Hyrje | Art Kulture | Kinema | Mirush Kabashi

Mirush Kabashi

Mirush Kabashi

Nga punëtor i hekurudhës në gjigandin e "Apologjisë së Sokratit"

Mirush Kabashi

Ka mbaruar shkollën e mesme në Durrës. Është pjestar i familjes së një emigranti kosovar, i vendosur në Shqipëri që në vitet ’20 dhe si të gjithë kishte dëshirën e madhe, panvarësisht nga kushtet ekonomike t’i shkollonte fëmijët e tij. Babai i tij bëri përpjekje të jashtëzakonshme me gjtihë vështirësitë e mëdha jo vetëm të aspektit ekonomik, por edhe pak të atij politik. Ai vetë kishte mbaruar shkollën amerikane dhe kjo përbënte një “minus” për kohën. Problemet e natyrës politike kanë qenë një pengesë për mijëra e mijëra familje, që tek disa lanë gjurmë shumë më të thella. Kanë qënë probleme që në një farë mënyre kanë bërë që të investojë shumë në aspektin e punëspër të arritur sadopak në ato tendenca që kishte familja e tij dhe një nga këto tendenca që është dhe më kryesorja ishte shkollimi i fëmijve. Mirush Kabashi ishte fëmija i tretë, pasi familja e tyre përbëhej nga katër djem, dhe kjo ishte një vështirësi më tepër sepse në atë kohë ka pasur dhe një ligj absurd që në qoftë se nga një familje një apo dy pjesëtar të saj do të kishin pasur të drejtën e studimit, një të dyti ose aq më tepër një të treti i privohej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë, panvarësisht nga rezultatet e mira që mund të kishe gjatë gjimnazit. Edhe Mirushi duke qënë një i tretë që kishte mbaruar shkëlqueshëm shkollën e mesme e vetmja mundësi që j’u dha ishte konkurimi në shkollën e aktorëve. Meqënëse ishte aktivizuar disa herë në shkollën 7-vjeçare dhe në atë të mesmen gjatë aktiviteteve që bënin shkollat kishte vënë re se kishte nisur ti pëlqente, por ky nuk ishte ndonjë pikësynim i veçantë i tij apo dhe i familjes për të.. Nuk ishte kjo rruga që mendonte se do të merrte në jetë. Kjo ishte një zgjedhje e detyruar për momentin duke marrë prasysh që mund të mbeste dhe pa shkollë. Ato aktivizime modeste në shkollë mesa duket kishin evidentuar diçka. Dhe tek ai e kishin goditur jo pak dëshirën dhe sensacionin për aktrim. Kishte një predispozitë të veçantë për filmat.
- Cilat ishin fillimet e karrierës Tuaj?
Kam konkuruar jashtë rradhës, sepse për arsye të kërkesave të mia nuk u vendosa në rradhë siç duhej, por ishte një insistim i ish drejtorit të shkollës së mesme që për fatin tim më pas u bë shef i seksionit të arsimit dhe i jam shumë mirënjohës. Ishte ai që këmbënguli dhe jashtë programit të merrja pjesë në një konkurs dhe pastaj të isha pjesëtar i kursit të parë të vitit ’66. Ky ishte dhe viti i parë i hapjes së Institutit të Arteve. Në atë kurs së bashku me mua ka patur aktorë që sot janë me shumë emër si: Pavlina Mani, Anastas Kristofori, Ahmet Pasha e mjaft të tjerë. Fati më i madh i kursit tonë, sigurisht dhe i imi ka qenë se vitin e tretë dhe të katërt kemi punuar me Serafin Fankon dhe Pirro Manin. Pirro ishte dhe është edhe sot regjizori më i talentuar që ka teatri shqiptar dhe është i nevojshëm për teatrin edhe sot sepse dihet që regjizura është pika më e dobët e tij. Këto janë fillimet e mia. Sapo kam mbaruar shkollën megjithëse aty nuk arrita të hapem plotësisht, ndenja si një student me diagrama shumë të çuditshme. Në vitin e katërt ishte një pjesë ruse e Ostrovskit, e cila u vu në skenë nga Pirro Mani. Këtu unë nuk kisha rolin kryesor, por ai rol më hapi më tepër. Gjatë periudhës së shkollës pata një lloj ndrydhje dhe një pjesë e mësuesve kanë patur idenë se mund të bëhesha, por edhe mund të mos bëhesha aktor. Profesor Pirro ka patur një besim tek unë. Ai thoshte se edhe nëse nuk do të bëhesha aktor do të bëhesha një regjizor shumë i mirë. Unë i jam mirënjohës një artisti të madh siç ishte Pirro Mani. Sapo mbarova shkollën mua më caktuan në