Hyrje | Art Kulture | Kinema | TEATER: Neritan Liçaj shkruan "letra dashurie"

TEATER: Neritan Liçaj shkruan "letra dashurie"

TEATER: Neritan Liçaj shkruan "letra dashurie"
Edhe pse, ndoshta, sot ekzistojnë mënyra të ndryshme për të folur për dashuri, letrat e shkruara mesa duket janë akoma në modë. “Letra dashurie”, e autorit Albert Ramsdell Gurney, me regji të Kastriot Çipit dhe interpretim të Neritan Licaj e Julia Ilirjani, erdhi me një sukses elegant në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar.

Nuk bëhet fjalë për nostalgji të vjetëruara, por për ndjesi njerëzore që i përjeton secili prej nesh. Një burrë dhe një grua, të ulur, lexojnë, ndërsa gjatë gjithë kohës hedhin sytë rreth e rrotull. Ngjyra e zërit, shprehia e fytyrave dhe trupave të tyre ringjall një gjysëm shekulli dashuri të pashprehur, epistolare, ashtu si ndoshta vetëm një herë mund të ndodhë në jetë.

Pjesa është shkruar nga Albert Ramsdell Gurney, shkrimtar amerikan i romaneve, ndërkohë që në të gjithë botën ka njohur sukses të madh. Në ditën e të dashuruarve ajo erdhi për publikun shqiptar, me regji të Kastriot Çipit dhe interpretimin e aktorëve, Neritan Licaj dhe Julia Ilirjani.

Pjesa fokusohet mbi dy personazhe, Melisa Gardner dhe Endrju Mejkpijs Lad III. Teksti është shkruar në stil epistolar: personazhet ulen në tryeza dhe lexojnë letra, kartolina dhe pusulla që i kanë shkruar njëri-tjetrit për pothuaj 50 vjet. Ata flasin për shpresat, ambiciet, ëndrrat dhe zhgënjimet, fitoret dhe dështimet që kanë pasur në jetët e tyre të ndara.

Me një ndjeshmëri të butë, dy njerëz shikojnë përmes jetës së tyre. Një burrë dhe një grua, përjetësisht të dashuruar, në rrugën e tyre, sa të bukur, edhe të vështirë. Mbajnë me kujdes sekretin e një miqësi të rrallë, të cilës i bëjnë një dhuratë të madhe: ruajnë me xhelozi çelësin e afeksionit të tyre.
Pjesa përbëhet nga letrat që kanë shkëmbyer gjatë gjithë jetës dy njerëz, që janë rritur bashkë, kanë ndjekur rrugë të ndryshme në jetë, por kanë mbetur të afërt me njëri-tjetrin.

Ndërsa aktorët Neritan Licaj dhe Julia Ilirjani lexojnë letrat me zë të lartë, ajo që krijohet është një atmosferë evokative, prekëse, shpesh gazmore, ku zbulohen karakteret e të dyve dhe historia e përbashkët, që është sa emocionuese, aq edhe domethënëse.


Subjekti

Endrju Mejkpijs Lad III dhe Melisa Gardner janë shokë fëmijërie, korrespondenca e të cilëve fillon me një pusullë falënderimi për një ftesë ditëlindjeje dhe kartolinat nga kampet verore. Lidhja romantike që kanë, i bën të vazhdojnë t’i shkruajnë letra njëri-tjetrit deri në vitet e kolegjit, kur Endi shkon në Yeil dhe diplomohet në drejtësi, ndërsa Melisa kalon sa në një “shkollë të mirë” në tjetrën. Në këtë kohë ndodh edhe takimi i tyre i vetëm si të dashur, i cili, për fat të keq nuk është i mbarë.

