Hyrje | Intervista | Intervista:Flet koreografi dhe valltari Avni Ndreu: Enver Hoxha i tha Nexhmijes, jam nga fshati i gruas ndaj pëlqej Azis Ndreun

Intervista:Flet koreografi dhe valltari Avni Ndreu: Enver Hoxha i tha Nexhmijes, jam nga fshati i gruas ndaj pëlqej Azis Ndreun

Intervista:Flet koreografi dhe valltari Avni Ndreu: Enver Hoxha i tha Nexhmijes, jam nga fshati i gruas ndaj pëlqej Azis Ndreun

Azis Ndreu në Kinë bëri një poezi për Mao Ce Dunin, e cila u botua në “Zhenminzhibao”

 

 

-Në Lezhë, Enver Hoxha na tha se ky folklor e mban gjallë shpirtin shqiptar

-Konkurrova për koreografi përpara Ramazan Bogdanit dhe Panajot Kanaçit

-Azis Ndreu ka qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese

-Mehmet Shehu kur erdhi në Peshkopi kërkoi Azis Ndreun

-Këngën “Hajredin Pasha” e ka kënduar për herë të parë babai im

-Kolonel Vehbi Hoxha e shpëtoi nga predhat në luftën për çlirimin e Tiranës

 

 

Para disa ditësh në sallën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit Tiranë, u organizua përurimi i librit, “Ezopi i Dibrës”, kushtuar artistit të njohur popullor Azis Ndreu “Mjeshtër i Madh” e shkruar nga Xhezair Abazi. Pjesëmarrës ishin familjarë e bashkëkrahinas të A.Ndreut, punonjës të artit e kulturës, arsimit e shkencës, nga media  e shkruar dhe ajo elektronike etj..

Veprimtarinë e drejtoi Bujar Kapexhiu. Në emër të shtëpia botuese  “Onufri” përshëndeti Afërdita Cesula. Ndërsa për jetën dhe krijimtarinë e artistit të shquar popullor Azis Ndreu, i pari foli koreografi Skënder Selimi “Mjeshtër i Madh”. Ai e quajti atë supertalent, rapsod, valltar e artist popullor, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe laureat i Festivalit të Moskës. Rreth ndihmesës së A.Ndreut në studimin e trashëgimisë popullore, sidomos të Dibrës, u ndal Dr.Gafurr Muka. Ndërsa Prof.Vaso Tola e vlerësoi atë një figurë mbarëkombëtare, që trashëgoi e transmetoi traditat më të mira të artit popullor shqiptar.

 

Albert Zholi

 

Avniu ka ndjekur rrugën e të atit, valltarit, koreografit, aktorit, instrumentistit, poetit, rapsodit Azis Ndreu, për të cilin Enver Hoxha është shprehur në vlerësimin maksimal, që “kur flitet për figura shqiptarët kanë një shprehje, jam nga fshati i gruas, kështu dhe unë e vlerësoj shumë dibranin Azis Ndreu dhe pse pëlqej më shumë Xhevat Avdallin”. Si koreograf Avniu njihet si krijues i mbi 60 valleve, por vallja hit e tij është vallja “Lulëkuqet e Kosovës”,  të cilën e ka krijuar në vitin 1999, në vitet e luftës së Kosovës për Liri dhe Pavarësi. Ai u shkëput përfundimisht nga Peshkopia në vitin 2003 dhe prej asaj kohe dhe deri më sot, ai është  drejtues i disa ansambleve privat, ku ka marrë pjesë në dhjetëra festivale duke marrë shumë çmime të para. Në kohën që ai ishte Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Bashkimeve Profesionale, babai i vet ishte Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së qytetit, ku të dy rivalizonin në krijimtarinë e tyre në drejtim të artit koreografik.

 

Kur keni filluar si koreograf  në Peshkopi?

Punën e mirëfilltë si koreograf e kam filluar në vitin 1993, pra pas demokracisë, ndërsa në Shtëpinë e Pionierit si koreograf në këtë qytet e kam filluar në vitin 1978 si bashkëpunëtor. Ahere në atë regjim aktivitete kulturore ishin shumë të përhapura, ishin shumë të zgjeruara, deri në shkolla, ndërmarrje, apo punishte. Pikërisht, unë fillova punë si Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Bashkimeve Profesionale.

 

Pra këtë punë ju e filluat pasi mbaruat Akademinë e Arteve?

