Hyrje | Art Kulture | Vjollca Tytyni Biraku: Piktori gjakovar prof. Xhevdet Spahija shpalos artin e tij vizual në Vlorë

Vjollca Tytyni Biraku: Piktori gjakovar prof. Xhevdet Spahija shpalos artin e tij vizual në Vlorë

Piktori gjakovar prof. Xhevdet Spahija shpalos artin e tij vizual në Vlorë

“Në tablotë e piktorit nuk mungon deti, sepse piktori e di se treqereku i kufirit shqiptar është i rrethuar me dete, nga Tivari deri në Prevezë, sepse shqiptarët çdo marrëdhënie e kanë pasur nëpërmjet detit”, ka vlerësuar prof.dr. Bardhosh Gaçe

Nga Vjollca Tytyni Biraku

Copëza të ndryshme nga Kosova me vuajtjet dhe përjetimet e popullit të Kosovës përgjatë kohës së luftës, gra të dhunuara, momente dhe ngacmime të trajtuara në tematika të ndryshme, që flasin në heshtje, qëndruan për katër ditë të ekspozuara në Galerinë e Arteve në Vlorë, të cilat përmes artit të bukur pamor, janë paraqitur nga piktori gjakovar prof. Xhevdet Spahija.

Këto tematika tejet të ndjeshme, janë ndjekur me interesim të madh nga publiku artdashës vlonjat. Artisti nga Gjakova, mes ndjenjash të përziera emocionale e vëllazërore, ka ‘rrëfyer’ përmes penelit të tij të artë, botën e tij të brendshme.

Vet tema e ekspozitës “Arti nuk është luks por jeta vet”, dëshmon qartë se arti për prof.Spahiajn është gjithçka; është gjendje në të cilin ishim; gjendje në të cilën jemi dhe synojmë të jemi derisa shpirti mund t’i qëndroj ekzistences hyjnore mbi tokë.

Realisht, ekspozita e profesorit nga Gjakova Xhevdet Spahija ishte një perlë për sytë e etur të vlonjatëve; të cilët përpiqeshin të gjenin, të ‘udhëtonin’ dhe të preknin realitetin e përshkuar në telajon e artistit.

Adhuruesit e artit pamor të ekspozitës “Arti nuk është luks por jeta vet”, ishin sa të shumtë aq edhe të ndryshëm; sepse kur bëhet fjalë për artin, gjithçka unisohet. Kësaj ekspozite iu përgjigjën kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, përfaqësues të shoqatave kulturore e artistike, qytetar vlonjat dhe nxënës të shkollave të qytetit, të cilët të shoqëruar me mësuesit e tyre, u njohën nga afër me punimet e ekspozuara.

Duke e vlerësuar këtë ekspozitë, kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, përshëndeti iniciativën e piktorit gjakovar dhe pasi u njoh me tematikat e këtyre punimeve shprehu nevojën dhe domosdoshmërinë e investimeve të sa më shumë aktiviteteve në fushën e artit dhe të kulturës, me theks të posaqëm të bashkëpunimit kulturor mes këtyre dy qyteteve.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve “Petro Marko”, Albert Habazaj, i cili ishte edhe njëri ndër organizatorët e hapjes së kësaj ekspozite, u shpreh: “Peja, Gjakova e Ali Podrimes, Vlora e Petro Markos rezonojnë me artin e bukur sepse peneli i vëllait tonë nga Kosova është i artë dhe buron vlera të mirëfillta artistike”.

Artin e prof.Spahiajt, njohësi dhe kritiku i arteve vizuale dr. Ilir Muharremi e ka quajtur “Krijim i knaqësisë dhe i kujtimit”. Këtë ndërlidhje, dr. Muharremi e argumenton me faktin se fuqia e të knaqurit dhe të kujtuarit varen nga njëra-tjetra. “Knaqësia shtrydhet nëpërmjet pëlhurës deri në pikën e fundit,… kujtimi i përket ruajtjes së knaqësisë, origjinalitetit të ngjyrës, formës, tonit, kompozicionit dhe lëvizjeve të brushës”. Duke vëzhguar në detaje pikturat e prof. Spahiajt, dr. Muharremi vë në focus punimet: “Eva duke fjetur”, “Prometheu i çliruar”, “Mbreti Lir”, “Andromaka” etj, për të cilat ai thotë: “Nëpërmjet punimeve, artisti na shpreh se pikënisja e çdo arti është dashuria, por nuk mungon as tragjedia, drama dhe në fund besnikëria. Artisti na jep dashuri, rrezatim, kthim në një kohë tejet të rëndësishme dhe na sfidon mes bukurisë dhe shëmtisë, erotizmit dhe knaqësisë së përjetshme”.

