Hyrje | Intervista | Intervistë: Luan Zhegu, ja misteret e mia në dashuri, politikë dhe skenë

Intervistë: Luan Zhegu, ja misteret e mia në dashuri, politikë dhe skenë

Intervistë: Luan Zhegu, ja misteret e mia në dashuri, politikë dhe skenë

Nga Albert Zholi

Mbititull:

Puthja më e bukur, ditën kur mora çelësat e shtëpisë

Titull

Intervistë: Luan Zhegu, ja misteret e mia në dashuri, politikë dhe skenë

Disa nga titujt  e fituar si kompozitor :

- Naim Frashëri kl.I-rë              1979

-Artist i  merituar                         1982

-Mjeshtër i  madh i  skenës        2007

Fitues i çmimeve  të  para  në   festivale si  kompozitor:

-viti 1982

-viti 1998

Fitues i çmimeve  të  para  në  festivalet  “Pranverë” në  vitet:

-1992

-1993

-1996

Si kompozitor   3 herë  fitues

Luan Zhegu

Luan Zhegu është një nga kantautorët më të suksesshëm shqiptarë, me një talent që e ngjiti në skenat më prestigjoze muzikore. I vlerësuar me shumë çmime, për interpretimin e tij autentik, për kthjelltësinë dhe cilësinë e zërit, por dhe për aftësinë e tij si kompozitor ai ka marrë titullin “Mjeshtër i madh i skenës”.  Një titull sa i merituar aq sa dhe pak i çuditshëm për sistemin e vlerësimit të artistëve të suksesshëm. Si të gjithë intelektualët shqiptarë dhe sot Luan Zhegu vuan zhgënjimet e një shoqërie që rri larg artistit të vërtetë. Ai  sot është i papunë me gjithë vlerat e tij, me gjithë titujt dhe kontributet e mëdha që ka dhënë ndër vite për muzikën shqiptare. Ndonëse  nuk ndjehet kurrë larg nga ai lëmsh i madh shpirtëror që i shpërthen në një muzikë të plotë, të veçantë dhe tejet moderne.  Interesi i tij për politikën nuk e ka larguar kurrë nga pasioni i tij i madh: muzika. Për të cilën ndjehet tërësisht xheloz. Me angazhimin e tij në politikë, përkatësisht me të majtën disa vite më parë, kantautori e dinte që ndërmerrte  një risk. Ai kishte bërë një emër të mirë në muzikë, por që nuk i kushtoi shumë, sepse asnjë fans i tij nuk u largua nga ky angazhim. Emri i tij mbeti i paprekur, bile mori vlera akoma më njerëzore.  Edhe në pozicionet si kryetar minibashkie ai tregoi gjithnjë të njëjtin karakter: i qetë, i ndjeshëm, social, familjar dhe i ekuilibruar. Qëndronte pranë halleve të tjerëve me zemërgjerësi dhe thjeshtësi duke i ndihmuar sa mundej. Ndonëse kandidimi i tij për deputet nuk pati happy end, përsëri ai nuk e ndjen veten larg  politikës, edhe pse fushata elektorale i solli largimin e gruas së tij nga puna. Indiferencën e politikës ndaj tij e justifikon me problemet e shumta dhe të papritura që sjellin situatat shqiptare njëra pas tjetrës. Ai vazhdon të krijojë dhe të merret me muzikën e tij duke u përgatitur për kompeticionet më serioze të muzikës nga të cilat nuk mungon kurrë. Jeta, sipas tij, është e mbushur gjithnjë me të papritura. Çdo eksperiencë duhet të ruhet si Asi Spathi nën mëngë.

-Si kanë  qenë  fillimet e  para  të  skenës  si  kantautor?

