Hyrje | Art Kulture | Shqiptari Mohamed Ali Pasha, babai i Egjyptit modern

Shqiptari Mohamed Ali Pasha, babai i Egjyptit modern

Dr. Refaat El Ansary: Ky është një rast unik kur një Ambasador përfaqeson vendin e babait të tij në vendin e nënës

Gjyshja ime quhet Adila Kapllan Frashëri

Ndoshta është rasti më unik në historinë e diplomacisë botërore. Një koiçidencë e këndshme diplomatike bëri Dr. Refaat El Ansary të vizitojë mbas shumë vitesh atdheun e nënës së tij, vendin ku më shumë se askund, vëllezërit Frashëri janë simbole të gjuhës shqipe dhe të atdhetarizmës. Një mbërritje paksa e paksa e pakëndshme në Rinas, në kryeurën ajrore të këtij vendi të çuditshëm, por të dashur për të, ambasadori egjiptian në Shqipëri tregon gjithë eksperiencën e tij në tokën e vështirë të shqiponjave. Ai rrëfehet me një gjuhë të pastër dhe të sinqertë, duke u ndalur në aspektet më interesante të vendit tonë, duke bërë dhe një udhëtim të bukur njohjeje të së kaluarës së nënës së tij, (kushërirës së parë të Frashëllinjve të mëdhenj) që jetën e saj e ndërtoi në Egjipt duke mësuar fëmijët me gjuhën dhe traditën shqipe dhe pa dyshim duke përcjellë tek ata gjithë
dashurinë për kulturën dhe arsimin.... Ai dinte shumë për Shqipërinë, por duke punuar dhe shëtitur “de facto” u bë qytetar i saj.

I nderuar z. Ambasador Dr. Refaat El Ansary, ju në promovimin e librit “Historia e Frashërit” në ambientet e Muzeut Kombëtar u shprehet se jeni me origjine te hershme nga ky vend dhe pasardhës i Frashërllinjve të mëdhenj (nga nëna), udhëdriçuesve të gjuhës shqipe. Mund të na sqaroni diçka për prejardhjen tuaj si kureshtje ndaj lexuesit ?

Eshtë bërë e ditur tashmë si në qarqet zyrtare Shqiptare ashtu edhe në media që unë jam pjestar i familjes Frashëri. Në fakt gjyshja ime quhet Adila Kapllan Frashëri dhe është kushërirë e parë e vëllezërve të famshëm Frashëri dhe jam shume krenar për origjinën time, gjë të cilën e kam shprehur këtë në shumë raste të ndryshme. 
 
Para se te vinit si ambasador në Tirane sa dhe si e njihnit Shqipërinë ? A e kishit vizituar më parë Shqipërinë para emërimit tuaj ? Si u ndjetë në momentin e emërimit ?

Nga viti 1996 deri në vitin 1998, kam qene Drejtor për Departamentin e Ballkanit në Ministrinë e Jashtme të Egjyptit dhe çdo ditë më vinin raporte nga Ambasadat e Egjyptit në rajon duke përfshirë dhe Ambasadën tonë në Tiranë. Kështu që  kam ndjekur në detaje kohët e vështira që Shqipëria  po kalonte gjatë asaj periudhe. Jam përpjekur ta vizitoj Tiranën 2 herë gjatë misioneve të mia në rajon për takime të ndryshme politike, por fatkeqësisht rrethanat gjatë asaj periudhe  nuk më lejuan ta konkludoja vizitën. Gjithashtu dhe linjat ajrore nga dhe drejt Shqipërisë, nuk përshtateshin me axhendën e vizitës sime, kështu që më është dashur ta shtyja vizitën time drejt Tiranës dy herë. Ngela i çuditur nga emërimi im si Ambasador në Shqipëri sepse ish-Ministri im i Jashtëm nuk  ishte në dijeni të origjinës sime Shqiptare, por e konsiderova emërimin tim si një surprizë të këndshme e cila do të më jepte mundësinë për të zbuluar rrënjët e mia në vendin që do të shërbeja. Ky është një rast unik kur një Ambasador përfaqeson vendin e babait të tij në vendin e nënës.
 
