Hyrje | Art Kulture | Mërkuri: Gjakmarrja në gjykimin e vilajetit të Himarës

Mërkuri: Gjakmarrja në gjykimin e vilajetit të Himarës

Mërkuri: Gjakmarrja në gjykimin e vilajetit të Himarës

Gjakmarrja në gjykimin e vilajetit të Himarës*

Nga Timo Mërkuri

Në Prill 1941, të Prëmten e Madhe, në një stan në malin e Levanit, nga borshiotët Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boci  bashkë me dy vëllezër nga Sasaj, u masakrua Foto Prifti nga Piluri i Himarës me gjithë familjen e tij, që përbëhej nga e shoqja- Agustella, djemtë Spiro dhe Zaharia dhe vajzat Eleni, Katerina, Lefteria dhe Llambrinia. Ju grabitën 600 krerë bagëti të imta të cilat u shitën në krahinën e Mallakastrës.

Familja e Foto Priftit gjatë shtegëtimit të saj nga Piluri për në Sarandë ndaloi për një pushim në malin e Levanit, pranë Sasajve. Gjithmon shtegëtimet e bagëtive bëheshin me pushime nëpër vende të ndryshme, me qëllim që t’u jipej mundësia bagëtive për të kullotur. Familja e Foto Priftit në fshatin Sasaj kishte  disa miq, prandaj dhe ai mendoi se do ishte i mbrojtur nga e drejta zakonore e mikut (miku i një familjeje të fshatit, në teritorin e fshatit ishte i mbrojtur nga gjithë fshati).

Me këtë mendim, mblodhi dhëntë dhe filloi ti milte edhe me qëllim që ti shkonte miqve për vizitë dhe tu kërkonte mbrotjen e zakonit. Por sipas zakonit pilurjot, nuk mund të shkonte te miku me duar bosh, ndaj mendoi t’u çonte qumësht të posamjelë dhe djathë.

Ndërsa ky pregatitej për vizitën e menduar, në stan i shkuan  Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boçi nga Borshi bashkë me dy burra nga Sasaj(1). Ju paraqitën si miq që i zuri rruga pranë stanit të tij. Foto Prifti, sipas zakonit, i mirëpriti. Theri një mish, e poqi dhe ua shtroi për darkë.  Mirëpo, thuhet se, qeni i stanit e ndjeu ligësinë e “miqve”, lëvizte e donte të këpuste zinxhirët. Por Fotua i bërtiti qënit që të rinte urtë e të mos i shqetësonte miqtë tek po hanin mish e pinin rakinë e mikpritjes.

Pasi hëngrën dhe pinë, “miqtë” nxorën thikat dhe pabesisht, papritmas, u sulën e masakruan të parin Foto Priftin. Pastaj vranë gruan dhe fëmijët ndërsa vajzës Eleni i rezervuan fatin më të zi, e përdhunuan mizorisht të tërë me radhë dhe në fund e vranë... Zaharia, duke përfituar nga rrëmuja, si fëmijë i imët që qe,  iku  dhe u fsheh, por pas tre ditësh e kapën në rrugë, e prunë  dhe e vranë pikërisht te vendi  ku kishin vrarë dhe pjestarët e tjerë të familjes. Vrasësit kishin vrarë edhe qenin e stanit(2) dhe e kishin hedhur  mbi kufomat e pjestarëve të familjes.

U grabitën 600 krerë bagëti të imta, veç mushkat dhe inventari i stanit dhe u shitën në zonën e Mallakastrës, jo vetëm për përfitim por edhe për të fshehur gjurmët e autorësisë.

Kur u zbulua vrasja, u përfol si shkak i saj një lloj hakmarjeje  për një  vendim që kishte marrë Gjykata Ushtarake Greke, e cila paskësh dënuar me vdekje dhe ekzekutuar dy banorë nga Borshi të quajtur  Zeko Xhelilin dhe Xhevit Kambo, duke i akuzuar për veprimtari spiunazhi në favor të Italisë. Por duke qënë se asnjë lloj lidhjeje nuk egzistonte  midis pilurjotit Foto Prifti dhe familjes së tij me gjykatën dhe ushtrinë greke, atëherë u përdor version fetar, pilurjotët dhe grekët kishin të njëtën besim, ortodoksinë.

Por edhe ky argument nuk u pranua nga populli i krahinës edhe për faktin se pas kësaj vrasjeje qëndronin dy vepra të shëmtuara, përdhunimi në grup i një vajze të re dhe grabitja e gjithë pasurisë së familjes së masakruar. Zakoni  nuk e justifikonte përdhu –nimin në asnjë rast. Po ashtu edhe grabitja e bagëtisë, pas vrasjes, si element përbërës i  hakmarjes ishte i papranueshëm.

