Hyrje | Intervista | Intervista: Flet aktori dhe sportisti Adriano Prodani

Intervista: Flet aktori dhe sportisti Adriano Prodani

“Dhe në jetën e përjetshme Aleko Prodani më shërben”

 

Albert ZHOLI

 

Ai s’ka studiuar për aktrim dhe pse është në stafin e Teatrit të Korçës. U fut rastësisht në  skenë, por tashmë s’mund t’i ndahet. Për çdo arritje në jetë ai falënderon të atin, aktorin e mirënjohur që tashmë nuk jeton Aleko Prodanit. Dhe pse sportist, tashmë mendon se aktrimi ka më shumë fuqi, jetëgjatësi dhe energji.

 

 

Shpeshherë ndodh që i biri të marrë rrugën e të atit. Po Adriano po ecën në rrugën e Aleko Prodanit?

 

Besoj se po.

 

Përse beson. A jeni aktor në teatrin e Korçës?

Po jam. Por unë se kam nis aktrimin që në vitet  e rinisë apo më parë. E kam nis më vonë.

 

D.m.th nuk keni studiuar për aktrim?

Jo! Nuk kam mbaruar për aktrim. Unë kam mbaruar Institutin e Kulturës Fizike. Kam qenë shumë i dhënë pas sportit. Kam qenë shumë i dhënë pas fizkulturës. Gjithë vegjëlinë time e kam çuar pas futbollit dhe pas sportistëve. S’e çoja ndërmend se mund të bëhesha aktor.

 

Pas kujt loje sportive ishe më i dhënë?

Në fëmijëri pas futbollit më vonë pas basketbollit. Kam luajtur plot 15 vjet basketboll me Korçën. Pra, gjithë koha e lirë kalonte me topin e basketbollit në duar. Edhe si jastëk atë vendosja. Dhe në ëndërr atë shihja.

 

Ku punuat mbas përfundimit të Institutit të Fizkulturës?

Fillova punë si mësues fizkulture në Korçë. Pra, fillova punë në profesion pa e lënë basketbollin. Por më vonë shkova emigrant në Itali.

 

Përse e more këtë rrugë?

Për shumë arsye, por kryesorja ishte për arsye ekonomike. Dihet sa ishin rrogat e mësuesve në fillimet e demokracisë. Qëndrova disa vjet në Itali. U njoha me kulturën italiane. Një vend me shumë kontraste, me kulturë me qytete të bukura, me shumë pastërti.

 

Duke qenë se të pëlqeu Italia përse u kthyet sërishmi në atdhe?

Sigurisht, për shumë njerëz emigracioni nuk është zgjidhje e përhershme. Ndoshta e përkohshme. Kështu ishte dhe për mua. Mendova se aq kohë duhej të qëndroja. Mora çka kisha për të marrë nga emigracioni.

 

Pas kthimit si ju futët rrugës së aktrimit?

 

Kur u ktheva nga Italia ndenja ca kohë pa punë. Në këtë kohë regjisori Guri Koço, një ditë më thotë: Kam një rol bosh do vish ta provosh? E pashë me mosbesim. Mendova se e kishte me shaka se unë s’kisha marrë pjesë kurrë në teatër. Kur pashë këmbënguljen e tij pranova.

 

Çfarë roli ishte?

Ishte roli i një burri që do të punësojë gruan në komedinë “Deputetë dhe gënjeshtarë”. Ishte një rol jo shumë i madh, por që për mua i tillë ishte, pasi kishte të bënte me një profesion të ri, fare të panjohur për mua. Ishte këmbëngulja, durimi, dëshira e regjisorit Guri Koço që unë mund të arrija realizimin e këtij roli të vogël, por me shumë domethënie për të ardhmen e jetës sime. Kjo komedi u shfaq plot 17 ditë pa ndërprerje, duke qenë çdo ditë salla plot. S’ka ndodhur kurrë si me atë shfaqje. Edhe sot komentohet. Kjo për meritë të regjisorit Guri Koço.

 

Në ç’kuptim luajti rol në jetën tënde?

Pasi pas këtij momenti, pas këtij roli unë ju përkushtova artit. Hyra në rrugën e bukur ta aktrimit atë që ka pasur dëshirë babai im i mirë Aleko Prodani.

