Hyrje | Art Kulture | Viron Kona: Kombi dhe magjia e artit

Viron Kona: Kombi dhe magjia e artit

Viron Kona: Kombi dhe magjia e artit

 

Kombi dhe magjia e artit

(Krenari dhe nderim për veprën e artistit Hytbi Tarelli)

Shënime në dy kohë

“Kush do të lëvizë botën të lëvizë më parë vetveten”. - Sokrati

Nga Viron Kona

1.

Koha e parë

Viron Kona on 31/07/2014 14:16:25

Të nderuar Hytbi dhe Bashkim!

Adem Jashari, ka kryer një vepër heroike të atillë, që ka themel dhe material, shpirtin, zemrën, shenjtërinë e Atdheut. Pavdekësinë e bënë vepra, por e ruan kujtesa popullore, sot dhe gjithmonë. Vepra e Adem Jasharit, është e gjithhershme, sepse për ATDHEUN, gjithnjë, e gjithnjë, do të mendohet, punohet dhe luftohet.

Skulptori shqiptar, sot me banim dhe aktivitet në Kanda, di se ku ta stacionojë veten dhe veprën e tij. Ai i jep asaj vlerë, në radhë të parë me realizimin e përkryer artistik dhe kombëtar.

Por, skulptori ka brenda tij edhe veprimin e madh fisnik. Madhështia dhe sakrifica sublime e Jasharit dhe e Jasharëve, e bëri skulptorin që t`i duket e natyrshme marrja në krah e asaj vepre skulpturore dhe çuarja atje, në vendin ku Adem Jashari lindi dhe u shndërrua në hero, në fshatin, në shtëpinë, në atdheun e tij, në Prekaz, në Kosovë.

Gjesti i Hytbiut, flet shumë dhe bukur. Në atë veprim ka ATDHE dhe FLAMUR. Përpara veprimit të tij fizik, ka folur gjerë e gjatë shpirti kristal, zemra e bukur, ndjenjat humane, dashuria për më të mirën dhe me të shenjtën - LIRINE.

Prandaj Hytbiu e mbajti brenda gjoksit skulpturën e tij: figurativisht dhe fizikisht, mbi fusha dhe male, mbi lumenj dhe dete, duke kaluar qiej e oqeane, dhe e shpuri atje, ku pema e LIRISE bulëzoi dhe u shenjtërua, në Kosovën e bukur, me të ardhme të ndritur.

Është në traditën krijuese të Hytbiut, LIRIA, edhe në paraqitjen me dinjitet në konkursin për 100 -Vjetorin, kur ai solli bocetin e “Flamurit” në Tiranë, "mbi një shtizë të gjatë 100 metra", që po të miratohej, do të zbukuronte edhe më shumë tokën dhe qiellin shqiptar. Në atë vepër, shqiponjës së flamurit të veprës skulpturore, i bënin shoqëri në lartësi shqiponjat krahëhapur të maleve shqiptare, ajo takohej dhe përshëndetej çdo çast me to, duke bashkëbiseduar përherë për LIRINE. Çmallej duke folur për luftëtarët e lirisë.

Kam pasur fatin të bashkëbisedoj Hytbiun, me atë njeri fisnik në vlera dhe në krijimtari, që jeton dhe krijon duke ndjerë përherë rrahjen e zemrës së Kombit Shqiptar.

E uroj Hytbiun me gjithë zemër, për veprën që ka realizuar, për gjestin e tij të bukur dhe fisnik.

E uroj për krijime gjithnjë të bukura dhe me vlera të mëdha, si këto që ka realizuar.

Urime dhe autorit të shkrimit, që e ka qëndisur shkurt dhe bukur, veprën, gjestin, motivin fisnik të Hytbiut, këtij artisti të madh, që i jep formë shpirtit dhe mendjes, duke i kthyer ato në vepra artistike, kombëtare, të pavdekshme.

Faleminderit, Hytbi Tarelli!

Faleminderit, Bashkim Kadiu,

2.

Koha e dytë

viron kona on 09/11/2016 22:23:1

I nderuar Kadri!