-(Qesh). Fillesat  e mia  kanë  qenë  që  në  moshën  12 -vjeçare. Ishte ajo moshë që  jam  përballur  me spektatorin. Po të flasim  me gjuhën  muzikore  kam  qenë tenor. Më është  besuar një rol nga regjizori i madh  që nuk jeton më Viktor Gjoka. Ai po vinte në skenë një operetë  “Bilbili  dhe  kanarina” me  muzikë të  Llazar Nurçkës. Mua  m’u  besua  roli  kryesor  nga  vetë  regjisori i  madh, ku  luajta  rolin e bilbilit. Shfaqjen e  kemi dhënë  në Pallatin  e Kulturës “Ali Kelmendi”, ku sot është Universiteti “UFO”. Ka  qenë një  skenë shumë  e bukur, veçse salla  nuk  merrte  më shumë se 250 veta. Aty ka  qenë dalja  ime  e parë. Pastaj vazhdova  në një operetë   tjetër. Këtu marrin fill  ëndrrat  fëminore  ose  më  mirë  të  fshehtat,  talentet  që ka vetë  njeriu brenda qënies së tij. Gjithmonë  shikoja me dëshirë në Pallatin  e Kulturës  bateristë   dhe  kam  qenë gjithmonë i  interesuar  për  të. Fillova të  ushtrohesha  me  nota dhe  me  pentagram. Në atë moshë kanton e lashë. Në moshën 17 -vjeçare unë  inkuadrohem në  Cirkun e Tiranës me  udhëheqës  artistik Ismail Rekën  në  bateri,  ku punova 2 vjet si  instrumentist. Në  vitin ‘69, unë,  meqë nuk  pranova  të  futesha oficer, më çuan ushtar në marinë. Atje u caktova përgjegjës i grupit të rojeve të “Pashait”. Pikërisht, në këtë vend të bekuar, ku natyra është treguar tepër bujare, në vitin 1969, me  një  firzamonikë  kam  kompozuar këngën  “Vajza  dhe  deti”. Aty, në brigjet   shumë të  bukura të “Pashait”, në  plazhet magjike të Orikumit. Nën mrekullinë e kaltërsisë së detit, valëve ledhatuese, ajrit të pastër, pranë repartit,  gjithmonë  shikonim  një vajzë  shumë të  bukur, (emri i saj  nuk  më kujtohet),  me  një  trup si beronjë,  dhe  me  flokë  të  gjata. Një  shoku im, Naum Gogo nga Durrësi (ka vdekur  në  moshë  shumë  të  re), duke  parë  atë,  magjepsej. Shushatej. Gëzohej. Hidhërohej.   Në  atë  kohë, në plazhe nuk  kishte  shumë popullim, ajo ishte vajza e vetme që shkonte në plazh sa dhe deti gëzohej. Edhe deti sikur merrte frymë më thellë. Ishin momente të veçanta për shokun tim të mirë edhe për mua. Kur shihte atë bregut të detit ngazëllehej. Mrekullohej. Dhe filloi t’i thurte vargje..

Bregut të detit  një  vajzë  e menduar

Flokët  era  lehtë   ja  përkëdhel

Rreze  dashurie   hedh   në  zemër

O det  o  det  i kaltri  det

Ti këngën  time  ma dëgjon

Ju ison  mbani o  valë

Për  dashurinë  zemra  sot  këndon..

Edhe unë e dashurova atë këngë. Kishte motiv të fuqishëm. Në atë vend përrallor, pa shumë lëvizje dhe femra, një vajzë si shtojzavalle. Edhe sot i kam të freskëta ato momente. 

-Këto  vargje  ishin  të  shokut  tënd?

-Po  këto  vargje ishin të  shokut tim Naumit nga  Durrësi, i  cili  ia  dedikonte  asaj  vajze, që  ne  e shikonim  bashkë. Në atë  kohë  unë  kisha  një  firzamonikë  të  kuqe  “Parot” dhe fillova ti  bie. Mori udhë kënga “Vajza  dhe  deti”. Tashmë  habitem  që  rinia  e  sotme e pëlqen me po atë interes dhe kërshëri si atwherë. Çdo gjë që  realizohet  me pasion, dashuri, sinqeritet, pastërti, ndjeshmëri, ka jetëgjatësi.

-Kjo  ka qenë  kënga  juaj  e  parë  si  kompozitor në ’69-wn?

-Kjo ka  qenë   kënga  ime  e parë  si  kantautor  dhe e kam  kënduar  në  “Pashaliman”,  në  plazhet e  Orikumit  me  grupin  tonë  të  Pashait, ku  shkuam  edhe  në  Vlorë  dhe morëm  çmimin  e parë. Ne  atëherë  dhe pse ishim ushtarë, kur  këndonin  visheshim  civila dhe përfaqësonim Uzinën  “Kraft” që ka qenë në “Pashaliman”. Ky ka qenë kantjeri i riparimit  të  Flotës Detare. Unë  isha përgjegjësi artistik i  grupit të Pashait, ku kisha një  piano.  Aty  punoja  shumë me  marinarët, me  zërat e rinj ushtarë, me  vajzat  që punonin në  Uzinë  etj.

-Si vazhdoi rrugëtimi i Luanit si kantautor ?

-Kur  erdha  në Tiranë mora  pjesë  me  këngën  “Këngët e tua  Memo” në  festivalin e  zërave të  rinj,  ku  mora çmimin e  dytë  pikërisht në vitin 1973.