 

Cili ka qenë drejtor i Teatrit Korçës kur ju emëruan në atë punë?

Petrika Riza. Madje mbaj mend që më ka thënë. Ke marrë një barrë të rëndë përsipër. Mbaje. Mos u bë sa babai yt, por bëhu sa gjysma. Arti skenik do punë. Fitove betejën e parë, por betejat e tjera do jenë më të vështira.

 

Tashmë i jeni futur rrugës së aktrimit. Kur ndjeheni më mirë kur ju thonë jeni djali i Aleko Prodanit apo kur ju flasin si një aktor me perspektivë?

 

Unë di që thuhet, që babai do të mburret me fëmijën, ndërsa unë dua të mburrem me babanë. Unë punoj dhe do punoj, por kurrë s’e arrij dot babanë tim. Kurrë. Ai për mua ishte gjithçka. Mësues, shok, prind, këshillues, çdo gjë.  Unë e di sa peshoj dhe pse po bëj gjithçka. Në skenë Aleko Prodani ka qenë për mua dhe korçarët perëndi.

 

 

Ju thoni keni pasur marrëdhënie shumë të mira. S’e kini vënë kurë në vështirësi si fëmijë Aleko Prodanin?

Eh. E kam vënë. Po. Unë isha shumë i hapur. Me shoqëri shumë të zgjeruar. Disa herë e shkelja dhe në pije. Ai më mbante aq afër dhe më këshillonte. Sa isha me të, e dëgjoja, sa largohej i thyeja këshillat. S’e di. Ndihem keq kur mendoj se ndonjëherë ja kam bërë shumë borxh. Me të drejtë pasi ai më donte më të mirë se vetja. Gjithmonë ma thoshte këtë. Gjithmonë më donte të më shihte lart e më lart. Sidomos kur pija ndonjëherë apo për cigaren më fliste ashpër, por me takt. Sot e kuptoj sa të drejtë ka pasur. Ai më donte shumë dhe tek unë çdo gjë e donte perfekte.

 

 

Vetë ka pas ndonjë peng që Alekua jua ka shprehur?

Sigurisht. S’ka as do të ketë njeri pa pengje.  Njëri peng ishte për mua të isha një aktor i mirë. Kishte në plan disa role për të realizuar

 

Po vetë ke ndonjë peng që s’ja ke realizuar babait?

Me thënë të drejtën unë kam pas disa defekte në jetën si ato që thashë më lart. Kam qenë i lëvizur. Më kanë pëlqyer tavolinat dhe pi shumë cigare. Ai më këshillonte të korrigjohesha. Ti hiqja këto vese. Por ja që si shmanga të gjitha në kohën e duhur. Tani që këto vese unë i kam hequr ai nuk jeton. Ndoshta aty ku është më dëgjon dhe prehet i qetë.

 

 

Kur ju pyesin i kujt jeni, si ndiheni kur marrin vesh se je djali i Alekos?

Sa herë përmend emrin e tij, shikoj reagim admirimi tek njerëzit. Si duket ai ka lënë një emër që sa më shumë kalon koha aq më shumë i shtohet respekti. Kjo më bën të ndjehem krenar dhe emrin e tij e shqiptoj me plot gojën. Përmendja e emrit të tij më bën më të sigurt. Në çdo qytet, ku kam shkuar sa e përmend më përqafojnë sikur të takojnë tim at. Emri i tij më ndjek kudo. Emri i tij më ndihmon kudo. Ai edhe në jetën e përjetshme më ndihmon shumë me emrin e tij.

 

Si është jeta artistike në Korçë?

Teatri i Korçës bën punë dinjitoze për ta mbajtur të pasur këtë jetë. Është i vetmi institucion kulture që punon seriozisht. Korça tek teatri i ka sytë. Është rritur me të.

 

Këtë vit ishit në  Koncertin e Vitit të Ri në RTSH,  së bashku me drejtoren e Teatrit të Korçës, si u ndjetë?

 

Ishte një eksperiencë e re. Grimcat më pëlqyen shumë, aq më tepër kur ke partnere Zamira Kitën që është një ndër ikonat e aktrimit shqiptar. Mora shumë lavde dhe ndihem pak i përkëdhelur.

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7