Hyrje | Art Kulture | Baki Ymeri: Milioneri shqiptar që vdiq në varfëri

Baki Ymeri: Milioneri shqiptar që vdiq në varfëri

Baki Ymeri: Milioneri shqiptar që vdiq në varfëri

MILIONERI SHQIPTAR I BUKURESHTIT VDIQ NË VARFËRINË MË TË MADHE

Nga Baki Ymeri

Rrënjët shpirtërore të traditës shqiptare në Rumani, sipas Lasgushit, “qëndrojnë shumë më fellë, sesa mund të mirret me mënd”. Kolonia Shqiptare e Bukureshtit ishte flamurtarja më e madhe e mërgimit shqiptar. “Kollonija e Bukureshtit ka qenë një Organizatë idealistësh-tregëtarë që mi themelin e lindor të jetës kishin ngritur flamurin e idealit më të pastër kombëtar”. Ideali i tyre, sipas historiografisë shqiptare, ishte Shqipëria, mënyra e tyre ishte veprimi, nevoja e tyre ishte arritja e qëllimit. Nikolla Naço ishte ushtari më i vjetër dhe më energjik i çështjes shqiptare. Burrë i madh i kombit. Apostull i vërtetë i shqiptarizmit. Krijonjës dhe shpirtzonjës i flaktë i shoqërisë “Drita” shqiptare e Bukureshtit. Fytyrë urdhëronjëse dhe heroike. Kryeveterani i veteranërisë shqiptare. Kur shkruan për Nikolla Naçon, Lasgush Poradeci thekson: Shqiptarë epopeikë që nxjerrin tym dhe zjarr nga mushkëritë e tyre të çelnikta... Kur kryetari i famshëm i “Dritës” së tij ra sëmurë në odën e shtëpisë së paguar muaj për muaj, u internua gratuitërisht dhe vdiq në një spital për të vobektë. U varros me pallto të vjetër dhe me këpucë prej karte. Mbushi kësisoj misionin e dukjes së tij në horizontin kombëtar me sakrificën e plotë të vetëvetes, dyke lënë pas institutin me shtylla graniti të një kolonie shqiptare më mërgim.

Nikolla Naço (Korçë 1841-Bukuresht 1913), ishte njeri i inisativës dhe krijimit. “Naçua parashtroj një varg çështjesh dhe veprash për t’u marë parasysh me ringjalljen e Mëmëdheut”. Ashtu e organizuar dhe futur në urdhër me flakërim, po dhe me shumë peshë dhe mençuri, shoqërija “Drita” vazhdoi e pafjetur veprimin e saj drejt propagandës kombëtare, duke u përqëndruar kryesisht në përpjekjet konkrete. Derisa Shqipëria para dhe pasenveriste e qiti në harresë, figurën e tij të ndritur e qiti në dritë një kosovar: Dr. Ismet Dërmaku, me furnizimin e Arkivit të Kosovës me mijëra dokumente të mikrofilmuara dhe me botimin e disa monografive voluminoze kushtuar shqiptarëve të Rumanisë dhe titanit të atdhetarizmit shqiptar, Nikolla Naço-Korça, veprimtar i vlefshëm për atdheun dhe shoqërinë, themelues i Shoqërisë Shqiptare “Drita” dhe i gazetës “Shqiptari”.

Shqiptar i zjarrshëm me temperament të flakshëm

Gazeta “Shqiptari” vazhdonte t’i mbronte kërkesat shqiptare dhe t’i godiste me fuqi bullgarët dhe politikën e tyre në Maqedoni. Nikolla Naço pohonte se u gjend  në rrezik shpeshherë. “Në maj të vitit 1889, nga Sofja erdhën në Bukuresht Panika dhe Cankofi me emra të rrejshëm, me qëllim që të më zhdukin. Në këtë komplot ishte inkuadruar edhe Vezenkofi nga Krusheva, spiun i Ambasadës ruse në Bukuresht. Pasi kuptova, i kërkova t’i vrisja, por nuk i gjeta se kishin ikur”. Nikolla Naço demaskon policin grek të Bukureshtit. Kostos Papagjergjios, ishte grek që një kohë të gjatë punoi në policinë e Bukureshtit, siç duket, i “ngarkuar” për çështjen shqiptare. Sipas Nikolla Naços, ai u lind në fshatin Kombati pranë Artës, ku i ati ishte prift dhe agjent i zjarrtë i panhelenizmit. Në vitin 1895, kur grekët u dyndën në Epir, prifti armatosi fshatarët që të lirohen nga sundimi osman. Pasi dështoi ky veprim, prifti u fal nga autoritetet turke, por u dasht të kalonte në Berat, ku e solli edhe të birin Kostos që nga rinia ishte i frymëzuar në “Idenë e Madhe” greke. Pasi kreu gjimnazin, u tërhoq në Mitropolinë Greke të Beratit. Si duket, në këtë kohë ai e mësoi dhe ushtroi “artin” e mashtrimit dhe të kallëzimit.