Ndërsa Endi është në shërbimin ushtarak në marinë, në Azi dhe bashkëjeton me një japoneze, Melisa pranon të martohet me dikë tjetër. Endi kthehet nga ushtria, pa “nusen e tij japoneze” dhe fillon punën si avokat, por ndërkohë Melisa është e martuar dhe kështu edhe ai vendos të martohet me dikë tjetër. Por tërheqja e tyre ndaj njëri-tjetrit mbetet e fortë edhe pas kësaj dhe ata vazhdojnë t’i ruajnë lidhjet përmes korrespondencës.

Endi bëhet avokat i suksesshëm, i futet politikës dhe zgjidhet senator. Ndërkohë martesa e Melisës shkatërrohet dhe ajo përpëlitet mes përpjekjeve për t’u bërë piktore, vesit të alkoolit, aventurave erotike dhe bëhet e huaj për fëmijët e saj. Më në fund, ajo dhe Endi përfshihen në një marrëdhënie të shkurtër dashurie, por është shumë vonë për të dy…

Shfaqja

“Letra dashurie” erdhi si një shfaqje serioze, e destinuar për të shfaqur premierën e saj në një ditë të veçantë feste. Një pjesë që provokoi emocione, një shfaqje e mrekullueshme, prekëse dhe me sens humori. Një romancë e përkryer. Tekst mjeshtëror dramaturgjik, që u zbërthye nga një koncept modern origjinal i regjizorit Kastriot Çipi. Asgjë të mbingaruar në skenografinë e shfaqjes.

E gjithë vëmendja e përqendruar tek dy aktorët, Licaj dhe Ilirjani që të ulur në të dyja anët e skenës, përpara skrivanive të tyre, rrëfejnë dashurinë e jetës, në një lexim të përkryer. Një shfaqje në dukje e thjeshtë, por që risjell romancën e harruar. E ndryshme dhe unike, për herë të parë në skenën tonë, realizuar nga regjisori Kastriot Çipi dhe dy aktorët, Neritan Licaj dhe Julia Ilirjani.

Një lojë me humor, e shkëlqyer, e hidhur, për kryqëzimin e fatit të dy njerëzve përjetësisht të dashuruar.


Flet regjizori i shfaqjes Kastriot Çipi: “Vazhdoj të shkruaj letra dashurie!”

Përse “Letra dashurie” rezultoi e sukseshme?
Vërtet ishte e suksesshme? Po e marr si kompliment. Por nëse ka qenë kështu, mendoj se merita i takon më së pari autorit, që ka shkruar një tekst të mrekullueshëm, pastaj aktorëve, që ditën ta sjellin me mjeshtri për publikun tonë.

Cilat janë komentet që keni marrë për shfaqjen?
Si gjithmonë komentet janë nga më të ndryshmet, por përgjithësisht pozitive. Shumica bashkohen në mendimin se ndonëse ishte hera e parë që merrnin pjesë në një përvojë të tillë, një shfaqje e bazuar mbi letra që lexohen në publik, kjo risi në vend që t’i hutonte e distanconte, përkundrazi i kishte përfshirë emocionalisht. Kjo padyshim më gëzon dhe më miklon. Gjëja tjetër që kam vënë re është se impakti emocional ka qenë dukshëm më i fortë tek shikueset femra se tek ata meshkuj. Kjo vihet re edhe nëse shikon listën e miqve të shfaqjes në Facebook, apo komentet e tyre.


Kjo shfaqje për shumë vite ka shëtitur në skenat e mbarë Botës, me protagonistë ndër më të njohurit. Ndërsa tani protagonistët e saj flasin shqip…
Për shkak të lehtësive që ofron një projekt teatror pa shpenzime, me vetëm dy aktorë, që nuk kanë nevojë as të mësojnë përmendësh batutat, kjo dramë është bërë “aventurë” e preferuar e aktorëve më të famshëm, më të shtrenjtë dhe më të zënë me punë në botë. Numri i tyre, për hir të së vërtetës, është në përpjestim me lehtësitë teknike, jo detyrimisht me vlerat artistike të veprës. Kësisoj nuk jam ndjerë as i trembur, as i joshur nga lista e gjatë e yjeve që e kanë luajtur këtë tekst. Thjesht, jam i intriguar që këtë përvojë ta vazhdoj edhe me aktorë të tjerë, pikërisht siç ka ndodhur në Broadway e Beverly Hills.

