Hyrje | Aktualitet | Njoftime | Panairi i Punës, si të aplikoni për 10 mijë vende pune në Kanada

Panairi i Punës, si të aplikoni për 10 mijë vende pune në Kanada

Panairi i Punës, si të aplikoni për 10 mijë vende pune në Kanada

Vende të lira pune për të gjitha profesionet, nga ndërtimi tek mjeku e infermieri. Paga super të larta. Në Kanada është normale të paguhesh me 30 dollarë në orë

Kanadaja ofron 10 mijë vende pune për shqiptarët që duan të emigrojnë jashtë shtetit. Dje në Tiranë është çelur panairi 2-ditor i punës “Jeto dhe puno në Kanada”, ku dhjetëra kompani kanadeze kanë mbërritur posaçërisht në Shqipëri (me ndërmjetësimin e kompanive shqiptare) për të prezantuar para të rinjve shqiptarë ofertat e tyre të punësimit.
Vendet e punës
Bëhet fjalë për kompani serioze që operojnë në fusha të ndryshme dhe që ofrojnë punë të të gjitha profesioneve duke filluar që nga ndërtimi; hoteleria, kujdestaria e fëmijëve dhe të moshuarve, kuzhina, e deri të kërkesat për inxhinier; mësues; mjek apo ekonomist. Punët janë sezonale por edhe të përhershme, kjo varet nga kërkesa e individit dhe ecuria e tij pas punësimit në Kanada. Sa i përket kritereve, ato nuk janë të pamundura për tu përmbushur nga aplikantët, pasi ka vende pune për të gjitha nivelet e arsimimit dhe kualifikimit të personave të interesuar.
Organizatorët
“Janë me qindra vende pune që kompanitë kanadeze ofrojnë për emigrantët shqiptarë. Bëhet fjalë për punësim të përkohshëm por edhe për emigrim të përhershëm, (emigrim individual apo familjar). Për këtë arsye ne kemi çelur panairin: “Jeto dhe puno në Kanada” për ti njohur shqiptarët me vendet e lira të punës që ofron ky shtet. Bëhet fjalë për punë nga më të ndryshmet duke filluar që nga kasapi, e deri të kamarieri; inxhinieri apo mjeku e infermieri. Të interesuarit duhet të plotësojnë një formular që e gjejnë këtu në panair, ku do iu kërkohen të dhëna mbi identitetin, llojet e punës që kanë bërë, arsimimin dhe eksperiencat në punë. Asnjë person nuk duhet të mashtrojë për të dhënat që do jap gjatë aplikimit, ato duhet të jenë 100 % të vërteta. Në bazë të përvojës së mëparshme, diplomës dhe kualifikimit që ka secili aplikant do të kërkohet edhe puna që mund të bëjë gjithsecili. Më pas aplikanti do të dorëzojë një sërë dokumentesh të kërkuara nga kompania që do të ofrojë punë për të dhe do të nisin tratativat për emigrimin dhe punësimin e tij. Nuk ka kritere apo profesione të limitura, kjo edhe sa i përket nivelit të njohurive në gjuhën angleze, mjafton dhe një nivel mesatar i gjuhës sa për të komunikuar,” tha dje Afrim Korbi, organizator i panairit dhe përfaqësues i agjencisë ‘Korbigroup’ që luan rolin e kompanisë shqiptare ndërmjetësuese me kompanitë kanadeze që kanë vende të lira pune për shqiptarët.
Ministria e Punës
Edhe Robert Gertler, përfaqësues i një zyre ligjore në Toronto, i ardhur nga Kanadaja posaçërisht për organizimin e këtij panairi, dhe për kërkimin e forcës punëtore në vend të ndryshme, u shpreh se këtë vit zgjodhën të vijnë në Shqipëri pasi besojnë në aftësitë dhe kualifikimin e forcës punëtore shqiptare. Sipas tij shqiptarët e duan punën dhe kanë përgjegjësi në atë çka marrin përsipër të bëjnë. Ky panair ka pasur edhe mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, ku në ceremoninë e çeljes së panairit morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë, ku zv/ministrja e Punës Afërdita Zëri vlerësoi lart iniciativën e ndërmarrë duke premtuar mbështetjen e qeverisë për agjencitë që ndërmjetësojnë punësimin në vend. Ajo u shpreh më tej se ky panair do t’ju vij në ndihmë mjaft të rinjve shqiptarë që janë të papunë dhe që në Kanada mund të gjejnë të ardhmen e tyre.
Panairi
Qindra të rinj shqiptarë, por dhe familjarë të ardhur nga Tirana por edhe nga rrethet vizituan dje stendat e panairit dhe aplikuan për punësim dhe emigrim në Kanada. Organizatorët u shprehën se interesi ishte mjaft i lartë dhe gjatë gjithë kohës stendat ku bëhej aplikimi nuk kanë pushuar për asnjë moment. Të gjitha regjistrimet do të shqyrtohen dhe të interesuarit do të telefonohen një e nga një. Panairi nisi dje në orën 10 të paradites dhe mbyllet ditën e sotme në orën 20:00 të mbrëmjes. Por të interesuarit që nuk do munden të vizitojnë panairin mund të kontaktojnë në zyrat e ‘Korbigropup’ në qendër të Tiranës, ose të vizitojnë edhe faqen e internetit www.korbigroup.com, për të gjetur më shumë informacion si dhe për të aplikuar për punësim në Kanada.

