Hyrje | Intervista | Flamur Topi: Unë dhe fëmijëria e Bamirit

Flamur Topi: Unë dhe fëmijëria e Bamirit

Flamur Topi: Unë dhe fëmijëria e Bamirit

Intervista / Doktor Flamur Topi rrëfen emocionet për titullin e marrë, "Mjeshtër i madh", nga Presidenti i Republikës. 40 vjet mbi ekran, një karrierë mes kamerës dhe bisturisë, pasionit për filmin dhe letërsinë e deri tek fëmijëria dhe përkujdesja për Bamirin


Është 14 vjeç më i madh se i vëllai. E ka rritur, e ka mësuar të ecë dhe ka brohoritur së bashku më të në stadium, kur ishin fëmijë. Ndërsa sot, jo për këto, por për motivacione të tjera, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoron Flamur Topin me urdhrin "Mjeshtër i madh". Një koincidencë ka bërë që doktor Flamuri, në përvjetorin e emisionit të tij ta marrë këtë titull pikërisht nga vëllai më i vogël. Motivacioni ishte i qartë: "Për punën e përkushtuar shumëvjeçare, plot pasion e profesionalizëm, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin shëndetësor e informimin shkencor-mjekësor të publikut, çka e bëri një figurë të njohur e të dashur për çdo shqiptar". Një propozim i ardhur nga drejtuesit e Televizionit Shqiptar ndoshta e ka vënë disi në siklet Presidentin Topi, por askush nuk e vinte në dyshim se doktor Flamuri e meritonte këtë titull.
Mund të themi se doktor Flamuri ka shënuar rekordin e parë në ekranet televizive shqiptare për transmetimin më të gjatë dhe të pandërprerë të një programi. (40 vjet me emisionin Trupi dhe Shendeti) Në një intervistë për Sh2-shin, doktori rrëfen fillimet e tij në televizion, pasionin për mjekësinë dhe letërsinë, kujtimet e fëmijërisë me vëllanë më të vogël, që sot mban postin e Presidentit dhe krenarinë që dy djemtë kanë zgjedhur të bëhen mjekë

Pas 40 vjet në TV, jeni dekoruar me urdhrin "Mjeshtër i madh". Si ndiheni pas këtij vlerësimi?
Vërtetë.. 40 vjet pa asnjë ndërprerje, qoftë edhe një javë të vetme dhe kjo besoj është një gjë mjaft e rrallë. Natyrisht që ndihem shumë mirë. Me këtë ose pa këtë, unë vlerësimin popullor e kisha marrë prej kohësh. Njerëzit e duan programin që unë realizoj dhe ky është urdhri më i madh, por, sidoqoftë, është një kënaqësi shumë e veçantë ta kesh këtë urdhër.
E nisa këtë program mjekësor në 1969. Ngacmimet e para kanë ardhur nga të tjerët. Shkrimet e mia u panë dhe u lexuan nga organizatorët e emisioneve të fëmijëve të radios në atë kohë. Nisa të bashkëpunoj nga shtypi në radio, pastaj nga kjo e fundit në televizion.

Jeni ndjerë ndonjëherë i lodhur nga kjo punë e gjatë, e cila ka qenë e alternuar me mjekësinë?
Fakti që unë kurrë nuk kam pushuar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, tregon që nuk e kam ndjerë fare lodhjen. Edhe kur shkoja me leje, përgatisja emisione të gatshme dhe transmetoheshin. Kjo bëhej që të ruhej një lidhje e vazhdueshme me publikun, që nuk duhej ndërprerë. Është si ajo lidhja e kordonit, midis fëmijës dhe nënës. E ndjeja që njerëzit e kishin të nevojshme këshillën aktuale mjekësore.


Sa filma keni ekranizuar gjithsej?
Deri më tani jam skenarist i 6 filmave televizivë, të cilët janë me temë edukative shoqërore. E quaj veten edhe pionier në letërsinë fantastiko-shkencore. Në '64, në moshën 21 vjeç, botova tregimin e parë mjekësor "Zemra trime" .

