfaqësuesit e Kuvendit të Ferizajt në mbledhjen e parë të tyre, më 14 korrik 1908. V. Xh).

Një ndër udhëheqësit më të shquar të Kryengritje së Resnjes, Nijazi Beu në një tubim të mbajtur në fshatinLlabunishtë të Strugës, para popullit të grumbulluar të këtij fshati, ai përveç tjerash  tha edhe këto fjalë: ”Erdhëm që t’u ftojmë në luftën e shenjtë për të mirën dhe fatin e atdheut tonë, i cili ishte zhytur në robëri të rëndë. Çfarë bëjmë tani? Shtëpitë tona digjen në flakë. Tymi na e zë fytin, zjarri na djeg  e ne presim të bjerë kulmi i shtëpisë e të na zhdukë nga faqja e dheut…

Kudo çeta komitësh, luftë, gjak dhe pjesë të këputura nga trupi i fëmijëve  tanë. Serbët thonë se ky është atdheu i tyre, bullgarët kërkojnë: Ohrin, Dibrën, Shkupin, Selanikun, grekët; Manastirin, Prilepin, Stambollin gjerë në Ankara. Por, mos  harroni: Shkodra dhe Janina, Novi Pazari dhe Prishtina, Shkupi dhe Velesi, të gjitha këto vise janë tonat.

Ne duhet të zgjohemi patjetër nëse kjo fatkeqësi nuk pengohet, atdheun tonë do na e copëtojnë  armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne. Do të na vënë në kokë kësula serbe, do të na i grisin mbulesat tona, do të na përdhunojnë  gratë dhe motrat tona. Neve do të fitojmë nëse e japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut. Më mirë të vdesim me nderë sesa gjallë me turp”. Ky u pritë si çlirues në të gjitha këto troje shqiptare, deri në Dibër.[10]

Për sjelljen barbare të kësaj kryengritje flasin faktet se: “vetëm në qytetin e Krushevës me hyrjen e komitave bullgaro-maqedonas u vranë 25 vetë nga të cilët dy gra dhe dy fëmijë”.[11]

Kjo fletë qartë çfarë propagande zhvillohej në këtë troje, kur dihet se shqiptarët dhe krerët e tyre kishin të trasuar rrugën e tyre drejtë çlirimit, për çka të luftonin dhe fare nuk kishin nevojë të involvohen në këtë lojë sllave, as të luftojnë për ta, as të vriten dhe as ti shkatërrojnë dhe djegin  shtëpitë e veta në Krushevë dhe më gjerë. Shqiptarët në këtë kohë kishin më shumë të drejta individuale se sa sllavët që jetonin në këto troje. Shqiptarët ishin shumë afër Autonomisë së tyre të shpallur në gazetën “Albania” , më 17  shkurt 1903.[12] Pra, siç shihet shqiptarët kishin dalë publikisht disa muaj para Kryengritjes së Ilindenit dhe kërkonin autonominë e tyre, në emër të katër vilajeteve shqiptare. Kjo kërkesë për autonomi me të madhe u pengonte shteteve sllave në krye me Rusinë. Pra në këtë kohë shqiptarët dhe krerët  e saj kishin shpallur platformën e tyre politike dhe kombëtare publikisht, duke i njoftuar edhe para Fuqive të Mëdha.[13]Prandaj shqiptarët dhe krerët e tyre më të shquar nuk e përkrahën këtë kryengritje sllave. Ata  nuk mund të luftonin kundër interesave të veta programore, pasi Krusheva dhe territori i saj me Manastir e Ohër, në këtë kohë i takonin vilajetit të Manastirit, ku shqiptarët e numëronin si tokë të tyre, me bashkimin e 4 vilajeteve.

Pas luftës së Dytë botërore edhe politika komuniste shqiptare u  gjunjëzua para këtij projekti bullgaromadh, kur dihet se kjo lëvizje në emër të VMRO-s është inskenuar nga propaganda bullgaro-sllave. Ndërsa pas luftës së Dytë Botërore kjo lëvizje për krijimin e shtetit maqedonas u mbështet edhe nga politika komuniste jugosllave dhe ajo shqiptare, edhe pse fare kjo tezë nuk ka mbështetje shkencore të quhet Kryengritja Maqedonase.[14] Pasi kjo lëvizje e anëtarëve të VMRO-s ishte kryekëput e inskenuar nga politika bullgaro-ruse për interesa të tyre, kundër bashkimit të katër vilajeteve shqiptare. Ndërsa “Manifesti” ishte i trilluar nga një këngë e  tyre ku thuhej: “Fqinj të dashur si; ju Turqit, shqiptarët dhe myslimanët të luftoni për “NËNËN” Maqedoni”.