teatrin e Durrësit. Durrësi ka patur dhe them kështu pasi pjesa më e madhe e atyre artistëve nuk janë më , një trup me profesionalizëm tepër të madh. Këtu kishte kollosë të skenës teatrale siç ishte i madhi Nikolin Xhoja. Nga ai fatëkeqsisht n’a ka mbetur shumë pak, por ne kemi dhe ato filma siç është filmi “Kapedani” shoku i kapedanit nuk ka një rol kryesor, por vetëm aftësia profesionale e Nikolinit atë e ka bërë, që ne sot e mbajmë mend shumë mirë sikur roli i tij të ishte kryesor. Dhe kjo ishte aftësia e tij për t’a gjetur humorin dhe për t’a servirur me aq delikatesë dhe elegancë tek spektatori. Si aktorë të tillë do të përmendja çiftin Uruni, Lutfi Hoxhën, Marta Burdën, Todi Thanasin etj. I përmenda këta për të thënë se në Durrës unë gjeta një shkollë të dytë. Pra, ika nga një shkollë teorike dhe shkova në një të tillë, praktike ku kishte shumë se ç’të mësoje. Për fat tek “Maretsa e Gogolit” njëri prej artistëve ishte sëmurë dhe mua më caktuan të dubloja atë rol dhe të isha në rrethin e këtyre artistëve vërtet të talentuar. Deri në vitin ’78 për shkak të problemeve biografike mua nuk më është dhënë e drejta të futem në kinematografi. Po në këtë vit falë një opinioni që ishte krijuar në teatër m’u dha një rol, i cili u cilësua si negativ nga njerëzit e pushtetit të asaj kohe dhe kjo bëri që unë të luaja rolin tim të parë në kinematografi. Nga viti ’74-77 unë jam përjashtuar nga teatri dhe kam punuar si punëtor i rëndomtë në hekurudhë. U bënë dhe përjashtime të aktorëve të tjerë në këtë teatër, por vetëm këtu dhe erdhi si pasojë e disa personave me komplekse. Pas tre vjetëve erdhi në detyrë një drejtues i ri dhe ishte ai që më ktheu sërish në teatër. Për mua pas kësaj u krijua një klimë më shumë e hapur. Ishte pikërisht Enver Hoxha ai që shprehu pëlqimin e tij. Ka qënë prilli i vitit ’99, kur u thanë këto fjalë dhe ne morëm vesh, që kjo shprehi e tij na dha një hapsirë, e cila na kishte munguar dhe kishim nevojë. Më pas unë kam prezantuar koncerte me raste festash të ndryshme. Kjo zgjati aq shumë kohë sa mua filloi të më mërzitej dhe vetja dhe po shihja një nënvleftësim të aftësive të mia sepse kisha filluar të shfrytëzohesha shumë. Njeriu duhet të ketë një ndjesi mase në veprimtarinë e tij artistike. Nuk mund të futet kudo po aty ku ai është i aftë dhe mendon se arrin të japi diçka të denjë. Mund të ketë ndonjë gjë, që artisti nuk e ka thënë dhe pret për ta transmetuar. Në veprimtarinë time ka patur dhe periudha pauzash dhe jo se nuk kam patur oferta por sepse nuk kam dashur të merrem më diçka që nuk e kam parë të arsyeshme. Këto dy role, që m’u dhanë dhe shërbyen si hyrëse në kinematografi më ndihmuan së tepërmi në zhvillimin e karrierës time. U cilësuan si negative për arsye se një rol negativ nuk ishte problematik për partinë e asaj kohe, por ishin krejtësisht të karakterve të ndryshme.
-Çfarë raporti ka midis filmit dhe teatrit ?
Në teatër ke fatin të mësosh profesionin, ndërsa në film të fitosh popullaritetin, pra tregon çdo gjë , të cilën e ke përfituar në shkollë apo dhe në teatër. Njohjen më të gjerë mua ma kanë dhënë rolet nëper filma. Një regjizor e ka cilësuar teatrin si diçka të shkruar në rërë, sepse një shfaqje del vala dhe e merr edhe pse ti mund të bësh mrekullira, por që fatkeqësisht janë vetëm për atë publik të ngushtë të asaj mbrëmjeje që shijon shfaqjen. Filmi për fat të mirë mbetet dhe vlerat e vërteta të tij mund të jetojnë në dekada. Dhe në këtë aspekt dua të them që kinematografia shqiptare ka patur suksese falë regjive, falë skenareve, por jo pak edhe falë interpretimeve shumë dinjitoze të aktorëve. Subjekti i tyre dukej në pamje të parë se ishte brenda korinizës së kohës, por që me shumë inteligjencë dhe me figura shumë të stërholluara kishin një hapsirë shumë të madhe për kohën.