Ndërkohë vëllëzërit e Foto Priftit, Savo (3) dhe Polimer Prifti kërkonin me insistim autorët e kësaj masakre. Zbulojnë emrat e autorëve nga Borshi ndaj shkojnë dhe i kërkojnë në vend, por ata ishin larguar nga fshati. Theksojmë se pleqësia e fshatit Borsh i denoncoi autorët dhe nuk i fshehu, ndoshta edhe nga fakti se ata ishin larguar nga fshati apo edhe nga frika e autoritetit dhe emrit të Savo Priftit.

Pleqësia e fshatit Sasaj nuk i denoncoi autorët nga fshati i tyre dhe as i dorzoi.

Atëherë Savo Prifti dhe Polimer Prifti menduan të marin hakun sipas zakonit.

Organizuan një çetë me pilurjotë dhe mësynë në Sasaj papritmas. Por si pasojë e një rrjedhjeje informacioni, burrat dhe djemtë e Sasaj ishin larguar nga fshati për ti shpëtuar hakmarjes. Duke qënë se në fshat u gjetën vetëm fëmijë dhe gra, një pilurjot shprehu mendimin që të mirej haku mbi ‘ta, sipas llogjikës…fëmijë dhe gra na vranë, fëmijë dhe gra do tu vrasim. Por Savo Prifti kundërshtoi rreptë duke thënë se… ne nuk jemi vrasës fëmijësh dhe grash …dhe e tërhoqi çetën nga fshati Sasaj pa bërë asnjë veprim.

Atëherë menduan ta marrin hakun duke qëlluar jo dorësin (vrasësin) të cilin spo e gjenin dot, por mbrojtësit e tyre dhe pikërisht kryepleqësinë e fshatit Sasaj. Kështu që u çuan lajm sasajotëve të dërgonin përfaqsuesit e tyre në një takim me pilurjotët për të biseduar kushtet e pajtimit të gjakut.

Takimi u la të bëhej te një vend, pranë urrës që bashkon fshatrat Sasaj dhe Piqeras, në datën 4 mars 1943, ditën e ënjte, në orën 5 mbasdite.

Pilurjotët Savo e Polimer Prifti, niprit e tyre Leonidha dhe Jani  dhe kushërinjtë  e tij Sokrat Prifti e Sokrat Mërkuri rrethojnë vendin në një distancë të largët dhe dergojnë vetëm një njeri, përfaqsues të tyre në takim.

Nga Sasaj erdhën 10 përfaqsues mes të cilëve edhe mësuesi i fshatit, i cili nuk qe nga ky fshat.

Në bisedime pilurjoti kërkon dorësit (vrasësit) dhe duke qënë se pala tjetër refuzon dorzimin, me preteksin e urgjencës së kryerjes së nevojave personale largohet nga vendi i takimit dhe u jep shenjën bashkëfshatarëve të tij, të cilët hapin zjarr me armët që kishin me vehte...

Takimi u shndrua në një masakër. Nga sasojët u vranë Osman Husi, Barjam Haxhi, Aqif Rizvani, Resul Duka, Selim Qejvani, Dervish Ahmeti e dy(4) të tjerë. Mësuesi i fshatit u la i lirë edhe për të dëshmuar vërtetësinë e faktit të mënyrës së hakmarjes sipas zakonit.

Pas kësaj vrasjeje, çështja  kishte rrezik të dilte jashtë kontrollit dhe të mirte përmasa të mëdha. U pleksën të drejtat zakonore të hakmarjes me ato të  përplasjes së besimeve fetare.

Ishte koha kur   komanda gjermane e vlerësonte krahinën e Himarës si zonë strategjike në planet e saj dhe I interesonte mosangazhimi I saj në Lëvizjen Nac.Çl.. Ajo e kishte klasifikuar zonën Llogara-Sarandë  si njërën nga shtatë “ pikat me rëndësi të veprimtari -së  në Shqipëri”. Por Lëvizja N.Çl. kërkonte me insistim angazhimin e krahinës së Himarës  në luftë.  Ky insistim i dyanshëm kishte rrezik që ta shndronte krahinën e Himarës në një teatër luftimesh ndërmjet forcave partizane që përfaqësonin Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar nga njëra anë dhe forcave pushtuese naziste dhe atyreve nacionaliste të përfaqësuara nga Balli Kombëtar etj  nga ana tjetër.

Për t’i shmangur  pasojat e një përplasjeje luftarake në zonë, Paria e Krahinës në një mbledhje të vetën, në mesin e vitit 1943, e gjen rrugë daljen te rikthimi  gjëndjes  vetë -qeverisëse të  Himarës (Autonomia e Krahinës). Krahina do drejtohej  nga Kryepleqtë dhe Pleqësia  Krahinore, në përbërjen e së cilës bënin pjesë përfaqësuesit e fshatrave të saj (me përjashtim të Vunoit, i cili ishte hedhur totalisht në krahun e Lëvizjes Nac.Çl).  Kryetar i Pleqësisë Krahinore u zgjodh Jorgji (Jeorji) Bollano dhe nënkryetarë Milo Mërkurin dhe Jerasimo Duni.

