Hyrje | Art Kulture | Kristaq Turtulli: Një ditë korriku në Muskokas

Kristaq Turtulli: Një ditë korriku në Muskokas

Kristaq Turtulli: Një ditë korriku në Muskokas

KRISTAQ TURTULLI

NJË DITË KORRIKU NË MUSKOKAs

novelë

...Liqeni Muskoka u bë i broncet...

1

Rruga dytësore ‘Fishkëllima e shigjetës’ dredhon hareshëm nëpërmjet një pylli të dendur me pemë të larta dhe të nxjerr në skajin e majtë të liqenit Muskoka. Përnjëmend të bëhet sikur udhëton në një  tunel të gjelbëruar dhe mahnitesh me shkëlqimin dhe transparencën e ngjyrave. Rezet fosforeshente të diellit mëngjesor thyhen nëpër degë dhe gjethe, lodrojnë të shpenguara dhe krijuar hieroglifë të lashta sa vete bota. Xhamat e makinës janë të hapura, ëmbëlsisht të përkëdhel fytyrën, trupin, ajri i freskët mëngjesor dhe era e lagësht e ujit. Nga radioja dëgjohet muzikë e ëmbël qyteti. Në dy anët e rrugës shfaqen dhe lihen pas rrugina të ngushta si të fshehura, të cilat dredhojnë nëpër pyll dhe të çojnë në shtëpitë e drunjta të rrethuara me jeshillëk, me plot freski dhe dritë.

Tutje, në fund të labirintit gjelbëror dallohet kaltërsia ujore e liqenit, si një unazë qiellore e flladitur prej gjetheve dhe degëve. Zemra rrahën me vrull dhe makina ngadalëson shpejtësinë. Liqeni fillon dhe shfaqet i tëri me joshjen dhe magjinë ujore. Makina frenon në krahun e majtë të sheshit të vogël të parkimit ‘ Dielli lind’. Në të djathtë të liqenit të Muskokës. Disa metra larg rrotës së madhe metalike, të ndryshkur prej kohës që qëndron si simbol i ardhësve të parë. Në pllakën metalike përkujtimore, shkruhet: ‘Në këtë vend në vitin 1825 ka ndërtuar mullirin dhe ka jetuar ardhësi i parë i kësaj zone Xhoni i rrepti me të bijtë. Në vitin 1895 mulliri  u dogj prej një zjarri të befasishëm dhe nuk u rindërtua më prej të bijve.’

Ndanë rrugës, në të djathë, gjendet një urë e drunjtë e ngrënë nga reshjet dhe koha e cila të çon disa metra më poshtë në lëndinën e butë, me bar posa të kositur. Dehësh prej erës së freskët të jeshilit. Në të dy anët e bregut ka pak rërë të imët, të verdhë. Në këtë kënd të dashur të mbrojtur prej erës, marrin rreze dielli dhe lahen në liqenin Muskoka banorët e qytetit: ‘Engjëlli i bardhë’.

Shumë familje nga qyteti:  ‘Engjëlli i bardhë’,’nuk kanë prona dhe dalje buzë liqenit të kulluar me ujë të pastër dhe të ngohtë. Shtëpitë e tyre gjenden në anën e kundërt të rrugës, të rrethuara prej pemëve të larta ose në qendër të qytetit. Ata të kënaqur e preferojnë dhe e frekuentojnë gjithnjë këtë cep të këndshëm, vend publik me bukuri natyrore. Ku dhe këtu, disa metra larg bregut gjendet një pllakë përkujtimore ku shkruhet: ‘Ky vend publik për çlodhjen e argëtimin e banoreve u krijua në vitin 1876 me dëshirën e mirë dhe ndihmesën e vetë banoreve të qytetit ‘Engjëlli i bardhë’.’

Makinat e pushuesve frenojnë buzë rrugës, shpijnë këmbët, soditin një copë herë natyrën. Marrin frymë thellë, mbushen me ajër të freskët, pastaj i parkojnë makinat në parkingun:’ Dielli lind,’ të shtruar me zhavorr të imët. Ata përshëndesin me zë të ulët njeri tjetrin. Tërheqin nga bagazhet e makinave sendet e nevojshme dhe drejtohen me hapa të matura drejt stolave dhe tavolinave të drunjta. Qëndrojnë një copë herë dhe kundrojnë me kënaqësi kaltërsinë dhe magjinë ujore të liqenit. Shtrojnë mbi bar ose në rërë çarçafët dhe peshqirët. Ndihmojnë shoqi-shoqin të lyhen me vaj plazhi dhe më pas rehatohen të shpenguar pa shkëputur vështrim e ngulët nga liqeni.

Disa pushues të tjerë hapin stolat portative fare pranë ujit, buzë bordurës së betontë. Hanë me të shpejtë hamburger. Ata janë si gjithnjë të paduruar, duan të lahen për të shpirë trupin dhe të gjuajnë peshq. Përflitet se në liqenin Muskoka gjendet një peshk i madh, i bukur, por askush nuk ka mundur ta hedhë në rrjetë ose tas kapë me grep. Peshqit e kapur me grep, kryesisht salmon ose tuna, nuk i hanë, i gjuajnë vetëm për të kaluar kokën, për kënaqësi. Vështrojnë të ngazëlluar një copë herë përdredhjen e peshqve,të kapur nga grepi e që rrëzëllejnë të ujësuar nën shkëlqimin diellor. Pastaj me dhembshuri dhe kujdes u heqin  grepat dhe i lëshojnë sërish në liqen. Ndjekin sy picërruar duke përtypur çamçakëzë notimin e plogët të ujorëve, të cilët marrin veten me vështirësi prej grepit të metaltë e më pas zhduken nën ujë. Ka nga ata peshq budallenj që nuk kuptojnë mirë ç’është pësimi. Bihen dy herë në grep dhe peshkatarët amatorë tundin kokat të mërzitur. Edhe ata vetë nuk e kanë për mbarë një peshk kaqol të kapur prej grepit dy herë.

Më i dalluari prej tyre është Stive topalli me profesion postier. Çalimi e këmbës së majtë i është shkaktuar prej kafshimit të gjarprit, kur po shpërndante postën nëpër rrethina, shumë vite më parë. Për shkak të këmbës i afruan punë ne postën qendrore, në seleksionimin e letrave. Stive i fyer nuk e pranoi, nuk mund të bëhej Stive Foks mi i vogël zyre. Stive Foks ish dre i lirë, i lidhur me pyllin, me erën e liqenit dhe drerët ngandonjëherë e dëmtojnë këmbët por kurrë nuk e ndërpresin vrapin.

Gjatë natës Stive topalli sillej dhe vërtitej nëpër shtrat aq sa zgjoi të shoqen nga gjumi.

‘-Stive, - iu gërmuq Sara dërdënge dhe e qëlloi me shkelmë në vithe. Kur ajo plasej në shtrat e bënte dyshekun petë dhe Stive i dukej sikur lëkundej dhe fundosej në liqenin me dallgë.

Stive u zgjua i trembur.

