Hyrje | Art Kulture | Lutfi Alia: Varëse me portretin e Kastriotit në Londër

Lutfi Alia: Varëse me portretin e Kastriotit në Londër

Lutfi Alia: Varëse me portretin e Kastriotit në Londër

MEDALJONI – VARËSE (CAMMEO - KAMEO), ME PORTETIN E GJERGJ KASTRIOTIT NË BRITISH MUSEUM NË LONDËR

Nga Lutfi ALIA

Cammeo (kameo), me portretin e Gjergj Kastriotit i punuar në gur Onyx, në varëse me mbështetëse të artë, prodhim i shekullit XV, ndodhet në British Museum në Londër.

Ky medaljon u hodh në internet dhe u bë për herë të parë publik me kërkesën e Dritan Muka (Kanada), kundrejt pagesës në British Museum (2007). [20]

Më 2013, Ilir Seçi i kushtoi një shkrim në portalin“Illyria - Albanian American Newspaper.[16]

Studiuesi Fotaq Andrea e përshkruan dhe e vendos në kopertinën e librit: “Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i EuropësAlbum – Antologji. Botuar në Tiranë, në vitin 2017. [20] 

Kameo me portretin e Skënderbeut, iu dhurua Muzeut Britanik në vitin 1753 nga Sir Hans Sloane,mjek, akademik dhe koleksionist i famshëm, i cili në vitin e fundit të jetës i dhuroi muzeut të gjithë koleksionin familjar. Në këtë koleksion ishin edhe 32 000 monedha e medalje - kameo. [33]

Kameon me portretin e Skenderbeut, Sir Hans Sloan e kishte blerë në Itali, por nuk e tregon emrin e personit që ia shiti. Në shënimet e tij, thekson se kjo kameo ishte prodhuar në mesin e shekullit XV.

Ne shekujt XV - XVI, prodhimi i kameo ndikoi në modernizimin e stolive të Rilindjes Italiane, sepse për herë të parë, ato nuk përmbanin imazhe me tematikë dhe subjekte fetare, sepse në kameo pasqyroheshin personazhe mitologjike si Herkuli, Kupidi, Leda, Mjelma, Apolloni, Dafne, Meduza etj, si dhe personazhe të shquar të kohës, si perandorët, mbretërit, fisnikët, strategët ushtarakë, personalitetet e artit e të kulturës, të cilët u bënë shumë të preferuar dhe me leverdi ekonomike për argjendarët. Italia ishte qendra e prodhimit të kameo dhe vazhdoi të shquhet në prodhimin e tyre deri në gjysmen e shekullit XVII. [38]

Njoftimin e parë publik për varësen me portretin e Skënderbeut e dha studiuesi anglez Dalton M. O, në vitin 1913, me botimin e një shkrimi në revistën “Burlington Magazine”. [33]

Në vitin 1915, Dalton e përfshiu kameon e Skenderbeut, në botimin e katalogut të British Museum, me stoli të gdhendura në gurë të çmuar dhe gjysëm të çmuar, prodhime të periudhës post-klasike, stolì që bënin pjesë në koleksionin e departimentit të antikitetit dhe të etnografisë mesjetare të Muzeun Britanik në Londër. [34]

Dalton, punonjës në departimentin e Antikiteteve dhe Etnografisë Mesjetare, në Muzeun Britanik, listën e kameo të prodhuara në shekullin XV, e fillon pikërisht me Gjergj Kastriotin, duke e cilësuar se kjo varëse është e koleksionit të Sir Hans Sloane:

Stolitë me gdhendje guri, të periudhës Mesjetare dhe të më vonëshme në British Museum II.

Periudha e shekujve XV dhe XVI:

[a] George Castrioti (Scanderbeg), (15-th century), Sloane collection.

Ne koleksionin e Sloane. Prodhuar në shekullin XV.

[b] Rene of Anjon (1475 – 1480), perhaps by Thomas Peigne.

Rene Anzhù (1475 – 1480), ndofta prodhim i Thomas Peigne.

[c] Female head cut in outline, probably French (?), Sloane collection.

Profil koke femëre, ndofta franceze (?), e koleksionit Sloane

[e] Alfonso II i Este.

[f] Young male head (Sigismund Malatesta?)

Kokë burri në moshë të re (Sigismund Malatesta?)

