Hyrje | Aktualitet | Bota + English | Tokio, qyteti qe ndryshon naten

Tokio, qyteti qe ndryshon naten

Janë të shumtë ata të huaj që e kanë lënë Tokion, por vetë japonezët po përballen me tragjedinë e tyre, me një ndjenjë përzierjeje mes shqetësimit dhe gjakftohtësisë. Besimi i tyre në aftësinë e vendit për të rilindur është i paprekshëm.

Ndërsa ditët kalojnë dhe situata në Japoni vazhdon që të mbetet e nderë, vazhdojnë herë pas here të ndihen edhe lëkundje të lehta dhe të forta të një toke që ende nuk është stabilizuar. Veç kësaj, lajmet për ndotjen e ujit të pijshëm me rrezatim bërthamor janë gjithashtu shumë të rënda. Mbi 27 mijë vetë janë shpallur të vdekur, apo të humbur dhe reaktorët e Fukushimës nxjerrin pa pushim tym dhe avuj. Pra kudo lajme të këqija, edhe për vetë banorët e Tokios, që përpiqen t’i rikthehen normalitetit me të gjitha fuqitë e tyre.

Osaka, në bregun e Paqësorit, është një qytet 600 kilometra larg Fukushimës dhe ka një aeroport ndërkombëtar dhe trena shumë të shpejtë, që e lidhin me pjesën tjetër të botës. Të huajt, ndërkohë, janë larguar të parët nga Tokio dhe disa ambasada janë zhvendosur nga kryeqyteti i vendit pikërisht në Osaka. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe punonjësit e disa kompanive ndërkombëtare në Japoni. Në Osaka, e keqja nuk ka mundur të depërtojë dhe banorët e saj të rinj shohin se çfarë bëhet në pjesën tjetër të vendit përmes TV, pra nga një distancë e madhe. Dhe ngjarjet që vijnë nga kjo distancë nuk janë aspak të mira. Së fundi, edhe oqeanet del se janë ndotur me rrezatim, ndërkohë kanë filluar problemet e mëdha me furnizimin e vendit me energji elektrike, duke qenë se centralet bërthamorë janë jashtë përdorimit. E gjithë kjo situatë pasohet nga një katastrofë ekonomike e kompanive që po përjetojnë një periudhë shumë të rëndë.

Vetëm “Toyota” e ka reduktuar prodhimin e makinave me 10 mijë copë në ditë. E megjithatë ka një mesazh që lexohet mes rreshtave. Ata që e lënë situatën e rëndë, për t’u strehuar në Osakën e sigurt, duhet që të jenë “gaijin” ose “të huaj”, pra jo japonezë. Japonezët e vërtetë, në këto momente të vështira, qëndrojnë aty ku është edhe rreziku më i madh dhe marrin përgjegjësinë përsipër. Të tillë janë për shembull ata punonjës që, pavarësisht rrezikut për jetën, qëndrojnë te reaktorët për t’i ftohur ato. Për sa i përket Tokios, pulsi i kryeqytetit rreh, por më ngadalë se zakonisht. Rrugët nuk janë të mbushura si zakonisht dhe kudo shihen përpjekje për të ruajtur dhe kursyer energjinë. Pas pune, njerëzit shkojnë nëpër lokale, por gjatë gjithë kohës vështrimin e kanë në ekranet televizivë, ku mësojnë minutë pas minute situatën në vend dhe veçanërisht në zonat më problematike. Nëse Japonia do të ishte në kushte normale, në këtë moment të vitit, në këtë prag pranvere, lajmet që do të dominonin do të ishin ato për lulet e qershisë. Ndërkohë nuk gjen asnjë person që të dalë në protestë nëpër rrugë. Kjo edhe sepse japonezët e kanë të qartë se Fukushima mund të shndërrohet për ta në një Çernobil me pasoja shumë të rënda për të gjithë. Ajo që të bën vërtet përshtypje është se në Tokio dhe zona të tjera të vendit nuk ka asnjë gjurmë paniku dhe frike për atë që ka ndodhur apo që mund të ndodhë dhe të mendosh se mundësia e një katastrofe bërthamore nuk ka qenë kurrë më e prekshme. Në Japoni, kujtimet e tërmeteve, vullkaneve, cunameve janë përcjellë nga njëri brez në tjetrin. Është sikur cikli i shkatërrimeve të vazhdueshme dhe të mëdha të jetë pjesë e mitologjisë së vendit. Pjesa më e madhe e Tokios u shkatërrua në vitin 1923 nga tërmeti dhe më pas edhe gjatë sulmeve dhe bombave amerikane të vitit 1945. Në të njëjtin vit u hodhën edhe dy bombat atomike që shkatërruan Hiroshimën dhe Nagasakin. Por pas çdo tragjedie, përfshi edhe tërmetin e madh në Kobe, në vitin 1995, Japonia, është rindërtuar nga e para edhe më e re, edhe më e fortë. Forcat shkatërrimtare të natyrës janë deri në njëfarë mase pjesë e kulturës japoneze. Si pasojë e kësaj, japonezët kanë zhvilluar bindjen se në këtë planet asgjë e bukur nuk është e përjetshme dhe se për shkak të vendit në të cilin ndodhen, nëse do të duan që të mbijetojnë, japonezët duhet që të shtrëngojnë radhët. Liderët japonezë duket se përfaqësojnë më mirë se kurrë këtë aksiomë, kur pas çdo shkatërrimi shfaqen para kamerave të TV të larë dhe të krehur, si dhe të veshur me kujdes. Ata janë një pjesë e imazhit të një sistemi të suksesshëm, që është aplikuar për mbijetesën e këtij vendi.

