Hyrje | Intervista | Intervista: Flet ish- futbollisti i Partizanit, ish- trajneri i Kombëtares Neptun Bajko

Intervista: Flet ish- futbollisti i Partizanit, ish- trajneri i Kombëtares Neptun Bajko

Intervista: Flet ish- futbollisti i Partizanit, ish- trajneri i Kombëtares Neptun Bajko

 

Lotët e Ali Kastratit kur humbëm me Benfikën

Si më dha guxim në ndeshjen e parë timen me Partizanin

Në ndeshjen për kupën me Dinamon rehabilitoi tre lojtarë

 

Albert ZHOLI

 

Neptun Bajko ndoshta është nga trajnerët dhe lojtarët që ka punuar më shumë me Ali Kastratin. Dëshmitë e tija për të janë sa të bukura dhe po aq emocionuese. Por në morinë e këtyre kujtimeve unë do shkëpus tre ngjarje që janë nga më pikantet.

 

-Si e keni njohur Ali Kastratin?

Ali Kastratin e kam njohur kur shkova në shkollën ushtarake “Skëndërbej”. Që në vitin e parë u njoha me Baba Alin. Të gjithë në shkolla e thërrisnin Baba Ali, edhe brezat e mëvonshëm pas meje me këtë emër e thërrisnin Ali Kastrati ishte trajner i ekipit të boksit të  Partizanit dhe i mundjes dhe trajner i ngritjes së peshave. Jo vetëm që ishte trajner, por përgatiste edhe  brezin e ri, pra elementin e ri me perspektivë, që ushtria i kishte në synimet dhe në planet e veta. Ali Kastrati është një nga personalitetet e sportit, një nga më madhështorët dhe më i paarritshmi dhe  unikal. Puna e tij në shërbim të sportit  dhe në  edukim dhe në përgatitjen e brezit të ri  është e jashtëzakonshme, ashtu siç ishte një njeri i kudogjendur dhe është akoma një njeri i madh. Me duart e tij Aliu ka nxjerrë  me qindra sportistë  shqiptarë. Nuk kishte njeri në shkollë që të mos thoshte fjalët më të mira për të. Ai çdo element të ri e stërviste me të gjitha njohuritë dhe me të gjitha energjitë.

 

Kur ka qenë ndihma konkrete që ju ka dhënë Ali Kastrati?

 

Kontakti im  direkt  dhe  ndihma  e tij morale dhe psikologjike ka qenë kur unë  u aktivizova me  ekipin e Partizanit dhe kur Rexhep Spahiu papritur më tha se, ngrihu dhe  bëj nxehjen. Unë isha në stol të rezervave. Pra, ishte ndeshja e parë që do të luaja me fanellën më të bukur të Partizanit. Unë u mpiva komplet. S’e besoja. Më erdhi e papritur që unë të futesha në ekipin e parë në një ndeshje të rëndësishme me Besën e Kavajës. U kontraktova. Një gjendje turbullie. I pari që e pa këtë  ishte Ai Kastrati. Ai më kapi përdore dhe më futi brënda në dhomën e zhveshjes, më  goditi 2-3 herë me pëllëmbë në  fytyrë që të vija në vete, më ngriti në peshë dhe  filloi të më fërkonte. Më fërkonte ballin, qafën. Kokën. Më fliste, më ngrinte moralin, më jepte këshilla, që qëllonte sërishmi. Emocionet ishin të pakufishme. Ja një moment  dhe ai më thotë: Ashtu siç luan në stërvitje ashtu luaj edhe  këtu. Mos ça kokë fare për asgjë, ti do të luash shumë mirë sot. Jam I bindur për këtë. Të kam ndjekur në stërvitje dhe jam mrekulluar nga loja jote. Ja tani të erdhi rasti, shfrytëzoje. Është një moment magjik për ty. Unë dridhesha i tëri, por  ai si me  magji ma  hoqi gjithë  atë  siklet që kisha. Ajo ishte ndeshja  ime  e parë  që luaja  në stadiumin “Qemal Stafa”. Bëhej fjalë për  vitin 1965. Unë atëherë nuk kisha  mbushur akoma 19 vjeç. U futa në fushë me më pak emocione. Ja fillova të lëviz. Pas disa minutash çdo gjë kaloi. U futa nën ritmin e lojës. Fillova të lëviz dhe të kem nën kontroll lojën. Çdo gjë më iku si me magnet. Kjo forcë psikologjike që më dha Akli më shërbeu  në të  gjithë  jetën  time. Të flasësh për Aliun duhen orë të tëra.