Kjo Pleqësi Krahinore ishto organi më i lartë legjislativ dhe egzekutiv i Krahinës, kësaj i drejtoheshin me kërkesë për të zgjidhur konfliktet mes individëve apo fshatrave , pasi ajo kishte statusin juridik (zakonor) të një gjykate vilajeti, vendimet e të cilës  ishin të detyru -eshme për tu zbatuar dhe të pa apelueshmë.  Kësaj Pleqësie ju drejtuan disa fshatra për gjykimin dhe marjen e një vendimi kanunor në lidhje me konfliktin Pilur-Sasaj.

Më 28 Mars 1943, në fshatin Kudhës, në shtëpinë e Petro Kambuçit, mbi kërkesën e fshatrave me banorë të besimit mysliman, të trevës së Bregdetit e Kurveleshit, u bë mbledhja e Gjyqit të Vilajetit të Himarës(5), e cila u zhvillua gjatë  katër ditëve.

Procedura që është ndjekur dhe debatet  në këtë Gjyq, sipas procesverbalit të mbajtur në vend, paraqiten si vijon:

Në muajin prill 1941, ditën e të Premtes së Madhe, pas tërheqjes së ushtrisë greke, në një stan midis Tatzatit dhe Piqerasit, nga borshiotët Haki Xhelili, Jaho Nuri dhe Izet Boçi u çfaros familja e Foto Priftit nga Piluri I Himarës. Familja e Fotos që u masakrua dhe u vranë përbëhej nga 8 frymësh dhe pikërsiht: 1- Gruaja e tij Agustella, 2-djali Spiro, 3-djali Zaharia, 4- vajzat Eleni, Katerina,Lefteria dhe Llambrinia. Vajza Eleni më parë u përdhunua pastaj u vra.Djali Zaharia u iku nga duart dhe u msheh(6), por pas tre ditësh u diktua dhe u vra atje ku kishin vrarë dhe pjestarët e tjerë të familjes. Shkaqet e kësaj masakre ishin për hakmarje për vendimin që kishte marë Gjykata Ushtarake Greke e cila i dënoi me vdekje dhe i ekzekutoi Zeko Xhelilin e Xhevit Kambon si spiunë të Italisë.

Në datën 4 mars të vitit 1943, ditën e ënjte në orën 5 të mbasdites, në urën që bashkon katundin Sasaj dhe Piqeras, në një arrë afër xhadesë, vëllezërit e të vrarit Foto Prifti të quajtur Savo dhe Polimer, nipërit e tij Leonidha dhe Jani si dhe kushërinjtë Sokrat Prifti e Sokrat Mërkuri, për të marë hakun, vranë sasanjotët Osman Husi, Barjam Haxhi, Aqif Rizvani, Resul Duka, Selim Qejvani, Dervish Ahmeti e dy të tjerë, të cilët u tërhoqën aty me preteksin për të biseduar çështjen e vrasjes së Fotos dhe familjes së  tij.

Në 28 Mars të vitit 1943 në fshatin Kudhës, në shtëpinë e Petro Kabucit, mbi kërkesën e fshatrave myslimane të trevës së Bregdetit e Kurveleshit, u bë mbledhja e gjiqit* të vilajetit, e cila mbajti katër ditë dhe morën pjesë në të përfaqsuesit e këtyre fshatrave:

1.         Nga Nivicë Bubari: Miltiadh Papadhima, Stefan Thomagjini e Filip Dhimërtika

2.         Nga Shën-Vasili: Spiro Gjoni e Spiro Nako (Dajko).

3.         Nga Dhërmiu: Kosta Goreci, Nikolla Jani.

4.         Nga Piqerasi: Gogo Llaçi e Vangjel Janji

5.         Nga Palasa: Leka Andoni dhe Vangjel Jani.

6.         Nga Vunoi: Pilo Ziso, Taso Pilo, doktor Pavllo dhe Naqe Kapo.

7.         Nga Himara: Jorgo Bollano,Niko Kaçelano, Petro Konomi e Thanas Zoto.

8.         Nga Piluri: Dhimo Gërdhuqi e Dhimitër Lapa.

9.         Nga Kudhësi: Thanas Kushta, Kostandin Prifti etj.

10.       Nga Qeparoi: Grigor Polo, Kozma Mati dhe Naqe Foto

11.        Nga Lukova: Vasil Prifti.

12.       Nga Vromeroi: Kiço Kola

13.       Nga Çuka: Vangjel Labo

14.       Nga Kalasa: Zenel Bajrami

15.       Nga Tatzati: Ahmet Tahiri e Shaban Huti.

16.       Nga Ftera: Mustafa Kofina.

17.       Nga Çorraj: Kristo Dhrami dhe Vesel Aliko (Çorraj ka popullsi të dy besimeve)

18.       Nga Borshi: Asllan Beqi e Fuat Ahmati.

19.       Nga Kuçi: Rrapo Ali, Xhevid Çufe e Hamit Ago

20.      Nga Kallarati: Veliko Murati dhe Izet Bushi

21.       Nga Vranishti: Selfo Xhani, Murat Avduli, dhe Murat Myftari.

22.       Nga Tërbaçi: Murat Veliu, Elmaz dhe Rrapo Meta

23.       Nga Bolena: Bako Shameti

24.       Nga Ramica: Bardhok Halimi e Rexhep Sulejmani.

25.       Nga Smokthina: Dalip Manxhari dhe Sefo Emini.

Në mbledhje u përmënd dhe çështja e gjakut të dy ushtarëve grekë të transportit, të cilët u vranë nga çeta e Borshit si më sipër(6.1), gjatë tërheqies së Ushtrisë Greke.