Në sajë të “talentit” të tij, u gradua sekretar i Mitropolisë dhe në këtë post i mori në qafë me ndërgjegjen e tij të ndytë shumë shqiptarë të pafajshëm. Flitet, thekson Naço, se shkolla rumune e Beratit pati shumë hetime nga autoritetet turke falë kallëzimeve të këtij greku fanatik. Në Bukuresht erdhi më 1890, pasi ishte përzënë nga posti që zinte në Berat. Edhe këtu, si çdo grek, rronte me prepotencë të “Idesë së Madhe”, duke mbajtur lidhje me Legatën greke në këtë qytet. Duke hequr veten si shqiptar, nuk dihet si u pranua agjent në shërbimin e sigurimit në Prefekturën e Policisë të Bukureshtit. Shpeshherë, shtonte Naço, vishej me kostume shqiptare, e fliste shqipen dhe kudo gjendej në tubime të shqiptarëve që mbaheshin në kryeqytetin e Rumanisë. Më vonë Kostos Papagjergjiosi u bë bashkëpunëtor aktiv i shoqërisë “Maqedo-rumune”. Në çdo kohë me përbuzje sillej kundër veprimtarisë së shqiptarëve të Bukureshtit, sidomos kundër shoqërisë “Drita” dhe kryetarit të saj, Nikolla Naço, të cilit kudo i kërcënohej në emër të shërbimit që i takonte. (Dr. Ismet Dërmaku).

Jashar Erebara me origjinë nga rrethi i Dibrës së Madhe ishte njëri nga nxënësit e Shkollës Normale të  Naços në Bukuresht. Shkolla ishte në rradhë të parë për nxënësit e varfër shqiptarë. Letra dërguar drejtorit të kësaj shkolle, Nikolla Naços, flet se J. Erebara ishte i papunë dhe se jetonte në varfëri të skajshme. Nga brendia e letrës kuptojmë se ai i kërkonte Naços 10 lei për t’i arnuar rrobat e tij të grisura. Sipas burimeve të verifikuara, Jashar Erebarën në vitin 1901 e gjejmë kryeredaktor i gazetës “Selamet Arnautlluk” (Shpëtimi i Shqipërisë) që dilte në Bukuresht. Ku është varri i Nikolla Naços i pyesim ish ambasadorët e Enverit? Pse nuk u interesuan për identifikimin e tij në varrezat e “Shën Premtes” në Bukuresht?

Duke shfletuar veprat e Dr. Ismet Dërmakut kushtuar Nikolla Naços, gjejmë burime të jashtëzakonshme për të zgjeruar njohuritë dhe për të lumturuar shpirtin Tuaj! Me aftësi të veçantë në ndërmarrjet e tij të pambukut në Egjpt, Nikolla Naço u ngrit në milioner dhe në një personalitet inspirativ dhe autoritativ. I frymëzuar nga patriotët e Rilindjes që kishin mërguar më herët në Egjipt, si anëtar i shoqërisë patriotike „Vëllazëria e parë” në këtë vend, në vititn 1877 u gjend në ballë të një togu të rinjsh patriotë që organizuan mbajtjen e meshës së parë në historinë e Rilindjes sonë Kombëtare. Kjo meshë solli konfliktin me konsullin grek të Mansurës, më pas dhe vdekjen e tij nga dora e nipit të Naços, Vangjel Mitko, në Shtator të vitit 1884. Kështu thekson Lasgush Poradeci te gazeta „Tomori” në Tiranë (13 Prill 1942). Sipas historiografisë, ky akt patriotik pati për pasojë largimin e Naços nga Egjipti dhe kalimine  tij në Rumani. Me këtë edhe humbjen e tërë pasurisë që kishte krijuar gjatë 23 vjetëve. Në Rumani, thekson Dërmaku, të vetmen gjë që solli me vete, ishte vullneti, atdhedashuria dhe zjarri patriotik.

Nikolla Naço u vendos në Ploeshti, ku gjendej vëllau i tij, Gjergj N. Naço, që kishte krijuar një pasuri të madhe. Në Nëntor të vitit 1884, Nikolla Naço ishte nismëtar i krijimit të shoqërisë së pavarur shqiptare „Drita” të Bukureshtit, dhe nga 4 Janari i vitit 1887, edhe kryetar i saj, me ç’rast filloi veprimtaria më e dendur kombëtare e Kolonisë Shqiptare të Rumanisë. Historiani kosovar, Dr. Dërmaku, thekson se në Mars të këtij viti, N. Naço kontribuoi në hapjen e Shkollës së parë Shqipe të Korçës, me botimin e Abetares Shqipe dhe Leçiteja Shqipe (libër leximi). “Meqenëse dëshiroja me çdo sakrificë, pohonte N. Naço, ta kryeja programin e saj kulturor e patriotik, vendosa që në këtë vit (1889) ta merrja për sipër organizimin e punimeve botore. U detyrova të punoja pa reshtur dhe fitimet që kisha i përdora për qëllime fisnike të kauzës kombëtare” (N. Naço, Intrigat e huaja kundër kombit shqiptar, botuar në gjuhën rumune në Bukuresht, 1907).