‘Hë,’- ia bëri dhe fërkoi të ndenjurat.

‘Mjaft mu përdrodhe si peshk i kapur nga grepi,’

‘Sara, për herë të parë në jetën time pashë ëndërr sikur zura peshkun e madh,’- mërmëriti ai i lektisur.

‘-Peshkun e madh!’- ia pat Sara dhe ndezi dritën e komodinës. Këqyri me kujdes fytyrën e mbufatur të shoqit, nënqeshi me të keq dhe shtoi: -‘Stive im i gjorë! Nuk e shkul dot prej trurit këtë marrëzi. S’ma merr mendja të dalë burrë nëne të kapë atë peshk magjik.’

‘Nuk ka,’- psherëtiu Stive. Ai pa ëndërr sikur peshkoi peshkun e madh dhe bridhte kryelartë, duke u tundur dhe shkundur  nëpër rrugët e qytetit. Dikush i thirri nga larg: “Stive mos kërce si kangur, çdo gjë që shfaqet është gënjeshtër.” Ai nuk i ktheu përgjigje. Të ishin vallë bashkëqytetarët kaq të verbër. Apo xhelozë se Stive Foks do të mbahej mend sa të jetë jeta në Muskokë.

‘Ëndrrat në dite me diell bëhen qiqra në hell,- foli Sara dhe mbylli dritën. U rrotullua disa herë në shtrat dhe mbuloi kokën me jorgan.

Stive topalli u kthye në krah dhe hungëriti i nervozuar:

‘Për dreq nuk ka burrë nëne të mbërthejë atë kukudh peshk.’

Peshku i madh vërtitet si fantazmë në qindra e qindra vjet në mendjet e brezave. Nativët  qenë lundërtarë dhe peshkatarë shumë të zotë e kërkuan me ngulm dhe e gjuajtën pa ndërprerje atë peshk. Peshku i madh u shkiste ndër duarsh dhe nuk mundën ta kapnin dot.

Stive topalli u ndje i mjerë që kish peshkuar në ëndërr peshkun e madh.

2

Zëra të gëzuar vijnë nga larg, në anën e kundërt të liqenit, prej jahteve të vogla pëlhurëbardha. Grupe të rinjsh bëjnë lëvizje të shkathëta, hapin krahët, kërcejnë, qeshin, ngacmojnë njeri tjetrin dhe kridhen me shpejtësi në ujë. Motoskafët  e shpejtë tërheqin lundërtarët amatore, të cilët bëjnë fluturime akrobatike në ajër, të mbajtur mbas litarëve të tendosur. Motoskafët zhurmëmëdha çajnë ujin me shpejtësi. U bien përqark ishujve të pyllëzuar, në brendësi të tyre janë ndërtuar shtëpi të bardha pushimi me verandë druri.

Banorët e qytetit ‘Engjëlli i bardhë,’ janë të lidhur shumë ngushtë me liqenin jetëdhënës ‘Muskoka’. Ata nuk shkëputen prej tij në çdo stinë të vitit edhe në dimrin e egër ku fryn era e fortë, bën ngricë dhe rëndon dëbora e madhe e bardhë. Liqeni ngrin në gjithë hapësirën e tij. Dhe ngjan si një hapësirë e bardhë e pamat, rënduar shpesh herë prej mjegullës. Akulli është i trashë dhe ta bëjnë gara vrapimi, luajnë me patina. Peshkatarët të mbrojtur prej barakave portative çajnë akullin, hapin vrima dhe gjuajnë peshq. Ndonjë kokëkrisur zhvishet me ngut, flak teshat përdhe, futet me kokë brenda dhe noton në ujë e ftohtë brisk.

Këtu në këtë vend piktoresk vijnë dhe ndalen familje të pasionuara të ardhura prej qindra kilometra larg, nga qyteti metropol i Torontos e të rrethinave përreth. Ata janë kureshtarë, dëshirojnë të zbulojnë rajonin e bukur dhe turistik të Muskokës, ku një vit më parë në takimin e radhës u mblodhën  tetë udhëheqësit më të mëdhenj të botës së industrializuar. Kokat më të rëndësishme të botës shëtitën në liqen me jahte të bardha. Thithën ajër të freskët, u magjepsën prej bukurive natyrore dhe luajtën golf në fushat me bar të gjelbër, të qëndisura si me dorë.

Të plotfuqishmit e botës bënë shaka si fjala vjen miliarderi plak dhe kokoroç, i thekur, i shtetit në formë çizme. I cili e ka në majë të gjuhës mburrjen për historinë dhe lashtësinë e vendit të tij. Skandaloz dhe merakli i pakthyeshëm i vajzave të reja. Ai përsëriti shakanë e kripur me ezmerin elegant  të shtetit më të fuqishëm të botës.

Gruaja e hekurt e shtetit  hijerëndë Evropian nënqeshi dhe vështroi me bisht të syrit të dy burrat. Koka aziatike e ardhur prej ishullit të famshëm për prodhimin e makinave dhe elektronikës qeshi. Ai ia bëri, ho, ho dhe përkuli kryet. Traditë e hershme aziatike. Fqinji i tij me popullsi miliardësh. I ngrefosur për bumin ekonomik si rezultat i thithjes së investitorëve të huaj dhe krahut të lirë të punës, lëvizi sytë sa andej këndej dhe mbeti fytyrë ngrirë.

Ndërsa koka rinore, përfaqësuesi i ishullit të madh monarkik qëndroi serioz dhe i përkushtuar në lojën e golfit. Ai kish ende kohë për të nxënë. Koka përfaqësuese i vendit të elegancës, buzëqeshi me delikatesë dhe u mbështet në krahun e gruas së tij, e famshme për bukurin e saj.

Mbas një drekimi të mirë shoqëruar me verë dhe shampanjë të vjetër ‘Bordo’. Me seriozitet dhe përgjegjësi udhëheqësit e mëdhenj të botës bënë analizën vjetore të zhvleftësimit të monedhës. Shkaqet e zhvleftësimit të monedhës dhe të krizës botërore. Të eliminimit të mundshëm të papunësisë dhe të luftërave rajonale.

Burri ezmer, elegant, energjik ecte në krye të grupit. Me atë burrë u bë realitet thënia amerikane: ‘Ëndrra shndërrohet në të vërtetë.’ Sigurisht, në atë vend të madh industrial mundësitë, oportunitetet, të papriturat janë të çuditshme dhe të pafundme. Djalosh i thjeshtë me baba zezak nga Kenia, i braktisur prej tij në moshën dy vjeçare, kurse nëna e bardhë ishte shumë e re dhe e çiltër, pa mbushur akoma njëzet vjet.  Djaloshi u ngrit vetëtimthi në majë të kupolës, si në majën e zotave të Olimpit. U zgjodh në senat. Dhe pas disa vjetësh, në fushatën e nxehtë elektorale: ‘Koha për ndryshim’, Biri i thjeshtë, karrizmatik, me oratorikë të shkathët, preku thembrën e Akilit të popullit të lodhur prej dy luftërave. Ëndrra e pamundur u shndërrua në të vërtetë. Ai kapi kurorën e Zeusit. U bë presidenti i parë me ngjyrë dhe burri më i fuqishëm i botës. Gjithsecili në botë beson dhe shpreson që ëndrra ti bëhet e vërtetë...