Në vazhdim, autori rendit edhe 10 medaljone – kameo të tjerë, të prodhuar në shekujt XV - XVI.

Dalton [33] dhe Hind [35], theksojnë se medaljoni me portretin e Skenderbeut është prodhuar në argjendari italiane dhe këtë mendim e bazojnë si në faktin se Sloane, në skedën përkatëse ka shkruar se e ka blerë në Itali, por edhe sepse është e punuar me teknikën dhe stilin italian të shekullit XV. [36]

Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, ka formë vezake, me lartësi 1, 62 inches (4. 11 cm) dhe gjërësi 1 inche (2,54 cm).

Në faqen e pasme të mbështetëses së artë është numëri i serisë: “SLB 176”, madje i shënuar dy herë, njeri direkt mbi kapakun e artë (shkruar me bojë kine, shekulli XVIII) dhe tjetri në etiketë letre (gjatë një inventari të vonshëm), ndërsa numëri i serisë si objekt i ekspozuar është 373, i shënuar me bojë të kuqe.

Portreti i Gjergj Kastriotit është i gdhendur me mjeshtëri në gurë të bardhë gjysëm të çmuar – lloji Onyx. Busti është ngjitur mbi pllakë të lëmuar guri të zi llave vullkanike, të montuara brenda bordurës të mbështetëses së artë. Në buzën e sipërme të mbështetëses, është vegja unazore për zinxhirin, e salduar me dy këmbëza me formën e zambakut me tre petale. (Në koleksionin e Sloane nuk përfshihet zinxhiri i artë).

Artisti e ka gdhendur me shumë finesë portretin e Gjergjit, të prezantuar me profil në të djathtë, me tipare të qarta fizionomike, hundën shkabë, mjekrën e gjatë ondulante, veshur me mantel aristrokratik, me këmishë me jakë të lartë, të zbukuruar me nëntë rradhe palash dhe qëndisjesh me motive lineare dhe floreale, njëlloj si në kemishat, që veshin sot malesorët.

Mbi krye, autori ka gdhendur kuroren, që ka në qendër tre zambaket me tre petale (Fleur de Lise), simbol mbretëror europian i kahershëm, i pranishëm dhe në ditët e sotme ne të gjitha familjet mbretërore.

Si kuptohet, mjeshtri ka prezantuar në dy forma simbolin e zambakut mbretëror: në kurorën e Gjergjit dhe në dy këmbëzat e unazës varëse të medaljonit. Nuk duhet të çuditemi, pse artisti e ka gdhendur zambakun mbretëror në kurorën e Skënderbeut, pasi këtë simbol Gjergji e kishte përdorur shumë herët, si e ka përmend Marin Barleci në veprën “Historia de vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis, Rome, 1510”. [4]

Në shekujt XIV - XVI, zambaku tre petalesh (Fleur de lis), ishte pranishëm në stemat heraldike të disa dinastive fisnike arbërore dhe pse asnjeri prej zotërve të këtyre familjeve nuk ishte kurorëzuar mbret.

Stemat e princave Topia, Muzaka, Skura, Kastrioti, Frangu etj, e kanë komponent përbërës zambakun tre petalesh, ashtu si kanë dhe një apo dy kurora mbretërore, pavarësisht se familjet e tyre nuk ishin me origjinë mbretërore, as nuk ishin kurorëzuar mbretër nga Papa, apo nga Patriarku i Kishes Ortodokse, si ishin ligjet dhe normat e mesjetës.

Kjo veçori e prezantimit zyrtar të princave arbërorë me zambakun me tre petale, me shqiponjën dhe me kurorat mbretërore, dëshmon se heraldika e tyre ishte origjinale, por dhe reflektim i heraldikës europiane, me të gjitha karakteristikat, zhvillimet dhe arritjet e kohës.