Normalja Shqipe e Bukureshtit u hap 15 vjet para Shkollës Normale të Elbasanit

Në vitin 1892, “Me mjetet e mia u hap në Bukuresht Shkolla Normale me konvikt për të përgaditur “apostujt” (mësues) dhe propagandistë të zgjimit kombëtar. Në këtë shkollë u pranuan shqiptarë të rinj, ortodoksë, katolikë dhe muhamedanë, për të marrë mësim. Për tërë këta u mundësua strehimi dhe ushqimi falas.” (Po aty, fq. 7). Nuk ka patur shqiptar që të mos ketë ardhur në Bukuresht, thoshte ai, e të mos ketë kaluar nëpër Institut dhe të mos ketë prëhapur për të paktën një fjalë inkurajimi, për rolin e tij në fushën e kulturës dhe të arsimit kombëtar. Më këtë mënyrë, - vazhdonte Naço, - më së miri depërtonte ndjenja patriotike te ta, që me kohë u gatuan t’ua transmetonin me enthuziazëm brezave të rinj shqiptarë, atë që kishin mësuar në shkollë.” I entuziasmuar, - siç shprehej ai, - nga malli për të kryer nevojë të domosdoshme, hapa dhe mbajta me shpenzimet e mia, prej 1892-1894, pesë shkolla kombëtare në Kolonjë e në Vakëfe” (Po aty). Shkolla e Vajzave e Korçës, e drejtuar nga Gjerasim e Sevasti Qiriazi, thekson Zt. Dërmaku, nga viti 1891 kishte për patron e kujdestar Nikolla Naçon.

Nikolla Naço me vullnetin e tij të çeliktë arriti të bëhet faktori kryesor, duke përhapur ndjenjat kombëtare te krejt shqiptarët, kudo që gjendeshin e të cilët, në shenjë mirënjohjeje e zgjodhën më 1884 kryetar i Shoqërisë “Drita”, për të hapur tetë vjet më vonë shkollën e parë shqipe të Bukureshtit, me profesorë të famshëm universitarë, ndër të cilët edhe dijetarin B. P. Hashdeu, filoshqiptar i zjarrtë që la një varg shkrimesh jashtëzakonisht të vlefshme për gjuhën shqipe, për prejardhjen, lashtësinë dhe trimërinë e shqiptarëve, si dhe për lidhjet e lashta mes gjuhës shqipe dhe asaj rumune. Rebeka Marta Burda është e bija a nipit të Naços, Vani Burdës. Në një shkrim të saj (“Nikolla Naço, një jetë për shkollat shqipe”), Rebeka ngre zërin e protestës: Nikolla Naço ngriti shkolla nga hiçi dhe asnjë shkollë s’mban emrin e tij. Sipas publicistikës shqiptare kuptojmë se pas hapjes së Mësojtores së Parë Shqipe në Korçë (7 Mars 1887) dhe të shkollës së vashave (1891) në vitin 1892 Nikolla Naço hapi dhe 6 shkolla të tjera shqipe në Kolonjë e Vakëfe. Hapja dhe puna e tyre ishin ngushtë të lidhura me veprimtarinë e mësuesit atdhetar Petro Nini Luarasi. Shkollat u formuan dhe materialisht u ndihmuan nga Nikolla Naço. Petro Nini Luarasi në një letër drejtuar Naços nga Sofia më 31 gusht 1894, mes tjerash i shkruan “Këtu shoqëria “Dëshira” në kanonizmën e vet e ka për të mbajtur mësonjëtoret në Shqipëri, por ndihmën që ua kërkova unë gjer më sot thonë se “ato shkolla janë të Naços dhe quhen të atij”.

Për Nikolla Naçon kanë shkruar një varg studjuesish të shquar nga Shqipëria, por, siç kemi theksuar paraprakisht,  figurën e tij e nxorri në pah një kosovar: Dr. Ismet Dërmaku me librat e tij. Zonja Marta Rebeka Burda vazhdon: “Shkollat u hapën në Rehovë, Gostivisht, Vodicë, Selenicë, Treskë dhe Luaras, me mësues Kristo Luarasin (i biri i priftit patriot Papa Stefani), Vasil Thanas Duro, Nuçi Naçi, Koço Ilia Postenani, Balil Tahiri.” Një pjesë të arkivit të Naços, me letra dhe dokumente të rëndësishme për hapjen e shkollave të para shqipe e ka arkivuar në bibliotekat tona një kosovar: Dr. Sali Bashota, ish drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Konsideratat e Rebeka Marta Burdës (të cilën kemi patur rastin ta njohim personalisht) ndaj ungjit të saj janë importante dhe interesante. Cila është importanca/rëndësia e tyre në adresë të Nikolla Naços? “Në Rehovë mësuesi i dërguar nga Korça qëndroi tri javë. Veçmas u dallua shkolla e Treskës, ku shërbente mësuesi i talentuar dhe më i riu Nuçi Naçi. Si vizionar që ishte Nikolla N. Naço, më 10 Maj 1892 shpalli të hapur Shkollën Normale në gjuhën shqipe e vllahe në kryeqytetin e Rumanisë.