Në  vitin  1972, unë  fillova  punë në estradë si  baterist. Në  estradë  nganjëherë  çohesha  nga   bateria  këndoja  ndonjë  duet. Por  nuk  isha i  njohur  si këngëtar,  si Luan  Zhegu, por  si  kompozitor. Këngët  e mia  këndoheshin nga Vaçe  Zela, ku  për  mua  ishte  një  nder i madh. Ajo ishte një këngëtare që lind rrallë. Kur  unë u  futa  baterist  Vaçe  Zela  ishte   këngëtare në teatrin e Estradës. Ajo  pranoi  të  këndonte  një këngë  timen “Nusja  e lirisë” me  tekst  të  Sulejman  Matos që  ia  dedikuam  Margarita  Tutulanit. Vaçja  me këtë këngë  e ngriti në  këmbë   Teatrin  e Operas  dhe të  Baletit.  Vaçja atë  natë u  vesh  si  Margarita,  me një  bluze  të  kuqe  dhe me një fund të zi, si  flamuri  shqiptar- kuq  e zi. Si flamur ngjante dhe ajo vetë. Unë në  atë kohë  kam  qenë në  sallë  dhe dridhesha  i tëri. Si të mos emocionohesha,  ku  një  djaloshi të ri si unë,  ti këndohej  kënga  nga  një artiste  e madhe si Vaçe  Zela  (dhe  mori  çmim   “Dekade”, se ashtu  ishte atëherë Dekadat e Majit ?!. Pastaj   ishte  kënga  “Do të  dal malit”. Dalngadalë  fillova  të bwhem i  njohur  si  krijues,   si  kompozitor  dhe fillova të kem  oferta  nga të gjitha  rrethet (se  të  gjitha  rrethet kishin  estradat  e tyre), dhe në  festivale  të  ndryshme. Në vijimësi, në  festivale  kam fituar çmime  si  në  Festivalin  e Këngës  në  radiotelevizion, dhe nga aktivitete nga më  të ndryshmet që  bëheshin. Këngët e mia si kompozitor janë kënduar nga këngëtarët   shumë  të  mrekullueshëm  duke filluar nga Tonin Tërshana, Luljeta  Simoni, Arta  Babaramo, Sazan Meçani, Nikolin Gjergji. Ndërsa  në festivale  ishin  Ema  Qazimi, Liljana Kondakçi, Kozma  Dushi, Irma Libohova dhe unë që ishim një  pesëshe  shumë e fortë. Kjo ishte bërthama e festivaleve të ndryshme në krijimtarinë time si kantautor. Në vitin  1975 ishte festivali që unë këndova për herë të parë (i 14-të), në festivalin e radiotelevizionit  shqiptar. Isha i ftuar  nga  vetë   udhëheqësi  artistik i Festivalit  Gjon  Simoni. Aty pata një  fat  shumë  të  madh,  sepse  këngën  “Shokët” që  këndova  unë  e këndon dhe (sepse  atëherë ishte në  dy  variante e njëjta këngë), Artistja e Popullit Vaçe Zela. Kjo ishte një përgjegjësi  shumë  e madhe  për  mua. Ajo ishte një  këngë  shumë e bukur  me  muzikë të Shaqir  Kodrës me tekst  të  Betim Muçës. Kënga  u  duartrokit mjaft mirë  rreth  6 minuta. Kjo  ishte  një  rekord  në  festivalet  tona. Kjo  këngë  mori  çmimin  e dytë. Çmimin e  parë  e pat marrë  kënga  “Buka  e duarve  tona”. Në  festivalin e 15-të, në  vitin 1976, marr pjesë  me një  këngë  shumë të  bukur,  por  me  një  trishtim  për  mua. Kjo ishte një këngë e Agim  Krajkës “Këngët  e rinisë” me tekst  të Zhuljana Jorganxhi.  Këtë këngë  e këndova  bashkë  me Alida  Hiskun. Kënga  u  prit   shumë  mirë, por  qe  një  fatkeqësi  e madhe  se kënga  nuk  futet  në  natën e  tretë. Ishin  ato sulmet  që i  bënin  Krajkës  në  atë  kohë si  kompozitor i ritmikës. Krajka  shihej në  atë  kohë  me një sy  si modernist. Më  vonë, unë  këndova  edhe  pesë  festivale me Krajkën, ku  jam nderuar  me  çmime  të dyta  dhe  të treta. Me Krajkën unë  fitova  një  eksperiencë  të  madhe. Pastaj këndova  me Tish  Dainë, Ajk  Zaharjan, me Gazmend Mullain, dhe pastaj me  Aleksandër  Lalën.

-Përse  Luani  nuk  këndonte këngët  e veta?