-Çmund të thoni për vlerat e artit të dikurshëm teatral dhe zhvillimit të atij që është sot?
Ti lëmë anët ideologjike. Pikësynimi i konjukturave politike për të mos futur eksperienca botërore, sepse arti ka një ndikim të madh tek shikuesit apo dëgjuesit. Ky ngujim dha mundësinë që nëpër Shqipëri të kishte 10 teatre profesioniste, rreth 15 trupa varieteje dhe arritëm deri në 15 filma artistik të prodhuar gjatë një viti. Dhe këtë komoditet nuk e kanë as vendet e zhvilluara perëndimore edhe pse kanë buxhete shumë të mëdha në dispoziciopn të artit. Filmi “Lulëkuqet mbi mure” ka patur një sukses të jashtëzakonshëm jashtë kufijve. Këto filma dhanë një simbiozë te re për organikën europiane që mbaheshin të fshehura dhe të rezervuara. Ne kemi patur një art të mirëfilltë . Është një mosnjohje për ata, që thonë se nuk ka patur filma apo dramaturgji shqiptare. Dhe kur i dëgjon këto zëra të krijohet një trishtim, aq sa nganjëherë thua sesi mund të bëhen të tilla depërtime. Nganjëherë liria e fjalës e deformon të vërtetën. Ka patur vlera vërtet të mirëfillta artstike, por që u transformuan në kornizën e kohës. Gjejmë vlera artistike, që kapërcyen edhe konjukturën e kohës duke mbajtur ato vlera të fshehta dhe duke i transmetuar me atë mënyrë, e cila mbështetej në strehën e atij regjimi dhe me një guxim të stërmadh për ne që kemi jetuar atë kohë. Ne i kemi vlerat shpirtërore dhe artistike të denja për të qënë pjesë e familjes europiane sepse këto janë kriteret më kryesore. Ishte një krijimtari që të shkëpuste nevojën për të parë se çfarë ndodhte në eksperiencën botërore që vërtet solli një zhvillim të teatrit, por ama si zhvillim ishte i cunguar. Pas ’90, kur çdo gjë u bë më e lirshme ne vumë re, se ne kishim krijuar dhe shtrydhur vetveten në aspektin e krijimit, por nuk kishim atë eksperiencë të vendeve të tjera , të zhvillimit të artit të tyre në kuadre të tjera, që kishin shkuar më përpara me elemente te reja edhe në artin letrar, në atë teatror apo edhe në atë pamor. Këto elemente të reja ndihmuan në kapërcimin e asaj periudhe të cunguar dhe shumë të izoluar panvarësisht rezervave që ajo kishte. Spektatori ishte mësuar me këtë mënyrë trajtimi por kur çdo gjë u hap atëherë ai priste shumë më tepër prej nesh. Natyrisht, që shija e tij u prefeksionua më shumë dhe kërkonte diçka të re dhe më të gjerë. Ne ende kemi krizë në regji, kjo sepse regjizorët tanë nuk kanë eksperiencën e duhur për shkak të kësaj mungese të marrëdhënieve me botën perëndimore. Pra, në botën e teatrit nuk u bë një shdërrim idesh artistike apo dhe zhvillim i tyre. Tek ne arti qëndroi i mbyllur në një bunker, në kuptimin simbolik të fjalës. Eksperiencat e huaja ishin krejtësisht të ndaluara edhe pse artistët kishin dëshirë të ishin në kontakt me arritjet apo idetë e reja të artit dhe kulturës nëpër vende të ndryshme. Arti për spektatorin tonë është e vetmja dritare ku mund të përfitojë diçka edhe shkarazi apo edhe nga nënkuptimet e guximet e artistëve për të krijuar një personalitet, por qoftë kjo dhe për t’u argëtuar apo zbavitur sepse arti ka si funksionet argëtusese edhe ato edukuese. Drejtuesit e teatrit vendosen mbi baza politike dhe jo të vlerave artistike. Teatri tashmë ka një pikësynim komercial. Nuk shikohet më ndjenja e përgjegjësisë artistike dhe një pjesë e mirë e artistëve po shfrytëzojnë bagazhin e tyre artistik, sesa pikësynimin për të mësuar dhe për të ecur më tej. Hyrja e elementeve të reja është neglizhuar tërësisht. Ne kemi mbetur me ato gjëra, të cilat i kemi patur dhe kjo ka kultivuar një frenim për teatrin shqiptarë.
