Hyrje | Aktualitet | Fotaq Andrea: Poetë botërorë për Skënderbeun

Fotaq Andrea: Poetë botërorë për Skënderbeun

Fotaq Andrea: Poetë botërorë për Skënderbeun

Viti Skënderbeu

Poetë botërorë për Skënderbeun

Nga Fotaq Andrea, “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”

Fillimi i Rilindjes europiane në shekullin XVI njeh si një nga kulmet e veta të lulëzimit edhe botimin në latinisht të veprës së Barletit « Histori e Skënderbeut » më 1508-1510. Shumë shpejt vepra e humanistit shqiptar do të bëhej objekt studimi për historianët italianë, gjermanë e francezë dhe pas përkthimit të saj në gjuhën gjermane (1533), vepra do të shënonte edhe një botim origjinal në gjuhën frënge nga Jacques de Lavardin (1576). Kjo vepër jo vetëm njohu disa ribotime radhazi në Francë në shekujt XVI-XVII, por u bë edhe vepra bazë për përkthimin e Barletit në krejt gjuhët evropiane, anglisht, spanjisht, portugalisht, suedisht e me radhë, deri në polonisht, si dhe shërbeu si burim frymëzimi për një letërsi dhe art të mirëfilltë të epopesë skënderbejane, në krejt gjinitë letrare, poezi, novelë e roman, por edhe në opera e opereta, e sidomos në artin e fuqishëm të pikturës e grafikës, ku lulëzuan portretet e Heroit kombëtar shqiptar dhe të figurave të rëndësishme të historisë kastriotine e shqiptare.

Nga ana tjetër vepra “Histori e Skënderbeut” e Barletit dhe e francezit Jacques de Lavardin, për vlerën e saj të çmuar, u përshëndet që në fillim nga poetë me emër të kohës, që ishin njëkohësisht edhe humanistë të shquar të Rilindjes europiane, latinistë, profesorë, retorikë, oratorë, si Vincentius Petrus Regulus e Patavinus Dominicus Alegzenano, e mbi të gjithë nga Pierre de Ronsard, i konsideruar “Princ i Poetëve” dhe “Poeti i Princërve të Plejadës franceze.

Njëmbëdhjetë poemat dhe poezitë për Skënderbeun nga autorë të shquar botërorë që po botojmë këtu përfaqësojnë në fakt tre epoka të ndryshme historike: periudhën e Rilindjes europiane me Gabiele Faernon e Luigi Groton, etj.; periudhën e luftës për pavarësinë greke në fillim të shekullit XIX, kur shkëlqyen Boçari me arvanitasit e tij dhe kur Bajroni përjetësoi shqiptarin historik të Skënderbeut me fustanellën e gjatë karakteristike; dhe më në fund periudhën e fillimit të luftës për pavarësisë shqiptare me Ligjen e Prizrenit dhe kur De Rada i shkruante Lamartinit të madh e Dora d’Istria në Amerikë i kërkonte Longfellout, poetit kombëtar amerikan, të shkruante për lavdinë skënderbejane. Fakti është se nga Rilindja europiane e gjer në ditët e sotme, figura e Skënderbeut ka qenë dhe mbetet simbol i përhershëm frymëzimi i vargut të ëmbël lirik e poetik. 

LAVARDIN Jacques de (shek. XVI). 

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, emër i pavdekshëm,

shenjtëruar në tempullin e Kujtesës. 

Pjesë nga Parathënia drejtuar Fisnikërisë franceze. 

Do hasni këtu një Princ fetar, zemërbardhë, luftarak, armatosur me besë e zell të pabesueshëm, një ushtar besnik, unanim, i bindur. Do vëreni një bindje aq të përkryer të disiplinës ushtarake, sa fitoret e papërfillshme dhe bëmat e të tjerëve do t'ju duken më pak të denja për adhurim. Është këtu jeta e Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur nga turqit Skënderbe, Mbret i Shqipërisë, emri i pavdekshëm i të cilit është i denjë, pa kurrfarë kundërshtimi, për t'u shenjtëruar në tempullin e Kujtesës, përmbi, rastësisht, të gjithë të tjerët të rekomanduar kalorës e kampionë të Jezu Krishtit, prej tij gjallëruar në do vise të Levantit përballë sektit  të Mehmetit, ku ai, më se një herë ka shfaqur krejt cilësitë dhe prerogativat e lëvdueshme, sikurse janë besimi, forca, zhdërvjelltësia trupore, shkathtësia mendore dhe praktikimi i armëve, zbatuar me një këmbëngulje aq të pazakontë sa bëmat e tij i tejkaluan meritueshëm, mund të thuhet, vetë misionet e paracaktuara; dhe prej tyre, unë nxora e mora, sipas historisë së vërtetë, shkrime nga ata që kanë folur, në mënyrë të veçantë nga Marin Barleci, Prift, lindur në Skutari të Shqipërisë, që mendova ta kem si ekzemplar e patron kryesor, si autor që, tek njihet për shumë zotësi e vërtetësi, për shumë seriozitet e gojëtari, meriton vend ndër Historianët latinë më në zë të shekujve të shkuar. [...] 

Dy poemat e Vincentius dhe Patavinus

VINCENTIUS,  Petrus  Regulus (1519-1581).

Poemth në ballinën e librit të Barletit për

“Historinë e Skënderbeut”, Romë, 1508-1510.

 Skënderbeu, rrufe do t’ju shfaqet! 

Lexuesit: 

Armiqtë e besimit të shenjtë,

Përballë armëve ngadhënjimtare

Shfaqur Apostolike,

U mposhtën nga ligjet,

Në ndeshje me ata prijës të lartë mahnitës,

Që u admiruan aq shumë.