E nderuar familja Hytbi Tarelli!

Na dëshpëroi shumë lajmi i ndarjes nga jeta të Hytbiut, njeriut tuaj të dashur dhe të shtrenjtë, artistit të talentuar dhe mikut të gjithkujt që pati fatin ta njihte.

Gjithçka e shkruar në artikullin e nderimit dhe  përkujtimor nga Kadriu është një respekt i thellë i jetës dhe veprës së Hytbiut. Të tjerë artikuj, krijime dhe shkrime do të shkruhen për Hytbiun, me siguri edhe vepra arti do të realizohen për nderin e tij, ndërkohë që ai vetë ka lënë gjurme pasioni dhe dashurie njerëzore me punimet e tij të vyera, me gdhendjen me shpirt e frymëzim të figurave të mëdha, pasurive shpirtërore të popullit shqiptar.

Sikurse thotë Kadriu në këtë artikull, ëndrrat dhe pasioni i Hytbiut janë shkrirë në figurën e Nënë Terezës (Shën Terezës), kësaj shqiptareje të jashtëzakonshme që ka nderuar dhe ngritur lart më shumë se askush tjetër më parë emrin shqiptar.

Mendja dhe frymëzimi i Hytbiut është shkrirë në ndjenjat e dhimbjes dhe krenarisë kur realizoi bustin e Heroit Adem Jashari, i cili do të mbetet një vepër simbol - nderimi dhe mirënjohje për heroizmin dhe sakrificën sublime të Jasharit të madh.

Ndërkaq, ëndrra e Hytbiut, lartësohet në valëvitjen e flamurit kombëtar në atë shtizë 100 metra drejtuar qiellit të kaltër të Shqipërisë, si simbol i lirisë, forcës dhe krenarisë shqiptare.

Kam pasur fatin ta njoh dhe të bisedoj me Hytbiun, kur ai erdhi në Tiranë me bocetet e tij për 100 - vjetorin e pavarësisë. Atë ditë biseduam gjatë si të njiheshim prej vitesh, pamë edhe ekspozitën e 100 - vjetorit dhe bocetet e veprave të tij, e, teksa bisedonim, shihja dhe respektoja përfytyrimet e bukura të Hytbiut, dëshirën e tij për të shprehur me daltën e skulptorit ëndrra dhe pasione për jetën, aktuale dhe të ardhmen, për të materializuar ëndrra që përfaqësonin dashurinë për njeriun dhe rrugën e tij drejt lirisë...

Hytbiu mbeti në përfytyrimin tim një shqiponjë madhështore me krahë të artë, që niste fluturimin nga Shqipëria në Kanada, kthehej përsëri në Shqipëri, pastaj në Kosovë, e përsëri e përshkonte qiellin kurdoherë duke sjellë e shpërndarë te njerëzit art të shkëlqyer dhe mesazhe paqeje dhe dashurie.

Emri dhe ëndrra e tij tashme janë qiellore, porse, këtu në tokën e shenjtë shqiptare, Hytbiu na la gjurmë të dukshme që nuk shuhen dhe nuk harrohen kurrë, jo vetëm nga familja dhe të afërmit e tij, nga shokët dhe miqtë e panumërt, por nga Kombi Shqiptar.

I paharruar artisti dhe miku ynë Hytbi Tarelli!

Qoftë i ndritur kujtimi dhe vepra e tij artistike, që është njëherazi dhe shpirti i tij i shprehur në art.

Me mirënjohje, nderim dhe respekt për emrin dhe veprën e shkëlqyer të Hytbiut të mirë dhe të dashur!

3.

Meditim

Artisti që ia kushtoi jetën

dhe energjitë krijuese kombit

 

Duke u ndalur me nderim përpara veprës së artistit Hytbi Tarelli cilido  mund të dalloj qartësisht dhe dukshëm se Ai e ka përqendruar tërësisht talentin dhe energjitë e tija krijuese te Kombi shqiptar, tek vlerat e tij më të shkëlqyera, tek ato vepra madhore dhe ata personalitete historikë, që populli dhe koha i kanë lartësuar dhe vendosur në panteonin e ndritshëm kombëtar.