Në diskutim i pari e morri fjalën Miltiadh Papadhima nga përfaqësuesit e Nivicës i cili tha:

-Mbasi çështja e vrasjes të ushtarëve Grek ka marrë ton të ashpër, unë mendoj që këtë çështje të mos e marrim në shqyrtim dhe të mos e përfshijmë në llogarinë e gjakut, mbasi ata kanë nikoqir Grekë, të cilët do të vijnë të marrin hakun, por vazhdojmë;

-Duhet ti jepet rëndësi e madhe çështjes sepse: e shoqja e Foto Priftit, Angustella, ishte 9 muaj me barrë kur u vra dhe vajza e tij Eleni, duke qënë e virgjër e çnderuan vrasësit brutalisht gjithë ditën për të ngopur epshet e tyre shtazarake, dhe pastaj e vranë. Gjithashtu rëndësi duhet ti jepet dhe faktit të vrasjes të qënit të stanit, që ja vunë në gojë të vrarit Foto, kështu që edhe qëni duhet të llogaritet si gjak trimi.

-Priftajt, theksoj ai, për  600 kokë bagëti, që grabitën vrasësit dhe u shitën në Mallakastër, nuk kërkuan dëmshpërblim dhe as pranuan para që ofruan vrasësit për shlyerjen e gjakut.

-Të gjitha këto duhet të çmohen me rëndësinë e tyre që kanë sipas zakonit dhe përfundoi duke thënë se llogaria e Priftajve nuk është e mbyllur me vrasjen e 9 vetave nga Sasaj, por me që tani jemi në kohë lufte, duhet që gjyqi i zakonit të vendos armpushim të përkohshëm për ta shqyrtuar çështjen në periudhën e paqes.

-Duke marrë fjalën përfaqësuesi i Kallaratit, Veliko Murati (6.2), propozoi dhe ai për armpushim të përkohshëm dhe shtoi se fshati Sasaj ka hak për të marrë nga Piluri, sepse vërtet që nga këta u vranë 9 veta, por 7 nga këta ishin sejcili me peshë nën 20 okë (domethënë të vegjël) kështu që në 140 okët e tyre, po të shtosh dhe 110 okë të kryetarit të familjes dhe të gruas së tij, harin shifra 250 okë, kurse Sasanjotët kishin peshë 680 okë dhe më shumë, sepse ishin të gjithë të rritur dhe me detyrime familjare.

-Përfaqësuesi i Kuçit, Rrapo Ali ishte dhe ai dakort për armpushim për shkak të ngjarjeve të luftës, por me konditë që Sasanjotët të kenë të drejtën të kërkojnë gjak për hakmarrje nga Priftajt, mbasi llogaria ka kaluar dhe duhet që mbledhja tu njoh këtë të drejtë sasanjotëve për ta ushtruar pas luftës në kohë paqe.

-Duke kundërshtuar këtë pikpamje të përfaqësuesit të Kuçit dhe të Kallaratit, pilurjoti Dhimitër Gërdhuqi tha se:- Duhet të ndjej rrënqethje, trishtim dhe turp njeriu për vrasjen barbare pa asnjë shkak tjetër, por për të përfituar nga rasti duke grabitur kopenë.

-Përfaqësuesit e Himarës Jorgo Bollano, të Dhërmiut Kosta Goreci dhe të Vunoit Taso Pilo, duke kundërshtuar me ton të ashpër përfaqësuesit e Kallaratit dhe të Kuçit, në emër të fshatrave të krishtera të Bregdetit, kërcënuan me largim nga mbledhja, pasi në këtë rast provohet se ana kundërshtare Shqiptaro-Myslimane akoma udhëhiqet nga mentaliteti i vjetër dhe në kohën e sotëme, duke dashur që të jetojë me plaçkitjen e elementit ortodoks dhe harojnë faktin që edhe vetë pushtuesi turk, më se 600 vjet nuk mundi të sundoj në fshatrat tona që shpesh u bënë fli, megjithë atë ai respektoi dhe u njohu privilegje të veçanta që i fituam me shpatë në fushat e betejës, dhe nuk preku nderin e grave.