Mund të na përshkruani impresionet gjatë zbritjes në aeroportin e Rinasit ? Si e kishit imagjinuar dhe si e gjetët Shqipërinë ?

Impresionet e mia ishin ndjenja të ndërthurura, sepse gjatë udhëtimit nga Athina drejt Tiranës aeroplani ishte me helika dhe jo i rehatshëm. Në Rinas u prita nga kolegët e mi dhe një përfaqesues i Protokollit të shtetit të Ministrisë së Jashtme. Ata më çuan tek Salla VIP dhe papritur kur u ula në karrige, këmba e karriges  u thye dhe u rrëzova në tokë. Në mënyrë ironike iu thashë të pranishmëve se nuk ishte ky fillimi që prisja dhe që kisha planifikuar për postin tim të ri. Të gjithë qeshën. Nga Aeroporti i Rinasit deri në residencë zbulova  se Shqipëria ishte si kantier ndërtimi. Gjeta numër të pafundëm ndërtimesh të rrugëve e godinave të ndryshme. I premtova vetes se do të jepja mundësitë e mia maksimale për të ndihmuar Qeverinë dhe popullin Shqiptar.
 
Egjypti ka pasur shumë udhëheqës shqiptarë. Për këtë ka komente të ndryshme. Si përfaqesues zyrtar i Egjyptit, mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur dhe zyrtare se çfarë udhëheqësish shqiptarë e kanë drejtuar Egjyptin në kohë të ndryshme dhe a kanë lënë ata gjurmë në historinë Egjyptiane?
 
Udhëheqësi më i madh Shqiptar në Egjypt ka qenë Mohamed Ali Pasha. Ai është konsideruar si babai i Egjyptit modern. Çuditërisht ai kurrë nuk arriti të fliste Arabisht por ai ishte një lider shumë i suksesshëm që populli Egjyptian e adhuronte. Ju mund të gjeni gjurmë  të origjinës Shqiptare në shumë zyrtare të lartë Egjyptiane duke përfshirë ketu edhe  Kryeministrin, Krytarin e Parlamentit dhe disa ministra të kabinetit.

A jeni ambientuar me Shqipërinë dhe si e kaloni kohen e lirë në vendin e shqiponjave?

Jam ndierë si në shtëpinë time që nga java e parë  që arrita në Shqipëri dhe dy vitet e para  e kam kaluar kohen time të lirë duke bërë zbulime mbi paraardhësit e mi, në takime e mbledhje familjare me familjen Frashëri, gjithashtu edhe duke ndërtuar pemën e familjes me ndihmën e kushëririt të parë të nënës sime Historianit Prof. Xhemil Frashëri. Kam ftuar në Shqiperi për disa pushime edhe nënën time, vëllanë, kushëririn e parë, dhe djalin e vajzën time .Të gjithë ata ishin shumë të entuziasmuar se do takonin për herë të parë kushërinjte e tyre Shqiptarë. Gjithashtu kohën time të lirë e kam kaluar me kolegët e mi të trupit diplomatik dhe me shokët e mi shqiptarë.
 
Si janë marrdhëniet Shqipëri- Egjypt dhe cilat janë fushat ku bashkpunimi është më i frytshëm ?

Shqipëria dhe Egjypti kanë marrëdhënie të shkëlqyera sidomos në fushat politike dhe kulturore. Fusha ekonomike sidomos tregëtia është rritur në 400% por akoma duhen përpjekje në mënyrë  që të arrijë stadin e marrëdhënieve të shkelqyera politike. Mendoj se një nga fushat  më frutdhënëse të bashkëpunimit janë kurset e trainimit  që Egjypti ofron për specialistët shqiptarë të fushave të ndryshme. Numri i fushave dhe i pjesemarrësve në këto kurse është rritur nga 7 fusha në 27 fusha dhe nga 70 pjesëmarrës në 400 pjsëmarrës në vit.
 