Kjo shkollë kishte dhe konvikt të saj për nxënësit që vinin nga Shqipëria e Maqedonia. Rregullorja e shkollës u botua në formë të një librezë në gjuhën shqipe, rumune e frënge. Në nenin e parë dhe në dokumentat që pasojnë del se Naço ishte kryetar i shoqërisë “Drita”, drejtor i shkollës dhe i gazetës “Albanezul”. Naço këtë kanonizëm të parë të natyrës shkollore shqiptare ua dërgoi burrave të shtetit, së pari në Rumani, Gjermani, Austro-Hungari, Itali, Francë, si dhe shkencëtarëve e dijetarëve të tjerë me letra shoqëruese në formë memorandumi. Fjalët e Martës mbështeten në dokumenta reale dhe objektive. “Më 24 korrik 1892 në letrën që ia dërgoi Dimitrie Butculelscut, kryetar nderi i shoqërisë “Drita”, deputet i parlamentit rumun dhe mik i madh i tij dhe i popullit shqiptar, midis të tjerave shkruan: “Shoqëria jonë e re “Drita” pati guxim të themelonte të parën shkollë me konvikt në Bukuresht e njëherit për drejtor të saj është zgjedhur Akademiku rumun B. P. Hashdeu...”. Më 26 Korrik 1892, Naço iu drejtua Kancelarit gjerman Bismark dhe Perandorit Vilhem II-të në emër të shoqërisë “Drita”, me ç’rast i njoftonte për gjendjen jashtëzakonisht të rëndë politike, kulturore dhe ekonomike në të cilën jetonte populli shqiptar. “Shkëlqesia juaj, patëm guximin t’ju njoftojmë për qëllimin dhe për administrimin e shkollës sonë me bindjen se Perandoria gjermane do t’ia tërheqë vërejtjen Turqisë për të drejtat tona të shenjta...”.

I hapa dyert e shkollës për nxënës orthodhoksë, muhamedanë e katolikë

Nikolla Naço  vepronte me vigjilencë, urtësi dhe tolerancë. Më 27 Korrik 1892, Naço i bëri apel edhe Mbretit të Italisë për ta bindur Turqinë se shqiptarët kanë nevojë për të drejtat kombëtare që i meritojnë. Më 16 Gusht 1892, Naço ia dërgoi një kopje të Rregullores me një letër përcjellëse gjuhëtarit të madh dhe albanologut të njohur çek Jan Urban Jarnik, profesor i Universitetit të Vienës dhe Pragës. Në lidhje me nevojën e themelimit dhe të funksionimit të kësaj shkolle, ja ç’shkruan Nikolla Naço: ”Pas një vështirësie të madhe në vitin 1892 arrita të hap me mjetet e mia të parin Institut Shqiptaro-Rumun, këtu në Bukuresht, një shkollë normale për të përgatitur apostuj dhe propagandistë. I hapa dyert e shkollës duke pritur nxënës orthodhoksë, muhamedanë e katolikë, ku do të merrnin mësim dhe ushqim, që më vonë e nderuan atdheun, sepse e ngritën Flamurin e kulturës e të atdhetarisë në vend, duke vuajtur edhe në burgje e internime.” (N. Naço, Vitorul Românismului în Balcani, f. 66).

Nikolla Naço dinte t’ua kallë shqiptarëve zjarrin e atdhedashurisë. Gjergj Qiriazi e njofton Naçon nga Manastiri, më 1 Tetor 1899, se për në Bukuresht ishin nisur nga Konstandin Kristoforidhi dy nxënës, Aleks Buda dhe Dhimitër A. Pano.Nga arkivi i Dritës dhe fjalët e Martës nga Durrësi dhe Ismetit nga Prishtina kuptojmë se Filip Shiroka shkruante për shkollën normale shqipe të Bukureshtit ”që ka nisë me u themelue për me u mësue djemve shqiptarë gjuhën shqipe dhe mësime të tjera të nevojshme për t’u hapur sytë dhe mendjen. Unë jam gëzue që tue pa që Zt. jote ashtu dhe e ndershmja shoqëria “Drita” keni mendue me ndritun vendet tona, me ja dhanë Shqipnisë atë udhë që një ditë të përparojë sikur shtetet e tjera të Evropës”. (Bejrut, 14 shtator 1892).  Më 3 shtator 1892 nga Berati i shkruan Naços Jorgji Dudë Karbunara për pengesat që hasnin për të dërguar nxënës në Bukuresht. Jani Vreto, edhe pse ishte kundërshtar i Naços, në një letër dërguar mikut të tij, Sotir Kolesë në Ohër i shkruan:”... më thanë para ca ditësh, që i erdhën edhe dy çuna nga Elbasani, një i krishterë e një muhamedan” (Bukuresht, 23 tetor 1894).

