Hyrje | Art Kulture | Kinema | Shtatë vitet e Bexhet Nelkut dhe dy rrëfime grash

Shtatë vitet e Bexhet Nelkut dhe dy rrëfime grash

Aktori Bexhet Nelku krijoi vetëm katër role në kinema dhe pak më shumë në teatër. Dyzetë vjet pas vdekjes mbahet mend kontributi i tij në një periudhë që "e bërtitura në teatër" ishte standard i së bukurës



I vetmi material i plotë arkivor për Bexhet Nelkun gjendet sot në arkivin e familjes Nelku që përbëhet nga shoqja, Semiha, dhe i biri Einar. Në fakt ky material është mbledhur nga një njeri që vjen nga jashtë familjes Nelku. Rajmonda, nusja e të birit, që ka studiuar aktrim dikur, sot gazetare e dokumentariste.
Puna e saj e diplomës e shkruar në vitin 1988 është një vepër monografike për Bexhet Nelkun, që nuk botua ndonjëherë. Këtë vjeshtë, më 21 nëntor, bëhen 40 vjet nga vdekja e aktorit. Ai krijoi vetëm katër role në kinema, pak më shumë në teatër, për aq sa jetoi, 33-vjeçar. Por mbahet mend që në shtatë vjet të ketë sjellë një kontribut të vetin, në një kohë që "teatri i të bërtiturave" ishte një standard i të bukurës.


Tregimi i Rajmondës

Biem dakord me Rajmondën se është e vështirë të shkruash për një aktor që nuk jeton, por që nuk jeton as produkti i tij. Nga njëra anë kjo është fatkeqësia e teatrit.
Rajmonda është përpjekur dikur që me temën e saj të diplomës të ndërtojë një portret të Bexhet Nelkut bazuar në rrëfimin e bashkëkohësve. Kjo ishte një mënyrë, siç thotë ajo, për t'i dhënë gojë një historie që lihej në heshtje: "Portreti i Bexhet Nelkut më dukej i dashur si një mik. Por më dukej se ishte dhe një enigmë."
Rajmonda e kish pasur të vështirë të intervistojë të vetmin njeri që kish jetuar me Bexhet Nelkun dhe që ishte gjallë: e shoqja, Semiha Nelku, e quajtur "Sfinksi" për shkak të jetës së mbyllur dhe të heshtur që çoi pas vdekjes së të shoqit dhe rriti e vetme një fëmijë.
Mblodhi rrëfimet e Mihallaq Luarasit dhe Kujtim Spahivoglit, pa ua përmendur emrat njërit dhe tjetrit, si të dëbuar nga Tirana, duke bërë punën e një kritike të vonuar, punë që ka qenë dhe mbetet e vonuar. "Kishte aktorë shumë të mirë, por s'kishte hapësirë për kritikë shumë të mirë", shton Rajmonda. Pak e nga pak mori trajtë profili i një artisti që vinte nga shkolla ruse, jo nga ajo shkollë që interpretohej keq. Shkuarja drejt e tek burimet, shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i materialeve të metodës së Stanislavskit i dhanë përparësi Bexhetit të njihte dy dimensione të aktrimit dhe të mos binte në keqkuptimet që kish pësuar metoda ruse në shkollën dhe teatrin shqiptar. "Ai aplikoi anën teknike të mjeteve shprehëse në të folurin skenik, një frymëmarrje të bollshme, një zë që vibronte në të gjitha nuancat, në bukurinë dhe melodinë e gjuhës shqipe. Për këtë ai përkthente dhe studionte materiale të Stanislavskit nga rusishtja për bazat e të folurit skenik. Dhe veçanërisht i kushtonte vëmendje trainingut të mëngjesit, duke bërë një punë sistematike me frymëmarrjen, aparatin e të folurit, vokalin. Bexheti nuk abuzonte me emocionin, me ndjeshmërinë. Si aktor psikologjik ai i vë rëndësi mendimit."
Model të një njeriu që jeton në mënyrë të plotë e quan Rajmonda, njeri që jeton në konsekuencë me atë që është, gjë që dikur Bexhet Nelkut i interpretohej si egoizëm, si individualizëm.
Në kinema pati vetëm katër role. Një episodik te "Detyrë e posaçme" të Kristaq Dhamos në kohën e studimeve. I njëjti regjisor e angazhon për rolin e Aleks Nushit në filmin "Vitet e para". Për rolin e mësuesit Thoma te "I teti në bronz" i Viktor Gjikës, konkurroi në kinoprovë me Vangjush Furxhiun. Vite më pas, Furxhiu që mori tek ky film rolin e Arifit, kujton: "Kishte shpirt krijues. Kalimin e moshave në film Bexheti e ka më të spikatur nga tërë personazhet e tjerë dhe këtë ai nuk e arrit me një grim të rënduar apo me ndonjë palë mustaqe (siç vumë ne të tjerët), por si rezultat i thyerjes së brendshme."
Oficeri gjerman në pjesën "Ura" me regji në Pirro Milkanit, nga triptiku "Kur zbardhi një ditë", është filmi i tij i fundit. Madje dublimi i zërit është bërë nga Reshat Arbana.
Aktori është diagnostikuar me tumor. Portreti i tij i mbajtur në fokus nëpërmjet monologut, nuk është i armikut të karikaturizuar, qesharak.
Koprací së jashtmi, por jetë intensive e brendshme, komenton Rajmonda. "Kjo i jep krijimeve të tij një vulë të veçantë në krahasim me aktorët e tjerë. Bexheti nuk bazohej vetëm në intuitën dhe nuk pajtohej me atë interpretim emfatik që ekzistonte në atë kohë në teatër tek shumica e aktorëve, ku vihej theksi në anën emocionale duke zbehur logjikën e veprimit. Në këtë drejtim ai u prirë drejt një interpretimi racional."
Mbi këtë logjikë realizoi Priftin te "Cuca e maleve" natën para premierës, rol që është ruajtur në arkivat e TVSH-së në interpretimin e Prokop Mimës.