Fëmijëve u keni trashëguar pasionin për mjekësinë apo për letërsinë?
Unë kam dy djem, Rubinin dhe Ilirin. Janë të dy studentë në mjekësi dhe duke thënë këtë, kuptohet se sa ua kam trashëguar...! Por, një faktor shumë deciziv për punën dhe për arritjet e mia ka qenë ndihma e pakursyer dhe e jashtëzakonshme e bashkëshortes sime, Shkëndije Topi. Edhe ajo është mjeke, pra jemi familje mjekësh, mund të hapim një spital të vogël (qesh). Mjekësinë e kam dashur qysh fëmijë. Mendoj se burimi i kësaj është se, kur isha i vogël, kishim mjek të familjes, të paharruarin Hamdi Sulçebe. Ai ka qenë një nga folësit e parë në Radio Tirana, kishte emisionin e tij mjekësor dhe më ka frymëzuar vazhdimisht.

E keni ditur se do bëheshit mjek?
Qysh i vogël kam dashur të bëhem. Kur mbarova klasën e shtatë, atëherë ishte që duhet të bëja tre kërkesa. Unë zgjodha, mjekësi në të tria.

Ishit nga ata nxënës që mësonit shumë apo...?
Nga klasa e parë fillore deri sa mbarova, me sistemin e notës pesë në atë kohë, që do të thoshte maksimumi, me të gjitha 10-a. Kam qenë në tabelën e artë të shkollës. Mbarova mjekësinë shumë i ri, 22 vjeç e gjysmë.

Ju mësonit më shumë në familjen Topi?
Pas vetes kam pasur një vëlla të dytë, djalë i mrekullueshëm, inxhinier ndërtimi, Mentor Topi, shumë i talentuar edhe ai, por ai vdiq, për fat të keq, nga një sëmundje e rëndë. Tani kemi mbetur dy, unë dhe Bamiri. Me të kam një diferencë të theksuar moshe. Ai është 14 vjet më i vogël se unë. Por të gjithë kemi mësuar, nuk kam qenë vetëm në këtë pikë.

Si kanë qenë marrëdhëniet me vëllanë Bamirin, i cili tashmë ka postin e Presidentit të Republikës?
Kur unë mbarova mjekësinë, ai ishte 9 vjeç. Kuptohet që ndikimi im ka qenë jo i vogël tek ai. Jam kujdesur tamam sikur të isha babai i tij. Bamiri ka qenë djalë shumë çapkën dhe inteligjent. E merrja me vete në stadium kur ishte akoma 5 vjeç. Ky pasion i jashtëzakonshëm që ai ka për futbollin, besoj se i ka mbetur që nga ajo kohë. Sot ai ka mundësi të ndjekë dhe aktivitete ndërkombëtare të një rëndësie të madhe, kështu që në këtë drejtim më ka lënë shumë pas. Për shembull, para disa ditësh, pa ndeshjen finale të "Champions League", ku ishte Barcelona me Manchester-in. Natyrisht, unë, si vëlla, ndjej kënaqësi kur e shoh atë të kënaqur dhe të lumtur.

Bamiri është më i vogël se ju, dhe, për koincidencë, pas shumë vitesh, në rolin e Presidentit ai ju jep titullin "Mjeshtër i madh". Si u ndjetë që këtë titull ua dha vëllai juaj?
Kjo është e jashtëzakonshme. Por e pashmangshme, sepse qëlloi që 40 vjetët u plotësuan kur ishte ai në këtë rol. Por, natyrisht, kjo është një e veçantë dhe një kënaqësi më e madhe akoma për mua, sepse e marr këtë "dhuratë" nga vëllai më i vogël.

Ju tha ndonjë batutë gjatë dhënies së këtij vlerësimi?
Jo, më tha vetëm kaq: "Shiko, - tha, - ndryshe nga çdo njeri tjetër, unë jam menduar i çikë më shumë për ty. Jam menduar për faktin se në pozicionin, nuk e kam pasur dhe aq të lehtë, por natyrisht duhej marrë një vendim dhe ky ishte i pashmangshëm. Kushdo që të ishte, do ta jepte, se ti e ke merituar plotësisht".
Por kjo ishte një koincidencë pozitive, pasi vëllai ia jep vëllait, por ia jep pas një propozimi të rëndësishëm nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit. Kam rastin të falënderoj këtu drejtorin e TVSH-së, z. Beci dhe drejtoreshën znj.Oktrova, sepse ata e bënë propozimin.