-Mund të më përmendni disa prej roleve Tuaja si në teatër ashtu edhe në kinematografi?
Kam patur fatin që të interpretoj dhe në regjinë e Mario Ashikut, i cili solli një frymë mjaft interesante në teatrin e Durrësit pas viteve ’85 dhe ndërmejt të tjerave ai vuri në skenë edhe shfaqjen “Ylli pa emër”, në të cilën edhe këtu unë kisha një rol që mbetet një nga rolet e mia më të dashura në të gjithë karrierën time. Për këtë shfaqje, po me Mario Ashikun kam fituar një çmim në një pjesë të Rruzhdi Pulahës “Hija e tjetrit” dhe jam cilësuar si aktori më i mirë në Festivalin e Teatrit. Pjesa që kam luajtur tek “Ylli pa emër” do të mbetet një nga kujtimet më të veçanta sepse ishte një pjesë tragji-komike, që kishte dhe tragjedinë dhe komiken, sepse jeta i ka të dyja këto dhe kjo pjesë është më afër saj, më afër realitetit dhe është shkruajtur me një frymë dhe penë të hollë nga Sebastian. Tjetër kanë qënë rolet e Telit dhe të tjera në komeditë e famshme të kartelës së verdhë që edhe sot mbahen mend dhe mua më vjen mirë për këtë. Kam trajtuar edhe rolin e një gagaçi dhe spektatori qeshte me këto fenomene. Duhen thënë ato role që kanë patur impakt para spektatorit. Roli im i parë ka qënë në teatrin e Durrësit. Dhe deri në vitet ’93 unë kam punuar në këtë teatër. Më pas kam patur një rol goxha interesant në një pjesë të Kujtim Spahivoglit “Shokët e klasës sime”, kjo u vu edhe në skenën e teatrit kombëtar dhe pati shumë sukses. Kam patur rolin e antagonistit, mësuesin. Në ’84 jam vlerësuar në një Festival të Teatrit si aktori i dytë më i mirë i këtij festivali tek një komedi e Haxhi Ramës e vënë në skenë prej tij “Elona”. Po në atë vit, që ishte edhe 40 vjetori i çlirimit u hap një kopnkurs me këtë rast dhe aty u vlerësova si aktori i dytë më i mirë, i pari u vlerësua Robert Ndrenika. Pas këtyre pata dhe mundësinë të jem në kineoperetën e parë shqiptare “Karnavalet” dhe roli i Nikollaqit m’u besua mua. Kam patur pjesë edhe tek “Dora e ngrohtë” apo tek filmi “Gëzhoja e vjetër” personazhe, të cilat edhe pse nuk kishin ndonjë volum të madh në aspektin artistik unë gjithmonë i gjykoja. Tek filmi “Koha e largët” unë kam pasur një personazh që nuk ka asnjë fjalë e vetëm 10 minutat e fundit nis, le të themi roli i tij dhe unë vetë kam insistuar për t’i hequr këto komplekse dhe u evidentua shumë dhe unë jam vlerësuar në një Festival Filmi edhe këtu. Ka një mori filmash të tjerë si “Nëntori i parë”, “Zëdhënësi i grave”, “Edhe kështu edhe ashtu”. Në ‘95 është xhiruar filmi i fundit ku këtu unë kam rolin e babait. Filmi titullohet “Nata”, ku tregon gjithë hiostorinë e asaj kohe komuniste dhe ndaj j’u vu dhe ky emër dhe nuk është shfaqur ende në kinematë tona kjo premierë.
- Si e ka mirëpritur publiku teatrin Shqiptar?
Ndonjëherë ka një kontraditë midis artistit dhe asaj që pëlqen publiku. Aktorët, jo gjithmonë përkojnë me publikun. Publiku që n’a ka ndjekur dhe shoqëruar ka qënë gjithmonë i përmasave të mëdha. Humori shqiptar ka traditë goxha të madhe. Problematikat kanë shumë më tepër mundësi trajtimi në një mënyrë komike për t’u bërë objekt i përmirësimit. Trajtohen mbi bazën e antagonizmit dhe agresivitetit apo edhe të banalitetit. Një shoqëri e civilizuar humorin duhet t’a ketë një nga mënyrat më të përdorshme të komunikimit. Dhe kjo do të jetë gjithmonë shumë më e vlefshme. Ajo evidenton me ngjyra më të larmishme problematikat e shoqërisë si dhe përmirësimin e këtyre fenomeneve. Tendencat që ka shoqëria për të ecur përpara panvarësisht edhe nga disa forma, që nganjëherë janë edhe antidemokratike, por që prapëseprapë shërbejnë si një tendecë e egoizmit për të ecur drejt progresit. Ne kemi një temperament autokton dhe njëkohësisht që është edhe mesdhetar duke krijuar një simbiozë më të gjerë sesa për publikun shqiptar. Edhe kur ne kemi marrë pjesë në aktivitete që lejoheshin në atë kohë edhe jashtë kufijve ai publik i ka mirëpritur. Duke zhvilluar një teatër, një kinematografi, një shkollë vizuale shumë të vlefshme këto janë si një binom i pandashëm që kultivojnë njëra-tjetrën. Kultivuan edhe shpirtin e publikut, por edhe kërkesat e tij për të perfeksionuar artin.
