Hyrje | Art Kulture | Kiço Mustaqi – Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve‏

Kiço Mustaqi – Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve‏

Autori: Albert Z. Zholi

Titulli: Kiço Mustaqi – Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve

Lloji: monografi

Formati: 14x20 cm

Faqe: 240

ISBN 978-99943-1-696-0

Çmimi: 700 lekë

 

 

 

Në vend të parathënies...

 

 

Nuk janë të shumta rastet që e bëjnë një jetë kaq të veçantë, kur fati dhe rrethanat, një djalë fshati e ngjisin vit pas viti deri në majat më të larta të udhëheqjes së një shteti. E aq më tepër kur ky njeri është minoritar, me origjinë greke dhe i besojnë mbrojtjen e një kombi të tërë, duke e bërë pjesë të pandashme të historisë së një vendi. Të ngjitesh deri ku nuk ka më e pastaj, një ditë prej ditësh, ai që ruante tërë kufijtë e një shteti, si për ironi të fatit, të ruajë një magazinë diku në një qytet të huaj, larg vendit të tij?!... Në se kohët e fundit, librat me kujtime janë bërë një rast i zakonshëm e ndonjëherë monoton, kjo nuk ka si të ndodh me një libër që shkruhet prej një njeriu që ka qenë sipër, në kupolën e shtetit, në atë lartësi nga ku Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun apo Ramiz Alinë mund t’i shihje nga karrigia përballë e të pije një kafe me ta. Nuk ka si të ndodh kjo me një njeri që ishte përmidis kurtheve apo stuhive që fshinin si me magji njerëz të fuqishëm, që deri dje ishin vetë fytyra e shtetit shqiptar. E nga ana tjetër, po kaq e çuditshme ngjan loja e fatit me të, kur dhe  në shtetin fqinj, në vendin e origjinës, ashtu si në shtetin e tij pas viteve ‘90, nuk i japin asnjë shans favorizues për të jetuar së paku denjësisht. Jeta e bind e i dëshmon edhe njëherë se vendi i tij, Shqipëria, e bëri të nderuar e të respektuar dhe ai kurrë nuk pushoi së shprehuri mirënjohjen e tij për të. Tashmë, pas nëntëmbëdhjetë vjet mërgimi,  i kthyer në Tiranë, ulet dhe dëshmon jetën e tij, ashtu siç ka rrjedhur, duke besuar se ka shumë për të thënë e për të treguar nga ato, që shumëkush nuk mundej t’i shihte dot nga kaq afër.

 

Kiço Mustaqi u lind në fshatin Pecë të Delvinës në vitin 1938. Iku nga vendlindja që në moshën 13 vjeç, akoma fëmijë, kur ende s’e kishte shkelur pëllëmbë për pëllëmbë fshatin e bukur të lindjes. S’e kishte menduar kurrë se do të bëhej ushtarak. Dëshira e tij ishte vetëm të largohej nga fshati, të jetonte më mirë. Dhe ëndrra fillon të marrë jetë. Në fillim shkon në Kuçovë për shkollim dhe më vonë, në moshën më të bukur të rinisë, mbaroi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Ishte viti 1960, viti kur në mbarë globin ndodhën  ngjarje të mëdha politike e aq më shumë në Shqipëri, kur nisën të frynin erërat e akullta të ndarjes me një nga superfuqitë e botës, me ish-BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Pas ndarjes ideologjike me ish Jugosllavinë, për Shqipërinë po trokiste një ndarje tjetër e madhe që do të sillte me vete një dramë të pafund, një ndarje totale nga bota. Tashmë ishim plotësisht të izoluar dhe udhëheqja komuniste e kohës, po i hidhte sytë larg, në lindjen e largme, tek Kina komuniste me një popullsi prej 900 milion njerëzish (në atë periudhë). Ishin vitet kur ushtria shqiptare u tendos e tëra dhe ishte në gatishmërinë më të lartë luftarake. Këto qenë vitet kur “çdo shqiptar ishte dhe një ushtar i Partisë”.  Pas mbarimit të studimeve ushtarake, Kiço Mustaqi fillimisht shërbeu si oficer në një repart ushtarak, pastaj në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, si komandant  toge kompanie deri më 1964. Më 1964-1967 studioi në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Pas 12 vjet studimesh të përgjithshme në shkollat ushtarake filloi dhe karriera e tij me një ngjitje të shpejtë e spektakolare. U emërua në Tropojë në fund të vitit 1966. Si shef shtabi i brigadës Sulmuese dhe më pas komandant i Brigadës Sulmuese më 1968- 1969. Më pas lëvizi për në Vaun e Dejës ku ishte emëruar si Komandant i Brigadës së Këmbësorisë. Më 1974, emërohet Drejtor i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas dy vjetëve, bëhet Komandant i Korpusit të Tiranës. Më pas, për 3 vjet do të ishte Drejtor Operativ i Ushtrisë e zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm. Në 1982, me largimin e Veli Llakajt, emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ndërsa në  korrik 1990, u emërua Ministër i Mbrojtjes. Gjithashtu, që nga viti 1976 deri në vitin 1992, është zgjedhur si deputet në zonat e minoritetit. Në vitin 1986 është zgjedhur edhe në Byronë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë...

