Hyrje | Intervista | Intervista: Flet aktori i humorit dhe filmave artistikë Xhevahir Zeneli

Intervista: Flet aktori i humorit dhe filmave artistikë Xhevahir Zeneli


“Ika në SHBA që të qeshnin fëmijët, po kthehem të qesh edhe vetë”

Albert ZHOLI

Humori e ka mbajtur gjallë dhe në ditët më të vështira. S’e kish menduar kurrë se do të shkonte në emigracion, por ngjarjet e 1997-‘98, bënë që për hir të fëmijëve të merrte rrugën për në SHBA, pasi fitoi lotarinë si emigrant ekonomik. Jeta e vështirë si fillim e shkëputi nga arti, por më vonë ai filloi të aktivizohej në programet e festive të komunitetit shqiptar. Ardhja në Shqipëri e befasoi pasi nuk gjeti të funksiononte Estradën e Shtetit, atë institucion në të cilin u rrit dhe bëri emër. Sipas tij, gabimi më i madh është se nuk i ka numëruar rolet dhe pse fëmijët e kanë kritikuar për këtë neglizhencë. Fillimet e ardhjes ishin të vështira, por kur s’e priste ai ftohet nga regjisori Pluton Vasi, ku realizon dy filma artistikë. Tashmë është  definitiv në Teatrin Kombëtar të Komedisë, ku kanë nisur dhe provat për komeditë e para.

Si i gjetët miqtë e tu aktorë pas kthimit nga emigracioni në Amerikë?

Pas kthimit nga emigracioni u befasova  shumë nga jeta e artistëve dhe kolegëve të mi. Mbi të gjitha më habiti fakti që ishte mbyllur ai institucion i madh i humorit Estrada e Shtetit e Varietesë (Tiranë), që kam punuar për vite të tëra. Në atë vend gjeta një institucion tjetër, por nuk gjeta asnjë nga ish- shokët e mi të Estradës që me të vërtetë kam kujtimet më të bukura në jetë. Të gjithë humoristët e mëdhenj me të cilët kisha punuar o i gjeta pa punë, o i gjeta në profesione të ndryshme. Ngela i shokuar sepse ditët e para nuk dija as ku t’i gjeja. Estrada e Shtetit ishte një estradë me profesionistë të zotë, me aktorë potencialë, që i kanë dhënë shumë humorit shqiptar, që i kanë dhënë shumë hare popullit shqiptar, veçanërisht atij kryeqytetas.

Me cilin nga ish- aktorët keni pasur lidhje më të ngushta. Lidhje miqësore, por dhe ndihmë profesionale?

 Ah, mos ma kujto. Miku im më i mirë ka qenë dhe mbetet Vasillaq Vangjeli. S’e besoj se nuk jeton më. Kur erdha e gjeta atë në shtëpinë e tij të kthyer në kafene. Ku ishte dhe pronar, por edhe kamerier. Ai gjigand i humorit ishte kthyer në një kamerier të thjeshtë. Madje, ai në raste të veçanta bënte dhe rolin e kuzhinierit! Kolegë të tjerë i gjeta pa punë. Ishte një situatë që më trishtoi që po i bëja thirrje vetes të rri apo të kthehem sërish.

Dhe vendose të rrije. Pse?

 

Sepse pikërisht në këtë moment më thërret që të bëhem pjesë e projekteve të tij filmike, miku im, skenaristi dhe regjisori Pluton Vasi. Me të realizova dy filma.

Cilat ishin këta dy filma?

Janë dy dhe të dyja me regji të  Pluton Vasit. I pari, filmi “Maya” prodhim i vitit 2010, është historia e gruas që mban këtë emër. Ajo jeton me familjen në një provincë, ku të gjithë i njohin të gjithë dhe ku ka njerëz që duan të ngrihen mbi këtë kulturë survejimi. Skenari është shkruar nga Luljeta Lleshanaku. Interpretojnë: Rovena Lule, Genti Kame, Arben Derhemi, Alert Eloaliaj, Myzafer Zifla, unë dhe Mariana Kondi.

Filmi i dytë?

