Hyrje | Aktualitet | PËR LULZIM BASHËN, PËRTEJ NJË SHPJEGIMI VOTE…

PËR LULZIM BASHËN, PËRTEJ NJË SHPJEGIMI VOTE…

PËR LULZIM BASHËN, PËRTEJ NJË SHPJEGIMI VOTE…

Nga Azgan HAKLAJ*

 

Ngelen edhe pak orë të nxehta deri në konfirmimin zyrtar të liderit të ardhshëm të PD-së. Duke besuar se i përkas dhe përfaqësoj një shtresë në këtë parti, që nuk ka aspak favore, por përkundrazi, mbart sakrifica të njohura në emër të dimensionit të kërkuar të lirisë e demokracisë, kam shfrytëzuar lirinë time jo vetëm të shprehem, por dhe të marr pozicion solid, të ndërgjegjshëm, publik, për kandidatin e preferuar “natyrisht” Lulzim Basha. Theksimi intonativ i fjalës “natyrshëm” nuk vjen si një ego preferenciale, por si një reagim logjik për t’i dhënë Partisë Demokratike medikamentin antishok, pas një rezultati jo vetëm të pamerituar, por dhe sensacional, që tejkalon limitet e habisë elektorale dhe njerëzore.
Kërkesa që më është shtruar verbalisht gjatë udhëtimit të këtyre ditëve nga Saranda në Tropojë prej demokratëve qëndrestarë, si dhe jo pak apele publike mediatike për një prononcim të hapur, më kanë obliguar të propagandoj, të shkruaj, meditoj e apeloj, për një mbështetje të paekuivoke të anëtarësisë tonë për Z.Lulzim Basha.
Pozicionimi im bën krenar jo vetëm mua, por edhe qindra e mijëra demokratë të vërtetë anembanë Shqipërisë, qofshin apo jo të dixhitalizuar për votimin e 22 korrikut 2013. Kjo për arsye se, në këtë inkursion timin fizik, politik e moral, në krah të fitores së Z.Basha, nuk kam shfrytëzuar asnjë favor që të jep pushteti, brenda dhe jashtë partisë. Ajo që kam shfrytëzuar është investimi im, për dy dekada, në shërbim të Partisë Demokratike dhe idealeve të saj fisnike e kombëtare.
Kjo nuk ka ndodhur me miq e kolegë të mi anëtarë e funksionarë në parti e qeveri, të cilët pavarësisht kamuflazhit, janë vetëdekonspiruar duke i shërbyer z. Olldashi. Persona të identifikuar deri në targat e makinave zyrtare që përdorin, kanë paraprirë në çdo udhëtim Olldashin. Këta janë funksionarë të lartë të ministrisë që drejton Ai, si dhe drejtorë të qendrës e bazës. Ky veprim bie ndesh, jo vetëm me normat e vendosura në parti për garën, por përbën edhe abuzim me detyrën duke i sjellë dëm ekonomik shtetit. Unë akuzoj hapur, ata që marrin pagën e shtetit me paratë e taksapaguesve hallexhinj shqiptarë dhe braktisin zyrën për të shoqëruar, propaganduar, duartrokitur e stimuluar, ministrin në detyrë z. Olldashi. Edhe në sekondën e fundit, pavarësisht nga humbja që pësuam, kushdo qeveritar, në çdo hallkë, duhet të prezantojë performancë të lartë, pasi nuk është vetëm produkt i një ofiqi klanor të fituar, por është edhe shërbëtor i mirëpaguar i njerëzve.
Disa kryetarë degësh në rrethe, të ndërsyer nga funksionarë të lartë aktualë në qendër, nuk kanë respektuar garën duke bërë çmos tinëzisht të zbehin fushatën e Z.Basha. Por këta zotërinj, edhe kësaj radhe, si në zgjedhjet e 23 qershorit, u bënë viktima të “bumerangut”. Z.Berisha e ka apostrofuar, si dhe është detyruar ta përsërisë, se është e palejueshme përdorimi i çdolloj aseti politik, partiak, e aq më keq shtetëror, në shërbim të kandidatëve në garë.
Mijëra demokratë, kudo ku ka shkelur zoti Basha, e kanë pritur njerëzisht, të prekur e entuziastë, si një shpresë gati mistike. Kjo pritje stimulante ka ardhur jo vetëm prej cilësive shumë dukshëm të spikatura e të provuara të Lulzim Bashës, por kryesisht prej inteligjencës demokrate, e cila e di mirë se s’është vetëm kohë megalomanie inercike, por një situatë ringritje, pse jo shumë e zorshme.

 

