Hyrje | Aktualitet | Njoftime | Me një aktivitet tradicional të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe grupit letrar Papa Kristo Negovani

Me një aktivitet tradicional të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe grupit letrar Papa Kristo Negovani

PËRKUJTOHET PAPA KRISTO NEGOVANI DHE MËSUESIT PATRIOTË TË KOMBIT SHQIPTAR

 

Si edhe në dy vitet e mëparshme edhe këtë vit, me një manifestim të pasur kulturor e shkencor, grupi letrar “Papa Kristo Negovani” i Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës organizoi aktivitetin tradicional, në shenjë kujtimi e nderimi për Negovanin dhe për të gjithë mësuesit patriotë shqiptarë.

Takimi u hap me disa këngë korale: “Himni i alfabetit”, “Për ty atdhe” dhe “Shqipëria”, interpretuar nga studentët e Fakultetit dhe drejtuar nga profesoresha e muzikës Ajmone Dhomi. Në vazhdim fjalën e hapjes e paraqiti dekani i Fakultetit të Edukimit, Profesor Hasan Muja, i cili foli për kontributin e Papa Kristo Negovanit për shkollën, alfabetin dhe gjuhën shqipe, i cili u bërë edhe simbol i patriotëve shqiptarë që u flijuan për gjuhën shqipe gjatë gjithë shekullin XX.

Në kuadër të këtij takimi përkujtimor u bë edhe prezantimi i numrit më të ri të revistës shkencore të këtij fakulteti “Edukologia” 4/2011, për vlerat e së cilës foli kryeredaktoi i saj Profesor Begzad Baliu. Me pas aktori shqiptar nga Brukseli, Qamil Zekolli, recitoi një poezi kushtuar Papa Kristo Negovanit, shkruar nga bashkëkohësi i tij Risto Siliqi, rreth një dekadë pas vrasjes së këtij Mësuesi Patriot. Në emër të Grupit letrar përshëndeti arsimtarja Valedete Berisha, ndërsa në vazhdim lexoi një poezi kushtuar Çamërisë.

Në këtë takim përveç një numri të madh studentësh (bacheller e master), ishin të pranishëm edhe profesorë të fakultetit, studiues dhe anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, disa prej të cilëve e morën fjalën dhe e përshëndetën këtë aktivitet tashmë tradicional të Fakultetit të Edukimit, duke kujtuar me këtë rast edhe disa mësues të tjerë patriotë të periudhave të mëhershme apo të luftës së fundit të UÇK-së në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.

Vlora Kozhani, drejtuese e Programit

 

 

 

KUJTIM PASHKESH

(Për të ndjerin Atë Kristo Harallambin)

I
Në frurë, me dimnin që shkoj u mbushën plot nan vjetët
që trupi ut mizorisht për dhee të zez´u kalle
por ti, nuk vdiqe or Kristo! Se emní yt do të mbetet
në zemër të shqyptarve gjith herë simboll i gjallë!...

II
Grekërit, duert e veta, në gjakun shejt i zhytën,
meleqe që nuk fshihen shpirtin tue përly:
ty e vllan tán Theollosin me spata barbart j'u mbytën
prej shkajkut, që dojshi besës n'giuh' shqype mi sherby!

III
Prej botës e jo prej qellimit! Të shkoqi dora barbare!
por ti pushon i lumtun! Ke lânun trashëgim...
fëmia, e tu jân prozët e vjershat në giuh kombetare
që ndjenjat n´a i prekun të kem gjithë herë n'kujtim!

IV
Kujtimet po më trazojnë për ty deshmor i shtrejtë,
sot kur pashkët kremtohen në Shqypenien e lirë;
të ishe i gjallë t'a thoshe n'giuh' shqype meshn e shejte
që sot edhe në vorrin e ke atte deshirë!

V
Për giuhën e kombit t'onë veprove kurr pa reshte
pushove veç kur trupi yt për tok' u kalle!
qé pra sot Shqypnia qe ti aq fort e deshte,
u bâ ni shtet në vedi, ka mbret'n'e vet ne ballë!

VI

Mos prâni lot mos prâni se qe! Kujtimet m'vane
se eshtnat e At Kristos as sot prehje s'do t'kenë"
Negovanasit e tie! Gjiut Mamdheut u dane!
nën robenin e grekut m'gjykim t'Evropes mëmë!!!

*) Gazeta: "Shqypnia e Re", Shkodër, 19 Prill 1914, nga: Risto Siliqi

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7