Ardhësit zbresin nga makinat. Ndalen. Shpijnë këmbët prej rrugëtimit të gjatë. Soditin natyrën, mrekullohen dhe ngrohen nën diellin shkëlqimtar të kthinës së zbuluar në buzë të rrugës. Mezi gjejnë ndonjë stol bosh. Vendosin me shkujdesje, përdhe sendet e tyre. Ndezin stufat e vogla portative me bombola gazi për të pjekur mishin e derrit, të qengjit ose këmbët e pulave. Tymi dhe era e mishit të pjekur përhapet përreth. Vendasit të bezdisur lëvizin kryet. Vështrojnë drejt tyre me bisht të syrit, nuk u pëlqen të ndotet ajri i pastër i Muskokës me tymra, paçka se mban erë të mirë mishi të pjekur. Ka plot ushqime të çastit, shumë të shijshme si hamburger, hot dog, krahë pule, patate të fërguara, të përgatitura prej kuzhinierë të zotë dhe që gjenden kudo nëpër dyqane.

Përse është kjo mani e ardhësve prej metropoleve, që parapëlqejnë të harxhojnë kohën e vyer dhe të tymosin mjediset e pastra, gati të virgjëra në veri të vendit? Prite kur të flakin me indiferencë lyrën e mishrave në barin e gjelbër e porsa korrur dhe ta përlyejnë mjedisin me vajra dhe lyrë mish derri. Ardhësit janë të disiplinuar dhe të kujdesshëm. Përfundojnë së ngrëni, pastrojnë stufat portative, pa lënë në bar ndonjë gjurmë ndotjeje. Mbeturinat i mbledhin në qese plastike dhe i flakin në koshat e plehrave të vendosura në qoshet e lëndinës.

Vendasit i përgjojnë ardhësit me kujdes, në çdo lëvizje pa rënë në sy. Në fund marrin frymë të lehtësuar dhe vështrimet e tyre zbuten.

3

Sipas traditës së lashtë vendase thuhet se tek kjo lëndinë e vogël. Këtu, ku të përkëdhel puhiza e lehtë dhe të ngroh baba Dielli me rrezet bujare. Ka qenë pikë e rëndësishme takimi, tregtie dhe bisedimi mes peshkatarëve të hershëm të fiseve kryelartë: ‘Thika e verdhë dhe Kali fluturues.’ Ata ishin lundërtarë të dëgjuar, peshkatarë të mrekullueshëm, shpesh here e zinin peshkun me duar dhe me gojë brenda në thellësi të ujit. Gjithashtu ishin dhe kalorës të zotë. Por një merak u mbeti. Nuk mundën kurrë të kapnin peshkun e madh, me hala të argjende dhe kokë të artë.

Vendasit e hershëm e respektonin nga brezi në brez këtë vend takimi. Përshkonin me kano të shpejta lumin e rrjedhshëm Muskoka, qëndronin derisa dielli përkëdhelte kreshtat e vogla të ishujve, debatonin, vallëzonin, dashuroheshin, këmbenin dhurata. Më pas u hipnim kanove, lundronin dy nga dy, tre nga tre, katër nga katër, ose grupe-grupe. Shpërndaheshin në skaje të ndryshme të liqenit deri lart në rrjedhjen e lumit duke u mëshuar lopatave dhe shkathtësi. Me premtimin se do të takoheshin përsëri në krye të javës së ardhshme.

Nuk dihej mirëfilli pikënisja dhe nuk është saktësuar burimi i kësaj tradite të lashtë. Gojëdhëna përcjell se në këtë vend  u zhvillua takimi i detyrueshëm. I mbijetesës për ndërprerjen e armiqësisë së egër, luftërave shkatërrimtare, prerjes së kokave, marrjes së skapeve midis dy fiseve më të mëdha. Shkaku takimit ish shumimi marramendës i minjve dhe i zvarranikëve, kafshimi në gjumë, helmimi. Përhapjes së sëmundjeve infektive, kositja e luftëtarëve jo në fushë të betejës siç u takonte nderi dhe dinjiteti, por tretja e stërmundimshme në shtrat. Vrerosja, përçudnimi,  zvarritja e grave dhe nënave. Vdekja e dhimbshme e fëmijëve dhe kuajve.

Nën përfaqësimin e dy shefave më të mëdhenj: ‘Pete që qëndron i vetëm’, i fisit të madh:‘Syri i shqiponjës’ dhe ‘Kainai,  Hijerëndi i fjalës’, i fisit të madh: ‘Vallëzimi i luanit’. Nën mbikëqyrjen e kryeplakut të pleqësisë: ‘ Urtësia e gjakut të vërtetë’. Ai i vizatoi me bojë, me ngjyra të çelura, të paqes fytyrat e dy shefave të plotfuqishëm, të dy fiseve më të mëdha të verilindjes. Këndoi me zë të ngjirur dhe  trup përkulur u soll katër herë rreth zjarrit. Temjanisi vendin, bisedën e rëndësishme, shefat hijerëndë dhe zjarrin që bubulonte.

Shefat e mëdhenj u përkulën me respekt, kokulur dhe krahëndehur drejt kryeplakut të pleqësisë:’ Urtësia e gjakut të vërtetë.’ Vendosën armët e luftës përpara këmbëve të tij. Kur morën aprovimin e kryeplakut për fillimin e bisedimeve. Ata parashtruan kushtet e paqes afatgjatë, minjtë dhe zvarranikët kërkonin kohë për tu zhdukur. Këmbyen dhurata dhe kërcyen vallen e miqësisë nën tamtamin e daulleve.

Përflitet se mund të ketë qenë pikë e fshehtë takimi i dy të rinjve të dashuruar, por që nuk mund të bashkoheshin mbasi u përkisnin dy fiseve armike. Gjithnjë tragjedia ‘Romeo dhe Zhuljeta ka simotra të dhimbshme në çdo cep të globit. Qysh atëherë kur filloi të regëtinte zemra dhe të flatronin krahët e ndjenjave rinore. Dy të rinjtë udhëtonin me kano, natën, vetëm, duke mbajtur vesh zërat e largëta nëpërmjet lumit të rrjedhshëm për të shprehur ndjenjat më të zjarrta. Çfarë u bë më vonë me ta u vranë, lanë veten të rrëmbeheshin nga rrjedha, u mbytën, apo u bashkuan, jetuan të lumtur dhe fiset e tyre jetuan në paqe?

Mos ndoshta ujërat e Muskokës nën zhaurimën e përjetshme fshehin sekrete të tjera edhe më të mëdha?