Ali Kastrati ishte natë dhe ditë me ne. Ai jetonte me ne. Familja e tij i ishte përkushtuar futbollit.

 

Ju ja shpërblyet ndonjëherë këtë nder që ju bëri?

Po. Unë për të shpërblyer punën e tij të  palodhur e mora  në ekipin e Partizanit dhe  mbajta aty Ali Kastratin në një kohë  që ai  punonte edhe  në vende të tjera. Shërbimet e Ali Kastratit anë të jashtëzakonshme. E mora si fizioterapist. Por ai nuk punonte vetëm me futbollistët, por me shumë ekipe të tjera. E ku nuk e kërkonin atë. Kudo.

Kush ka qenë  ndeshja kryesore që Aliu me fizioterapinë e tij ka  ndërhyrë për të futur në lojë lojtarë të dëmtuar?  

Ka qenë ndeshja për gjysmë finale e Kupës së Republikës, ku do luanim kundër Dinamos. Ndeshja përfundoi 0-0, por ishte një lojë  shumë e ashpër dhe luftarake. Ne para ndeshjes kishim katër lojtarë të dëmtuar. Dëmtimet e tyre ishin të rënda që rrezikoheshin të luanin në ndeshjen me Dinamon. Futja në lojë pa këta lojtar që ishin dëmtuar do të thoshte se ne ishim të mundur pa e filluar ende ndeshjen. Unë me Aliun përgatitëm një skenar të  vogël për t’i bindur lojtarët  që edhe mund ta humbnin ndeshjen. Filluam, të bisedonim me Aliun se çfarë mund të bënim. Ishim në Kavalishencë në Durrës.  Në mes të natës lojtarët ende nuk i kishte zënë  gjumi  nga  lodhja   edhe nga dhimbja. I marrim 3 lojtarët më të dëmtuar dhe i nxjerrim bregut detit në Durrës.  Lojtarët ishin Ylli Shehu, Hasanpapa dhe dy të tjerë. I them i Aliut se ndoshta i bën  mirë që të  futen në ujin e detit se kripa ka veti kuruese. Mirë më  tha Aliu edhe unë e kisha këtë mendim. Përveshi pantallonat vetë dhe kështu bëri dhe me lojtarët. U futën deri në gju në ujin e kripur të detit. Aliu u fliste se, me masazh dhe me këtë larje ata do të mund të kalonin situatën dhe të ishin të gatshëm për ndeshjen. Lojtarët  me entuziazëm u futën në  ujë  dhe filluan të ecnin. Kjo vazhdoi  një orë. Pastaj Aliu filloi fizioterapinë. Lojtarët filluan të thonë se ndjeheshin më mirë. Kjo ndeshje ishte në Kupën e Republikës  së vitit 1978 - 1979. Gjithë tifozët e Partizanit ishin përgatitur që në ekip të mos shikonin  tre lojtarë të  formacionit të parë. Kur ekipi doli i gjithi në fushë, entuziazmi i spektatorëve ishte i papërshkruar.

 

Po në ndonjë ndeshje ndërkombëtare çfarë do të veçoje?

 

Do të veçoja ndeshjen me Benfikën e Lisbonës (Portugali) për Kupën e Europës.  Ishte një ndeshje që ende e ruaj të freskët në memorien time.