-Duke parë që shokët e mi nuk kishin eksperiencë për t’u lavdëruar si Sherif Merdani, Françesk Radi, Aleksandër Lalo, që filluan të dëmtoheshin nga ato të  ashtuquajtura  plenume të atyre viteve, unë fillova të bëj një tërheqje, pra  këngën time t’ja jap një këngëtari tjetër, dhe unë të marr këngën e një  kompozitori  tjetër. Kështu  nuk isha  në  qëndër  të  ashtuquajtur  “Poligon”. Edhe  në qoftëse donin të sulmonin  Luanin nuk  mund të  sulmonin Vaçen, që kishte  këngën time. Edhe në qoftëse donin të sulmonin Luanin  nuk  mund të  sulmonin Tish  Dainë, ose   Agim Prodanin etj.  Kjo  ishte një taktikë e imja. Por  kjo  ishte edhe një  eksperiencë  e madhe,  sepse, të  marrësh  eksperiencën e Vaçe  Zelës  apo  të  Tish  Daisë  nuk  është pak. Por  nga  ky  rezultat,  këngët  e mia  i  kanë kënduar  edhe  shumë  këngëtarë të  rinj  që  nuk  i mbaj  mend  të  gjithë si  Leonora  Jakupi, Ledina  Çelo,  dhe  shumë  “Etheistë”  si  Musabelliu,  e të tjerë. Pra kjo ndërthurje brezash,  artistin  e mban  të  gjallë. Kjo është njëlloj  si politika  e re  dhe ajo e vjetër. Mund  të  jesh 80 vjeç  dhe ke  vizione të një  politike të re, por  mund  të  jesh  i  ri dhe nuk  mund  t’i  kesh këto vizione.

-Sa  këngë  ka  kompozuar dhe  sa  këngë  ka  kënduar  Luan  Zhegu?

-Janë  276 krijime. E para ka qenë “Vajza dhe deti” dhe  kjo e fundit  që kam  përfunduar  i  dedikohet  një vajze  të  vogël Aurora që do  ta paraqesim  në  Shkodër  dhe titullohet “Pinoku”. Është  një  këngë  interesante  me  tekst   të  Jorgo  Papingjit.

-Kush ka  qenë  dita më  e bukur  skenike  e Luan  Zhegut?

-Emocion  më të  madh ose  mund të them  një  lloj  lumturimi në qenien  time (ndoshta  e pa shprehur) ka qenë në vitin 1995, kur  unë  kam  kënduar  një  duet  me  Ledina Çelon “A e  doni  dashurinë ?”. Ishte  një  këngë  e Osman  Mulës  me  tekst të  Jorgo  Papingjit. Ishte  një  emocion  i  jashtëzakonshëm, ku  mbas 7 vitesh  unë  iu  ktheva  skenës. Sepse ishin vitet e fluiditetit të mendimit njerëzor me emrin e koduar   “tranzicion”. Ishin vitet e hallaktjes së mendimit njerëzor ku çdo njeri donte të  prekte atë që  nuk   e kishte  prekur  për  45 vjet. Unë përjetova një  emocion  shumë  të madh. Isha në ethe. Mendoja se si  do  të  më  priste spektatori. Doja të kisha një performancë solide. Jetonim në një shoqëri me mendime të tejskajshme luajale, ku kënga duhet të ishte  brenda të një shpirti njerëzor. Një koiccidencë e jashtwzakonshme. Kush e përcolli në këtë mënyrë ?! Ka  qenë 23 dhjetor i vitit 1975, kur  Luan Zhegu  këndon  në skenën e  Teatrit  dhe  të Baletit  dhe  merr  çmimin  e dytë me  këngën “Shokët”. Dhe  me  datën  23  dhjetor  të vitit  1995, fiks mbas 20 vjetësh,  në  të  njëjtën  orë,  Luan  Zhegu,  këndon përpara publikut shqiptar  dhe prap merr çmimin e dytë. Ndryshimi ishte se u  këndua  në Pallatin e  Kongreseve. E veçanta tjetër, 6 minuta  duartrokitje në vitin 1975 dhe 7 minuta e 2 sekonda në vitin  1995!!! Koha kishtë bërë të vetën. Kënga ishte pjekur si vera. Më kohën ishte bërë më e ëmbël. Më e dashur për spektatorin. Duartrokitje frenetike. Në këtë rast kam  ndjerë një emocion  shumë  të madh. Si asnjëherë tjetër. Fansat e mi ishin shumuar. Dalja e  Osman  Mulës  në  skenë me saks dhe Ledina që kercente, ma  hoqën sadopak  emocionin. Ky ishte një sukses  i  jashtëzakonshëm.

-Po  dita më  e vështirë  e skenës  kush  ka  qenë?

-Ka qenë viti 1974, kam kënduar një këngë të Agim Prodanit këngën e “Nënës” . Gati  një  minutë  orkestra nuk  u  fut në rolin e saj dhe  unë  kam  kënduar  si  këta   “Etheistët”  që këndojnë  fare  pa  orkestër. Salla ishte  plot. Nuk e di ishte një  ngatërresë  e orkestrës  apo   e këngëtarit. Pastaj  orkestra  vinte   mbrapa vetëm  për të  arritur  harmoninë  e këngës që këndoja  unë. Unë  këngën  nuk  e lashë,  por  vazhdova. Më ka  pëlqyer  shumë  spektatori  atë  natë,  sepse po  të  kisha  qenë  unë  ndoshta  në  vend  të  spektatorit  ose do  të  kisha  qeshur  ose  do  të  kisha  fishkëllyer. Ata ishin brenda meje. E kuptuan tërësisht. Ne i  kemi pasur dhe i kemi spektatorët  të  mrekullueshëm.