Bashkëpunëtori më i ngushtë në këtë kohë i Ismail Qemalit, Dervish Hima, mori ftesë në qershor të vitit 1904, nga Faik Konica dhe Princi Albert Gjika, që të marrë pjesë në Kongresin “Armeno-Maqedonas” në Londër (që ishte organizuar nga ana e Komitetit Ballkanik të Londrës), me shpresë se aty do të mundet t’i përfaqësojë interesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por në realitet u mashtrua, se aty kishte të bëjë me një organizatë revolucionare bullgare, gjë që e dëshpëroi pa masë Dervish Himën, prandaj ai përsëri u kthye në Paris, ku e kishte edhe redaksinë e përkohshme të revistës “Albania”.[15]

Kësaj propagande të huaj, pas ngjarjeve të Ilindenit, për afrimin e shqiptarëve dhe bullgarëve (maqedonasve të krahinës së Maqedonisë), kurrë nuk i ka besuar kreu i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e në veçanti ideologu i shqiptarizmit Dervish Hima.

Edhe  Mit’had Frashëri ndante mendimin e krerëve shqiptarë, ku do të deklaroj: ”Një autonomi sllavo-maqedonse do të rrezikonte bashkimin kombëtar shqiptar, mbasi do të përmblidhte nën autonominë e saj  toka shqiptare”.[16] Pasi në këtë kohë Bullgaria haptazi kërkonte zgjerimin e saj territorial, mbi tokat shqiptare në emër të Maqedonisë së Madhe e cila shkonte në drejtim të Manastirit, Shkupit dhe disa pjesë të Kosovës.[17]

Më së miri për Kryengritjen e Ilindenit do ta përshkruaj historiani me renome botërore Misha Gleni, i cili do të shprehet:”  Viti 1903 qe nopran  për Shqipninë, pse plasi Kryengritja e Bullgarëve të Maqedonisë  dhe ata që u dëmtuan  ma tepër qenë Shqiptarët”.[18]

Prandaj në mbrojtje të interesit kombëtar, krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e përkrahën  Komitetin  “Bashkim dhe Progres”,  pasi ky Komitet në fillim i plotësonte  kërkesat e shqiptarëve duke u dhënë shqiptarëve të njejta të drejta  me kombësitë tjera të Perandorisë, që nënkuptonte edhe mbrojtjen e autonomisë së Shqipërisë. Kjo e shtyu Ismail Qemalin që në Kongresin e Parisit të turqve të rijë, në atë kohë i mërguar politik, të deklarojë  se ishte në favor të gjithëve një regjim konstitucional. Prandaj më 1908 shumë shqiptarë ishin bërë  anëtarë të këtij  Komiteti, i njohur si Komitet “Bashkim dhe Progres”, ku bënin pjesë përveç Ismail Qemalit, Ibrahim Temo, Dervish Hima e shumë krerë të tjerë të njohur të kombit. Pasi krerët shqiptarë ishin të bindur se xhonturqit me ardhjen e tyre në pushtet do të mbronin tërësinë territoriale të Perandorisë që nënkupton edhe të shqiptarëve. Me këto ndryshime politike do të stoponin reformat e filluara në vilajetin e Manastirit dhe Kosovës, si zona më të rrezikuara të Shqipërisë verilindore, nga agresioni i shtuar pansllavist, pas reformave të Myrstagut.

Shqiptarët në fillim të shek. XX nuk e lanë fatin e tyre në duar të Fuqive të Mëdha, por vendosën të veprojnë në të gjitha fushat për homogjenozimin e kombit, një ndër pikat kryesore në prag të Kongresit të Manastiri është vendimi i marrë në vitin 1908 në një mbledhje e shqiptarëve të krishterë  ortodoksë  në Shtet e Bashkuara të Amerikës, ku  vendos që të hiqet dorë nga kisha greke dhe të krijohet kisha e pavarur shqiptare në krye me Fan. S. Nolin. Kjo ndarje ishte një shtytje e fuqishme për të zhvilluar  ndjenjat kombëtare shqiptare drejt bashkimit kombëtar.

Ndërsa në trevat lindore, Dervish Hima është më meritori në formësimin e nacionalizmit shqiptarë deri në Shpalljen e Pavarësisë nga dora e Ismail Qemalit 1912. Në këtë kohë Dervish Hima kishte rreth vete mbi 10 mijë simpatizantë që luftonin për lirinë e Shqipërisë dhe alfabetin latin.[19]

Edhe pas kësaj që u th më lartë historiografia shqiptare vazhdon të përkrahë edhe më tutje këtë kryengritje hegjemoniste që u zhvillua në territorin shqiptar, , për të shkëputur nga projekti i Shqipërisë Etnike territoret lindore të Shqipërisë. Pra ky ishte projekt i Bullgarisë i përkrahur nga politika ruse, për të penguar projektin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në krye me Ismail Qemalin.