Në vazhdim  shtuan se çështja që po shqyrohet, nuk i përket vetëm problemit të gjakut midis dy fshatrave Pilur dhe Sasaj, por ka rëndësi më të madhe, atë të luftës për jetë, midis dy elementëve ortodoks dhe myslimanë. Me që  në një rast të tillë do të ndizet zjarri anë dhe mbanë, sepse elementi ortodoks është i vendosur që të bëjë të respektueshme ekzistencën e tij  në tokën e gjyshërve tanë, që e kemi vaditur  për më se 600 vjet me gjakun tonë të ndershëm e të pastër,  dhe duke përfunduar thanë se elementi ortodoks, i bashkuar dhe i pa përçarë me gëzim do të pranonte nja dy luftime të hapur me myslimanët e kësaj zone pa dredhira në fushat e betejave dhe kush të rrojë të gëzojë. Varet., në këtë rast nga ana kundërshtare që të gjykoj në se dëshiron ose jo për hapjen e gjakëderdhjes.

-Duke marrë fjalën përfaqësuesit e Nivic-Bubarit dhe të Shën Vasilit në mbledhje theksuan se;- Megjithë që për vrasjen e dy ushtarëve grekë tani për tani nuk kërkojmë (ne. Shën.im.) gjak, mbasi hakën e tyre do ta marrin grekët kur të vijnë, duhet të shikohet problem me rëndësi të madhe (Veçant)  që përmban mbledhja, mbasi vrasësit kanë shkelur rregullin e së drejtës zakonore, atë  “të mikpritjes dhe të besës” (7)  mbasi të dy ushtarët grekë që u hodhën në kaminën e gëlqeres, qenë të shkujdesur, hipur në mushka për tu kthyer në vëndin dhe familjet e tyre. Këtë rregull pra të mikpritjes dhe besës e kanë shkelur në mënyrë çnjerëzore. Vrasësit i ndaluan në rrugë, duke u thënë se janë të gatshëm tu tregojnë rrugën, për të dalë në xhade e për tu bashkuar me shokët, dhe pasi ndëruan sipas zakonit nga një cigare, pabesisht i zunë e i vranë, ndërsa siç thotë proverbi “kokë e falur nuk pritet”, sepse dhe rob sikur të ishin zënë nga italianët, jeta e tyre sipas rregullave do të ishte e sigurtë, kurse ata u vranë, duke shkelur kanunin.  Sipas zakonit, dhe vetëm ky fakt duhet, sipas zakonit të vëndit tonë, të vërë në lëvizje gjithë fshatrat e kësaj zone për një dënim të përbashkët kundër vrasësve dhe atyre që i mbështesin ata, dhe jo të kërkohet solemniteti i kanunit të shkelur. Duke vazhduar diskutimin përfaqësuesit në fjalë, kërkuan që përfaqësuesit e fshatrave myslimane, të deklarojnë hapur, në se pranojnë ose jo që familja e Foto Priftit është shfarosur për plaçkitje dhe grabitje të kopesë, për të përfituar pa asnjë shkak justifikues, vepër kjo barbare.

-I  bëjmë pyetje elementit mysliman, theksuan ata, sepse bashkëfshatarë nga fshatrat e tyre, kanë formuar banda kriminale dhe sulmojnë elementin ortodoks, i vrasin, u rrëmbejnë unaza të florinjta, karfica e kryqe dhe shnderojnë gratë dhe vazat e pa mbrojtura në arat e tyre. Kërkojmë pra, në mënyrë kategorike se si mendojnë që ta ndalojnë elementin keqbërës, mbasi elementi ortodoks, megjithëse nuk dëshiron gjakderdhje, njëzëri ka vendosur, të bëjë reprezalie, pa dallim cilët janë keqbërësit dhe për këtë vendim, me nder dhe guxim kemi njoftuar me shkrim të 22 fshatrat e Kurveleshit të Poshtëm e të Sipërm si dhe fshatrat e Rrëzomës(8) dhe që nga ky moment e shpall autonome këtë zonë dhe mbrojtjen e kufijve do ta bëjmë me trupa të armatosura dhe se është gati për një luftë të tillë dhe kush të rrojë le të gëzojë sikur, sikundrejt deklaruan përfaqësuesi Filip Dhimërtika e të tjerë”.

Vendimi i gjyqit të vilajetit për konfliktin Pilur-Sasaj.

V E N D I M

Të nënshkruarit përfaqësues të katundeve Nivicë-Bubar, Shënvasil, Lukovë, Piqeras, Borsh,Fterë,Çorraj,Kallarat,Palasë,Dhërmi,Vuno, Himarë, Qeparo dhe Kudhës,në mu -ngesë të përfaqësuesve të katundeve Kalasë, Tatzat dhe Bolenë, që ishin ftuar nga ka -tundet Nivicë-Bubar, Shën-Vasil, Lukovë, Piqeras për të biseduar rreth konfliktit që egzi -ston mes fshatrave Sasaj dhe Pilur, të mbledhur sot më datën 28 Mars 1943 (Njëmijë e nëntëqint e dyzetëetre) në katundin Kudhës të rrethit Vlorë, biseduan rreth konfliktit në fjalë, ku shkëmbyen mendime të gjëra tërë ditën e sotme, me zëra të përbashkët

V e n d o s ë m

1-Qysh nga dita e sotme e deri në mbarim të luftës së tashme të përbotëshme dhe në qetë -simin e plotë të brendshëm të vëndit tonë,të dy katundet Sasaj dhe Pilur do të kenë një armë pushim të plotë, duke mos prekur asnjeri prej të dy anëve, sido që të takojë gjatë kë -saj lufte që është në zhvillim.