 ...I ka ngjitur shkallët e karrierës deri në majat që ia mundësonin spaletat e munguara mbi supe. Por thotë paqësisht, se gjithsesi nuk ka qenë njeri me shpirt karrieristi. Dhe ndoshta pikërisht kjo i ka dhënë më shumë shanse në jetën e tij ushtarake, sepse duke qenë i shpenguar ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me karrierën, edhe mendimi i tij ka qenë më pak i kufizuar për t’u thënë lirisht.

Ja çfarë do të thoshte të ishe ushtarak i lartë në Shqipëri në sistemin komunist, sipas tij:

“Që nga çasti që emëroheshe komandant Brigade e më tej, koka jote ishte në “tavë”. Duhet të merrje parasysh gjithçka. Unë kam qenë komandant korpusi, drejtor Operativ në Ministri, Shef Shtabi e Ministër i Mbrojtjes. Janë katër ministrat me të cilët ai ka punuar, përpara se të emërohej dhe vetë në postin e Ministrit të Mbrojtjes. Në fillim Beqir Balluku, më pas Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e në fund Prokop Murra... “Kiço Mustaqi si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore, ia mori këtë detyrë ish-eprorit të tij, Veli Llakajt, fill pas ndëshkimit të dytë të ushtarakëve madhorë të Shqipërisë, që nisi me vetëvrasjen e Mehmet Shehut më 17 dhjetor të vitit 1981. Në detyrën e shefit të Shtatmadhorisë, Kiço Mustaqi qëndroi plot 8 vjet, dhe nga korriku 1990 deri në prill 1991 kreu detyrën e Ministrit të Mbrojtjes; në periudhën më të vështirë udhëhoqi ushtrinë në ndërrimin e sistemeve, si pjesa më e vështirë në karrierën e tij. Pas detyrës së ministrit shërbeu në detyrën e inspektorit të kontrollit dhe deputet derisa doli në pension në vitin 1993.

 Gjatë qëndrimit në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, si ushtarak karriere dhe me aftësi evidente profesionale, Mustaqi la gjurmë në përgatitjen e komandave dhe shtabeve në përballimin e situatave të ndryshme luftarake e detyra të tjera specifike. Në prill të vitit 1991 del në lirim. Në këtë periudhë shumë akuza u hodhën mbi të. Bashkëpuntor me Ramiz Alinë, enverist, i shitur, akuza që dalëngadalë me kalimin e kohës filluan të fashiteshin. E vërteta po qartësohej për çdo ditë, si dita e bukur pas pushimit të shiut dhe largimit të reve. Fill pasi e liruan, ai, për shkaqe ekonomike, detyrohet të shkojë në emigracion në Greqi. Atje është punësuar nga një punëdhënës në një objekt (si roje nate), ku vazhdoi të punojë deri në vitin 2010. Në vitin 1997, pikërisht në këtë objekt, munda pas shumë kërkesave të zhvilloj dhe të botoj intervistën e parë me Kiço Mustaqin për gazetën “Intervista”. Pikërisht, në këto vite, rasti “Mustaqi” bëri bujë në median e huaj si një fenomen i veçantë i qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj një ushtaraku madhor (Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministër i Mbrojtjes), që jo vetëm nuk merret nën përkujdesje nga shteti, por lihet rrugëve të botës, sikundër nuk ndodh në asnjë vend tjetër.