Shumë vite më vonë, vendasit e hershëm të pakësuar, të detyruar. Me zemër të lënduar prej humbjeve të mëdha në njerëz dhe kafshë, ngarkuan pajisjet, çadrat dhe ushqimet  dhe lëvizën ngutshëm për në veri. Aty ku kish më shumë dëborë, cikna dhe erëra, por më shumë liri dhe qetësi. Lanë pas tokën, por morën me vete shumë gjëra që u përkisnin vetëm atyre dhe askujt tjetër së bashku me legjendat. Gjithçka u thërrmua, u bë pluhur nëpër brigjet e thikta të shekujve.

4

Liqeni Muskoka nuk është liqen i madh si Superior, Ontario, Huron, Miçigan etj. Të cilët nuk janë shumë të përdorshëm për tu larë. Janë të ftohtë, gjigantë, të shtrirë midis dy shteteve dhe nuk mund të ngrohen aq lehtë prej diellit. Por dhe jo shumë të pastër.

Muskoka është liqen zonal me bukuri karakteristike, krijuar në një mjedis të mrekullueshëm. Siç janë me qindra liqene të mëdhenj dhe të vegjël në Kanada. Por liqeni Muskoka është më i veçantë se të tjerët, me ishuj të vegjël, të pyllëzuar dhe me shtëpi të bardha në breg, të cilat më së shumti lëshohen me qira. Të joshën liqeni me butësinë e njëtrajtshme të tokës, nën nivelin e ujit. Nuk është i thiktë dhe me gropa por miqësor dhe ngrohës. Mund të ecësh shumë në brendësi të liqenit dhe uji të vjen në një nivel, pothuajse deri në brez. Noton i shpenguar, ndalesh, pushon qetësisht dhe gjithë kënaqësi. Noton përsëri. Si ajo nëna e re, Daniela e cila ka vendosur fëmijën topolake, motake në një kamerdare plastike të improvizuar si shtëpizë kukulle, të gjelbër, me palmë përsipër. Daniela ndalon, shtrydh flokët e verdhë, lëviz trupin hijshëm si një amazonë, përgjon fëmijën e gicilis, i qesh dhe e shtyn me kujdes në ujin e qetë.

-Danielë të lutem, mos e mbaj gjatë fëmijën në ujë, - i thirri Skotti prej bregut. Burrë shtatlartë, zë trashë, me një nishan të madh në faqen e majtë, me theks skocez. Ai punon agjent i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive. Biznesi i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive kohët e fundit i kish ecur mbarë. Burrë e grua kishin vendosur të blinin një shtëpi dy katesh me dalje në liqen dhe një jaht të bardhë, të madh.

-Oh i dashur, ti e di, fëmija e do ujin,- ia pat Daniela, bardhoshe e bukur, trupderdhur, gjokspredhë, punonjëse e bankës TD. Ajo qeshi me zë të lartë. Disa ditë më parë menaxheri qejfli e thirri në zyrë dhe i komunikoi emërimin, përgjegjëse e një dege të bankës një veriperëndim të qytetit. Gëzimin  e ngritjes në detyrë dhe rritjes së rrogës, donte ta festonte me familjen. Ngriti fëmijën hopa në krahë dhe u zhyt më të në ujë.

Kristina dhe Brandi, çift i ri, merren me shitjen e blerjen e antikuarëve. Ata ishin puthitur bërë një trup. Putheshin dhe përkëdheleshin gjithë lezet. I futnin kokën njëri tjetrit brenda në ujë, vraponin, ndiqeshin, pastaj argaliseshin me të madhe. Shandani i florinjtë me vlerë i plakës së verbër Qeti, të lagjes ‘ Fija e barit,’ u ble shumë lirë. Mund të bënin një dorë me dollarë. Ata kishin marrë një hyrje me qira në hotelin ‘Patkoi’.

Nxënësit e klasës sportive të bejsbollit, bënin garë stërvitore. Drejtoheshin prej veteranit Brajën, i cili kish marrë me vete mbesën e vogël, një vajzë topolake, dhjetë vjeçe, me gërsheta të verdha. Çifte pleqsh të shkuar në moshë të kapur dorë për dore ecin në ujë me ngadalë, ulen në gjunjë lagin trupin dhe ecin përsëri. Tufa fëmijësh si zogj nën kujdesin e prindërve luajnë me top dhe lahen pranë bregut. Disa prindër të tjerë mbajnë fëmijët kaliqafë dhe prej andej i lënë të kërcejnë dhe zhyten në ujë.

Ditë e paqme korriku me diell dhe lirshmëri.

5

Po afronte mesdita kur ndanë rrugës, pranë rrotës së vjetër metalike Xhon i rrepti, mullixhiu ndaluan katër makina, vena bojë hiri. Prej andej zbritën me nxitim ardhësit e vonuar, të fundit. Katër burra ezmerë, tetë gra të mbuluara fund e krye me rroba dhe një tufë e madhe me fëmijë. Burrat mbajtën një copë herë duart mbi ballë si strehë, pa vendosur se çfarë duhet të bënin. Biseduan, debatuan, heshtën. Gratë qëndronin grumbull më tej me duart në pëqi, së bashku me fëmijët e zhurmshëm. Lëndina ishte mbushur plot me pushues dhe nuk kish vend për ta. Fëmijët lëviznin të paduruar, ngacmonin njeri tjetrin dhe tërhiqnin nënat prej fustaneve të gjata, luteshin të qëndronin, të argëtoheshin dhe ata si gjithë fëmijët e tjerë. Burrat qëndronin të vrenjtur të menduar dhe këqyrnin pafolur pushuesit që shëllëreshin të zhveshur. Liqeni i kaltër, motoskafët e zhurmshëm, jahtet shkisnin butë si pulëbardha të mëdha dhe vilat e bukura përqark i joshnin. Gratë u flisnin me zë të ulët fëmijëve të mbanin qetësi, në pritje të vendimit të burrave.

Burrat më në fund lëvizën si një trup lart në cep të rrugës, ku gjendej një copës lëndinë. Pranë gardhit prej dërrase të pronës private dhe ku lartësoheshin dy pemë të larta. Kokat e grave ishin drejtuar nga burrat. Ata hijerëndë, me përtaci u bënë grave me kokë se u vendos të qëndronin. Ato me gjallëri hapën bagazhet e makinave, nxorën kuverta shumëngjyrëshe prej pambuku dhe i shtruan mbi bar. Dy fëmijë u rrokullisën të shpenguar mbi kuverta. Gratë u folën të largoheshin, shtruan celofan mbi kuverta. Ato u ulën më bisht dhe nisën të shpërndanin për fëmijët pita të holla, të bëra rolle, të mbushura me perime të ndryshme. Çamarrokët e vegjël lëviznin mbi kokat e prindërve të tyre gjithë zhurmë si trumcakë të paduruar dhe kafshonin pitat me shpejtësi, me dhembet e përparmë si ketra. Ushqimi i shpërndarë u përrla sa hap e mbyll sytë. U ndanë pitet e dyta të mbushura me perime.