Për ekspozitën në fjalë është shprehur edhe prof.dr. Bardhosh Gaçe. “Në tablotë e piktorit nuk mungon deti, sepse piktori e di se treqereku i kufirit shqiptar është i rrethuar me dete, nga Tivari deri në Prevezë, sepse shqiptarët çdo marrëdhënie e kanë pasur nëpërmjet detit. Botën shqiptare piktori Spahija e ka radhitur edhe ne mesin e baladave dhe miteve, duke e sjellur ‘Rozafën e bukur’ në versione të ndryshme: Rozafën në gur, Rozafën në dru dhe Rozafën grua, si pjesë e legjendës sonë shqiptare”. Gjithashtu, për prof.Gaçen, hapja e kësaj ekspozite është një rrugë e hapur për të zhvilluar tematika të reja të cilat janë në interes të publikut shqiptar.

Ndërsa, vet autori, prof. Xhevdet Spahija, duke folur për ekspozitën, fillimisht u ndal në disa nga vendet dhe monumentete më të rëndësishme të kulturës dhe historisë kombëtare, të cilat kanë lindur në Vlorën e Ismail Qemalit. Ai theksoi se krijimtaria e tij është e e përqëndruar në tre fusha: në mitet e legjendat, në peizazhet e bukura shqiptare dhe tek nudot e perënditë e etur. Duke shprehur mirënjohjen dhe bashkëpunimin artistik e kulturor mes trojeve shqiptare, prof.Spahija, u ndje ‘i deyruar’ moralisht për të kthyer në njëfarë mënyre ‘borxhin’ që shqiptarët e Kosovës kanë ndaj Shqipërisë mëmë.

- Ç’bënë kosovarët për Vlorën? – ishte pyetja me të cilën piktori Spahija iu drejtua publikut artdashës vlonjat. I emocionuar dhe me lot ne sy, ai tha se: ata i pagëzuan fëmijët e tyre me emrat Vlorë, Sazan, Aulonë, Vjosë etj”.

Ekspozita e 16-të me radhë e prof. Spahiajt e hapur në Vlorë, kishte 35 punime me tematika të ndryshme. Veçohen temat nga bota e mitologjisë dhe e legjendave shqiptare, personazhet nga romane të ndryshme, peizazhet,  nudot si dhe paraqitja në dimensione të ndryshme e imazhit femeror, duke  u ndalur edhe tek tematika më e ndjeshme; ajo e dhunimit të femrës, ku, duhet theksuar se  gjatë luftës së fundit në Kosovë besohet se janë mbi 20 mijë femra të dhunuara, duke i vrarë ato që në moshë të njomë, 13-14 vjeçare. Pos mbështetjes financiare të dhënë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës (MKRS), ndihmesë në formën organizative në hapjen e kësaj ekspozite kanë dhënë edhe Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” dhe Shoqata Mbarëkombëtare “Ismail Qemali” nga Vlora.

Ekspozita me teme “Arti nuk është luks por jeta vet”, për disa ditë me radhë ka qëndruar e hapur edhe në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku u mirëprit nga kritika dhe publiku artdashës gjirokastrit.

Një biografi e shkurtër e autorit të ekspozitës, prof.Xhevdet Spahija

Prof.Xhevdet Spahija ka lindur në Pejë, ku edhe kreu shkollën e teknikëve të artit figurativ. Më pas u diplomua në Akademinë e Arteve në Prishtinë në degën e artit figurativ. Në studimet pasdiplomike ka marrë titullin ‘Magjistër i Pikturës’, ndërkohë që ka punuar profesor arti në gjimnazin e qytetit të Gjakovës. Aktualisht është në pension dhe zhvillon në komoditet të plotë jetën e tij artistike. Rikujtojmë se rruga e krijimtarisë artistike e prof.Xh.Spahiajt ka nisur që në vitin 1971 duke qenë pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme kolektive për të vazhduar edhe me organizimin e ekspozitave personale të cilat kanë vazhduar rrugën e saj deri në ditët e sotme. Puna krijuese e artisike e krijuar prej vitesh e prof. Spahiajt radhit 16 ekspozita personale të hapura në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Suedi, Poloni dhe në shumë vende të tjera, si brenda trojeve tona shqiptare e poashtu edhe jashtë saj.

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7