 “Shqetësimet e një obezi”, me regji dhe skenar të Pluton Vasit, nën interpretimin e aktorëve, Marjana Kondi, unë  dhe Arben Derhemi. Historia e filmit rrëfen dilemën e brendshme të një gazetari. Ai, teksa realizon një dokumentar mbi personalitetin e njeriut në Shqipëri, gjendet përballë njerëzish me personalitete të dyzuara, çka e shtyn të kuptojë, se tek e fundit, edhe ai vetë është i përfshirë në këtë vorbull. E ndërthurur me personazhin kryesor, një pjesë e rëndësishme e filmit është edhe arkiva e pasur me pamje filmike të hershme. Siç ka thënë vetë regjisori dhe skenaristi Vasi: “Filmi merr përsipër që të thotë të vërtetën. Çdokush nga ne ka një biografi. Këto janë dy filma që pas kthimit nga Amerika thuajse kam gjetur veten. Të dy këta filma ishin artistikë. E falënderoj Plutonin pasi ai më bëri të qëndroj në atdhe.

Tani ju jeni pjesë e Teatrit Kombëtar të Komedisë  si ndiheni?

Ndihem i qetë. Jemi në fazën e fillimit të realizimit të projekteve pas thithjes së aktorëve dhe realizimit me teknikën e nevojshme.  Aktualisht ne kemi dy komedi që i kemi në projekt për t’i realizuar.

Kur keni filluar  për herë të parë në Estradën e Shtetit?

Pasi kam mbaruar Akademinë e Arteve nga viti 1981 deri në 1985 për dramë, bëra dhe zborin e famshëm për “t’u mbrojtur nga sulmi i imperializmit” (qesh), u emërova në Estradën e Shtetit. Të futeshe në atë Estradë në atë kohë ishte një sukses dhe vlerësim shumë i madh. Kishte emër të madh, por dhe aktorë klasi. U ndjeva i privilegjuar.

Pikërisht, cilët ishin aktorët që t’i kishe për zemër apo idhuj dhe që u ndjeve i emocionuar që do të punoje me ta?

Ishin shumë. Estrada e Shtetit kishte figura që sot nderohen si atëherë. Gjeta aty Skënder Sallakun, që kisha një konsideratë të veçantë, por gjeta dhe siç thashë Vasillaq Vangjelin që më hodhi dorën e mirësisë që në momentin e parë. Ishte ky aktor që më dha shumë nga vetja që kurrë si kisha gjetur në shkollë. Ai ishte njeri i mirë, aktor shumë i talentuar, njeri i tavolinës, njeri i fjalës së ëmbël.  Pra, ishte viti 1986. Ishte një vit që deri diku kishte filluar liberalizmi.

Cili ishte skeçi apo materiali i parë që ju bëri paksa me emër?/

Ishte një material që fliste për skematizmin në gazetari. Pra, në thelb kishte se si u gëzua minatori se i çuan një copë mineral kur kishte ditëlindjen. Pra ishte një skematizëm gazetaresk, që nuk përcillte asnjë realitet, pasi vetëm me mineral s’mund të gëzohej minatori, se mes mineraleve ishte rritur. Për këtë skeç edhe sot më takojnë në rrugë dhe më urojnë, pasi s’mund të kuptohet puna e gazetarit me skematizëm të tepruar pa asnjë farë krijimi. Krahas Estradës filluan kërkesat edhe në komedi edhe në filma, bashkëpunova me shumë regjisorë.

Kush ta dha dorën i pari në filmin artistik?

Ka qenë regjisori dhe aktori Rikard Ljarja. Ai më ofroi rolin e parë në filmin artistik në filmin  “Kur hapen dyert e jetës”, më vonë në filmin “Rrethimi i vogël” .  Ndërsa Sajmir Kumbaro më besoi një rol të veçantë, që sot ma përmendin të gjithë rolin e berberit. Tek filmi “Shkëlqim i përkohshëm” me regji të Albert Xholit kam luajtur  rolin  e një sportisti. Ky film është realizuar në Progonat të Tepelenës (nga është origjina jote) dhe në Përmet. Një sportist me ambicie që donte të largohej nga fshati, por pa sukses.  

Je ndjerë ndonjëherë keq në skenë?