Njohja me bashkëshorten, Shkëndijen

Pohuat se një "dorë e fortë" për arritjet tuaja ka qenë bashkëshortja juaj. Si jeni njohur më të?
Jam njohur me të kur unë isha mjek në Kardiologji. Atëherë bëja specializimin dhe kjo ishte studente në vit të fundit të mjekësisë. Kishte lexuar librin tim të parë "Zemra trime" dhe i kishte pëlqyer. Ky ishte një sebep, pasi librin ia kam dhuruar edhe me autograf. Në fakt, unë isha i ri atë kohë dhe në të vërtetë kam qenë unë që, si të thuash, i jam "qepur" asaj. Ajo ishte shoqe e ngushtë me gruan e një miku tim të vjetër, Virgjil Kule. Kjo qe një mundësi më shumë, me të cilën na erdhi një njohje më e natyrshme. Drita Marko, duke qenë shoqe e ngushtë me Shkëndijën, dhe unë duke qenë shok i ngushtë me Virgjilin, kishim më shumë mundësi të takoheshim në ambiente shoqërore.

Keni qenë të dy mjekë në profesion, keni ndjerë vështirësi apo lehtësi për këtë fakt?
Kam përshtypjen se në harmoninë familjare ndihmon shumë kur ke të njëjtin profesion. Has vështirësi shumë pozitive. Ne jemi shumë të lumtur dhe akoma këtë lumturi na e shtojnë djemtë tanë, të cilët vazhdojnë rrugën tonë. Djali i madh përfundon këtë vit, i vogli është në vit të katërt.

Ju ka munguar një vajzë në familje?
Eh, mungon, kuptohet, por në këtë pikë, për të qenë sa më i çiltër, kemi qenë paksa të ndarë. Shkëndija ka dëshiruar shumë të ketë një vajzë, unë jo dhe aq shumë. Duke gjykuar se një vajzë ka shumë probleme, me tipin që jam, do e kisha të vështirë ta ndiqja në të gjitha problemet e veta, të cilat sot janë të shumta. Kjo jo për të keq, po unë jam shumë i dhembshur, e ndjej shumë fëmijën, në kuptimin se do të vuaja jashtë mase, në qoftë se ajo do të kishte probleme në jetën e saj. Varet se ku do të binte, me cilin person, si do ta trajtonte dhe kjo do më bënte të vuaj, ndaj them, ndoshta më mirë që nuk e kam. Kam dy djem të mrekullueshëm, për të cilët jam krenar.


Një film për Çernobilin në Shqipëri...

Doktor, ju keni mbaruar mjekësinë dhe keni bashkëpunuar me televizionin duke realizuar emisionin tuaj, por edhe filma artistikë. Si kanë ecur këto dy pasione tek ju?
Me sa duket, unë vërtet u bëra mjek dhe e doja shumë mjekësinë, por nga ana tjetër doja shumë edhe letërsinë. Në një farë mënyre, një "Çehov" i vogël, i cili thoshte që: "Për grua kam mjekësinë, të dashur kam letërsinë". Jo më larg se dy ditë më parë kam parë në televizor filmin "Guximtarët", me Ilir Qullacin, sot çuditërisht ruan fizionominë e tij të dikurshme, është drejtor i një banke private dhe njeri shumë i nderuar. Filmi "Guximtarët" vazhdon të transmetohet me sukses të madh që nga viti 1970 dhe shfaqet edhe në Kinë. Është marrë që atëherë dhe vazhdon të transmetohet në këtë vend. E çuditshme, por e vërtetë. Ky film ka mbaruar në vitin '70-të. Në 1976-ën kam realizuar filmin "Tinguj lufte", ku flitet për një violinist, djali i një të pasuri që konkurron me djalin e një të varfri, dhe filma të tjerë me futboll.

Nuk kemi parë më prurje nga ju në këtë fushë. Keni hequr dorë përfundimisht nga filmi?
Jo, absolutisht. Madje unë tani kohët e fundit kam bërë një skenar filmi, që quhet "Çernobil". Flet se si u përjetua në Shqipëri rrezatimi i llahtarshëm i Çernobilit në vitin 1986. Dihet që mbas eksplozionit të këtij centrali, i cili u krahasua me 200 bomba të Hiroshimës dhe Nagasakit, ka pasur një ndotje të madhe radioaktive të të gjithë Evropës dhe kjo u ndje edhe në Shqipëri. Si u zbulua këtu tek ne dhe si në vendet e Lindjes, kjo u mbajt fshehur popullsisë, për vitet e para. Ky film tani është në fazën e skenarit artistik, do t'ua paraqes regjisorëve të veçantë dhe besoj se do të realizohet.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7