Po unë mbarova në vitin 1978 Akademinë e Arteve për Organizim dhe Menaxhim në Shtëpitë e Kulturës  dhe kurs special për koreografi. Ahere kur kam mbaruar unë kërkesat për Akademinë e Arteve ishin shumë të mëdha, profesorët ishin njerëz me emër dhe shumë të përgatitur, ku kishe se çfarë të mësoje.  

 

Kë kishit pedagog dhe anëtar jurie kush shkuat në Akademi?

Mund të përmend Prof. Ramazan Bogdanin, Panajot Kanaçin, etj., njerëz shumë të ditur dhe që e njihnin me themel këtë profesion. Kur mbarova specializimin punova si Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Bashkimeve Profesionale të Peshkopisë, dhe ndërkohë kam qenë dhe koreograf i Shtëpisë apo Pallatit të Pionierëve i jashtëm. Duke pasur parasysh se ahere aktivitetet ishin të shumta, edhe kërkesat për specialistë ishin të shumta.

 

Me Bashkimet Profesionale të qytetit në çfarë konkurrimesh keni marrë pjesë?

Kam marrë pjesë në festivalet zonale, që organizoheshin në rrethe të ndryshme, si në Shkodër në Kukës, në Elbasan, në Lezhë, përveç mbrëmjeve të Vitit të Ri që organizoheshin në televizion, ku grupi i valleve të Dibrës ishte gjithmonë prezent.

 

Ku përqendrohej puna juaj si Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Bashkimeve Profesionale?

Puna jonë përqendrohej tek grupet amatore të grupeve të ndryshme profesionale, ndërmarrjeve të ndryshme. Në atë kohë Qendra Kulturore e Pionierëve nuk kishte definitiv një koreograf, ndaj aty punoja në mënyrë vullnetare, si punë të dytë. Por duhet të them se kishte shumë ndërmarrje, të cilat  kishin aktivitete të vazhdueshme dhe jeta kulturore ishte shumë e ngjeshur.

 

Disa nga krijimet tuaja si koreograf?

Unë mund të them se hiti i krijimeve të mia si koreograf është “Lulëkuqet e Kosovës” , të cilën e kam krijuar në vitin 1999, në vitet e luftës së Kosovës për Liri dhe Pavarësi. Ishte kulmi i luftës.

Në periudhën e monizmit cilat ishin krijimet tuaja në koreografi?

Ishin të shumta, si valle dibrane, valle dasme dibrane, valle të cilat lidheshin me historinë dhe traditat e krahinës së Dibrës.

 

Në periudhën e zhvillimit të Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës, a keni marrë pjesë në to?

Jo, në regjimin monist, nuk kam marrë pjesë në Festivalet e Gjirokastrës, pasi në atë periudhë ka qenë babai im, Azis Ndreu si koreograf në Shtëpinë e Kulturës në Peshkopi. Ishin koreografitë e tij që shkonin në Gjirokastër. Ahere im atë ishte në kulmin e karrierës dhe nga çdo festival kthehej me vlerësime të mëdha.

 

Babai juaj ka qenë një njeri i veçantë, konkretisht, ku përfshihen gjinitë e artit, ku ka kontribuar Azis Ndreu?

Babi im ka qenë i gjithanshëm. Nuk duhet të flas unë për të, pasi këto ditë ka dalë dhe një libër monografik për jetën e tij, por mund të them shkurt se babai im, ka qenë valltar, koreograf, mbledhës folklori, humorist, aktor, studiues, rapsod, etj... Ju ishit tek përurimi i librit, “Ezopi i Dibrës”, kushtuar Azis Ndreu “Mjeshtër i Madh” e shkruar nga Xhezair Abazi.

 

Personalisht ju a e keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën në gjithë këto aktivitete që keni zhvilluar me Bashkimet profesionale?

Po. E kam takuar Enver Hoxhën vetëm njëherë në Lezhë. Kjo ndodhi fill mbas tërmetit që pati rënë në Shkodër, në Barçallëk, ku pasojat e tij, u ndërtuan në kohë rekord. Menjëherë,  ne dhamë disa koncerte për këtë punë të madhërishme, në disa fshatra dhe qytete afër Shkodrës. Në atë kohë punohej me një vrull të paparë. Nga Dibra kishin shkuar ndërtuesit më të mirë. Pikërisht në një nga këto shfaqje ne ishim një grup valltarësh prej katër vetash që dhamë shfaqje para Enver Hoxhës. Ishte një valle karakteristike dibrane që ai e pëlqeu shumë dhe e duartrokiti. Në fund të shfaqjes ai na uroi në mënyrë të veçantë. Na tha se ky folklor e mban gjallë shpirtin shqiptar.

