Hyrje | Aktualitet | Dijana Dukaj: Në përkujtim të kaliuarës së lavdishme

Dijana Dukaj: Në përkujtim të kaliuarës së lavdishme

Dijana Dukaj: Në përkujtim të kaliuarës së lavdishme

NË PËRKUJTIM TË KALUARËS SË LAVDISHME

Nga Dijana Gj. Dukaj

Fundviti  është periudha kur duhet rikujtuar  vitin që po lëmë pas, ditët dhe të arriturat ose atë që është dashtë të arrihet në dymbëdhjetë  muajt e kaluar. Analistë dhe ekspertë nga lëmi të ndryshme tentojnë të shënojnë atë që tashmë i takon të kaluarës, qoftë edhe një vit historik. Prandaj, të gjithë ata që në çfarëdo mënyre, janë të pranishëm në jetën publike, e kanë obligim të rikujtojnë qoftë edhe ndonjë ngjarje, personalitet, datë apo ndonjë moment  nga kjo pjesë e të kaluarës sonë njëvjeçare.

S’ do mend se, madje, çdo ditë meriton të rikujtohet me përmbajtjen e vet, personale apo të përgjithshme, por   rëndom fjala është për ato që koha  do t’i dëshmojë  si vlera jetëgjatë  të ndodhura në kohë dhe vende të caktuara. Përveç ngjarjeve me përmasa më të gjera, ne si pjesëtar të popullatës shqiptare, po ashtu, kemi përjetuar ngjarje të këndshme dhe të dëshiruara, siç ishte vendosja e përmendores së Dedë Gjo’ Lulit, në kryeqendrën shqiptare, në Tiranë. Kjo ngjarje e shënuar më 27 Nëntor, ishte kurorëzim i përpjekjeve  të  gjata, sidomos të bashkëvendësve tonë që jetojnë në mërgim, respektivisht të shoqatave “Malësia e Madhe”, në Michigan dhe New  York, të cilat me mjetet e veta financuan realizimin e këtij aktiviteti në nderim të heroit tonë kombëtar Dedë Gjo’ Lulit.

Po të njëjtën ditë në Tiranë, u mbajt simpozium historik në temën “Dedë Gjon Luli dhe Malësia e Madhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, në të cilin emra të njohur shkencor, krijues dhe gjurmues shqiptar, ndriçuan figurën madhore të Dedë Gjon Lulit dhe ngjarjeve të shumta të lëvizjes kombëtare si pararendëse të Pavarësisë së shtetit Shqiptar. Kjo ditë përkujtimore u mbyll me aktivitetin e organizuar në Pallatin e Brigadave në Tiranë, me ç’ rast, presidenti ,  Bujar Nishani, dekoroi Dedë Gjo’ Lulin, me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”.

Mirëpo, aktivitetet kushtuar kësaj figure të lavdishme të historisë kombëtare, nuk përfunduan me kaq. Shoqata “Malësia e Madhe”, nga New  Yorku, më 20 dhjetor, organizoi Konferencën shkencore përkujtimore “ 100 vjet  nga vrasja e Dedë Gjon Lulit”, në të cilën, siç na njoftuan  nga kjo shoqatë, gjurmues dhe krijues të  dalluar nga radhët e mërgatës sonë, siç janë; Fran Cama, Xheladin Zeneli, Pjeter Ivezaj, Dalip Greca, Halil Nikaj, Mhill Velaj,  dhe Xhevat  Kukaj,   shpalosën  fakte historike mbi këtë ngjarje  të njohur nga e kaluara jonë kombëtare.

Konferencën e moderoi aktivisti i njohur i Shoqatës Kolë Cacaj, kurse kryetari i sajë, Ejllo  Berishaj, në fjalën e tij përshëndetëse, veçoi rolin e diasporës sonë në ruajtjen dhe mosqitjen  në harresë  të Kryengritjes së Malësisë të udhëhequr nga kryetrimi Dedë Gjo’ Luli, si njërën  ndër ngjarjet më domethënëse për të ndriçuar një pjesë aq të rëndësishme të kombit shqiptar. “Diaspora dhe shoqatat tona  gjithnjë kanë bërë organizime të ngjashme që edhe pasardhësit tonë të lindur në mërgim të jenë krenar me identitetin e tyre kombëtar por edhe njëkohësisht të krenohen me stërgjyshërit e tyre si Dede Gjo’ Luli e të tjerë, të cilët me atdhedashurinë e tyre bënë të mundur për të mbrojtur qenien shqiptare në trojet tona stërgjyshore”, ka theksuar mes tjerash Berishaj.

Është kënaqësi kur nga vendlindja  mësojmë për aktivitete të këtilla të bashkëvendësve tonë në mërgim, të cilët vazhdojnë gjithnjë me të njëjtin entuziazëm të ruajnë dhe të kultivojnë vlerat tona të shenjta, të trashëguara nëpër shekuj. Nuk është e tepërt që në prag të festave të fundvitit  të kujtojmë ngjarjet e këtilla me mirënjohjen më të thellë  për të gjithë ata që nuk u kursyen për të kujtuar dhe ndriçuar data dhe ngjarje të shënuara historike nga e kaluara jonë e lavdishme. Prandaj, në prag të festave të fundvitit, duke i përgëzuar të gjithë ata që kontribuan në këtë drejtim, urojmë që viti i ardhshëm të jetë vit i sukseseve  dhe të arriturave edhe më të mëdha në rrafshin mbarëkombëtar.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7