Prandaj të pranosh sot këtë propagandë komuniste sllave se shqiptarët morën pjesë aktive dhe luftuan në Kryengritjen e Ilindenit, do të thotë, “Të jesh në lojë me ta” që nënkupton një qëndrim  tejet të ulët dhe pa ndjena nacionale, që shqiptari nuk guxon kurrë ti harrojë këto përpjekje dhe sakrifica të krerëve shqiptarë për ta bërë Shqipërinë. Përkrahja e e Ilindenit çon ujë në mulli të huaj, siç u pa më lartë në bazë të deklaratave të veprimtarëve të kombit, kjo tezë është tejet e dëmshme për kauzën kombëtare, shprehimisht kundër Lëvizjes Kombëtare në luftën e saj për bashkim  të Shqipërisë Etnike.

Prandaj kërkohet nga Historiografia Shqiptare e Tiranës që ta përmirësojë këtë padrejtësi që i është bërë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me përkrahjen e Ilindenit. Siç dihet në atë kohë jo vetëm Manastiri që ishte kryeqendër e shqiptarëve, por  edhe Ohri, Prilepi dhe Krusheva me rrethinë nga periudha ilire e deri më sot ka qenë tokë vetëm toka shqiptare.

Tetovë 2019


[1] Istorijata na Krushevo i krushevsko, Krushevë 1978, 220-221.

[2] Istorijata na Krushevo i krushevsko…,  f. 221.

[3] Nathalie Clayer, Në fillimet e nacionalizmit shqiptar…,361. 

[4] Raport i Zhivojin Ballugçiqit nga Stambolli,  dërguar  Ministrisë së punëve të Jashtme në Beograd, nr. 795, më 8 shator 1907.

[5] Krist Dako, Albania The Master Key to the Near East, Boston 1919, f. 140; Ky më vonë do të martohet me atdhetaren e njohur nga Manastiri,Parashqevi Qiriazi.

[6] Halim Purrellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, Çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”), dhe imponimi i të ashtuquajturës “çështja maqedonase”, Seminari i III, Ndërkombëtar i Albanologjisë, në USHT, Tetovë-Shkup 2009, f. 201. 

[7] Stefan K. Pavlloviq, Istorija Balkana, (përkthyer nga serbishtja Çedomir Antiq), KLIO, 2001, f. 247.

[8] Halim Purellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”)…, f. 201. 

[9] IH-Tiranë, Kujtimet e Ismail Qemal Beut (pjesa e II-Shqipëria dhe shqiptarët) The memoirs-London 1920.

[10] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 60-61.

[11] Turski dok. za Ilindenskoto Vostanije od Sulatanot Fond “Jildz” Shkup 1997, dok. nr.77 dhe nr.172. Luben Lape, Novi dokumenti za Ilindenskoto Vostanije, INI, “Ilindenski Zbornik” 1903-1953, Shkup 1953, dok. 14, f. 39-40;  Ruski dok. za Makedonija dok.nr 103, f. 268-269. Në natën 2/3 gusht 1903 komitët dhe kryengritësit bullgar pushtuan Krushevën, më ç’rast i vranë dhe i masakruan njëzetepesë (25) mysliman, ndër ta (2)  dy gra dhe (2) dy fëmijë. Nga të gjithë qytetarët e konfesionit mysliman në Krushevë, vetëm se dy veta ia dolën t’i shpëtonin kësaj masakre. Nga 25 myslimanët, 10 veta u vranë në mënyrë barbare duke ua prerë kokën, Kryengritësit vranë 8 nënpunës, 2 gra, 2 polic, kurse masakruan kajmekamin me gjith familje dhe inspektorin e korrespodencës me familje, (me përjashtim të një vajze) dhe ispektorin e telegrafit me gruan dhe vajzën 12 vjeçare.

[12] Gazeta “Albania” më 17 shkurt 1903.

[13] Po aty, “Albania” 1903

[14] Kryengritja e  Ilindenit: në kohën e  Mbretit Zog, njihej si “Kryengritja Bullgare”, ndërsa gjatë periudhës komuniste të Enver Hoxhës, si “Kryengritje maqedonase”.

[15] H. Kaleshi, pun. i  cit. 162.

[16] Stavro Skendi, Mendimi politik dhe veprimtaria kryengritëse shqiptare 1881-1912, New Jork 1958,  f. 17.

[17] Stavro Skendi, Mendimi politik dhe veprimtaria kryengritëse shqiptare…, f.  8.

[18]Misha Glen, Historia e Ballkanit 1804-1999, Tiranë 2007, f. 186.

[19] Raport e konsullit Luba Mihajlloviç nga Shkupi, dërguar Ministrit të punëve të Jashtme të Serbisë, më 18 janar 1910.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
Google+
Google+
http://www.merbraha.com">
YouTube
YouTube