-Puna e artistëve është shpërblyer nga shteti?
Motivacion i ecjes tek ne aktorët përpara nuk janë zarfet e lekëve, por është rezultati moral i punës. Respekti që kanë njerëzit për ne është një stimul i jashtëzakonshëm. Dhe kjo na shtyn më tepër drejt përgjegjësive tona duke marrë parasysh edhe ata, të cilët n’a simpatizojnë sepse presin që të shikojnë diçka akoma edhe më të mirë. Edhe vlerësimet që bëhen nëpër aktivitete kombëtare janë stimuj për ne. Arti është gjykuar nga politika shqiptare. Në atë kohë filmat xhiroheshin me një kosto më të ulët se i tillë ishte dhe niveli dhe aktorët nuk pagueshin shumë. Ne nuk kemi marrë asnjë shërblim për krijimtarinë tonë artistike. Një pjesë e filmave tani po bëhen edhe si pronë e regjizorëve. Edhe në qoftë se nuk përfitoj vetë, kur përfitojnë kolegët e mi ndjej një lloj kënaqësie dhe gjithmonë gjykoj se artistët kanë qënë jo pak, të persekutuar. Dhe në një farë mase shenjat e këtij persekutimi janë edhe sot. Do të ishte shumë më koherent gjykimi objektiv, që në këto përfitime të ishin edhe artistët që nuk kanë përfituar në fillim. Në botën perëndimore aktorët janë më të paguarit se regjisorët apo skenaristët. Filmi emrin e merr nga aktori kurse vazhdimësinë nga autorët. Politika nuk e kupton këtë të vërtetë kaq të madhe: se nuk janë shifrat ato, të cilat ne na inkuadrojnë
-Cili është aktori që Ju vlerësoni më shumë dhe mund të quhet edhe idhulli Juaj?
Unë kam një debulesë të veçantë për Kadri Roshin. Kam patur fatin që në ’98 të kem për herë të parë dhe ndoshta për herë të fundit në jetën artistike të tij një bashkëpunim, në një pjesë të Rruzhdi Pulahës si baba e bir me titull “Kohë e çmendur”. Kjo marrëdhënie për mua do të jetë një moment i veçantë në krijimtarinë time artistike. Ruaj kujtime nga e gjithë eksperienca e tij, që jo pak ka ndikuar tek unë. Kjo pjesë për fat të keq nuk është e filmuar pasi ka një aktualitet shumë të madh dhe për mua kjo është një breng shpirtërore pasi mesazhet që sugjeronte janë shumë afër realitetit tonë.
-Do të keni një personazh në ndonjë film në të ardhmen?
Është filmi, të cilin na kanë mbetur edhe disa skena për të rixhiruar duke rregulluar disa gjëra të vogla “Lutje dashurie” me regji të Minarollit dhe me skenar të Aliçkajt. Ky është ende film në proçes edhe pse xhirimet janë mbaruar, por rregullime të tjera nuk përbëjnë ndonjë problem, pasi kjo është proçedurë e zakonshme në krijimtarinë artistike dhe pritet që këto ditë të vijë grupi i xhirimit francez. Kam fatin të jem në një film me skenar të Rruzhdi Pulahës “ Lulet e vjeshtës” titullohet dhe i Sajmir Kumbaros. Është një skenar jashtëzakonisht i bukur. Më pëlqejnë tema dhe personazhi, që unë do kem por në mënyrë të veçantë shtjellimi dhe gjithë nderimi artistik që i bëhet filmit. Unë kur e kam lexuar skenarin para disa ditësh më ka prekur shumë dhe do të thoja se është nga skenaret e rrallë që kam parë dhe jo që kam lexuar. Ai është kaq afër realitetit dhe premton se do të jetë një vepër që do ta nderojë kinematografinë tonë. Sajmir Kumbaro them se do të ketë ketë sërish sukses me këtë pas “Kali i bardhë” dhe “Koncerti 36”.

sot

  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7