Hyrje | Aktualitet | Jetimët, të harruar e të braktisur nga të gjithë

Jetimët, të harruar e të braktisur nga të gjithë

Apelon Elvis Veizi, gjimnazist: Po vdesin rrugëve shokët tanë, nuk kemi as strehim e as punësim

Jetimët në Shkodër, që kanë mbushur moshën e trajtimit nëpër institucione nga viti në vit po ndihen gjithnjë e më të braktisur nga shteti dhe krejtësisht të pasigurt për jetën e tyre. Ndërkohë indiferentizmi i shoqërisë dhe paragjykimet ndaj tyre janë një tjetër anë negative që po u vështirëson jetën në kulm kësaj shtrese të popullsisë që janë të vetëm në përpjekjet për të mbijetuar. Këto probleme fillojnë të rëndohen sapo jetimët mbarojnë ciklin 8 apo 9-vjeçar e deri në përfundim të maturës. Më tej akoma jeta e tyre duket se është plotësisht e papërballueshme për shkak të braktisjes thuajse totale të shtetit dhe mospërfilljes nga ana firmave të ndryshme, apo dhe pronarëve të bar-restoranteve për punësimin e tyre. Pavarësisht këtyre problemeve të mëdha jetike, jetimët në Shkodër shqetësimin më të madh kanë strehimin që nuk u garantohet asnjëherë. Këto problem të përmbledhura nga një sërë hallesh të tjera i bën të ditur Elvis Veizi, njëri prej jetimëve të Shkodrës nxënës i vitit të tretë të shkollës së mesme teknologjike “Hamdi Bushati”. Prej më se një viti Elvisi është angazhuar personalisht që të ngrejë zërin në emër të të gjithë jetimëve të Shkodrës, tek strukturat e ndryshme shtetërore, por deri tani asnjë prej institucioneve nuk është treguar konkret për zgjidhjen të paktën të problemit të strehimit, që në disa raste është bërë dhe shkak i vdekjes së jetimëve.

(Mos)Përkujdesja

Elvisi sqaron se në Shkodër, jetimët trajtohen në mënyrë mjaft të mirë që nga lindja në Shtëpinë e Fëmijës e deri në shtëpinë e fëmijës shkollor. Ky kujdes tregohet deri në moshën 14- 15-vjeçare dhe më pas jetimët braktisen në mëshirë të fatit. Më fatlumët janë ata të cilëve u del ndonjë i afërm për ta mbajtur apo për ta sistemuar në punë a në një strehë të thjeshtë sa për të mos fjetur rrugëve. Ndërkohë një pjesë e jetimëve që janë të aftë të vazhdojnë shkollën e mesme kanë fatin të strehohen për katër vite në konviktet e shkollave profesionale ashtu siç është strehuar dhe Elvisi në konviktin e shkollës së mesme industriale së bashku me katër shokët e tij të dhomës Maliqin, Florin, Kristianin dhe Alfredin. Sipas Elvisit, jeta në konvikt për ta është e mirë pasi përveç se kanë një strehë trajtohen dhe me ushqim, ndërkohë që Bashkia u jep 10.000 lekë të reja në vit dhe nga 200 lekë të reja çdo muaj. Tani jemi mirë shprehet Elvisi, por pasiguria se ku do na përplasin dallgët e jetës pasi të mbarojmë shkollën e mesme, na gërryen nga dita në ditë. Ato i mundon së tepërmi realiteti i jetimëve të tjerë që pasi kanë mbushur moshën 18 vjeç kanë mbetur rrugëve duke u munduar të punonin ndonjë ditë ç’të mundnin për të siguruar të paktën kafshatën e gojës, ndërkohë që streha u mungonte.

Si vdesin jetimët...

“Sytë tanë kanë parë të vdesin shokët bashkëvuajtës rrugëve apo nëpër vendet e strehuara provizorisht”, shprehet Elvisi. Dhe më të vërtetë raste të tilla kanë ndodhur. Elvis Kalvari, rreth dy vite më parë ndërroi jetë në shkallët e ftohta të Pallatit të Sportit të Shkodrës. Duke mos pasur strehë, natën flinte nën shkallët e pallatit të sportit ku dihen pasojat që të jep fjetja në beton për vite të tëra. Gentian Krosaj ndërroi jetë në vitin 2003 për shkak të mungesës së strehimit dhe pamundësisë për të jetuar.

Jetimët kanë të vetmen shpresë për të mbajtur frymën gjallë ndihmën ekonomike prej 1700 lekë në muaj që u jep Bashkia. Ndërkohë ata kërkojnë që firmat të krijojnë hapësira për punësimin e tyre pasi ata nuk përbuzin asnjë lloj pune. Ata janë të gatshëm të punojnë punë krahu, si hamej, pastrues, etj, pasi askush nuk është kujtuar se atyre u duhet dhënë ndonjë zanat. Ndërkohë strehimi vazhdon të mbetet problem kryesor edhe pse në shkresat zyrtare të prefekturës ekziston një urdhëresë për dhënien përparësi strehimit të jetimëve. “Çdo qeveri premton dhe vazhdimisht vetëm premton, por asnjëherë jo vetëm që nuk ndihmohemi, por përkundrazi ndjejmë të përbuzemi e paragjykohemi pa të drejtë. Është absurde se si njerëzit përfshirë dhe pushtetarët na mbyllin dyert dhe na shohin me një sy tjetër, për të faktin e vetëm se jemi jetimë të rritur nëpër institucione, duke vuajtur pasojat e një faji jo tonin dhe që askush nuk e dëshiron”, thekson Elvisi.

Pushimet nga puna...të parët jetimët

Më vunerabël vajzat jetime që enden rrugëve

Për Elvisin dhe shokët e tij që kanë dalë nga institucionet para dy –tre viteve jetesa është tepër e vështirë për të mos thënë e pamundur. Edhe kur dikush i punëson, koha e qëndrimit është e shkurtër pasi shkurtimet që bëhen i prekin ata të parët, pasi janë pa mbështetje. Ndërkohë situata vështirësohet më tej për vajzat, të cilat e kanë edhe më të domosdoshëm të paktën strehimin. Vetëm këtë vit janë dy vajza jetime që kanë dalë nga shtëpia e fëmijës shkollor për shkak të mbushjes së moshës dhe janë të detyruara të enden rrugëve në mëshirë të fatit, duke shpresuar se dikush do t’i punësojë, në mënyrë që ta nxjerrin vetë jetesën. Fatmirësisht duke qenë vetëm 15 vjeçe ata janë strehuar provizorisht në konviktin e vajzave të shkollës së gjuhëve të huaja ku jetojnë dhe jetime të tjera, por pas vitit tjetër pritet që t’i largojnë pasi nuk ka më vend për to. Nisur nga këto fakte të dhimbshme Elvisi në emër të jetimëve të Shkodrës u bën apel të gjithë pushtetarëve vendor e qendrorë që të kujdesen seriozisht për ta, pasi nuk kanë mbështetje tjetër nuk kanë kujt t’i drejtohen për ndihmë. Njëkohësisht Elvisi u kujton pushtetarëve se para vitit ‘90-të, pavarësisht sistemit diktatorial, jetimëve u sigurohej gjithmonë jetesa nëpërmjet strehimit dhe punësimit, ndërsa sot askush nuk po interesohet për këtë kategori të shoqërisë që ka më tepër nevojë se kushdo.

Gazeta Metropol

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7