-Vendi i parë jashtë atdheut që keni kënduar?

-Në vitin 1976, kam  qenë i pari  këngëtar  shqiptar që  kam  shkuar në  Kosovë duke përjashtuar këngëtarët  e Ansamblit.

-Në Kosovë  kush  këngë  është pëlqyer  më shumë?

-Më  shumë  është  duartrokitur  “Këngët  e rinisë”.

-Sa  vjet  ka  qëndruar  në  Teatrin e  Tiranës Luan  Zhegu?

-Në  Teatrin e  Estradës  kam  ndenjur  30 vjet. Dhe një  nga  ata  që më zbuloi  si  talent  është miku  im  më  i  mirë Alqi  Kareco që atëherë  ka qenë  dirigjenti i Teatrit  të  Estradës. Debutime  mund të  jenë me mijëra  dhe këngë  të  kënduara me qindra. Në sistemin komunist, ne bënim  265 shfaqje  në vit. Në çdo shfaqje ne këndonim 3 këngë. Pra  në 30 vjet unë kam bërë mbi 26 000 deputime  plus  festivalet dhe “Dekadat  e Majit”.

-Kalojmë  mbas  viteve ‘90, si u  fut  në  politikë Luan  Zhegu?

-Futja  në  politikë  ka  qenë  e natyrshme. Spektri i  majtë  më bëri një propozim, që unë të përfaqësoja në zgjedhjet lokale PS. Unë  nuk trokita   në  asnjë  vend. Unë  nuk  e kisha  idenë  se  kush ishin  kryetarët  e Njësive  Bashkiake. Mbaj mend  në sistemin komunist  kryetarin e lagjes. E thashë    këtë   se imagjinio në  kohën e Enverit çfarë decentralizimi  kishte. Kryetari i Lagjes që e mbaj mend  edhe  sot më dha  shtëpi. Të merrje shtëpi në atë kohë ishte një dasmë me vete. Ishte gëzim i pamasë. Sebep atëherë  për shtëpinë ka  qenë  Hysen  Shahu,  ka qenë sekretar  i  parë i Rajonit nr.3, dhe u  bë  një  nga miqtë e  mi më të mirw. Sa e mbaj mend unë  ky  njeri  i sinqertë vetëm  ndere  ka  bërë. Pra  ka  pasur  edhe njerëz  të  mirë  që  njerëzit kanë  mbijetuar  në  atë   diktaturë. Unë isha i fejuar dhe kisha bërë kërkesë për shtëpi.  Dhe  paradoksi më i madh  kur  u bëra unë Kryetar i Njësisë Bashkiake nr.9,  (ku  kandidova dhe fitova), ishte se  shumica e njerëzve  më tepër më njihnin  si artist, por edhe si  djalë  i  lagjes, jo si politikan.

-Në çfarë  viti kandidove?

-Ka  qenë tetor i  vitit  2000.

-Sa  vota  fitove?

-Fitova rreth  2 800 vota. Atje  unë  kisha  një administratë shumë  të  mirë   dhe duhet të  gjykojnë  njerëzit se çfarë  gjurmësh  ka lënë  Luani  atje. Unë  kandidova edhe  në  vitin  2003 dhe fitova  më  shumë se në  vitin 2000. Kjo  ishte ndoshta  një  shpërblim  që qytetarët  më  dhanë për  punën që kisha bërë për  tre  vjet. Çelësi i  suksesit që  unë  analizoj  sot  ishte  vetëm kjo, se, kur unë  ulesha  në  të  ashtuquajturën  karrigen  e kryetarit, sapo  binte  dera  ime, unë  e vendosja  veten  time  në rolin  e  atij  që  i  binte derës. Pra  hallexhiu  në  atë rast  isha  unë. Ky  popull tej mase  i  mërzitur  i  shkatërruar  në të  gjitha  drejtimet, me halle, me probleme, unë  edhe në  qoftëse nuk  kisha mundësi  t’i mbaroja   punë, unë e  informoja  që ai të mos  sorollatej. Kjo  ishte gjëja  më  kryesore që unë  atyre njerëzve  i  bëja. Atë  që unë kisha  në  kompetencat e  mia ua kam servirur me zemërgjerësi. Shërbimet në  Njësinë  time  nuk  kalonin më  shumë se 2-3 minuta. Nuk rrinin  njerëzit në korridor. U mundova  edhe në  Gjendjen  Civile të  punoj   edhe më  shumë  se edhe  puna  aty ishte edhe  më  e madhe. Ky  fluks i  madh  për  shkak  të  ashtuquajturës  karta  identiteti. Por  me daljen e  kartave  të  identitetit  puna  nëpër  Gjendje  Civile do të jetë  shumë më  komode.

-Si ka  qenë  momenti  që ju  vendosët  të  merreshit me politikë,  që  hodhët një  hap vendimtar  në jetën  tuaj nga një  artist  tashmë  në  një  politikan?