Profesionet më të paguara dhe me më shumë prioritet

Në dy vitet e fundit qeveria kanadeze po pranon aplikime kryesisht nga kandidatë me kontrata të aprovuara pune, pra përzgjedhjes së emigrantëve drejtpërsëdrejti nga vetë kompanitë kanadeze, sipas nevojave aktuale të ekonomisë lokale. Kryesisht provinca të caktuara, të cilat kanë mungesa punëtorësh të kualifikuar, ofrojnë kuota më të larta vjetore në përzgjedhjen e emigrantëve. Bëhet fjalë për Saskatchewan dhe Alberta, provincat me papunësinë më të ulët në Kanada. Sipas statistikave për muajin qershor 2012, papunësia na Kanada ishte 7.2%, ndërsa në Saskatchewan 4.9% dhe në Alberta 4.6%. Të dyja provincat kanë mungesë punëtorësh të kualifikuar, siç janë teknikët e ndërtimit, mekanikët, saldatorët dhe kuzhinierët. Rezervat e provuara të naftës në këto dy provinca janë të dytat pas Arabisë Saudite, por me kosto më të lartë. Vetëm Alberta pritet të dyfishojë numrin e punëtorëve të naftës me rreth 120 mijë punëtorë të rinj për 8 vitet e ardhshme. Ndryshe nga Alberta, provinca e Saskatchwan është në fillimet e zhvillimit të industrisë së naftës dhe të mineraleve dhe ka një bum ndërtimesh. Saskachewan ka pasur rritjen ekonomike më të lartë në të gjithë Amerikën e Veriut këto pesë vitet e fundit. Dikur ka qenë një province tipike bujqësore me imazhin e fushave të grurit pa fund. Çdo gjë ka ndryshuar 10 vitet e fundit me rritjen e çmimeve të lëndëve të para dhe mineraleve me të cilat është e pasur. Pagat janë nga më të lartat në vend. Është krejt normale për një teknik ndërtimi të paguhet me $30 në orë, një mekanik me $30-35, një saldator me $25-30. Kompanitë kanadeze janë të detyruara të rekrutojnë jashtë vendit për të plotësuar shumicën e nevojave të tyre. Mekanikët, saldatorët, teknikët e ndërtimit, kuzhinierët shqiptarë që kërkojnë diçka më tepër në jetë se e ardhmja që u ofron Shqipëria dhe që dinë pak anglisht, ia vlen ta marrin seriozisht emigrimin në këto provinca kanadeze.

Kriteret e aplikimit për emigracionin
Objektivi i Qeverisë Kanadeze është të fusë çdo vit në Kanada njerëz të kualifikuar që me eksperiencat e tyre profesionale të mund të kontribuojnë në mënyrë produktive në përparimin ekonomik të këtij vendi. Krahas aspektit profesional një rëndësi të dorës së parë ka njohja e njërës prej gjuhëve zyrtare të Kanadasë (anglishtes ose frëngjishtes), mosha e aplikantit si dhe eksperienca në punë e shprehur në vite. Më poshtë janë rreshtuar disa nga faktorët që merren në analizë nga ambasadat kanadeze kur shqyrtohet kërkesa e një aplikanti.
1. Mosha ( 21 vjeç deri në 44 vjeç, aplikanti
përfiton maksimumin e pikëve)
2. Shkollimi (vitet e shkollimit dhe diplomimi përkatës)
3. Shanset për punësim (për këtë ekziston një listë
profesionesh të parapëlqyera)
4. Punësim i garantuar (kur aplikanti ka një kontratë pune pa ardhur në Kanada)
5. Aftësitë gjuhësore (në anglisht ose frëngjisht),
6. Të afërm në Kanada (vëlla, motër, prindër, gjyshër,dajë-teze-xhajë-hallë, nipër),
7. Faktori përshtatshmëri (vlerësimi që aplikantit i jepet në fund të intervistës nga oficeri i imigracionit me të cilin shprehen shanset që ky aplikant ka per t’ju përshtatur në mënyrë të suksesshme nga ana profesionale).
8. Janë të favorizuar ata që kanë diplomime universitare si inxhinierët, ekonomistët, përkthyesit, specialistë të bujqësisë dhe blegtorisë, shkencave sociale dhe natyrore, studiues të fushave të ndryshme etj. të cilët kanë të paktën një vit eksperiencë pune në fushën për të cilën janë diplomuar dhe janë të moshave 21-44 vjeç.
9. Procesi i aplikimit kalon nëpërmjet një Ambasade Kanadeze, pavarësisht se cila. Aplikimi kalon nëpër disa faza, por më e rëndësishmja është intervista, në të cilën merret edhe vendimi për kualifikimin apo jo të kërkesës së aplikantit. Pas intervistës aplikanti duhet të kryejë një kontroll mjekësor. Disa ambasada pas marrjes së rezultatit të analizave mjekësore i kërkojnë aplikantit të transferojë fonde të mjaftueshme monetare në një llogari bankare në Kanada të hapur në emër të tij. Nga ana tjetër, që Ambasada të marrë vendimin përfundimtar, pra lëshimin e vizës, duhet që edhe Ministria e Brendshme Kanadeze të japë miratimin e saj pas shqyrtimit që ajo i bën të dhënave personale të aplikantit.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7