Lasgush Poradeci në një artikull të vitit 1932 botuar në Kostancë me titull “Një fatos i veteranerisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti heroik i Kryeveteranit N. N. Naço- Korça” shkruan: “I madhi Naço qëndron kryelartë mu në thelbin e kësaj përpjekjeje trimërore. Ai, i cili atavizmën e thellë të gjakut, me temperamentin entuziast të natyrës së vet, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar me zjarr dhe hekur, ngriti me vete nga labirinti kombëtar Institutin Indipendent më të parë të Veteranerisë sonë tradicionale, shoqërinë e mësimit shqip në mërgim “Drita”, pikërisht Ai pat formuar objektin e atakeve më të rrepta nga ana e armiqve zemërthatë, nga ana e atyre që të vegjël, njëkohësiht nga shpirti dhe mendja, për shkak të ultësisë ideologjike dhe për shkak interesash materiale, ishin dënuar moralisht të mos mund të kuptojnë kurrë nacionalizmin e tij të inspiruar... Nuk ka personalitet më dinamik për gatimin e Njeriut shqiptar sesa Burri i madh i kombit, Dekani i flamurtarëve të Veteranerisë, krijonjësi dhe shpirtëzonjësi plot me famë i shoqërisë “Drita” Nikolla N. Naço- Korca”. Veprimtarinë e shoqërisë “Drita” e ndiqte me vëmendje të posaçme ambasadori i Austro-Hungarisë në Bukuresht, Suzzara. Ai në raportin interesant nr.7115 drejtuar ministrit Golluhovski në Vienë, më 22 Qershor 1893, i njoftonte të dhëna të rëndësishme për shoqërinë “Drita”, për gazetën “Albanezul” dhe shkollën e parë normale shqipe të Bukureshtit, për një Kishë Orthodhokse shqiptare në Bukuresht. Statuti i shoqërisë “Drita”, kryesisht parashihte përhapjen e kulturës shqiptare, botimin e librave shkollorë dhe të gazetave shqipe.

Kisha shqiptare e Bukureshtit

Sipas Rebeka Burdës, çështje tjetër me rëndësi kombëtare ishte futja e gjuhës shqipe në kishat orthodhokse. Lidhur me këtë Nikolla Naço kishte vepruar edhe më parë në Egjipt. Kërkesën për Kishën orthodhokse shqiptare, të redaktuar greqisht dhe shqip drejtuar Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Nikolla Naço deshi t’ia dorëzonte vetë në dorë Patrikut. Për këtë Naço iu drejtua Mareshallit Nusret Pasha, mikut të tij të ngushtë, që të ndërhynte tek ai për ta pritur. Kështu Naçon zyrtarisht e pranoi në audiencë vetë Patriku i Stambollit, Dhionis, si paraqitës të kërkesës zyrtare të formuluar nga ai. Patrikut, Naço i bëri përshtypje të madhe me burrërinë e tij, e vecanërisht njohja e greqishtes “në mënyrë të shkëlqyeshme, të kulluar, në trajtat më klasike të saj”. I tërëshenjtë, po ju sjellim nga një ngazëllim pë orthodhoksizmin, duke ju lajmëruar ngjalljen e Krishtit me popullin shqiptar dhe ngjalljen e popullit shqiptar me Krishtin. Krishti gëzohet se erdhi koha që të lavdërohet sipas Urdhërit të Tij ndër gjithë popujt edhe në gjuhën e popullit të Tij besnik shqiptar”. (N. Naço: Vitorul Românismului în Balcani, f. 50). Kështusoj, konkludon Rebeka M. Burda, kisha shqiptare dhe kombëtarizimi i saj ishte njëra nga kurorat e përpjekjeve të rilindësve tanë që vepruan në mërgim. Së bashku me atë të Bostonit, të formuar nga shoqëria “Besa-Besë”, kjo e Bukureshtit u bë gur graniti i ngritjes së Kishës Autoqefale Orthodhokse shqiptare. F.S. Noli dhe Nikolla Naço mbetën sinonim i saj në historinë e Rilindjes Kombëtare.

Nikolla Naço dhe shembujt e shenjtë të veprave të tij

Historia e gazetës Shqiptari-Albanezul, u lind nga një përkushtim i sinqertë dhe dashuri përvëlimtare ndaj Shqipërisë, ngase ky ishte dhe qëllimi jetësor i Nikolla Naços, kryetar i Shoqërisë Shqiptare Drita. Misioni i Naços ishte flakja e sundimit osman, ndriçimi kulturor dhe integrimi i kombit shqiptar në një hapsirë të përbashkët etnike, gjeografike dhe historike; vetëqeverimi dhe krijimi i Shqipërisë reale përmes përfitimit të pavarësisë. Sipas studimit të Lasgush Poradecit Një fatos i veteranërisë shqiptare, Nikolla Naço „boton të parën gazetë shqipëtare, bën të parën shkollë shqipëtare, inauguron të parën kishë shqipëtare, dorëzon të parën xhami shqipëtare, redakton të parin plan strategjik për Kryengritjen e Madhe shqipëtare”.