Cila ka qenë dita më e veshtirë për ju si diplomat, po dita më e bukur në Shqipëri?

Ditë të vështira për mua si dilomat ka shumë pothuaj në të gjitha postet e mia jashtë, por dita më e bukur në Shqipëri është dita e Festës Kombëtare të Egjyptit që organizohet çdo vit dhe unë kam nderin të mirëpres atje figurat më të shquara dhe personalitete Shqiptare si Presidentin, Kryeministrin, kryetaren e parlamantit e persona të tjerë të rëndësishëm . 

Ushqimi tradicional Shqiptar a ka ngjashmëri me atë Egjyptian dhe a e frekuentoni kuzhinën shqiptare. Kë ushqim shqiptar preferoni ?
 
Ka shumë ngjashmëri midis ushqimit tradicional Shqiptar dhe Egjyptian, por më duhet të pranoj se dhe mamaja ime ka gatuar për ne fëmijët e saj ushqime të famshme shqiptare si lakror, shervish, dollma, imam ballajdi dhe gatime të tjera. Unë i shijoj shumë  gatimet shqiptare prandaj kjo është dhe arsyeja kryesore se kam shtuar peshë këto 4 vitet e fundit edhe pse merrem me aktivitete sportive.
 
Nqs nuk do te ishte emërimi, tashme që e keni njohur Shqipërinë, a do të vinit vullnetarisht ambasador në Tiranë. Kush është vendi që ju do të shkonit ambasador me plot entuziasëm dhe pa asnjë hezitim të brendshëm, të fshehtë?

Edhe po te mos isha emëruar në Shqipëri patjetër që do të kisha  planifikuar një vizitë të shkurtër për të zbuluar dicka për rrënjët e mia dhe paraardhësit e mi të familjes Frashëri në Shqipëri. Unë pata shumë fat që më emëruan këtu për të zbualuar bukuritë Shqiptare.
 
Çfarë aktivitetesh keni organizuar me Institucionet shtetërore shqiptare dhe sa njihet kultura në tërësi dhe letërsia egjyptiane në veçanti në Shqipëri ?

Tanimë Shqiptarët dinë shumë për kulturën Egjyptiane. Ambasada dhe Qeveria ime kanë ndihmuar shumë në këtë aspekt nëpërmjet kurseve të trainimit. Gjithashtu dhe lehtësimi i vizave dhe vënia e ambasadës në dispozicion për 24 orë në ditë, gjithashtu edhe numri i madh  trainimeve dhe publiciteti i medias kanë qenë arsya kryesore e rritjes së numrit të turistëve drejt Egjyptit. Përveç kësaj edhe grupi Egjyptian i valleve folklorike ka ardhur çdo vit të performojë në Festen Kombëtare të Egjyptit dhe  në Festivalin Mesdhetar të Vlorës. Kjo gjë do të përsëritet edhe këtë vit në 28 Korrik në Festën Kombëtare në Sheraton dhe nga 29 Korriku për një javë rresht ata do të performojnë në Festivalin e Vlorës.  
 
Çfarë do të veçonit nga natyra shqiptare dhe nga kultura shqiptare?

Mua më pëlqen shumë pasuria kulturore dhe natyrore e Shqipërisë. Kam qenë pothuaj në gjithe qytetet shqiptare dhe resorted turistike të cilat më kanë pëlqyer shume. Jam shumë i kënaqur me atë që kam arritur në Shqipëri dhe pas 4 vitesh  misioni në Shqipëri do të kthehem përsëri në Ministrinë e Puneve të Jashtme të Egjyptit. Po e le mbrapa Shqipërinë e bukur dhe të dashur me kujtime të paharruara, si një Ambasador në vendin tim.

Faleminderit!   

Nga Albert Zholi

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7