Fëmijët fshinë duart ku mundën të paduruar kthyen kokat nga prindërit. Ata e mbushën barkun, prisnin të jepej prej tyre urdhri për tu afruar drejt ujit. Njëri prej burrave foli me zë të rëndë:

-Fëmijë, mund të thekeni në diell.

Fëmijët sa hap e mbyll sytë flakën teshat dhe qëndruan në të mbathura. Ata filluan të gilicisnin njëri tjetrin dhe qeshnin me zë të lartë. Burrat dhe gratë vështronin fëmijët. Ata nuk u zhveshën për të bërë plazh.

Një fëmijë i dobët në cep të grupit, vështroi majtas dhe djathtas. Ai ishte ndër më të vegjlit dhe nuk u vëre kur u shkëput me kujdes prej vëmendjes së prindërve dhe theri poshtë, në breg të liqenit. Tinës filloi tu bënte me shenja fëmijëve të tjerë të ndiqnin dhe ata shembullin e tij. Njëra prej grave u kthye me vërtik dhe i thirri të birit zë grindur, në gjuhën e tyre të kthehej. Por kjo u tërhoqi vëmendjen fëmijëve të tjerë të cilët u turrën poshtë me zhurmë dhe rrëmet aty ku veronin pushuesit të shpenguar. U dëgjuan bërtitjet e trembura të grave të mbështjella fund e krye me rroba, me ferexhe dhe fustane të gjata. Burrat automatikisht kthyen kryet të zymtuar dhe vrapuan mbas fëmijëve. Vendasit u ngritën në bërryla dhe lëvizën të shqetësuar prej poteres së pazakonshme. Vështruan me bezdi, gati me mëri fëmijët e zhurmshëm, të shkujdesur, të grumbulluar në shkallinat e bregut të liqenit në pritje për tu futur në ujë.

-Duken ardhës të rinj, emigrantë nga lindja e mesme, ndoshta nga Arabia Saudite,- foli nëpër dhembë dhe me përtesë plaku thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër ‘Gota’, dalë në pension vite me parë, frekuentues i përhershëm i plazhit. Ai rrëzoi mbi sy, me mërzi kapelën e bardhë strehëgjerë.

-Mendoj se janë nga Afganistani, - i foli me bindje Ruana e shoqja, një grua vithegjerë, me gjinj që i vareshin si trasta dhe me syze të mëdha dielli.

-Mendon se ato gra të mbuluara fund e krye duhet të zhvishen dhe të lezetohen prej ujit, - foli Harri me zë të ulët të mos e dëgjonin të tjerët.

-Plako nuk të harrin më gjuha tek hunda dhe mos llomotit kot- foli nëpër dhembë Ruana: - Ato nuk zbulojnë fytyrën në praninë e një të treti dhe jo më të zhvishen.

-Ruana të lutem lëri broçkullat. Gjuha ime tani është mbledhur bërë shuk,- tha Harri dhe kroi me nervozizëm gjoksin si dërrasë të vjetër:- Ja shiko është me të vërtetë paradoks. Njerëzit vijnë këtu në plazh të zhvishen, të lahen në liqen dhe ti a ekspozojnë trupin diellit. Ndërsa këto krijesa që aksidentalisht janë gra vijnë të mbuluara me një vandak me rroba?! Më thuaj moj grua, ç’dreqin duan ato këtu?

-Plako, lëri të bëjnë çfarë të duan, nuk është puna jonë. Këtu tani plako po vjen dhe cingli majmuni,- foli Ruana me zë të lodhur dhe vendosi parakrahun mbi sytë.

-Të lutem mos më thirr plako,- u grind Harri.

-Po ti plak je,- nuk tërhoqi pe Ruana.

- E di, plak jam, por të lutem mos më thirr me vend e pa vend. Sepse kur më thua plako ma bën koka bam, -u ankua Harri. Ai donte të shtonte se dhe ti je një plakë e shpifur, gërdallë më keq se unë. Një brumë i qullur, lëngëtyrë, e tjera e të tjera. Por nuk ia mbajti. Ajo do ta bënte pestil.

-Mirë, nuk të thërras,- foli gruaja e bezdisur.

-Më premton?

-Të premtoj.

-Faleminderit e mira ime Ruana. U prish bota, për atë zot u prish,- murmuriti Harri dhe shtoi me bindje: -Ato gra nuk mund dhe nuk duhet të futen në ujë me gjithë rroba. Gjithsesi liqeni ynë Muskoka ka kodin e deshifruar prej nesh dhe shenjtërinë e vet të respektuar.

-Mos e lodh kokën pla.., me kode, shenjtëri dhe ku di unë çfarë..,- ia bëri e bezdisur Ruana dhe i ktheu shpinën.

Harri u përtyp por nuk foli. E shkeli si zakonisht premtimin e dosa, brumi i ardhur, përsëri ia këputi një: pla... duke copëtuar me dhembë K-në.

6

Tufa e madhe e fëmijëve, si një grumbull pata dhe rosa të vogla vrapuan drejt ujit të shoqëruar me britma të papërmbajtura gëzimi. Klithnin, fshikullonin ujin, ngrinin stërkala, lagnin njeri tjetrin, drithëroheshin, fërkonin trupin, të ngroheshin prej ujit të ftohtë dhe më pas argaliseshin me të madhe. Mbas tyre lëvizte në ujë me ngathtësi njeri prej prindërve, fytyrë ezmere, rrumbullake, me pak mustaqe. Ai mbante veshur bluzë të lehtë pambuku, me vija të gjelbra dhe blu të errët, të qullur dhe të ngjitur pas trupit.

Gratë me ferexhe si në një film pa zë ecën ngadalë, zbritën në njësh kolonë. Pushuesit ndoqën me sy baritjen e tyre të plogët. Ato qëndruan të ndrojtura në pragun e shkallinës së parë që të çonte në liqen. Në këtë plazh dielli digjte dhe të gjithë pushuesit ishin të zhveshur. Ato gra dukeshin tmerrësisht të çuditshme. Vajzat e reja laheshin, shtriqeshin dhe bënin banja dielli, mbanin veshje plazhi me dy gisht mbathje dhe sutjena.

Gratë e mbuluara me rroba të rënda dhe ferexhe lëvizën, u bënë rreth dhe diç folën mes tyre. Dy vajza tre hapa larg tyre ishin shtrirë përmbys dhe kishin zbërthyer rikat e holla të sutjenave. Dalloheshin shkoqur një pjesë e gjokseve turbulluese, të bardha dhe të mbushura. Gruaja me ferexhe, ajo më e gjata, shtatlarta vështroi me bisht të syrit lakuriqësinë e shpallur dhe ndehu krahun drejt liqenit.  Dy gra të tjera, ato më të mbushurat dhe më të shkurtat hodhën një hap prapa dhe u kthyen shpinën me nervozizëm lakuriqësisë tunduese së vajzave vendase. Krahu i shtatlartës qëndronte i ndehur.

-Allah!- mërmëritëm ato me mëdyshje u bashkuan përsëri me grupin.