Tregimi i zonjës

Zonjën e takuam në një vend të shenjtë dikur: në arkadat e qendrës tregtare që janë ngritur vitet e fundit në sheshin ku ndodhej e famshmja Kinema "17 Nëntori".
Gruaja e kujton si një nga pak vendet që frekuentonin më shpesh me të shoqin. Ata jetuan nëntë vjet bashkë në Rrugën "Ali Demi". Banuan në një dhomë. Bexheti kish dashur familje të madhe, kish dashur gjashtë fëmijë. Tek ajo gjoja shtëpi u lindi djali i vetëm, Einari. Gruaja mban mend që edhe në radhën 12 të teatrit, Bexhetit i flisnin sytë bojëqiell, i shkëlqenin. "Luante edhe për të birin. I thoshte nga skena: jam unë, babi."
Familja Nelku nga Lejçani i Gollobordës kishte zbritur në Tiranë ngaqë babai i pesë fëmijëve, Ramadani, ishte mjeshtër i ndërtimit, ndërtues oxhakësh.
Bexheti njëri nga djemtë, i lindur në Tiranë më 6 qershor 1937, e deshi teatrin nga kontakti me të. Shtëpinë e Nelkut, një shtëpi e vogël, një mur e ndante nga Teatri Popullor. U aktivizua në një grup teatral amator, ndërkohë bënte punë të ndryshme për të ndihmuar familjen.
Më 1955 hyn në Liceun Artistik në degën e Dramës. Në vitin 1959 u hap për herë të parë shkolla e lartë për aktor "Aleksandër Moisiu" pranë Teatrit Popullor, ai studioi aty.
Merr një rol episodik te "Orët e Kremlinit", është figurant në tragjedinë "Hamleti".
Regjisori Pandi Stillu e angazhon. Ishte student kur debutoi në skenë me "Shtëpia e kukullës" e Ibsenit, në rolin e avokatit Krokshtat. Me rolin e Benediktit në "Shumë zhurmë për asgjë" të Shekspirit, mbron diplomën.
Ishte takuar ndërkohë me "sfinksin" e tij, gruan që mori mbiemrin e tij.
Në shtator 1963 ai hyn në Teatrin Popullor, në kohën e plejadës së aktorëve si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi. Interpreton në role episodikë dhe protagoniste si te "Mbreti Lir", "Toka e zjarrtë", "Cuca e maleve", "Fytyra e dytë" përkrah Kadri Roshit dhe Viktor Gjokës dhe "Pas vdekjes" të Çajupit.
Zonja Nelku tregon se në kafene "Tirana", diku pranë Cirkut, ai zbërthente rolet e tij. Nga leximet njohu poezinë, dramaturgjinë, autorë botërorë I pëlqenin filozofia dhe gjuhët e huaja.
Shqipëria ishte vend i vogël, ndoshta ai e mendonte këtë. Njëri vëlla ishte arratisur, një tjetër, Hamit Nelku, u dënua më 1965 me dhjetë vjet burg.
Thoshte: S'më duket bota e lirë kur më shtrëngojnë këpucët.
Leximet e futën vetëdijen e Bexhetit për aktrimin në sferën logjike. Idetë e tij dhe përpunimin e një mendimi teorik për mjeshtërinë e aktorit, bashkë me aktorin dhe kolegun Prokop Mima, ai i la në studimin "Mendime rreth të folurit në teatrin tonë". Thelbi i studimit është që teatri duhej të kishte në themel të folurin realist dhe të shmangte manierat: deklamacionin, emfazën.
Ky ishte këndvështrimi i një novatori.
Zonja Nelku nuk e ruan këtë tekst, diku duhet të ndodhet në arkivat e Akademisë së Arteve.
Vdekja e Bexhet Nelkut ndodhi shpejt. Në tre javë. Piro Mani do kish dashur që ai të luante Xhivolan te "Arturo Ui", por premiera nuk e gjeti gjallë Bexhetin. Rolin e luajti miku i tij, Prokop Mima.
Në një nga ditët e fundit, java e tretë në nëntorit 1970, në spitalin nr. 2 në Tiranë Bexhet Nelku i mbështetur në parmakun e dritares duke parë përtej një fëmijë që shkarkonte qymyr për spitalin, tha: Doja të isha si ai fëmijë.
Kishte përmendur njëherë se "ka një Zot, por ne nuk duam ta besojmë". Pastaj, në orët e fundit, e shoqja kujton, se prej shtratit, ngriti duart dhe u lut: O Zot!
Më 21 nëntor 1970 vdiq. Njerëzit përhapën fjalë se Bexhet Nelkut, i vunë nën krye në arkivol dy libra nga biblioteka e vet dhe një saze të dashur.
Shtëpinë e re e shoqja e mori një vit pas vdekjes së tij. Ajo ruan pak nga librat rusisht-anglisht, deri vonë edhe instrumente të dashura të Bexhetit, kitarë, saze, fizarmonikë. Ishte instrumentist në të tria.