Sigurisht. Kemi pasur shumë , por aftësia e partnerëve ka bërë që të kalojnë këto momente. Me Skënder Sallakun, me Arben Shakën, por sidomos me Vasillaq Vangjelin, gjithmonë mund të kaloje situatat e vështira, pasi ata dinin sesi t’i kalonin. Ata ishin mjeshtra, aq sa situatat e vështira i kalonin me finesë sa spektatori s’i kapte kurrë. P.sh, në Krujë kur profesori im Gëzim Kame më beson një rol. Isha ende në shkollë. Atëherë, ishte si rregull që patjetër do të luaje në auditorët e universitetit edhe role të ndryshme. Pra, që në shkollë duhej të bëheshin shkëmbimet e eksperiencave mes pedagogëve dhe studentëve. Unë isha ndër ata fatlumë  që luajta një pjesë tek drama “Mësuesi i letërsisë” me skenar të Rruzhdi Pulahës. Kjo vepër u quajt e avancuar për kohën. Me këtë pjesë, ne filluam të japim shfaqje dhe në qytete të ndryshme. Shkuam në Krujë dhe po bënim xhiro deri sa të fillonte shfaqja. Një orë përpara aktori Agim Shuke kishte bërë një aksident me motor. Ai kishte rolin kryesor. Shfaqja duhej të jepej patjetër. Pra, ai ishte roli i dramës. Biletat ishin shitur të gjitha.  Për këtë arsye u bë një ndërrim rolesh në të gjithë dramën. U bënë dhe pse askush nuk i dinte tekstin e plotë se s’kishte dublant, por ne i dinim vetë pjesët e njeri -tjetrit. Dhe unë në këtë dramë interpretova një rol që s’ishte roli im. Rolin e Shukes e mori Agim Qirjaqi, ndërsa unë në rolin e Agim Qirjaqit. Në rolin tim kalon Gëzim Kame. Megjithë këtë boshllëk, ne sërishmi e realizuam shfaqjen me sukses. Në atë kohë Sekretar i parë i Krujës ishte Xhelil Gjoni. Ai na përgëzoi në mënyrë të veçantë. Kur i thamë të vërtetën ai s’e besoi dhe na shtroi një banket.

Po nga rolet tuaja cili rol është më i evidentuari për ju dhe për spektatorin?

Do të veçoja rolin e berberit. Kur kam realizuar atë rol gjithmonë më pas më kanë thirrur me atë emër dhe i dyti roli i sportistit Dane, portierit të Progonatit që donte të shkonte në qytet me çdo kusht. Këto janë dy rolet që spektatorët m’i vënë gjithmonë në dukje. Por edhe roli i minatorit është evidentuar tek unë.

Kur u ktheve nga Amerika, e ndjetë respektin e spektatorit rrugëve të Tiranës?

Po. E kam ndjerë. Por dua të them se më shumë mall kam pasur unë. Në Amerikë nuk mund të punoja në profesionin tim vetëm në raste festash kur bënim organizime të ndryshme. Por e gjeta ngrohtësinë të nesërmen e mbërritjes kur filluan përshëndetjet e rastit. Emigracioni s’më kishte hequr plotësisht nga kujtesa e fansave të mi. U ndjeva mirë.

Pengu ekziston tek Xhevahiri?

S’ka artist pa pengje. Unë kam ikur nga Tirana kur isha duke vënë në skenë një rol me regjisorin Kiço Londo. Ishte viti 1998. Ky ishte roli i fundit sepse më doli lotaria dhe nuk mund ta neglizhoja për të ardhmen e fëmijëve. Ndoshta ato pengje që kam do t’i realizoj.

Përse kanë më shumë nevojë shqiptarët sot?

Për humor. Shoh që në fytyrat e tyre ka pak gëzim, pak fytyra të qeshura, pak optimizëm. Dhe ne na del detyrë të dhurojmë sa më shumë humor. Hallet, problemet kanë bërë që shqiptarët t’i kenë lotët si me rubinet.

Largësia ta ka shtuar apo zbehur dëshirën për skenën?

Ma ka dyfishuar dëshirën për të qenë në skenë. Tani kam eksperiencë tjetër. Kam parë botë me sy, kam mësuar më shumë dhe mendoj se mund të jap më shumë. Jam në momente që kam shumë për të dhënë. Emigracioni më mësoi shumë gjëra. Por dhe puna me kolegë të ndryshëm më kanë pjekur artistikisht.

Është e vështirë të jesh artist sot?

Sigurisht. Profesioni jonë ka pak hapësira sot. Ekonomia e tregut ka rregulla të reja loje. Duhet të mbijetosh me vështirësi, me punë pa orar. Por përsëri problemet i kemi më të kapërcyeshme se profesionet e tjerë.

Si do ta komentoni sot ikjen në emigracion dhe kthimin sërish?

Unë jam munduar të bëja njerëzit për të qeshur, por po iki (pra kur ika në SHBA) që të qeshin fëmijët e mi. Ikja ime ishte në vitin 1998 në ato rrëmujëra, u shërbeu fëmijëve që u shkolluan mirë.  Ndërsa sot fëmijët e mi po qeshin, unë  po kthehem që të qesh vetë.

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7