Njëlloj si unë, ata mijëra demokratë konstatojnë lehtësisht se ringritjen nga goditja në ring nuk ta dhuron kundërshtari dhe as gjyqtari. Ringritjen me shpresë e me fuqi ta jep ndjesia spirituale, ta jep ideali, e idealin ta inkorporon karakteri, e karakteri nuk formohet me retorikë e propagandë. Karakteri është gjenetik, i prekshëm e real, jo refleks virtual. Ky karakter, i materializuar gjatë gjithë jetës njerëzore, politike e shtetërore, e ka bërë Lulzim Bashën realisht shumë superior në këtë garë. Ajo që vlerësohet më tepër, dhe jo vetëm mua, është fakti se kjo garë në PD, ndonëse e para e këtij lloji, është garë e vërtetë dhe jo sajesë, si ajo mes Ramiz Alisë e Namik Dokles. Analistët e paguar diversionistë të së majtës po zhgënjejnë me konstatimet e “profetësitë” e veta publike e mediatike, bastet e fallet e tyre nuk funksionojnë më. Fitorja e sigurt e Lulzim Bashës, jo vetëm që nuk ngjason si produkt preferencial i z. Berisha, por është nevojë imediate e demokratëve për ringritje, rinovim, ristrukturim, e si rezultat, për fitore të sigurt e të shpejtë. Në këtë koment të sinqertë dhe të hapur, s’mund të lë pa vënë në dukje kënaqësinë time për fitoren reale që më 22 korrik sjell z. Lulzim Basha në postin e kryetarit të PD-së. Kënaqësia, deri në inspirim, buron nga një fakt. Unë nuk kam asgjë personale me z. Olldashi, ia njoh kontributin në opozitarizmin tonë të hershëm, por s’mund të mos e diferencoj me opozitarizmin tim dhe miqve të mi qëndrestarë. Opozitarizmi ynë paguhej me gjak të derdhur, me atentate e pranga, ndërsa ai i Olldashit ishte tejet më komod, deri relaksues, në ambiente baresh e lokalesh, nën shoqërinë e miqve të tij të vjetër gazetarë. Ajo që më bën të mbështes pa mëdyshje Z.Basha është një ndjesi e shtysë, sa idealiste aq dhe imediate. Theksoj interesat imediate, sepse kushdo e di se mbështetësit e hapur dhe suflerët e prapaskenës së Olldashit, janë autorët dhe aktorët realë të humbjes tronditëse që pësuam. Shpresoj se rezultati i garës së 22 korrikut do t’i shtyjë ata në reflektim të thellë, që do t’u shërbejë jo vetëm atyre, por të gjithëve, idealit tonë, parimeve për të cilat u krijuam, do t’i shërbejë misionit që na caktoi historia dhe askujt tjetër. Kjo nuk presupozon një largim a spastrim të humbësve e kryehumbësve, por kam besim të plotë se më 23 korrik 2013 fillon një epokë e re premtuese në PD, dhe kjo i bën mirë jo vetëm anëtarësisë por edhe mbarë vendit.
Me Lulzim Bashën sot në opozitë, por edhe shumë shpejt në mazhorancë, do të rikthehemi besueshmërisht në një fuqi politike moderne, integruese, me dimensionet demokratike e perëndimore që lipsen për ditën e triumfit. Ky triumf vjen duke bashkuar të gjitha forcat centrifugale e centripetale, për riformatimin e të djathtës dhe krijimin e një ansambli politik, me korife Lulëzim Bashën. Ai mund të na mbajë të bashkuar, mund të shpëtojë PD-në nga personazhe politike, që edhe qënien e tyre biologjike janë të gatshëm ta ndërrojnë si “hidrat  indiane” gjatë qëndrimit në opozitë, dhe pastaj të sulen si krokodilë për të marrë “llokmat e pushtetit”. Basha ua kthen shqiptarëve ditën e ngadhënjimit si atë të Dhjetorit ‘90 që erdhi me ditëlindjen e lirisë në kuptimin klasik, të asaj lirie të burgosur apo të shtegtuar me dhunë.

 

Nëse bëjmë një rekuiem, askush nuk më ndalon të konkludoj se themelimi i PD-së barazohet me pavarësinë. Me 1912 u mëvetësuam prej okupatorit siç ishte perandoria osmane, në dhjetorin 1990 u çliruam nga komunizmi, një okupator medioker aq sa osmanllinjtë e vjetër e despotikë, i pashpirt sa nazi-fashizmi. Prandaj sado të përfliten definicione e sofizma dashakeqëse, prijësit e dhjetorit janë e do të mbeten  Ante në panteonin e shqiptarëve.
Liria dhe demokracia  janë të mira që nuk dhurohen, por imponohen, ato duan trasenë e vetë të shëndoshë e të sigurtë. Pikërisht kjo trase u ndërtua nga PD, nga kontributi i gjithëseicilit, ku shumë prej tyre u eklipsuan dhe u harruan. Apoteoza e misrit dhe liria si mollë e ndalume ishin fytyra e sistemit, ndërsa dhuna, burgosja, vrasja, vetë zemra e tij. Pikërisht në kulmin e dhunës lulëzoi liria, dhe ditëlindja e saj është vetë ditëlindja e PD-së.
Lulzim Basha me të drejtë, si alfa të programit të tij ka njohjen e kontributit historik të çdo anëtari të partisë demokratike dhe institucionalizimin e konkurrimin e vlerave në parti. Prandaj dëshiroj t’ju bëj thirrje dhjetoristëve: “Zgjidhni Bashën, ai është vazhdimi i ëndrrës tonë”, sepse thirrjet e dhjetoristëvë të vitit ’90 ishin: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”.
Basha është mishërimi i vlerave universale europiane, me kontribut në liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ndërtimin e rrugës së kombit. Çështja kombëtare, nga një program propagandistik folklorik, është transformuar e përjetësuar nga PD-ja, në një program praktik, konkret, lëvizjeje shumëdimensionale integrimi, ekonomik, kulturor, politik, të dukshëm nacional, ku spikat roli i Bashës.
Kujtesa nuk presupozon harresën. Një komb që harron, edhe memorien edhe avenirin e ka të çartun.

 

*Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7