2-Në mbarim të plotë të luftës secilado anë që ta quajë vështirë të detyruar nga ana tjetër,ka të drejtë të provokojë mbledhjen e një vilajeti të ri para të cilit të paraqesë të gjitha pretendimet e tij për të siguruar të drejtat e zakonit.

3-Në rast se ndonjëra palë(Sasaj-Pilur) brënda kohës së caktuar në pikën e parë të këtij vendimi do guxojë të shkelë dispozitat e po këtij vendimi,duke diktuar palës tjetër për hakmarrje,atëherë do të quhet në luftë të hapët e të drejtë me të gjitha katundet që përfa -qëson vilajeti me këto rrjedhime e masa;

a-Në rast të një vepre kriminale nga një ose më shumë persona,egzekutimi i menjëher- shëm i fajtorit ose i fajtorëve do të kryhet prej popullit të katundit të vetë dhe në rast refuzimi të këtij ekzekutimi prej popullit të katundit të fajtorit e të fajtorëve,atëherë gjithë katundi quhet bashkëfajtor dhe u mbetet krerëve pjesëmarrës në këtë vilajet detyra e ekze -kutimit.

b-Në rast se krimineli ose kriminelët i shpëtojnë ekzekutimit, (9) arratisje ose mëshehje, merren këto masa: i digjet shtëpia,u konfiksohet pasuria,u dëbohet familja prej katundit të vetë ashtu edhe prej katundeve të përfaqësuara sot.

c-Cilido që bëhet strehë për familjen e për fajtorët si nga katundi i vetë ashtu edhe nga katundet e tjera të këtij vilajeti,do të ketë po atë dënim që përmendet në pikën b të nenit tre të këtij vendimi.

4-Në këtë armëpushim në pikat dhe dispozitat të këtij vendimi zë edhe katundet që quhen ose mund të quhen të implikuar në konfliktin Sasaj-Pilur.

5-Ky vendim mbahet në tre kopje origjinale nga të cilat njëra i shkon Këshillit të katundit Kuç,e dyta Këshillit të Himarës dhe e treta Këshillit të katundit Nivic-Bubar.Këto të tre këshilla ngarkohen të shpërndajnë kopje të njëjta me origjinalin e këtij vendimi nëpër ka -tundet e thirrura në mbledhjen e sotme të paraqitur.

Këshilli i Kuçit do shpërndaje kopjet e këtij vendimi në këto katunde; Bolenë,Çorraj, Kallarat,Tatzat,Kalasë.

Këshilla e Himarës ndër këto katunde: Qeparo,Kudhës,Vuno,Dhërmi e Palasë.

Këshilla e Nivicë-Bubarit në katundet Shën-Vasil,Lukovë,Piqeras e Borsh.

6-Ky vendim pasi u redaktua u lexua me zë të lartë,u dëgjua prej të gjithëve,u pëlqye dhe nënshkruhet;

HIMARË QEPARO PILUR

Jorgji Bollani  Naqe S. Gjika  Pano Bala  Niko Kaçelano  Kozma Mali  Dhimë Gërdhuqi

Grigor Polo  Dhimë Lapa

KUDHES PIQERAS NIVICË-BUBAR

Miço Gjini  Sokrat Zaho  Miltiadh Papadhima  Mino Llambro  Gogo Llaçi  Vaso Psoniti

Jorgo Kabuci  Kozma Baçeri

VUNO BORSH SHËN-VASIL

Taso Pilo  Fuat Mati  Spiro Dajko  Xhafer Hajdini

LUKOVE DHËRMI KUÇ

Dhimë Varfi  Kostë Gorea  Bilal Shahini  Vasil Llazari  Rapo Ali  Veip Zilfo

ÇORRAJ FTERRA KALLARAT

Bektash Alikaj  Ali Dhuli  Veliko Murati  Josif Kopali  V.Balili

PALASË

Grigor Vera

Shënim: Vendimi është sipas origjinalit prej Ll.V.  Qeparo,më 10.04.1995.Procesverbali ka një burim tjetër nga Nivic-Bubari. Falnderoj edhe z M.Llaçi për variantin shumë të ngjashëm që disponon dhe që ma vuri në dispozicion për krahasim.

