Mesazhi i protestave qytetare

Nga Fran Kamshi

Dyndja e protestuesëve në Tiranë dhe në shumë qytete të Shqipërisë është tregues i pakënaqësisë së qytetarëve kundër mënyrave abuzive të qeverisjes në veçanti, por dhe kundër modelit të hendekut midis politikës dhe “sovranit” në përgjithësi.

Flakja e mandatave të opozitës, si akt rebelimi ndaj “malit që s’bëza” të qeverisë, e ka zhytur politikën e Tiranës në një krizë pa kthim. Ky akt skajshmërisht reagues, avragues dhe dëshpërues, një rast thuajse unik në Evropë, nuk dihet se çfarë do të sjell më me vete, por një gjë është e sigurtë, palët politike në Shqipëri kanë humbur tashmë rregullat e lojës dhe po vërtiten në një jerm ekzistencial.

Fjala protestë, demonstrim,mosbindje civile tashmë në Shqipëri kanë marrë një zgjerim leksikor dhe semantik, ose më saktë kanë fituar dimensionet e një kuptimi të vërtetë, të asaj se çfarë ato përfaqësojnë në raport me shtetin dhe qytetarët. Rrethimi i Parlamentit, dhuna, eskseset janë dënuar nga ndërkombëtarët, por lind pyetja: A do të pranonin ndërkombëtarët një demokraci të tillë, fasadë dhe butaforike për qytetarët e tyre?! Ata që flasin në emër të ndërkombëtarëve kanë kohë që veprojnë me dy standarde; në fakt, ata janë vetëm disa përfaqësues në ikje, pasi rrangjet e larta të BE dhe SHBA-ve ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre.

Këto nuk janë protesta të zakonshme, as revolta të zakonshme; në një vështrim më të hapur, duket se kemi të bëjmë me një frymë të re kundër mënyrës se si ne shqiptarët jemi qeverisur në këtë periudhë të quajtur postkomuniste, një shans për të nisur një start të ri politik dhe shoqëror në këtë vend.

Fryma e kësaj lëvizje qytetare është në vijim të frymës që sollën protestat e studentëve. Gjithçka që përcollën studentët ishte jo vetëm kundër kësaj qeverie, jo vetëm kundër kësaj opozite me PD dhe LSI apo më këdo parti që mund tu bashkëngjitet, po kundër një praktike sundimi autokratik te një estabilishmenti, që funksionon për interesa të oligarkëve, kundër atyre të popullit.

Në asnjë vend normal një kryeministër, i cili vlerëson qytetarët e tij, nuk mund t’i perçmoj në mënyrë arrogante studentët, duke i etketuar si ngelësa apo katarnjosë. Në asnjë vend normal shteti nuk vërsulet me arrogancë kundër qytetarëve, duke i vjedhur, varfëruar, shtantazhuar dhe duke iu bërë moral për shtetin ligjor, që vepron vetëm për të varfërit dhe të pamundurit. Mendoj se është kulmi i injorancës së një politikani që fatkeqësisht e kemi votuar e na drejton. Nuk dua të merrem se si është Rama apo Basha, pasi koha na ka treguar çfarë udhëheqësish kemi pasur dhe kemi akoma..

Startimi i këtyre revoltave, në emër të qytetarëve të rebeluar, edhe pse inicohet nga opozita, nuk ka karakter thjeshtë opozitar. Ato kanë karakter popullor dhe pro ndryshimit të gjithçkaje në këtë vend, që qeveria e re që do të lind nga zgjedhjet e lira të mos guxojë më të jetë arrogante ndaj qytetarëve të vet.

Prandaj, këto protesta nuk janë përtë rrëzuar një qeveri e ngritur një tjetër; irritimi i qytetarëve, revolta e tyre në shpërthim kalon përtej bindjeve politike, duke mbajtur gjallë shpresën e së tashmes për të fituar betejën e së ardhmes. Ky irritim përfshin shtresa shoqërore të pakënaqura, kundrejt këtyre padrejtësive që “gulçojn” mund e sakrifica njerëzish të shpëblyer me injorim dhe indiferentizëm nga qeveria por dhe opozita.

A do të vazhdojnë këto protesta deri në fund, deri kur vullneti i qytetarëve t’iu jap një mësim të pakthyeshëm politikanëve të Tiranës? Pritet për t’u parë, por gjasat janë që të ketë radikalizim të protestave dhe një frymë të fortë antistabilishment. Shumë pyetjeve e dilemave  koha do t’iu japë përgjigje. Por gjasat iu janë dhënë shqiptarëve, që me anë të këtyre demonstrimeve, që kanë nisur në Shqipëri, të sjellin me vete ndryshimin e madh dhe të shumëpritur. Sovrani duhet të jetë ai që vendos për gjithçka dhe politika thjeshtë një menaxhare e përkushtuar në shërbim të interesave të sovranit.

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *

Facebook
Facebook
Google+
Google+
http://www.merbraha.com">
YouTube
YouTube