Mbeten në kujtesë: “Nusja ilire”, “Genti Mbreti i ilirëve”, “Medaljoni i Flamurit” “Himnin Kombëtar”, “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”, tekst atdhetar i gdhendur  në gur “Mëmëdheu”, shtatorja e “Nënë Terezës” dhe “Momente të gëzuara”, “Ali Pashë Tepelena”, “Isa Boletini”, “Adem Jashari”; ngjarjet e mëdha kombëtare: “Besëlidhja e Lezhës”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Kongresi i Manastirit”, “Dita e Artë” -shpallja  e Pavarësisë”, portretet e artistëve Mirush Kabashi dhe Inva Mula...

Ato që i bashkojnë këto punime skulpturore janë kombi, atdhetaria e flakët dhe dashuria njerëzore, teksa ato kanë edhe dallimet e tyre artistike e përmbajtjesore.

Te portreti i “Nusja ilire”, krahas bukurisë dhe brishtësisë së fytyrës femërore ku sapo ka nisur rrokullisjen nga bebëzat një pikë loti margaritar, dallon dukshëm krenaria e fisit, rëndësia dhe dinjiteti femëror. Portreti i nuses ilire shfaqet përmes rruazave  dhe ornamenteve zbukurimore  të kohës, ndërsa brenda vellos nusërore të tejdukshme sikur luajnë përmes një trazimi flokët e rrëmbyer e të valëzuar... Është një nuse e bukur e kohës ilire, e cila, duke na çuar në mote të shkuara na rrëfen të parët tanë ilirë, nëpërmjet përfytyrimit dhe realizimit artistik.

Me një qëndrim mbretëror, që depërton kohët, prezantohet “Mbreti ilir Genti”, i cili, i mbështetur në degë dafine(që simbolizojnë lavdi) e ka drejtuar shikimin nëpër kohë, në ardhmërinë e popullit trim dhe paqedashës që Ai  përfaqëson.

E rrallë dhe me hijeshi artistike  shfaqet emblema “Besëlidhja e Shqiptarëve”, e cila përcjellë mesazhin e madh se forca dhe triumfi  shqiptarëve qëndron tek uniteti, marrëveshja dhe bashkimi. Kurse, plot autoritet paraqitet “Medaljoni” në qendër të të cilit gjallon shqiponja e Skënderbeut teksa  fiksohet fort dhe me rrezatim diellor data e pavarësisë 28 NENTOR 1912.

Paraqet një figurë sa trimërie po aq edhe mençurie portreti skulpturor i Skënderbeut, i cili krahas krenarisë, forcës, burrërisë dhe trimërisë udhëhiqej në radhë të parë nga mençuria. Kjo cilësi u duk gjatë tërë jetës së tij, por veçanërisht kur shprehu dhe zbatoi  sentencën lapidare: “Lirinë nuk jua solla unë, atë e gjeta këtu, mes jush”.

Me një pamje dinamike dhe plot gjallëri shfaqet Ai i hipur në kalë dhe me shpatën zhveshur. I bërë njësh me kalin e  Tij të bardhë kryetrimi shqiptar  po i ngre shpatën armikut që drejtohet kundër vendit të tij.

Vepër unike e larë në ar është  busti i Skënderbeut, që paraqet luftëtarin dhe burrin e madh shqiptar, i cili tronditi pushtuesit dhe i dha mesazhe të mëdha paqeje dhe lirie  gjithë popujve të botës.

Tre ngjarjet madhore kombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”(1878),  “Kongresi i Manastirit”(1908) dhe “Dita e Artë” - (1912) - shpallja  e pavarësisë, shfaqin dukshëm Flamurin Kombëtar, që është simboli i parë dhe i shenjtë i Atdheut. Ai shndërrohet në një kështjellë lapidare dhe të papushtueshme në kohë lufte. Shndërrohet në nder dhe krenari kombëtare në kohë paqeje... Te “Dita e Artë” - shpallja e pavarësisë”, në sfond dallohet një diell i shndritshëm, ndërsa flamuri me shqiponjën e Skënderbeut ngrihet lart drejt qiellit. Dielli simbolik sikur i bën jehonë dhe e bënë edhe më të ndritshëm,  e bënë që të valëvitet lirshëm dhe hareshëm në tokën dhe qiellin e tij të lirë.