Gratë mbajtën këmbët dhe qëndruan në një vijë. Të pavendosura, frika e ujit apo furtuna e burrit. Uji shushuriste. Ato nuk zhvisheshin, të nxirrnin në mexhlis  lakuriqësinë mëkatare të femrës dhe burrat nuk kishin ç’të thoshin. Nisën të zbrisnin shkallinat një nga një me plogështi, gati me frikë.

Dikush prej pushuesve u kollit me qëllim. Një tjetër teshtiu. Lart në kupë të qiellit dielli i korrikut përvëlonte. Në ujë reflektoheshin me miliona kristale shumëngjyrëshe. Njëra prej grave futi dorën në ujë. Ajo është shtatlarta, Shehrazadja, vetullharkuara, qerpik gjilpëra, gruaja e dytë e Amidit. Shehrazadja lëvizi gishtat në ujë, e llokoçiti.

-Oh!- Ia bëri, me psherëtimë të thellë, të heshtur. Ajo zbërtheu kopsat dhe lidhëset e shumta. Fërkoi gjoksin e vogël, barkun, deri poshtë, por me kujdes të mos e shikonin gratë e tjera dhe pëshpëriti symbyllur:- Allah! Allah! Pse vallë i ke dhenë ujit kaq lezet?

Kur ish fëmijë ajo kish ëndërruar të bëhej balerinë. Vallëzonte shumë bukur, por përgjohej prej syve të errëta, lakmimtare. Pesë herë u thyen xhamat e dritareve. Nëna pëshpëriste zëulët se xhamat i thyen era e marrëzisë. Babai duke shkrofëtirë rrëmbente pushkën dhe turrej nëpër natë. Qëllonte në ajër, shante dhe pështynte gjithë inat. Kur një plumb i erdhi prej errësirës dhe i zhvoshki llapën e veshit, ai e martoi me Amidin e kamur, i cili ia kish kërkuar vite më parë. Amidi e zhveshi lakuriq qysh natën e parë, pa i vënë veshin lotëve të saj. Ata bënë seks nën dritën e qirinjve. Amidi ish i kënaqur. Vështronte trupin e derdhur të gruas së dytë, njollën e gjakut në çarçaf dhe pinte nargjile.

Ëndrra iu bë njëherë e përgjithmonë pluhur dhe hi. Ajo u bë një grua që do të jetonte e mbuluar dhe brenda katër mureve të shtëpisë së madhe të Amidit. Në mbrëmje hynin karvanë me gamile dhe në mëngjes dilnin kolona me makina.

Trupi i Shehrazades u drithërua prej freskisë së ujit. Iu duk sikur do ti binte zali prej kënaqësisë. Ajo dëshironte ti mblidhte në grushte reflektimet diellore dhe kristalet ujore. Ajo ishte shumë e re, trupderdhur,gjoksvogël, si dy portokaj.  Donte të ish e zhveshur, të admirohej prej meshkujve dhe të thekej prej rrezeve diellore si gjithë pushueset e tjera vendase. Pa vështruar nga gratë e tjera, hodhi në ujë këmbën e majtë, të mbuluar dhunshëm prej fustanit të gjatë.

‘Shëet Shahrazade! Mos po bëjmë një të paqenë? Allah! Allah! Se si më vjen!’- I pëshpëriti Sahara, gruaja e parë e Amidit.  Amidi më shumtën e kohës flinte me Shahrazaden. E verbonte burrin bardhësia marramendëse e trupit të kolmë të gruas së re. Sahara nuk ankohej për braktisjen e heshtur e të shoqit, por sytë e saj qëndronin gjithnjë të trishtuar. Ajo përgjonte Shahrazaden kur lahej në vaskë në dhomën e mënjanuar të grave dhe me sy ziliqarë sodiste trupin e derdhur, këmbët e drejta dhe gjoksin e vogël. Sahara vuante prej sëmundjes së sheqerit edhe pse bënte gjithnjë ëmbëlsira. Amidit i pëlqenin sheqernat dhe ajo i përmbyste pa kursyer me shurup.

-Allah! Allah!- Pëshpëriti një tjetër.- Mos është gjynah!

Shehrazadja nuk u ktheu përgjigje. Pse gjynah është të lahesh në ujë! Asaj i vinte të çirrte me thonj këto tesha të rënda, të zhvishej lakuriq dhe të kridhej në ujë. Edhe pse ish nusja më e re, kish qenë iniciatorja e parë për të lëvizur, vizituar liqenet dhe mjediset e Kanadasë. Përderisa pranuan kompromisin dhe u larguan prej atdheut, ndryshuan vend dhe mjedis, duhet të përshtateshin me ambientin. Ishte koha për ndryshim. Kur ia tha këto mendime Saharasë. Ajo kafshoi buzën dhe e vështroi me dyshim.

Burrat e pranuan në heshtje kompromisin e sipërfaqshëm, për të argëtuar fëmijët. Po të ish për Shehrazaden, do ti kish flakur me kohë këto tesha të tmerrshme që i mundonin shpirtin dhe trupin. Feja dhe ligjet e saj ishin jashtëzakonisht të ngurta.

Shehrazadja qëndroi një copë herë e ngurosur. Mbajti vesh zërat e largëta dhe zërat e afërta, të fshehta të ujit. Sa e madhe dhe zemërgjerë është bota dhe sa të ngurta janë dëshirat e njeriut. Përkuli  trupin me shkujdesje dhe lëvizi përpara. Uji i hyri nxitimthi në trup, u rrëqeth. Më pas hodhi këmbën tjetër. Freskia e ujit e joshi, hyri deri në mes. Oh! Se si i vinte! U zhyt e tëra.

‘Oh!’ Ia bëri ajo përsëri dhe teshat e saj u frynë menjëherë. Iu bë sikur era ia shkuli rrobat e rënda dhe i flaku tutje. Ajo ish lakuriq si një sirenë uji. I dukej sikur vallëzonte në ujin e kthjellët. Mbas saj u ngutën të futeshin në ujë dhe gratë e tjera. Me frikë se mos ndërronin mendje nën forcën e zakonit. Dhe qëndronin pranë bregut të liqenit nën urdhrat e ashpra të burrave.

Gratë të hutuara rrotulloheshin në ujë krahëhapur, me ngathtësi. Ngjanin si shpendë të çuditshëm, pendë qullur të zbritur rastësisht në liqenin e largët, verior Muskoka. Uji rreth tyre shushuriste. Sa të bezdisshme janë rrobat kur rëndohen prej ujit.

7

U lëkund qetësia rutinë e një dite të zakonshme plazhi. Pushuesit vendasi lëvizën nëpër stola, shilarës dhe mbi peshqirë, por pa u ndryshuar shprehja e ngrirë e fytyrës. Rrëmeti e fëmijëve, ardhësve të vegjël, prej vendeve të largëta dhe të paftuar, arriti kulmin. Ndërsa zhytja në ujë e grave të mbuluara funde krye me tesha të rënda u la një shije të habitshme, athët, të dalë jashtë kohe, gati jashtëtokësore.