Për ne në atë kohë ishte diçka e madhe të të uronte Enver Hoxha, por sot gjërat kanë ndryshuar, dhe një urim i tillë të duket fare i zakonshëm.

 

 

Po babai juaj Azis Ndreu, në gjithë jetën e tij artistike, ku ka punuar?

Babai im Azis Ndreu ka qenë Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Peshkopisë, ka qenë dhe instrumentist përveç atyre që kam përshkruar më lart. Por jeta e tij artistike dallohet edhe si aktor. Jeta e tij artistike është shumë e larmishme thuajse e pabesueshme, për vetë ritmin e jetës, pjesëmarrjen në qindra aktivitete. Libri i fundit për të nxjerr në pah të gjithë punën dhe veprimtarinë në shërbim të artit shqiptar.

 

Çfarë çmimesh ka marr babai juaj në karrierën si valltar dhe koreograf?

Ai ka marrë shumë çmime ndërkombëtare ku mund të përmend çmimin e dytë në një festival në Moskë në vitin 1957 midis 70 vendeve pjesëmarrëse.  Ka marrë çmimin e dytë me “Valle dyshe” me Besim Zekthin në Rumani (Bukuresht), 1963, është lauruar në të gjitha Festivalet e Gjirokastrës me çmime të ndryshme si rapsod, këngëtar dhe shumë çmime të tjera brenda dhe jashtë atdheut...

 

Kush është një ndër këngët e para që ka kënduar babai juaj dhe ka bërë shumë bujë?

Këngën “Hajredin Pasha” e ka kënduar për herë të parë babai im. Më vonë këtë këngë e ka kanë kënduar shumë të tjerë.  Ishte një ndër këngëtarët më të spikatur të asaj kohe, por dhe një recitues shumë i mirë. P.sh në vitin 1964 në konkursin e recituesve, Azis Ndreu ka zënë vend të parë ku në juri ishin Mihallaq Luarasi, Dhimitër Orgocka, etj...

 

A e ka takuar Enver Hoxhën babai juaj, si i mban mend t’i takimet e babait me Enverin?

 

Po, e ka takuar disa herë. Enveri ka pasur qejf këngëtarin e polifonisë labe, gjirokastrite Xhevat Avdallin, ndërsa Nexhmija babain tim Azis Ndreun.  Një ditë Nexhmija i thotë Enverit e di që pëlqen Xhevat Avdallin, por çfarë mendimi ke për Azis Ndreun?  Enveri i thotë, që dhe unë jam shqiptar, Kur të pyesin ne themi nga je? Ne i themi nga fshati i gruas.  Pra e pëlqej shumë Azisin sa e pëlqen dhe ti. Kjo është bërë bisedë në humb vende dhe njihej që në atë kohë. Ky vlerësim qarkulloi për një kohë të gjatë deri në Dibër.

 

Kë ka takuar tjetër Azis Ndreu që ju a ka transmetuar dhe e ruani në kujtesë?

Një ndër takimet që më ka mbet në kujtesë nga tregimet e tij ka qenë takimi me Mao Ce Dunin. Ka qenë tre muaj e gjysmë në  Kinë, mbase nga viti 1970. Aty babai bëri një poezi për Mao Ce Dunin, e cila u botua në faqen e parë me ngjyrë të kuqe në gazetën më të madhe të vendit “Zhenminzhibao”, e cila dilte me një tirash prej miliona kopjesh. Me këtë poezi u bë një operetë nga Teatri i Operës me kompozitorin më të madh të Kinës së asaj kohe. Madje, opereta u luajt, u interpretua përpara babait në hotelin ku ai rrinte. Ishte një befasi e madhe.

 

Kë takoi në atë vizitë kulturore aq të gjatë babai?

 

Në sajë të tregimeve dhe kujtimeve të tij, ai ka takuar Mao Ce Dunin, Lin Biaon, Çu En Lain dhe shumë udhëheqës të tjerë. Në atë kohë babai kishte shkuar i ftuar nga Ansambli i Shtetit. Dihet tashmë se si ka qenë Ansambli i Shtetit Shqiptar në atë kohë. Kishte një emër shumë të madh. Babai im ishte shumë herë i ftuar prej këtij Ansambli. Të dilje në atë kohë me Ansamblin e valleve ishte një diçka shumë e madhe. Por babai im e kishte fituar këtë të drejtë me punë, me vullnet, me shumë këmbëngulje.  

 

Po me Mehmet Shehun a ka qenë takuar babai juaj?