Duket se më shumë kjo shfaqje i ngjan leximit, sesa aktrimit…
Është e vërtetë. Mund të quhet pa frikë “lexim publik”. Në perëndim është një praktikë rutinë, sidomos për drama që nuk janë testuar ende në publik. Pra është një përvojë me të cilën publiku perëndimor është mjaft i njohur. Në Shqipëri ishte hera e parë. Më vjen mirë të besoj se ky test i parë kaloi me sukses.

Përse zgjodhët Neritanin dhe Julian si protagonistë?
E vërteta është se ata janë paksa më të rinj se çdo të duhej për këto role. Por jo detyrimisht. Në SHBA këtë tekst e kanë luajtur edhe më të rinj se ata. Sidoqoftë nuk mund të mohoj se kur nis një projekt pa buxhet, duhet të zgjedhësh aktorë që besojnë tek projekti dhe jo që thjesht joshen nga shuma në kontratë. Duke thënë këtë, nuk po i heq asnjë grimcë vlerave që ata kanë si aktorë dhe si qytetarë, pse jo edhe si miq të mi. E rëndësishme në fund është se ata justifikuan vendimin tim dhe këtë e shikoj nga komentet e shikuesve.

Si i përmbushën ato idetë tuaja regjizoriale?
Mund të them me gojën plot se ata nuk më zhgënjyen për asnjë çast. Duke qenë se Neritani ka tashmë profilin e vet dhe vendin e vet në ansamblin e TK, “basti” im ishte me Julian dhe unë them se e kam fituar këtë bast. Për shumë shikues që nuk e njihnin, ajo ka qenë befasia e këndshme e shfaqjes. Të dy janë që tani në mendjen time për projektet e rradhës, ndoshta brenda vitit në vazhdim. Ata e dinë se unë nuk kënaqem kurrë. Darkat e përbashkëta pas shfaqjeve kanë qenë të mbushura me vërejtje, debate, kritika. Por edhe ata janë kërkues ndaj meje. Ne të tre jemi një ekip i mirë, ku askush nuk përplas grushtin në tavolinë. Kemi ndryshuar disa gjëra pas premierës, do të ndryshojmë edhe në shfaqjet pasuese.

Cilat ishin risqet që sillte një vënie e tillë në skenë?
Publiku ynë, fatkeqësisht, është i pamësuar me shumë gjëra që në perëndim janë tashmë rutinë. Leximi publik si formë teatri është vetëm njëra prej tyre. Kam parë disa klipe të kësaj drame në shfaqje të ndryshme në SHBA. Ju siguroj se ka shumë më pak “teatër” në to, se sa në shfaqjen tonë. Kam ndërhyrë sa kam mundur për ta thyer paksa pamjen dhe ritmin e një “leximi publik” të thatë, sepse ia kisha frikën reagimit të publikut.

Në këtë shfaqje i thuret hymn dashurisë së përjetshme. Ju besoni se ekziston një e tillë?
Unë e di se ekziston. E di sepse kam njohur në jetë, jo thjesht në art, personazhe që kanë pasur dashuri të përjetshme.

Besoni se sot njerëzit vazhdojnë të shkruajnë letra dashurie?
Edhe këtë, jo vetëm e besoj, por e di. Unë jam njëri prej tyre. Ajo që ka ndryshuar sot është teknologjia. Vendin e stilografit “Parker 51” të Endi Lad e ka zënë tastiera e kompjuterit, por thelbi nuk ka ndryshuar.

Ju a do të donit që njerëzit të dashuroheshin si në pjesën në fjalë?
Po dhe jo. Do të doja që të gjithë, pa përjashtim të dashuronin përjetësisht, çdo ditë, çdo sekondë. Por nuk do të doja të kishin fatin e personazheve.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7