Karakteri i trimërisë dhe i qëndrueshmërisë, mbështetja si Anteu në tokën mëmë,  shfaqen qartësisht në portretizimin e figurave historike dhe legjendare të Isa Boletinit dhe Adem  Jasharit, ndërsa shtatët e tyre, me veçoritë individuale, përfshihen në ajër, dritë, lëvizje dhe, më shumë se aq, shprehin shikimin larg në ardhmërinë e rrugës ku janë nisur, në ardhmërinë e vendit, në pavarësinë dhe lirinë.

 

Një mirësi  sa hapësira dhe drita sjellë portreti hyjnor i Nënë Terezës me fëmijën që mban në krahë, duke e ledhatuar e përfshirë në gjoksin dhe trupin e saj të ngrohtë prej nëne, teksa të dy: nëna dhe fëmija, strehohen, gjejnë vend në dashurinë e pakufishme...

Një çast lutje dhe shenjtërie paraqet “Motër Tereza”, e cila, e  përfshirë në një heshtje qiellore e sublime, përcjellë mesazhin e madh të dashurisë për jetën, njerëzit dhe Zotin.

Origjinal është Hytbi Tarelli edhe në gdhendjen në gur të mesazhit të “Mëmëdheut” dhe të dashurisë së tij, ashtu dhe në një pergamenë ku, në ngjyrën e floririt shkronjëzohet hijshëm dhe bukur-shkrimor Himni Kombëtar.

Qëndron natyrshëm dhe lirshëm me çibukun e gjatë, i përfshirë në meditim të thellë dhe  në ëndrrën e tij Pashai i Janinës, që luftoi dhe dëshiroi edhe një herë atdheun të lirë, ashtu si dikur kryetrimi Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Duke paraqitur  një sfond blu, Hytbi Tarelli ka arritur të portretizoj në mënyrë ekspresive artistin e njohur të skenës shqiptare Mirush Kabashi. Vështrimi i aktorit shfaqet i qartë dhe plot gjallëri, balli dhe mjekra sokratiane harmonizohen bukur në formë dhe në ngjyrë me flokët gri në të bardhë  dhe me jakën e ngritur të xhakaventos së artistit. Një pikturë kjo, tejet origjinale, e cila sikur të thërret ta kundrosh dhe të ndjesh lëvizjet, fjalët dhe,në tërësi, mendimtarin e madh: “ Kush do të lëvizë botën të lëvizë më parë vetveten”. (Sokrati).

Në një sfond hyjnor portretizohet këngëtarja me famë botërore Inva Mula, e cila me vitalitetin e saj e rrëmben shikuesin dhe dëgjuesin, i cili ndalet i befasuar përpara portretit, teksa i bëhet se përjeton bukurinë e tingujve, të këngës...Muzika klasike përshkon qiejt dhe hapësirat e paana, kurse artistja është e përfshirë e tëra në muzën dhe artin e saj të madh.

Me vepra të tilla artistike dhe me të tjera  që përcjellim art të vërtetë te shikuesi, artisti Hytbi Tarelli ia arrin të shprehë talent të madh, aftësi dhe vizione, mençuri dhe mprehtësi, teknikë të përkryer në penel dhe në daltë,  origjinalitet në trajtim të karaktereve, në pamje, realizim dhe përmbajtje. Ai shfaqet edhe si një artistë romantik, por, po aq, edhe realist, ai  ëndërron dhe krijon i përfshirë gjithnjë dhe tërësisht në frymëzim, ashtu siç sythet dhe lulet që çelin nën erërat pranverore.

E ndritshme dhe  e përjetshme  vepra e artistit të shquar shqiptar Hytbi Tarelli!

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7