Skënderbeu, rrufe do t’ju shfaqet,

Shpirtmadh përherë në veprim

Aq të domosdoshëm e dimë,

Kur turqit e egër aq shpesh bënë masakra.

Besimin te Venediku s’e humbi ndonjëherë;

Si luan, i erdhi në ndihmë aq mirë,

Në emër të miqësisë,

Kur edhe vetë emri i tij

Me sa duket, do të thotë në gjuhën turke

Aleksandër i Madh,

Lexues mik, Përshëndetje. 

PATAVINUS, Dominicus Alezegnano (shek. XVI).

Poemth në ballinën e librit të Barletit për

“Historinë e Skënderbeut”, Romë ~1508.

Një gjeni i lartë, me gjak të ndritur. 

Me krenari të flasim, se ja ku lexuesi veprën

E një gjeniu të lartë po përshkon,

Emrin autori gjer në yje ia çon,

Skanderbegu, me gjak të ndritur lindi,

Me shpirtmadhësi u shfaq, ky prijës bëmash heroike,

S’binte më poshtë nga Kamiliusi në madhështi,

Cezari i pamposhtur nuk i afrohej dot për trimëri

Të madhit të Epirit, që aq ndritshëm ngadhënjen.

Krenar jam për bëmat e larta të këtij princi të paparë. 

AMADIS, Jamin (1540-1593).

Skënderbeu, në radhën e Perëndive.

(Odë në librin e Lavardinit "Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë").

[...] I lumtur them bredharaku

Që Inditë shkon të kërkojë,

Që majë valëve endet,

A mbi tokë rendet.

 

Dëshira është zjarr i bukur,

Pa të, gjithçka do të ish e humbur.

Por, kush nga fisnikja dëshirë

Ndjen guximin e përtërirë,

Kush nga dashuri shembullore

Mbron tokën amëtore,

Ai është njeriu i lumturive,

Është i përzgjedhuri i Perëndive.

 

Virtyti në thelb përmban veprim,

Emulacion e nderim;

Fatlumi virtyt

Veprimin e keq e mbyt,

Siç na e mëson Skënderbe kjo tëndja histori.

Pas kujt të kapet, virtyti e di.

 

Dhe Skënderbeu gjithë trimëri,

I denjë për Përjetësi,

Gjak i kulluar mbretërish të Epirit,

Sikur të mos kish zgjedhë jetën në liri,

Ashtu si stërgjyshërit e tij,

A do qe vallë sot në radhën e Perëndive?

RONSARD, Pierre de, (1524-1585).

(Sonet në librin e Lavardinit "Histori e Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë").

 

O nder i shekullit tënd !

O shqiptar prej fatit sjellë !

 

Epiri veç në kuaj është i pasur,

Të aftë çmimin për t’ia zhvatë zemrës Olimpiane;

Pale në burra luftëtarë, gjak i

lashtë i të cilëve,

Krenohet që del i guximtë, prej trimit Akil.

 

Pirron kam për dëshmitar që shfarosi plot qytete,

E për varr pati murin e lashtë argjin,

Dhe Skënderbeun, fitimtar ndaj popullit skit,

Që nga tërë Azia dëboi Ungjillë.

 

O nder i shekullit tënd ! O shqiptar prej fatit sjellë !

Dora tënde, turqit mundi plot njëzet e dy herë,

Tmerr i radhëve të tyre, llahtarë e kështjellave të tyre;

 

Dhe prapë, i vdekur do ishe, prej fatit përpirë,

Sikur vepër fort e zgjuar e të diçmit Lavardin,

S’do kish ringritur bëmat e tua, vdekjen tek ta mposhti. 

CHRESTIEN, Florient (1541-1596). 

(Poemth në librin e Lavardinit "Histori e Gjergj Kastriotit të mbiquajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë"). 

Përkushtim: “Për Fisnikun Lavardin, Fisnik i Plessis-Bourrot, Fisnik fort i diçëm e i virtytshëm, mbi "Historinë e tij të turqve”.

 

Francez, imito Skënderbeun!

 

Nuk mundem, Lavardin, të rri -

Para bëmave lavdiplotë, të trimit Epirot,

Para virtytit të tij famëmadh,

Që ti na e dhe plot shkëlqim me këtë Histori,

Të bukur e të dëlirë -,

Pa qortuar më parë frëngjit tanë,

Trima të tërbuar;

Pa hequr thellë në shpirt për atë çka mund të kishim bërë ne më mirë,

A të paktën mos të harrojmë

Që sado pak territore do mund të kishim liruar

Nga i huaji Barbar, i fuqishëm e ngadhënjimtar.

 

I mjeri ti francez, në këtë liri servile,

Që këmbëngul ethshëm në luftën civile,

Shndërroje mjerimin tënd

Me anë të kësaj Historie;

Imito Skënderbeun dhe turp të të vijë

Që pabesi e Barbarëve

Të la në prapavijë,

Vepro në të kundërt, në qofsh

i Krishterë,

Dhe me sadopak vlerë.[...]

 

FAERNO, Gabriele (1510-1561).

 

« Sul sepolcro di Scanderbeg » in Paolo Giovio,  « Gli elogi Vite brevemente sceritte d’huomini illustri di guerra  antici e moderni… »  [Në varrin e Skënderbeut, sipas librit të Pal Jovit « Shkurtore e jetës së njerëzve të shquar të luftës, të lashtë e modernë »],  Pascia, 1559,  f. 120, përktheu nga origjinali  Moikom Zeqo  1.

 

Midis të gjallëve, ti përherë

me më shumë lavd e nder.

 

google_ad_client = "ca-pub-1126227037357795"; google_ad_slot = "8712875773"; google_ad_width = 970; google_ad_height = 90;

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7