Vendi i tretë në botë për nga fuqia ekonomike tani ka borxhin më të madh kombëtar, krahasuar me të gjitha vendet e industrializuara. Partia Liberal Demokrate, që ka qeverisur Japoninë për më se një gjysmë shekulli para se të vinte në pushtet Partia Demokratike e Japonisë në vitin 2008, ka lënë pas një shoqëri në të cilën pllakosi beteja rurale, papunësia mes të rinjve dhe nepotizmi. Megjithatë Japonia nuk e ka pasur me shumë dëshirë shprehjen e inatit kundër klasës politike. Kryesisht ky hezitim vjen nga të rinjtë, nga ata adoleshentë dhe të rinj meshkuj që gjithnjë e më tepër i ngjajnë androgjenëve, nga vajzat që mbajnë flokët si të ishin kukulla dhe nga indiferenca që ata shfaqin edhe sot, ndërsa shëtisin ende lagjeve shik dhe trendi të Tokios. Arta janë bij të prindërve që kanë punuar shumë për të arritur mirëqenien në vend dhe që tani po shndërrohen në një brez të vërtetë parazitësh dhe në njërën, nga simptomat e një rënieje të vlerave të shkatërruara dhe të gërryera nga egoizmi dhe i dividualizmi. Madje guvernatori i Tokios ka deklaruar së fundi se cunami përfaqëson një mundësi të mirë për të pastruar dhe shkatërruar këtë mbyllje në vetvete, këtë lakmi për të bërë gjëra vetëm për veten. Sipas tij, ky ishte një dënim hyjnor.

Profesor Mikiso Iwasa, 82 vjeç, nuk është shumë i shqetësuar me pasojat e para të katastrofës. Nga zyra e tij modeste në qendër të Tokios, ai rrëfen historinë se si arriti që t’i mbijetonte ferrit të Hiroshimës dhe Nagasakit që shkretuan këto dy qytete duke shkatërruar edhe jetën e pasardhësve. Ai u vetëzhyt në një autobot uji dhe është një “hibakusha” - termi japonez që personifikon të mbijetuarit e bombës atomike. Pasi arriti që të shpëtojë, ai ia kushtoi pjesën tjetër të jetës luftës kundër armëve bërthamore.

Shuarja e Nagasakit dhe Hiroshimës shënoi edhe fillimin e epokës atomike dhe jo vetëm për Iwasan. Por, ndërsa kjo epokë i përket së shkuarës, çfarë do të personifikojë Fukushima? “Njerëzimi e di se çfarë është rrezatimi i rrezikshëm dhe veçanërisht e dinë mirë këtë ata që arritën t’i mbijetojnë Hiroshimës. Unë jam i bindur se qeveria e Japonisë di shumë më tepër të vërteta për Fukushimën nga sa ka pranuar se di”, thotë profesori. Sipas tij, për shembull, mungojnë shpjegimet në lidhje me gjetjen e sasive të radioaktivitetit 100 herë më shumë se normalja në Paqësor. Gjithashtu nuk ka informacione edhe për punonjësit që u ekspozuan para një rrezatimi 10 mijë herë më të madh se normalja të enjten e kaluar. Rrethet qeveritare të Tokios ofrojnë vetëm minimumin e informacioneve. Edhe vetë drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Energjisë Bërthamore, Amano, ka qenë shumë gojëkyçur gjatë gjithë kohës. Deri më tani, Tokio duket se e ka pranuar fatin e saj, pavarësisht se çfarë ka ndodhur. Gjatë ditës, kryeqyteti nuk duket se ka ndryshuar dhe vetëm natën, kur dritat e tij shuhen, për shkak të kursimit të energjisë, e kupton se gjërat nuk janë më si më parë

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7