Në atë ndeshje kemi përjetuar çaste të magjishme. Kemi përjetuar lojën e mirë që kemi bërë, masakrën e vërtetë që bëri gjyqtari i ndeshjes një spanjoll, i cili me një gjakftohtësi të jashtëzakonshme dhe me një keqdashje bëri që ekipi i Partizanit të luante pa 4 lojtarë për 20 minuta lojë. Ishte një nga ndeshjet e rralla e zhvilluar në rangun evropian. Pas këtyre daljeve ne humbëm me rezultatin  4-0. Tek skuadra ra një gjendje shoku. Luajtëm si heronj dhe u ndëshkuam pa meritë. Shumë tifozë në stadium na duartrokisnin. Mendonim se si do na prisnin në Shqipëri, pasi largimi i katër lojtarëve ishte  e dënueshme. Aliu u mundonte që mbas ndeshjes të na gjallëronte dhe të na jepte  kurajë dhe na thoshte se do të na kuptojnë në  Shqipëri, ju keni luajtur shumë mirë dhe ju jeni heronjtë e Shqipërisë. Ai thoshte se kjo frymë do të  mbizotërojë edhe në Tiranë  prandaj mos u mërzisni. Kthimi në Tiranë ishte një tragjedi më  vete sepse sa  zbritëm ne e morëm vesh se diçka po ndodhte  rreth asaj ngjarje. Vazhduan analiza, mbledhje dhe dënime të tjera. Na kritikonin pa të drejtë jo për humbjen, por për gjeste antisportive. Dënimi të mos luanim më ndeshje ndërkombëtare.  Në një moment të veçantë në një mbledhje ku ishte edhe Sekretari i Federatës së Futbollit Aliu ngrihet dhe me lot në sy thotë: Çfarë po bëni kështu,  përse i dënoni,  po shkatërroni një ekip i cili është një nga më të mirët në këto 50 vjet.

-Pse ju dënuan si ekip?

Ne na dënuan se ne kishim  pasqyruar  shfaqje të huaja , sipas politikës së atëhershme, nuk ishim sjellë korrekt në fushë dhe nuk ishim sjellë si një ekip i një vendi socialist. Pra gjoja bëmë lojë të ashpër kur shumë gazeta vendase dhe të huaja dënonin gjyqtarin për gjykim jo të mirë.

Unë edhe atëherë dhe tani kam një mendim krejt ndryshe, ne luajtëm mjaft korrekt dhe pasqyruam vlerat më të mira të futbollit shqiptar. Duke mos njohur se kë kishim përballë, se çfarë përfaqësonte Benfika dhe çfarë përfaqësonim ne ndoshta  ramë  në gabimin profesional që nuk ditëm ti përshtateshim ekipit me të cilin luanim. Rezultati ishte i kurdisur nga ana e gjyqtarëve. Loja deri në minutën e 88 ka qenë 1-0 për Benfikën. Ne po luanim pa dy lojtarët tonë kryesorë. Pa Mustën portierin që edhe pse luajti 57 minuta ishte gjiganti i portës në Evropë dhe pa mbrojtësin tonë, një  lojtar i shkëlqyer. U deshën të dalin edhe  dy lojtarë të tjerë  Lame dhe Frashëri që Benfika të realizonte ëndrrën e vetë se me 1-0 vihej në dyshim fitorja në Tiranë. . Kështu u bënë 4 lojtarë të dalë. Dhe Benfika fitoi 4-0. Ishte një zhgënjim i madh. Kjo ndeshje është bërë në vitin 1987, ku ekipi i Partizanit atë vit doli kampion në Shqipëri. Pas disa ditësh në Shqipëri erdhi një gazetar sportiv francez nga më të mirët e vendit të tij. Ai u habit me dënimin që ju bë nga Federata jonë Partizanit. Madje, ai thoshte që ju Federata duhet t’ju dekoronte për atë lojë heroike. Gazetari bëri një shkrim të gjatë në gazetën sportive franceze që bëri shumë bujë. 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7