Në shekullin XV, prodhimi i kameo u lidh ngushtësisht me preferencat dhe pasionet për artin të fisnikëve, madje u shndërrua në mani koleksionesh. Kësisoj, Lorenco de Mediçi dhe Isabella d’Este, kishin krijuar koleksione masive, ndërsa kardinali Françesko Gonzaga (miku i Gjergj Kastriotit), sipas një inventari të vitit 1483, kishte grumbulluar 500 kameo, të prodhuara me gdhendje në gurë të çmuar. [36, 37]

Prodhimi cilësor i kameo dhe me portrete familjarësh e personalitetesh, i dhanë karakterin e hajmalive (fatdhënëse, mbrojtëse ndaj fatkeqësive dhe të keqes), ashtu si u përdorën dhe si element estetik, kësisoj u zgjerua dhe u intensifikua prodhimi dhe përdorimi i tyre. Shpejt, kameo u bë stolia më e preferuar e femrave. Fisnikët e konsideronin kameon dhurata më e çmuar për gruan, motrën, vajzën, pse jo dhe për të dashurat.

Çdo kameo e prodhuar gjatë Rilindjes Italiane, tregon një histori të vogël, fsheh një sentiment, një mister.

Prodhimi i tyre nuk ishte i rastësishëm, sepse si zgjedhja e motivit, e metalit, e gurit të çmuar, apo gjysëm të çmuar, kishin një qëllim, shprehnin një mendim të caktuar. Mos harrojmë se prodhimi i kameo mori zhvillim në  epokën e mesjetes, kur simbolizmi ishte komponent i rëndësishëm në projektimin dhe prodhimin e stolive.

Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit ka shtruar shumë pyetje, që kërkojnë zgjidhje:

- Kush e porositi kameon ?

- Kush ishte piktori që e skicoi portretin e Gjergj Kastriotit me hollësira ?

- Kur dhe ku u prodhua kameo?

- Kush ishte pronari (mbajtësi) i kameos?

- Kush ishte personi, që ia shiti kameon Sir Hans Sloane ? etj, etj

Duke i përmbledhur përgjigjiet rreth këtyre pyetjeve, duke marrë në konsideratë dokumentacionin, që ndodhet në dosjen e Sir Sloane, duke vlerësuar opinionet e specialistëve të British Museum, mund të themi:

1. Kameo me portetin e Gjergj Kastriotit është prodhuar në punishte argjendarie në Itali, me probabilitetin

më të madh në Venecia, ku kishte marrë zhvillim intensiv prodhimi i kameo gjatë shekullit XV.

2. Sir Hans Sloane dëshmon se e ka blerë ne Itali para vitit 1753 dhe me bindje thekson se është prodhuar në

shekullin XV.

3. Të gjitha rrethanat historike sugjerojne se kjo varese është porositur nga vetë Gjergj Kastrioti dhe ia ka

dhuruar bashkëshortes Andronika Arianiti Kominata Komnena.

Dhurimi Andronikës i kameos (medaljoni varëse) duhet të jetë bërë në dy rrethana të rëndësishme familjare:

a. T’ia ketë dhuruar ditën e dasmës me 21 prill 1451.

b. T’ia ketë dhuruar në vitin 1455, kur lindi djali Gjoni II Kastrioti.

Pas vdekjes të princeshës Andronika Arianiti Kastrioti, kameo kaloi në duart e pasardhësve dhe njeri prej tyre, ia shiti Sir Hans Sloane, i cili ia dhuroi British Museum, duke kontribuar në ruajtjen e një vlere te çmuar të familjes Kastrioti, por dhe një vlerë kombëtare, që na bënë krenarë të gjithë shqiptarëve.

Literatura.

04. Barleti M., Historia de Vita et Gestis Scanderbegi. Epirotum Principis.

Edizione Bernardino Vitali. Roma. 1510

20. Andrea Fotaq. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës.

Album – Antologji. Tiranë 2017, f. 441.

33. Dalton M. O., Burlington Magazine, XXIV, 1913, faqe. 31,

34. Dalton M. O., Catalogue of the engraved gems of the post-classical periods in the Department of British

and mediaeval antiquities and ethnography in the British Museum. Publication London, Printed by order

of the Trustees, 1915”.

35. Hind Arthur Mayger., British Museum, Catalogue of Early Italian Engravings, Section A.1; and Stowen

MS. 697. fol. 180, 1940

36. Il Cammeo Gonzaga. Arti preziose alla corte di Mantova. Ediz. illustrata Curatore: O. Casazza

Editore: Skira Collana: Arte antica. Cataloghi Anno edizione: 2008 Pagine: 336

37. “Le Muse", De Agostini, Novara, 1964, Vol.III, pag.13-14

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7