-Në moment njeriu  pa  u  njohur  mirë,  edhe me  punën  nuk e kishte të  vështirë, por kur thanë se ju do të  përfaqësoni Njësinë  Bashkiake, unë  fillova  të  mendoj  shumë. Atëherë  Rama  pati  thënë  se  do të  pastroj  Tiranën për  300 ditë, dhe e pastroi. Mendova se  me  këtë  vizion   që kam  më  mirë të  jem  unë  në  lagjen  time dhe të  bëj një  punë  të  mirë. Dhe  me të vërtetë  është bërë një punë kolosale. Me këtë rast dua  të  përshëndes  ndihmën e madhe që më ka dhënë  Shefi i Shtabit të Ushtrisë të atëhershëm Pëllumb Qazimi, të cilit i pata marrë disa mjete për pastrimin e plerave që ishin deri në 6-8 metra lartësi. Më ka  ndihmuar  shumë edhe Mit’hat Avari i Drejtorisë Ndërtimore Policore. Sepse  ne  nuk  kishim edhe  një  buxhet  shumë modest. Më  tepër  bëmë  punë  me  miqësi  dhe me  shoqëri.

-A u  ambjentua  nga  skena  në administratë  Luani?

-Puna me  njerëzit  për  një  artist  është  më  e thjeshtë se sa  një person  tjetër, sepse  artisti i skenës është  i  ambjentuar me  çfarë kërkon  publiku i tij. Pra, pak  a shumë  ai  i psikologjis njerëzit. Artisti nuk  i ka qejf klanet, thashethemet. Këtë i pata  vënë moto vetes  time.

-Ju  keni  kandiduar  edhe për  deputet në  zonën 31. Ky vendim dhe  kjo  humbje e paparashikuar edhe  nga  elektorati. Kush ishin të metat e kësaj  humbje  si  mendon Luani?

Unë  nuk  jam  prononcuar për  këtë  “humbje”  në  thonjëza,  sepse  nuk  mund ta  konsideroj  humbje, sepse  mund  të  humbasësh një betejë,  por  jo  të  humbasësh  luftën. Por  në rastin  konkret mund të them se ende nuk egzistojnë standarte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së dyti  unë  do t’ia  faturoja një pjesë të humbjes edhe faktorëve  brenda  llojit. Dhe kjo kishte kosto. Kur  je  në det  të  hapur  e  shikon ballë  për  ballë anijen kundërshtare. Poshtë, ku është  ajo kalluma,  nuk  e merr vesh  se kush  mund ta  çajë  anijen.

-Si  e mendon dhe e përjeton sot dashurinë  e parë  Luani?

-E përjetoj  me  shumë  nostalgji. Dhe  kam  shumë  dëshirë  që të  përsëriten  me po atë ndjenjë ato  vite. Por  me këto  mend  që  kam  tani,  jo  me  ato që  kam pasur  atëherë (qesh me lot).

Ccfarë  detaji  kujton?

Unë  i  kam  shkuar  për shumë kohë mbrapa nuses time, Mirandës. Ajo atwhere  ka  qenë  në gjimnazin “Partizani”. Unë  doja  që  ajo  të  mos  dashurohej  me  këngëtarin,  por  me  njeriun. Ajo  u dashurua   me  mua  kur  unë  fillova  të bisedoj me të, kur  unë i hapa  zemrën time.

-Si  e përjetoi  e dashura  jote  atë  kohë,  kur  i  dhatë  ccelësat  e shtëpisë?

-Ishte  një  gëzim  i madh,  shtëpia  ishte  bosh  dhe  bëmë  inagurimin e shtëpisë së re. Aty kam bërë puthjen më të bukur të jetës sime.

-Cc’është  familja  për  Luan  Zhegun?

-Familja  për  mua  është gjëja  më  e shenjtë, më e bukur. Edhe kur kam qenë i vogël kisha mendimin e mirë për  familjen,  mendoja  të  kem nusen dhe të bëj fëmijë. Fëmijët  i  dua  shumë,  kam kënduar edhe një  këngë  me  fëmijët. Ka  qenë maji i vitit  ‘81,  kur me Aleksandër  Lalo, Jorgo Papingji kënduam me fëmijët këngën “Bashkë me  fëmijët”. Këngët  me  fëmijë  bënë  një  epokë  në ato  vite, sepse  kishin  qenë  si  mollë e  ndaluar, pasi quheshin  si  formë  moderne   amerikane, italiane  etj. Ishte një  gëzim  i  madh  për  ne  sepse  edhe  ne  ishim  me  fëmijë të  vegjël. Unë  vajzën time  e kam  pasur  2 javëshe. Në atë këngë në skenë ishin 11 vajza  që  na i pat  gjetur  Jorgo Papingji që  ishte drejtor i  Shtëpisë së Pionierit të lagjes  nr.4. Ishte një  sukses  i  madh pasi kënga ishte Live. Ne  jemi  dhe  do të  mbetemi këngëtarë të Live.