Gazeta e Naços, sipas Lasgushit, „ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robëria fisin shqipëtar, duke e ngopur me dashurinë e shentëruar të mëmëdhesë, ta mësojë kombin shqipëtar që ta ruajë me shenjtëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshërve dhe madhërinë e tij të përmëndur”. (Fragment nga Një fatos i veteranërisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti historik i kryeveteranit Nikolla N. Naço-Korça, Konstancë, 1932).  Numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë para 120 vitesh, më 7 Gusht 1888. Gazeta del një herë në javë, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e shoqërisë Drita hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dhe Letëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”.

Nikolla Naço dhe dashuria e tij ndaj Shqipërisë

Sipas historiografisë sonë, Lëvizja kombëtare shqiptare në periudhën e Rilindjes hartoi program të vet strategjik të veprimit, të bazuar në kërkesat që parashtronte çasti historik. Si kryesore në këtë veçoheshin: ngritja e vetëdijes kombëtare, lufta kundër përçarjes fetare me moto: Feja e shqiptarit është shqiptaria, përkatësisht bashkimi dhe çlirimi kombëtar. Njëri nga veteranët e kësaj lëvizjeje të shenjtë, ishte Nikolla Naço, themelues dhe drejtor i revistës 'Shqiptari' (1888), të cilin Fan S. Noli e konsideronte si Ushtarin më të vjetër dhe më energjik të çështjes shqiptare (letër e dërguar nga Bostoni (SHBA) më 28 nëntor 1911). Ndër kolonitë shqiptare të mërgimit, kolonia e Rumanisë ishte më e njohur dhe më e pregaditur për realizimin e një programi të këtillë. Faktet historike flasin së më 16 dhjetor të vitit 1884, në Bukuresht u formua shoqëria e parë e pavarur kulturore shqiptare "Drita". Nga hulumtimet shkencore të Dr. Dërmakut kuptojmë se inspirues dhe prijës i saj ishte Nikolla Naço. Në kontekstin e këtij shkrimi po ndalemi te nipi i tij, Vani Burda, duke përshkruar një pjesë të kujtimeve të tij mbi Naçon, nga operimi i tij e deri në momentin kur ky apostull i shqiptarizmit i mbylli sytë përgjithmonë.

Nga një kartëpostale e 24 Tetorit të vitit 1912, dërguar Vani Burdës (në adresën Calea Mosilor, Nr.388, Bukuresht), nxjerrim në pah të vërtetën se Nikolla Naço ishte i internuar në spitalin Colentina, në sallën Nr.3. Sipas kujtimeve të Dimitrie Butculescut, "I sëmurë me një kancer në hundë, N. Naçua u operua në Spitalin Brancovenesc, para Kërshëndellave 1912. Pas operacionit gjendja iu keqësua gjithnjë e më shumë, derisa vdiq, më shumë nga hidhërimi sepse doktori Petrescu Galati, nja njëzet ditë para se të vdiste i tha se "Nuk kam më çfarë t'i bëj, po të dojë le të varë veten", kurse Naçua, duke shkuar në shtëpi, u tha miqve të vet: Ja ç'më thotë doktori mua, Naços. Do t'ia kisha futur një shuplakë po të kisha qenë i shëndetshëm". Kjo deklaratë e ashpër dhe e egër (e doktorit) ia shpejtoi vdekjen, saqë të mërkurën, më 24 prill 1913, në orën 10 të mëngjesit vdiq në shtëpinë e tij me qira (Calea Mosilor, nr.388).

Ai u transportua në Kishën Ene, të dhënë nga Mitropolia për besimtarët ortodoksë dhe u varros sot, të premten, në orën 3 pas dite, në varrezën Sf. Vinerea (Shën e Premtja), në vendin e blerë nga nipi i tij, Vani Burda. Do të shërbejnë në Kishë urata Fan Noli dhe prifti Harallamb, famullitari i Kishës Ene (Kishë shqiptare). Në orën 3 pas dite isha në Kishën Ene dhe mbajta një fjalim, pastaj eca më këmbë deri te stacioni i trenit, ku hipa në llandonin e priftit Ballamaçi deri në varrezën e Sf. Vinera. Pas varrimit u kthyem në qytet me priftin Ballamaçi. Zoti Vani Burda ishte djalë motre i N. Naços), anëtar i shoqërisë Drita që një kohë funksiononte në Strada Polona nr.89. Informacionin e kemi shkëput nga monografia e Dr. Ismet Dërmakut, i cili bazohet në shkrimet e një funksionari rumun, pa e shënuar prejardhjen e dokumentit, ndaj vdekja e Naços në shtëpi dhe pjesmarrja e Fan Nolit në varrim duken diskutabile. Kartëpostalja që na ka rënë në dorë, të cilën Naço e dërgon nga spitali, konfirmon faktin se disa muaj para se të ndërrojë jetë, Nikolla Naço ishte pacient i spitalit Coltea. Si e përshkruan Lasgush Poradeci vdekjen e këtij korçari të shenjtë?