Sigurisht vendasve nuk u erdhi mirë, sidomos prej tetë masave të mbuluara fund e krye me rroba. Brenda tyre aksidentalisht fshiheshin gratë ardhëse, të cilat i lezetoheshin padrejtësisht ujit dhe lëviznin si palombarë të çuditshëm. Skotti mërmëriti nëpër dhembë:

‘Do ish mrekullisht bukur, sikur ato gra si lëmshe, të sodisnin reflekset ujore prej bregut të liqenit tonë të dashur Muskoka.’

Stive mblodhi supet, por nuk i foli.

Daniela doli me ngutje prej ujit, duke lëvizur shpullat e hijshme dhe vithet e kolme. Ajo qëndronte e vrenjtur në fytyrë, ndërsa trupi i saj i derdhur dukej tejet seksual. Daniela vendosi në cep të stolit kamerdaren e improvizuar si shtëpi kukulle me palmë përsipër. Hapi përdhe mbi bar një kuvertë me lule dhe nisi të ndërronte fëmijën që argalisej prej kënaqësisë.

-Daniela mendon të futesh përsëri në ujë?- E pyeti Skotti.

-Nuk e di,- u përgjigj thatë ajo.-Po ti?

Skotti flaku tutje në fije bari dhe mërmëriti:

-As unë nuk e di.

Harri ish ngritur në bërryla syzgurdulluar dhe me qafë të ndehur nga liqeni.

-U, u, u, u, Ruana! Shiko, shiko atje në liqen! Ato me gjithë mend u futën në ujë, - foli zëdridhur Harri.

Gruaja u kthye me përtesë dhe mblodhi buzët.

-Pëf!-ia bëri.

-Një hop besova se ish lojë e syve. Nuk gjetën ato gra vend tjetër, të lajnë rrobat, po pikërisht në liqenin tonë,- shtoi Harri me zë të holluar prej ankimit .

-Të pëlqente ti shikoje ato gra të zhveshura,- ia pat me ironi Ruana.

-Jo,- hungëriti Harri.

-Sa do rrojmë do mësojmë Harri,- ia priti Stive topalli dhe vazhdoi: - me sa kam dëgjuar Harri. Ato gra të janë thëngjij të mbuluar, po ti prekësh pak, të përvëlojnë, ta bëjnë trupin me fulltaka.

- Si të gjitha gratë,- mërmëriti Ruana dhe lëvizi në krah. Hodhi një vështrim të vrenjtur drejt grave të mbuluara me ferexhe, pastaj mbuloi kokën me peshqir.

Vendasit nuk donin të ngatërroheshin. Ata u tërhoqën me kujdes, pa shumë dëshirë, duke ju lënë ardhësve të zhurmshëm dhe çamarrokë hapësirë më të madhe në brezin e parë të liqenit të kthjellët Muskoka.

Dielli kish qëndruar në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Uji i liqenit ishte i qetë si një pëlhurë e nderë.

Gratë e mbështjella me ferexhe dhe fustane të gjata gjithë pala, lundronin si kërpudha të mëdha. Befas si me komandë ato dolën një nga një nga prej liqenit. Barisnin ngadalë, me vështirësi, si të ishin të lidhura me vargonj. Rrobat e tyre kullonin përdhe rrëke uji. Në ecje e sipër, me nervozizëm shtrydhnin teshat e rënduara. Njëra prej tyre, ajo më shtatlarta, Shehrazadja, largoi me padurim cepin e ferexhesë dhe e shtrydhi. Syri i saj ishte i madh dhe lëkura fytyrës i ndriste.

-Ia pashë syrin njërës prej tyre. Për atë zot që ia pashë. Oh! Të zi dhe sa të madh e kish, sa një filxhan. Shikimi i saj ish si një shigjetë e flakëruar,- murmuriti Stive topalli dhe shtoi me zë përdëllestar: - Këtu në plazh i ke fermat si ti duash. Të bardha, ezmere, të kolme, elegante, me dy gisht brekë, me një ripkë të hollë sa mbulojnë thithat dhe nuk u shtije sytë. Sa më shumë mbulohet femra, aq më tepër zhuritet mashkulli, bëhet verem.

Fëmijët ardhës po josheshin dhe mrekulloheshin prej ujit të liqenit dhe nivelit të tij. Ish pa gropa, i sheshtë, ndryshe nga sa i kishin këshilluar prindërit e trembur. Filluan të ngrinin stërkala të madha dhe të luanin me një top të vogël. Ia hidhnin topin njëri- tjetrit, shtyheshin, ngatërroheshin dhe qeshnin.

Sahara u ndje e shqetësuar, ndërpreu shtrydhjen e teshave, lëvizi kryet me vërtik dhe u foli grave. Ato si një trup i vetëm lanë shtrydhjen e teshave, ngritën kokat. Me zë të holluar, si klithma shpendësh nisën tu bërtisnin fëmijëve të mos shkonin thellë  në liqen. Një tjetër prind, Sadiu, me mjekrën korb të zezë dhe me bluzë të hirtë u fut me nxitim në ujë. Fëmijët nuk dëgjonin, i kish përfshitë loja. Ata ishin të mbërthyer prej loja dhe shpengimi  bukur.

8

Filloi të frynte një erë e lehtë. Pushuesit vendas po bezdiseshin gjithnjë e më tepër. Ata ishin mësuar me qetësi dhe maturi, nuk e bënin veten. Me indiferencë të sipërfaqshme merreshin me njeri tjetrin, luanin me letra.

Gruaja me shtat të lartë e mbante kryet vazhdimisht të drejtuar nga liqeni. Shehrazadja me padurim të hapur, tërhoqi pas vetes gratë e tjera të mbuluara me ferexhe. Ato e kishin fshirë përfundimisht hezitimin, me shumë hynë dëshirë përsëri në ujë. U zhytën deri tek shpatullat, dikush futi dhe kokën. Ato ngjanin si kërpudha të mëdha. Shehrazadja fërkoi me marifet, përkëdheli,  këmbët, krahët, gjoksin. Uji i liqenit i ngjau tejet epshor. Ajo u nervozua me veten dhe me hallkat e tepërta që mbanin emrin tesha. Sahara iu fërkua në shpinë, por mërzit shpejt. Vështroi me frikë nga i shoqi. Fytyra e Amidit i ngjau si një mot i vrenjtur. Amidi ish burrë i ashpër me rregulla të forta në familje dhe ajo i trembej. Hem, burrë i ashpër! Por me këtë Shehrazade gjithë naze bënte një sy qorr dhe një vesh të shurdhër. Apo ngaqë ish re e freskët dhe e shkrinte në krevat e bënte telef. Ajo i përgjonte. Sa herë Amidi ngrihej prej shtratit kërkonte të fuste diçka në gojë. Mbushte bullçintë me çka gjente, përtypej rëndë, fërkonte gjoksin dhe humbiste në dhomë, ku e priste e zhveshur e ndezur Shehrazadja.