* Këtë material e publikojmë, së pari, me qëllime studimore për funksionimin e Gjyqit të Vilajetit të Himarës si dhe për të shmangur spekullimet e ndryshme mbi ngjarjen dhe pasojat e saj,  pjesmarësit në gjyq dhe fjalën e tyre. Kanë qarkulluar versione të ndryshme të këtij gjyqi, të cilat, jo vetëm shtrëmbërojnë të vërtetën por cënojnë edhe figurën e disa pjesmarësve. Sqarojmë se të gjithë pjesmarësit në këto gjyqe ishin njerëz me reputacion të sprovuar, gëzonin respektin absolute të gjithë banorëve të krahinës dhe e kishin konsoliduar popullaritetin e tyre me vepra atdhetarie.

Duke qënë se asnjë nga pjesmarësit në ngjarje nuk jeton më, u kërkoj mirëkuptimin pasardhësve të tyre për këtë publikim dhe qëllimin e tij.

Ky material është botuar fillimisht në një revistë greke në Janinë. Dokumenti origjinal gjëndet në arshivën e Janinës.

Vendimin e këtij Gjyqi e kemi publikuar fillimisht në librin “Kur hardhia pikon vesë” .

1-Dy pjesmarësit nga Sasaj në vrasjen në Levan u gjykuan dhe u dënuan me pushkatim nga Gjyqi Partizan në vitin 1944.

2-Vrasja e qenit mer rëndësi edhe  për faktin se qeni ishte në gjëndje të identifikonte autorët, por edhe për faktin se qeni i bariut vlerësohej si  një pjestar i familjes.

3-Savo Prifti gjatë luftës ishte një aktivist i lëvizjes N.Çl.në zonë e Bregdetit. Në shpërthimin e burgut të Vlorës gjatë okupimit fashist ishte një ndër nismëtarët bashkë me Hysni Kapon. Pas ngjarjes me Sasajt, u kërkua nga forcat partizane për tu arestuar dhe gjykuar në gjyqin partizan. U aratisë bashkë me vëllain e tij Polimerin (Polo) dhe u vendosën në Gumënicë të Greqisë. Savo Prifti nuk u aktivizua në veprimtari agjenturore kundër Shqipërisë. Kjo ishte edhe arsyeja që kur u shpall amnistia e madhe për të aratisurit nga Shqipëria, në listën prej 180 personave që u ndalohej kthimi në Shqipëri nuk përfshihej emri i tij. Kjo e nxiti atë që ti dërgonte lajm të birit, Simo Priftit në Pilur që të pyeste “mikun nga lumi (i Vlorës, dmth Hysni Kapon)” në se i lejohej të kthehej në Shqipëri apo jo. Hysni Kapo sqaroi Simo Priftin, kur ky i kërkoi dhe i shkoi në takim, që i jati (Savo Prifti) mund të kthehej në Shqipëri, por duhej të vinte nga Italia dhe jo nga Greqia. Për këtë duhej të nisej drejt Italisë dhe të futej në Ambasadën Shqiptare në Romë, prej nga në Shqipëri do ta sillte shteti. Në Shqipëri do ti nënshtrohej një gjyqi të drejtë për ngjarjen.

Savo Prifti pranoi  të kthehej, por nuk e ruajti dot fshehtësinë. Nga gëzimi i kthimit pranë familjes shtron një darkë me miq e shokë në shtëpinë e tij në Gumenicë, nga e cila u gdhi i vdekur në mëngjes.

Polimer (Polo) Prifti u aratis bashkë me Savo Priftin. U martua dhe krijoi familje në Gumenicë. U angazhua në veprimtari diversioniste kundër Shqipërisë. Por fakti që u kap nga forcat e Mbrojtjes së Popullit dy herë dhe po dy herë u shpëtoi gjatë trasportimit, lë hijen e një bashkëpunimi në heshtje, akt ky,  i pakonfirmuar.

4-Numëri i të vrarëve nga Sasaj që flitet dhe shkruhet në procesverbal (9) nuk përkon me numërin e emrave të tyre në procesverbal ku mendojmë se mungon diçka. Numëri 9 i të vrarëve nga Piluri llogarit edhe fëmijën në bark të nënës, pavarësisht se vajet dhe këngët pilurjote për këtë rast thonë se ...u muar hakë edhe për qënin e vrarë.

5-Himara vetëquhej Vilajet sepse ishte Krahinë Autonome dhe jo se ishte Vilajet si ndarje administrative. Si Krahinë Autonome ajo funksiononte mbi bazën e  disa normave juridike (dhe administrative) si Gjyqi i Vilajetit me fuqi të plotë detyrimi dhe ekzekutimi.  Ekzekutimi i vendimeve ishte i pa apelueshëm dhe i detyrueshëm për çdo banor dhe çdo fshat.

6-Kemi ruajtur shprehjet dhe fjalët origjinale të procesverbalit.

6.1-Çeta e përbërë nga personat e cituar , pjesmarës në vrasje.