-Luani si artist  dhe  si  politikan  e  plotësojnë apo  e ndajnë Luanin  nga jeta e përditëshme ?

-Unë  them se  e  bashkojnë, sepse  Luani  sapo  del nga shtëpia  në  mëngjes njëri i  thotë  se “Luan  na  kënaqe  me ato  këngë  që jep  televizori”. Një tjetër  thotë  “Kryetar na ke  ndihmuar kur unë  të kam ardhur atje”. Nuk ka  gjë  më të  mirë kur artisti plotëson politikanin.

-Kush  është   e meta  më  e madhe  e politikës  së sotme  shqiptare?

-E meta më  e madhe e politikës  shqiptare për  mendimin  tim është sepse shumë rrallë e  justifikojnë votën që i  ka  dhënë  elektorati.

-Por  problemi  kryesor  i muzikës  së sotme shqiptare?

-Ne  duhet  të përshpejtohemi  për në  BE. Edhe muzika këtu ka standartet e veta. Sepse nuk të lejon njeri që në X vend  të  botës  të  këndohet më  shumë  se 10%, këngë të  huaja. Dhe  ne  bëjmë  të  kundërtën, këndojmë  10% këngët tona dhe  90% këngë  të  huaja. Kështu  shkon  drejt  zhdukjes së identitetit  të  këngës  sonë. Kjo  është një  fatkeqësi  e madhe kombëtare. Ne arrijmë deri atje  sa të  prishim  shijet  e puplikut tonë, duke iu  servirur  atij  këngë te huaja, gjoja  me  teks   shqiptar  sikur  janë të  kompozuara nga   kompozitorë  shqiptarë. Kjo  është një  krim  në muzikën  shqiptare. Që po të vazhdojë me këto pwrmasa do të jetë me pasoja të pariparueshme.

-Vihet re se ka një superprodhim  të  këngëve dhe këngëtarëve  në Shqipëri?

-Sot sidomos me paisjet elektronike që kanë hyrë, mund të  këndojë  edhe një tru  i thatë  që  ka  pak  ose aspak zë.

-Është  një  moment  në  jetën  e  njeriut  që  njeriu, ka  një  tendencë  për  t’u bërë  i  pasur, por  pasuria  më  e madhe  e Luanit  kush  është?

-A  ka pasuri më  të  madhe  se  sa,  të të  duan  të  gjithë.

-Shpeshherë  njerëzit  janë  supersticiozë  në  jetë  për  probleme të  ndryshme, po vetë  Luani  a  është  i  tillë?

-Ccdo artist është  supersticioz. P.sh janë disa ditë që i kam shans apo disa numra.

-Ccfarë dashuron  dhe urren  më shumë  Luani tek një  njeri?

-Unë e dashuroj në mënyrë të jashtëzakonshme  sinqeritetin e njeriut. Urrej në shkallën  më  sipërore  mosmirënjohjen.

-Në momentin  në  të cilën ndodhet  sot Shqipëria, kush do  të  ishte  shpëtimi i shqiptarëve nga varfëria?

-Shpëtimi i varfërisë  shqiptare  do të  ishte politika  e jashtëme  e harmonizuar me atë të brendshmen. Unë shoh se qeveritë shqiptare i mëshojnë më shumë së parës. Vihet re një disproporcion. Politika e brendshme ka mbetur shumë mbrapa, pa strategji dhe vizion. Shterpë.  Me politikën e  brendshme  duhet të merren  shumë  më tepër  politikanët shqiptarë.

-A lexon dhe sa  kohë  i  kushton  qoftë  librit apo  shtypit në  ditë Luani?

-Pra disa ditësh fillova të lexoj librin me tregime të mikut tim Albert Zholi “Hiret e një gruaje bionde”.  Më para lexoja në mënyrë sistematike 3 orë në ditë. Ka ca kohë që ky rregull është prishur. Jam pak në moment krize,  se  kam  shumë  njerëz  të  papunë në  familjen time.

-Mjeshtër i madh i skenës  Luan  Zhegu…..si  e komentoni?

-Ndoshta mund të jetë një  harresë. PS ka shumë halle në këto momente. Ndoshta, mendojnë për ndonjë  punë  që  Luani ta ketë për  zemër. Unë  sot  jam  58 vjec dhe jam  në  kulmin e  punës. Po  nuk ishe në një punë  të  zhduket  edhe krijimtaria.  Sepse  të  shkosh në  shtëpi  dhe mos  të shikosh  asnjë  në punë  është e tmerrshme.

-Burrat  shqiptarë ende e kanë atë psikologjinë e  të  komanduarit e  ndjeshëm ndaj  gruas, ju jeni dakort me këtë psikologji ?