Për vite me radhë ai ka jetuar mes Tiranës dhe Athinës. Por së fundi ka vendosur të kthehet në rezidencën e vjetër. Gjithsesi, ai është qytetar shqiptar edhe pse ka një pasaportë greke... Mars 2010... I shkëputur prej 19 vitesh nga ushtria, ish-ministri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi është kthyer sërishmi në Tiranë. Tashmë ka pak informacion rreth asaj se çfarë ka ndodhur këto vite me Forcat e Armatosura Shqiptare. Thotë se dikur, në periudhën e socializmit, ushtria ishte tërësisht e politizuar dhe për çdo gjë udhëhiqej nga Partia e Punës, madje, ndonjëherë edhe me tepricë. Ndërkaq, organet e partisë shtriheshin nga reparti (pika e hapjes, siç i thoshin) deri në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Në K.Q. të PPSH-së kishte sektor ushtarak të partisë që mbulonte ushtrinë. Për të gjitha këto, Kiço Mustaqi thotë se “kuadrot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga partia sipas nomenklaturës së caktuar. Madje, kur do të shpjegoje mësimin apo armën, do të thoshe më parë politikën e tyre, ose që t’i biem shkurt, çdo gjë e bën partia dhe politika e saj, edhe kur çështjet ishin të komandantit, shefit apo thjesht teknike”. Por, tashmë, ai është kthyer për të bërë jetën e tij prej shqiptari të thjeshtë, larg politikës, thashethemeve. Kërkon vetëm qetësi. I pëlqen të qëndrojë në po të njëjtin apartament, që ka pasur këtu e 20 vjet më parë, i cili edhe pse i përket skematizmit socialist është më komod nga struktura e tij fillestare. E pra, e ka ndërruar Athinën me Tiranën edhe pse në xhepin e brendshëm mban një pasaportë ku shkruhet “Ελλάδα”. Por ai shton se, me pasaportë shqiptare apo greke, ai s’është gjë tjetër veç një qytetar i lirë europian... Tiranën se këmben me asnjë qytet europian, paçka se vitet 1990-1991 e më tej në kryeqytetin shqiptar kanë qenë nga ditët më të vështira të jetës... Dhe këtu në Tiranën e zhurmshme, në apartamentin e kohës së komunizmit, ai fillon me një fletore dhe stilolaps të hedhë jetën e tij plot tallaze, i pa ndikuar nga politika e kohës, por as nga nostalgjia e së kaluarës. Ai në këtë libër do që të jetë vetvetja, i qartë, i saktë, pa njëanshmëri, për të lënë një gjurmë sadopak realiste në historinë e ushtrisë shqiptare ku ai shërbeu për afro 36 vjet dhe, siç thotë vetë, “mësoi, punoi, ideoi, u stërvit, prishi gjumin, qetësinë e vet dhe atë familjare në interes të mbrojtjes së atdheut, duke mos u ndarë për asnjë moment nga populli, as në momentet kur përballja me turmat në vitet 1990-1991 mund të çonte në katastrofë” .

 

                                                                                          Albert zholi

 

 

 

Permbajtja

Në vend të parathënies

Vendlindja dhe jeta në moshën e fëmijërisë

Shkolla në Kuçovë

Rruga për oficer

Në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”

Një kujtim me Hysni Kapon

Ju rrëfej gjyqin e Beqirit, si iu sulën oficerët “ta hanin të gjallë”

Komandant i Korpusit të Tiranës

Zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm

Si më akuzuan se doja të asgjësoja Byronë Politike kur zëvendësova Veli Llakajn

Deputet në zonën e minoritetit  (1975 - 1982)

Kadri Hazbiu, njeriu “i shenjtë” i Ministrisë së Brendshme

Takimi për herë të parë me Mehmet Shehun

Njohja sekrete me Enver Hoxhën

Ceremonia e varrimit të Shokut Enver Hoxha

Kandidat i Byrosë Politike

Realitete dhe shthurja e shtetit

Një rast me Ramiz Alinë

Ju rrëfej vitin 1990, si u shkatërrua Shqipëria nën hundën e Ramiz Alisë

Si u trajtuan ngjarjet e ambasadave

Reformimi

Ministria e Punëve të Brendshme ishin një shtet brenda shtetit

Alia, njeriu hegjemon pas Enver Hoxhës

Skenari për rrëzimin e përmendores së Enver Hoxhës

“Grushti i shtetit” në Shkollën e Bashkuar, ja çfarë fshihej pas skenarit

Të pavërtetat e Ramiz Alisë

Deklarata e çuditshme e Sali Berishës

Si e argumentonte Ramiz Alia qëndrimin e vet të ashpër ndaj meje

Puna me Fatos Nanon

Ramiz Alia: Hekurani dhe Kiço nuk e mbrojtën Enverin

EMIGRIMI

Fushata e shpifjeve

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7