Ah, këtu dua të ndalem, pasi pak e dinë këtë fakt. Babai im ka qenë partizan i Brigadës së parë Sulmuese, madje, një partizan i ri 15 për 16 vjeç. Ai ruante shumë kujtime nga lufta. Ndaj dua të them se babai im e ka pasur Komandant Brigade Mehmet Shehun. Kur ka ardhur në një vizitë në Peshkopi, Mehmeti ka pyetur se ku gjendet Azis Ndreu. I kanë thënë që është këtu në Shtëpinë e Kulturës. Madje, mund të them disa detaje gjatë luftës për çlirimin e Tiranës. Babai ka marr pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës, madje ai i mban mend shumë mirë ato luftime kryesisht në rrugën “Fortuzi” përballë Ministrisë së Drejtësisë. Babai ka marr pjesë aktive në atë luftë, madje është plagosur, pasi dilte mbi barrikadë dhe qëllonte. Shumë herë komandantët i thoshin mos dil mbi barrikadë se do të zejë plumbi. Por i riu si i riu. Dhe plumbi e zuri, por sa u plagos lehtë, pikërisht në mesditë disa orë përpara se të iknin trupat gjermane nga Tirana, më 17 nëntor 1944.

 

Në këtë luftë ka thënë ndonjë detaj?

Po, përveç që tentonte të ngrihej mbi barrikada, kur plasnin predha nuk shtrihej në tokë. -Kolonel Vehbi Hoxha e shpëtoi nga predhat në luftën për çlirimin e Tiranës, pasi  e uli poshtë barrikadës që të mos e zinin copërat e predhave.

 

Ju, sa valle keni krijuar vetë si koreograf?

Unë kam krijuar mbi 60 valle, të gjitha të mbështetura në tabanin popullor dibran.  Të gjitha vallet kanë të veçantat e tyre, pa pasur ngjashmëri.

Po vetë deri në çfarë moshe keni qenë valltar?

Thuajse deri në moshën 53 vjeç kam qenë dhe valltar. Dua të them se të qenit valltar është një ndër kënaqësitë e mëdha të jetës time. Ndryshe të krijosh ndryshe të kërcesh, por kur i bën të dyja ka një magji tjetër.  Në 2006 kam hequr dorë nga të kërcyerit si valltar.

 

 

Ju keni zënë disa çmime të para, ku i keni marr këto çmime?

Një ndër to është në Festivalin  e Strugës, në Tetovë,  me vallet “Nuse në demonstratë” dhe me vallen “Toka jonë”.  Këto çmime  janë marrë në vitin 2003.

 

Cilat janë bashkëpunimet tuaja të fundit?

Vitet e fundit pasi u shkëputa nga Dibra dhe erdha në Tiranë kam bashkëpunuar me disa ansamble private si koreograf. Krijimet e mia të fundit kanë konsistuar në zhvillimet e fundit në emigracion, por edhe në luftën e Kosovës. Shumë valle kanë karakter patriotik. Disa nga ansamblet me të cilat unë kam bashkëpunuar janë, ansambli “Shqiponja shqiptare”, “Kaltërsia” ,  i Kamzës dhe “Ansambli “Valët e Drinit”  që po bashkëpunoj tashmë së fundmi.

 

Ku keni marr pjesë me këto ansamble dhe a keni fituar ndonjë çmim?

 

Me këto ansamble kemi marrë pjesë  në shumë Festivale Ballkanike dhe Europiane ku ne jemi paraqitur denjësisht. Një ndër festivalet që kemi bërë shumë bujë ka qenë ai i Polonisë, ku ne kemi marrë pjesë me disa valle ku unë do të veçoj “Vallen humoristike”, “Vallja e shqipes”, “Vallja me motive dibrane”, “Valle me motive tiranase”. Ditët e fundit ne ishim në Ankona të ftuar nga shoqata “Skënderbeu”  i këtij qyteti ku ka shumë emigrantë shqiptarë. Në këtë festë u inaugurua busti i Skënderbeut  ku ishin shumë personalitete nga Shqipëria. Një Festival shumë i rëndësishëm ishte ai i zhvilluar para disa muajsh në Bullgari ku u pëlqye në mënyrë të veçantë vallja humoristike “O Osman Aga”. Po kështu dhe vjet në Turqi kemi marrë pjesë me tre valle, që ishin nga repertori i mësipërm.

 

 

Azis Ndreu, vallet hite

“Valle e Kuvendit”, “Valle e thikave”, “Valle e trimave dibranë”, “Valle lirikash vajzash”,  

Botime - ka 6 vëllime poetike

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7