-Unë  nuk  jam  dakort me këtë, por  as me liberalizimin e tejskajshëm të disa femrave.

-A vihet  re  sot  në Shoqërinë  shqiptare  se femra  sot  është më  e emancipuar  se meshkujt, ka më shumë  dëshira  për  një  jetesë më të  bukur. Sepse  shikojmë  femra që pijnë edhe cigare edhe konjak, që  ka  marrë  edhe veset e  meshkujve  plus  atyre  të femrave?

-Mua më është bërë qejfi shumë kur Kryetare e Parlamentit shqiptar u zgjodh një femër. Kjo tregon për emancipimin e një Kombi. Përkrah çdo ligj që është në favor të pjesmarrjes së femrave në Parlament. Çdo femër në Parlament është një nënë.  A ka gjë më  të shtrenjtë  se sa  nëna. Kjo  do të  jetë gjëja më e arrirë për  mendimin tim.

-Festivali i fundit ka  pasur  shumë  kontestime, kush është mendimi  juaj  për  këtë  festival?

-Çdo  festival ka  kontestime. Personalisht respektoj  mendimin e  jurisë. Cilado qoftë.

-Shikohet  që në  përgjithësi  edhe meshkujt  sot kanë  tendencat  e tyre  edhe në  veshje dhe në performancën e  vet. Po  Luani  si  mendon?

-Unë  kam  atë  veshjen  time  serioze. Unë  kollaren e kam  vënë  që  kur  kam  dalë  në  skenë  në  moshën 12- vjeçare.

-Luan Zhegu në skenë shumë statik, para…?

- (Më ndërpret).  I jam  referuar  asaj që në ato vite  po të luaja, më  luanin. Kështu,  më  mirë mos  luaj,  që  të  mos  luanin.

-E kishe parandjerë   këtë?

Natyrisht,  sepse  kisha miqtë   e mi,  shokët  e mi. Më  mirë thashë   po rri   pa  lëvizur  fare.

-Ç’do  dëshironit të  arrinit  më tepër  në  artin e të  kompozuarit?

-Sot  është  ekonomi tregu   dhe duhet  që  edhe të  ndryshonin  edhe pak  rrymat. Tjetër  rrymë  e kërkon  këngën  një  i ri, tjetër  rrymë kërkon  një  moshë më e madhe. Unë  p.sh. kam  luajtur  me  rrymat  muzikore. I kam bërë  edhe një këngë  Aleksandër  Gjokës  ku ka  marrë  edhe çmim  të parë. Ledinës i kam  bërë këngën “San Valentino”.Por kam  bërë edhe “Jeta  nuk  është  Lodër”  e Irma Libohovës  dhe balada  të ndryshme. Realisht, jam  më  tepër i  dhënë mbas  baladave sepse  edhe vetë unë si këngëtarë kam qenë pranë kësaj gjinie.

-Personalisht në  festivalet  e fundit kam rezerva  të  ndjeshme në  drejtim të  teksteve. Teksti është  pjesa  e dytë e rëndësishme mbas kompozimit simpas  mendimit  tim, po mendimi juaj?

-Edhe unë I këtij mendimi jam. Kjo sepse  mungon në redaksinë  e radios  dhe televizionit  shqiptar i ashtëquajturi  staf i përgatitjes, mungon redaktori. Në ato vite si redaktore kemi pasur poeten e talentuar  Zhuliana Jorganxhi. Mungon  një  redaktor  i  mirëfilltë  që të  merret  me  fabulën  e festivalit. Siç  kemi  në  muzikë  Drejtorin  Artistik.

-Në  qoftëse Luanit do t’i  kërkohej të kandidonte poërsëri në  zgjedhjet e ardhëshme do të  kandidojë?

-Do të  mendohesha  mirë, dhe do të  sqaroja  shumë gjëra përpara.

-Ju keni kënduar  në  shumë  skena të  botës, kë  do  të veçonit në  skenat e huaja, qoftë për  emigrantët në kosovë  dhe vend tjetër që ju ka  lënë mbresa  edhe  kur  keni dalë  nga skena ?

-Kur  kam  dhënë  shfaqje  në  Kosovë  në vitin 1979, kam  dhënë  shfaqje në Pallatin e  Sportit të Prishtinës ku kanë qenë  rreth 3 mijë spektatorë. Unë atë natë  mund të  kem  dhënë  mbi 2 mijë  autogtrafe. Dhe  kur  jam  gdhirë  të nesërmen  nuk  e kam  ndjerë  më  dorën.

-Ju keni  patur  dhe keni  shumë  fansa   edhe fanse, a është  bërë ndonjëherë  Miranda  xheloze  ndaj  fansave të tu?

-Jo shyqyr,  nuk është xheloze.

-Po  ju  a  jeni  bërë ndonjëherë xheloz?

-Unë  jam  më shumë  xheloz. Prandaj nuk  e kam  marrë  gruan artiste.

  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7