Në kuadrin e broshurës Një fatos i veteranërisë shqiptare (fq.15), Lasgushi thot se Naçua vdiq në spitalin Coltea të Bukureshtit, dhe se për të përkujdesej doktor Predescu Galati. "Pak minuta përpara vdekjes: në ditën e bardhë të 24 prillit 1913 (duke u bazuar në aktin e vdekjes), një tog patriotësh besnikë të ideve të Naços, e vizituan në spitalin Coltea të Bukureshtit, kryetarin e tyre të adhuruar, që dergjej në repartin e doktor Predescu Galatit, ku kish rënë për të fundit herë, pas një veprimtarie të pashëmbullt në luftën e tij sipërnjerëzore për Atdheun e kombin. Më plaku syresh, i afrohet me drojtje shtratit të pacientit dhe me gas në buzë i bën të njohur lajmin e freskët të një evenimenti gazmor, i thonë se Konferenca e Ambasadorëve e Londrës do të shpallë për së shpejti autonominë dhe sovranitetin e Shqipërisë, duke caktuar edhe kufijtë tanë kombëtarë. Përkundër urdhërit kategorik të doktorit, që të mos lëvizte, Naçua s'e përmbajti dot buçitjen e zemrës, u ngrit menjëherë në shtrat, hapi krahët dhe briti: Rroftë Shqipëria! Plagët e shpirtit t'im u shëruan! Tashi le të vdes: Zoti i math më paska falur një vdekje të ëmbël!". Dhe me këto fjalë, që ishin të fundit, për mallin që ia pat përvëluar zemrën një jetë të tërë, mbylli sytë përgjithnjë nga drita e kësaj bote dhe vate në të Vërtetën".

Sipas bashkëkohanikut të tij, Dhimitër Kovaçi, “Nikolla Naço lojti një rol të madh në zhvillimin e lëvizjes shqiptare në Rumani. Me propagandën e gazetës së tij “Shqiptari”, dhe me anë të vizitave personale që bënte, ai i zgjoi shqiptarët nga gjumi. Naçua ish njeri i palodhur. Sa herë që merrte vesh se jetonte dhe një grup i vogël punëtorësh shqiptarë, të cilët e kishin harruar Shqipërinë, i vizitonte dhe me fjalën e tij të zjarrtë, i mbushte me ndjenja kombëtare. Nikolla Naços i detyrohet fakti se punëtorëvet shqiptarë nuk thoshin më se janë turq, grekë, bullgarë. Ai i mësoi të thonë me kryelartësi se janë shqiptarë. Nikolla Naçua ishte apostull i vërtetë i shqiptarizmës.” Unë vazhdoj të inspirohem nga vepra e rilindësit tonë të pavdekshëm që e themeloi revistën “Shqiptari” më 1888. N. Naço, kudo që i jepej mundësia, e propagandonte shqiptarizmin dhe e frymëzonte patriotizmin: “Dëgjoni more evlatët e mi, u pat thënë dy studentëve shqiptarë kur erdhën në Bukuresht: Ju keni ardhur me studentët turq. Ata nuk i kemi armiq, por në shkollat e Stambollit juve nuk ua mësojnë historinë e Shqipërisë. Ne kemi një histori të shkëlqyer, kurse flamuri ynë ka qenë i nderuar nga të gjithë popujt.”

Lasgushi thekson se Nikolla Naço ishte “njeri me temperament, burrë me vendim dhe kuxim, dhe shqiptar i zjarrshëm i ardhur prej pak kohe nga Mansura e Egjiptit. Personaliteti i Naços i shkrirë tërësisht për komb dhe atdhe është shprehja më e thjeshtë e racës së tij malësore, që e brumosi ashtu me natyrën e tij të fortë dhe temperamentin plot zjarr, sipas ligjeve të saj të paracaktuara. Në trurin e maleve të Mokrës, në një katund shkëmbor të qarkut të Pogradecit kishin lindur dhe shkuar burrërinë prindërit e tij...Dhe për të fytyruar qëllimin t’onë, zgjothmë kështu të çfaqim përpara vetëdijes së kombit fatosin e veteranërisë shqiptare, fytyrëurdhëronjëse dhe vepërimin heroik të kryeveteranit Nikoll N. Naço Korça...njeriu më tipik, personaliteti më përfaqësonjës i gjeniut të racës për sa i përket lëshimit të çështjes shqiptare, me kurajën dhe energjinë e duhur, në botën e madhe të diplomatisë dhe në qarkun e mosafruarshëm të politikës së lartë...., ay, i cili me atavizmën e fellë të gjakut, me temperamentin e flakshëm të naturës së tij, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar në zjarr dhe hekur përmbajti më vete në mes të ngatërrimit kombëtar Themelimin e pavarur më të parë të veteranërisë shqiptare në Rumani, Shoqërinë e Mësimit Shqip “Drita” të Bukureshtit, pikërisht ay u pat sulmuar me ultësi nga ana e armiqve zemër-thatë...një fytyrë urdhëronjëse e pajisur me gjithë cilësitë e njeriut realist, që e shëkon drejt në sy, me vendim, punën për t’u vepëruar: një fytyrë shqiptari të vërtetë”.