Sahara më kot nguli këmbë të dilnin prej ujit. Kur e pa që askush nuk e dëgjoi, u zhyt disa herë në ujë duke hapur këmbët dhe shtrirë krahët dhe murmuriti:

-Për Allah, mos po bëjmë gjynah!

Gratë e tjera nuk i kthyen përgjigje, por kontrolluan me gishtërinj, nën ujë teshat, mbërthyen kopsat, karficat, shtrënguan rripat. Fërkuan edhe njëherë vendet delikate, duke i llokoçitur. U çuan dhe dolën pa qejf.

Dhe nëse ardhëset e vonuara nuk u zhveshën. Të flaknin tutje fustanet e gjata, të brendshmet çitjane, përsëri të brendshmet e tjera me pala, deri tek të linjtat e holla pështjelluese, nëse mund të kishin të tilla. Ato sigurisht do hiqnin me ceremoni shamitë trekëndore me xhufka dhe më në fund hallkat shtrënguese ferexhe, të cilat mbulonin dhunshëm fytyrat. Sidoqoftë të gjitha këto hollësi delikate, që të ndiznin kureshtjen. Ishin çështje intime të zhveshjes së grave të ardhësve prej vendeve së lindjes së mesme. Nuk u përkiste vendasve. Ata janë tolerantë, të mësuar shumë lehtësisht me zhveshje dhe lakuriqësi, jo vetëm në plazh por në rrugë, mitingje dhe kudo. Deri tek nxjerrja e kofshëve, barqeve dhe kërthizave ku janë mbërthyer dhe varen zilka të vogla.

Vendi i tyre me demokraci të respektuar i lejon  të gjitha modat, veshjet, mendësitë dhe zakonet. Kostumet e rënda dopiopet. Xhins të ronitura, të prera kryq e tërthor. Xhingla mingla. Me tre palë brekë të veshura njëra mbi tjetrën dhe me dhjetë palë bluza. Me turbe shumëngjyrëshe sa dy koka bashkë. Me fustane të gjata dhe të shkurtra. Me çitjane dhe tallaganë. Me ferexhe si perde, ku të mbahet fryma dhe nuk lë të hyjë drita dhe dielli. Deri tek lakuriqësia dypalëshe e lakmuar biseksuale, shpesh herë e shpërdoruar, banalizuar. Ronitja e seksit kish kaluar në ekstrem, ish zhbërë. Dikush pëshpëriste me maraz se: prej mbingopjes, lakuriqësia njerëzore ish zhvleftësuar, bastarduar me tatuazhe të pështira, ogurzeza, vampirë që të kallnin datën.

Së paku ardhësit e vonuar të mos i lejonin fëmijët të bënin gjithë këtë zallahi të panevojshme sa tu shkaktonin të tjerëve dhembje koke. Liqeni është i madh dhe ka hapësirë për të gjithë. Le të lodrojnë. Njeriu shkon në plazh të çlodhet, të largojë nga mendja stresin e ditës dhe të marrë reze të çmuara dielli. Kur dihet mirë që në këtë vend, ka dimër të gjatë me ngrica dhe dëborë të madhe. Vetëm disa muaj të kushtueshëm me diell të ngrohtë.

9

Plaku thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër ‘Gota. ‘ Me kapele republike të rrasur deri tek veshët lapucere dhe lëkurë të përskuqur prej diellit, lëvizi me ngathtësi qafën dhe me zë të shuar iu lut Ruanës të lajmëronte ambulancën.

-Çfarë,- ia bëri e shoqja pa hequr peshqirin nga koka.

-Nuk po ndjehem mirë.

-Ke gjithë ditën shtrirë, të ka rënë dielli në kokë, ngrehu lëviz,- foli Ruana.

-Si të lëviz, kur kam një gërç këtu në gjoks dhe nuk po mundem të mbushem me frymë,- u ankua ai.

Ruana largoi peshqirin dhe ngriti kokën me përtesë.

- Po të mos ndjehesh mirë ikim. E lëmë këtë ditë të bukur dhe shkojmë në shtëpi,- i tha ajo dhe mbështeti bërrylin në stol.

Harri nuk i ktheu përgjigje, krahët dobëta të tij u varën në stol.

-Harri dëgjon.

Ai heshte.

-Plako! Harri!

Lart në rrugë kaloi një grua police me biçikletë. Ruana e shqetësuar i kërkoi ndihmë. Policja një grua energjike, me trup mesatar, la biçikletën buzë rrugës dhe zbriti me nxitim. I mati pulsin plakut Harri. Ruana ndukte gishtërinjtë me dhembë dhe vazhdoi të mërmëriste me vete se qysh mbrëmë plakushi Harri e kish pasur tensionin e ulur. Është kokë mushkë plaku, nuk dëgjoi të qëndronte në shtëpi, nuk donte te braktiste traditën për të dalë në bregun e liqenit.

Menjëherë vëmendja e pushuesve u shkëput nga fëmijët ardhës që zhurmëtinin në liqen dhe u përqendrua tek Harri thatim, të cilit i kish rënë të fikët. Policja i foli në radio me urgjencën e spitalit të qytetit: ’Engjëlli i bardhë,’ të dërgonte menjëherë ambulancën. Ajo iu lut dy djelmoshave ta ndihmonin ta mbartin plakun nën pemë, larg rezeve të nxehta të diellit. Policja hoqi me nxitim kapelën dhe xhaketën. Largoi kureshtarët e shumtë që vështronin të shqetësuar trupin e lëshuar të plakut Harri dhe nisi ti bënte frymëmarrje artificiale. Ruana pak më tej përlotej në heshtje dhe nuk pushonte së mërmërituri. Ngjante si një masë e qullur mishi e lënë në harresë.

Këmisha e kaltër e polices u qull menjëherë nga djersa. Mbas disa minutash Harri përpëliti sytë, i hapi dhe vështroi përqark i hutuar. Ruana qeshi me histeri e lehtësuar dhe kroi gjoksin e lëshuar. Bashkëqytetarët morën frymë të lehtësuar.

-Dreq Harri, dreq! Na bëre me zemër,- ia  bëri Skoti buzagaz dhe shtoi:- Sëmuret burri prej një fashë dielli.

Plaku Harri lëvizi qafën me ngadalë dhe buzëqeshi me vështirësi.

-Nuk vdes lehtë Harri jo, pa provuar dhe shijen e gruas së gjashtë,- ia pat me shaka Brajën, pa lëshuar të mbesën nga dora e cila donte të përzihej me fëmijët e tjerë.

Ruana lëvizi kokën me vrull, vështroi nga Brajën me inat dhe i shfryu:

-Qërohu tutje Brajën. Shkoi vapa me gushtin për Harrin. Tani duhet ti a mbash veglën të ngritur me spango. Apo ta ka qejfi ty të futesh e të kullosësh në luadhin tim.

-He,he, he,- hungëriti Brajën. E cimbisi gruan lehtë më krahun e trashë, llurbë dhe i pëshpëriti  pranë veshit:- Bëra shaka moj Ruana. Luadhin tënd unë e kam kositur kur bari ish shumë i

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7