6.2-Veliko Murati-U lind në Kallarat më 1888. Mbaroi shkollën e mesme turke në Janinë. Mori pjesë në luftimet kundër pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës më 1920. Me mba -rimin e Luftës, u dërgua nga Ismail Qemali në Himarë,  së bashku me Gani Iliazin e Meçan Selamin për të punuar kundër ndikimit grek në Himarë dhe bashkimin e kësaj Krahine me Qeverinë e Vlorës. Ka qenë për shumë vite kryeplak i fshatit. U bashkua me Lëvizjen Antifashiste dhe në mars 1943 u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist të krahinës. Më vonë, u largua nga radhët e Lëvizjes dhe u lidh me Ballin Kombëtar. U dënua me pushkatim nga gjyqi partizan në qershor 1944.

Rapsod i njohur në Kurvelesh e Labëri për këngët e ndjera patriotike kushtuar luftërave të krahinës kundër pushtuesve.

6.3- Jorgji Bollani ish Kryetar i Pleqësisë të Himarës për disa vite me radhë. Pas Konferencës së Mukjes në gusht 1943, Partia Komuniste dërgoi në Himarë  doktor Ibrahim Dervishin që të bindte parinë e Himarës për tu bashkuar me Lëvizjen Nac.Çl. Jorgji Bollani e priti në takim por refuzoi angazhimin dhe bashkpunimin me Partinë Komuniste ashtu siç kishte refuzuar bashkpunimin me Ballin Kombëtar. Shtojmë se  për të shkëputur Himarën nga lëvizja nacional-çlirimtare, në dhjetëditëshin e tretë të dhjetorit 1943, vjen në Himarë, Bahri Omari, në atë kohë Ministër i Jashtëm në Kabinetin Qeveritar të Rexhep Mitrovicës ( 5 nëntor 1943 -16 qershor 1944) dhe ishte një ndër eksponentët kryesorë dhe anëtar i Kryesisë së Ballit Kombëtar. Jorgji Bollani e priti në takim, por edhe këtij I refuzoi angazhimin me Ballin Kombëtar. Por ndërkohë, Partia Komuniste organizon pritën për ti bërë atentat Bahri Omarit gjatë kthimit të tij për në Vlorë.  Jorgji Bollani informohet për këtë pritë dhe organizon kthimin e tij nga rruga e Sarandës për në Tiranë, duke i shpëtuar jetën. Kur e pyetën se pse rezikoi veten e tij, me këtë veprim, ai u përgjegj se, duke qënë Kryetar i Pleqësisë kishte detyrimin të garantonte jetën e kujtdo që kalonte në teritorin e Himarës, dhe ca më tepër të miqve që i bujtnin në shtëpinë e tij. Për këto veprime,  Qarkori i Partisë Komuniste në Ramicë të Vlorës gjatë përurimit të Brigadës V, mori vendimin për ekzekutimin e Jorgji Bollanit, vendim që u zbatua në mbrëmjen e 24 janarit 1944, në kohën që Jorgji Bollani kthehej nga dyqani për në shtëpi,  në Spile,duke u qëlluar me snaiper në hyrje të saj.

7- Sipas zakonit, edhe të huajt e gëzonin të drejtën e garantimit të jetës në teritorin e Krahinës së Himarës, të drejtën e dhënies dhe marjes së besës, për sa kohë që nuk kryenin ndonjë vepër që binte ndesh me zakonin e mikpritjes. Shkelja e besës dhënë të huajve dënohej njësoj me shkeljen e besës dhënë shqiptarëve.

8-Në vitin 1943 në fshatin Senicë të Delvinës, në vëndin Zagonika, ku kishin arat e tyre Seniciotët Lluka Nani e Dhimitër Piza, këtyre u kishin zënë pritë disa nga Picari e Zhulati, myslimanë dhe i vranë me pretekst se morrën hakën e të afërmëve të tyre që ishin vrarë gjatë luftës në kohën e autonomisë.

Pas dy muaj në vëndin Vreshta e Senicës u vra nga një pritë Perikli Jorgji dhe u plagos Sotir Velo, me të njëjtin pretekst. Mbas kësaj Seniciotët kërkuan ndihmë nga fshatrat Nivic-Bubar, Shën Vasil, Lukovë e Piqeras. Kryepleqësitë e këtyre fshatrave dërguan protestë të reptë gjithë fshatrave të Kurveleshit të sipërme e të poshtëme dhe fshatrave të Rëzomës, me anën e së cilës kërcënonin me reprezialie në qoftëse nuk do të ndalojin vrasjet dhe nuk mernin masa për vrasësit. Fshatrat myslimane nga kjo protestë u frikësuan dhe provokuan një mbledhje të gjyqit të Vilajetit në fshatin Kalasë dhe morrën pjesë në këtë mbledhje përfaqësues të fshatërave të krishtera si më sipër si dhe përfaqësues të Kurveleshit dhe të Rëzomës.

Por kjo mbledhje është në një rast tjetër ndonëse është e ngjashme me gjyqin e mësipërm për nga procedura.

9- Mendoj se këtu mungon fjala ‘’me’’, dmth të shpëtojë me arratisje etj. Sqaroj se në këtë material nuk kam bërë asnjë ndërhyrje, qoftë edhe për rregullime gramatikore.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7