Ja edhe disa fakte për Nikolla Naçon! Në disa burime arkivore për N. Naçon thuhet se Mihal Grameno dhe Lasgush Poradeci, janë njohësit më të mirë të jetës dhe veprimtarisë patriotike-kombëtare të Naços. Grameno thuhet se ishte më i afërt dhe njëkohësisht ishte edhe bashkëpunëtor në veprimtarinë më frytëdhënse të këtij udhëheqësi më të madh të Rilindjes kombëtare në Rumani. Bëhet e njohur se M. Grameno iu bashkua Naços qysh si i ri në moshën 15-vjeçare, qysh kur erdhi në Bukuresht, në vitin 1886. Ai u shkollua dhe u aftësua në gazetari,si patriot e kryengritës i zellshëm nën kujdesin e këtij apostolli të atdhetarizmit, të cilit i ndejti besnik deri në fund të jetës së tij. Lagush Poradeci është njohur me veprimtarinë patriotike të N. Naços dhe të shoqërisë “Drita” më vonë, kur ishte sekretar i përgjithshëm i Kolonisë Shqiptare të Rumanisë. Në të gjitha shoqëritë shqiptare që vepruan në Rumani gjatë Rilindjes Kombëtare, ai me prova veçoi shoqërinë patriotike “Drita”, në veçanti kryetarin e përhershëm të saj, Nikolla Naçon, prandaj shkrimet e L. Poradecit për të, të bazuara, siç thotë ai, në arkivin e shoqërisë “Drita”, duhet të merren si kontribut dhe si përpjekje serioze.

Nga Dr. Ismet Dërmaku kuptojmë swe me të kthyer nga Bukureshti, Petro Nini Luarasi qëndroi disa ditë në Sofje, në mesin e anëtarëve të Shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e formuar me 1 Janar  1893. Siç kuptojmë nga burime të verifikuara, këtu ai kishte ardhur për të kërkuar ndihma finaciare për shkollat e formuara në krahinat e Kolonjës dhe të Vakëfeve. Për sa kohë që P. N. Luarasi qëndroi në Soje, e njofton Nikolla Naçon për aktivitetin e shoqërisë “Dëshira” dhe për atë që ai ishte informuar për gjendjen e shkollave në fshatrat e Kolojës, meqë, siç dihet, ai mbante kujdesin e inspektorit për këto. Letra është shkruar në një formë konspirative, me pseudonime që për herë të parë i hasim “Vetnënshkruesi”, “At Vangjeli” etj. Që me të vërtetë kjo është letra e P. N. Luarasit, dëshmon brendia e letrës, problemet të cilat trajton në fund zarfi i letrës, nënshkrimi “P. Nini”, si dhe vula e postës, numri i së cilës përputhet me adresën e shënuar në fillim të letrës (Sofje, Vjeshtë e dytë 1894).

Në vazhdim, Petro Nini e informon Nikolla Naçon për gjendjen e keqësuar në fshatrat ku vepronin shkollat e reja të Kolonjës, veçmas tek ato të Gostivishtit, Vodicës. Shkruan për grekomanët dhe kryepriftin. E fajëson oportunizmin e paraqitur gjatë mungesës së tij në këto fshatra. Në një rast përmend edhe Jani Vreton, të cilit i drejton edhe fjalë fyese për filogreqizmin e tij. Më tutje, e informon Nikolla Naçon për vendimin e Pleqërisë së Shoqërisë “Dëshira” që anëtari i saj, më i riu dhe më aktivi, Spiro Garo, ta vizitojë Stambollin dhe të këshillohet me Naim e Sami Frashërin. Në letër emri i Naimit shënohet Naumi, për shkak të censurës policore. Me respekt flitet për Spiro Garon dhe aftësitë e tij, duke ia përkujtuar Nikolla Naços me fjalë “se me të vërtët që si zt. Spiro s`ka shok tjetër nga besa dhe nga nxehtësia për gjuhën shqipe, po si të tregova ay është i hollë nga paratë”. Dhe vazhdon: “Të ardhurit aty të Zt. Spiro (në Stamboll), si të ardhurit tim, për zt. tuaj (Naçon) si dhe për gjuhën shqipe”… Me të kthyer nga Stambolli, pas takimit me Naim Frashërin, Spiro Garo solli mjaft libra në gjuhën shqipe, të cilat u vunë në dispozicion të anëtarëve të shoqërisë “Dëshira”. Spiro Garo ndërroi jetë shumë i ri, humbje kjo që ishte e madhe, jo vetëm për shoqërinë “Dëshira”, por edhe më gjerë. Nga Spiro Garo ka mbetur si kujtim vjersha e tij, që më pas u shndërrua në himn të shoqërisë “Dëshira” e shkruar për aktin solemn të formimit të Shoqërisë, me “një të Kollozhegës” e që fillon: “Që me një të Kollozhegut u fillua Soqëria/ U fillue brenda ni nde Sofje/ Për skolit në Shqipëri», dhe përfundon: “Sjemi grekër as bullgar/ Turq as serb ne nuk jemi/ Jemi vetëm shqiptarë/ Këtë emër nder e kemi.”

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7