Tregimi i studentëve

Në mesin e viteve '60 Bexhet Nelku është pedagog i të folurit skenik në Institutin e Lartë të Arteve. Disa studentë dhe kolegë të tij e kanë njohur kështu.

Justina Aliaj: "E mbaj mend që ai thoshte: Në qoftë se natyra ju bëri një dhuratë, ju asnjëherë nuk duhet ta ledhatoni atë, ta sodisni atë me sigurinë që nuk do të ikë kurrë prej jush, sepse shumë shpejt do të keni pasoja serioze në këtë drejtim. Ju duhet t'i faleni punës dhe vetëm punës."

Agim Qirjaqi: "Bexhetin e kam pasur pedagog të fjalës artistike për afro 2 vjet. Shquhej për seriozitetin në punën e tij dhe për rëndësinë që i kushtonte gjuhës, të folurit në skenë, e sidomos përgatitjes teknike të fjalës artistike.
Mbaj mend ditën e parë të mësimit me të: Nxirrni një laps e fletore, na tha, dhe citoi përmendësh këshillat që u jep Hamleti aktorëve që do të luajnë dramën. Pasi mbaroi, herën tjetër e dua përmendësh na tha duke u larguar. Ky citim nuk u bë për qëllime efektuoze, por kishte një domethënie sepse monologu përmban jo vetëm këshillat që u jep Shekspiri aktorëve, por edhe këshilla për të folurin në skenë. Respekti i madh që krijuam ne si kurs për të ishte i padiskutueshëm. Në momentet që ishte i sëmurë na u kërkua gjak dhe i gjithë kursi pa hezitimin më të vogël, dha gjak për pedagogun dhe artistin Bexhet Nelku."

Vangjush Furxhi: "Bexhet Nelku ishte maja më e lartë në aktorët e brezit të tij që synonim të arrinim."

Esat Oktrova: "Ai arrinte të bënte një përcaktim të saktë të perspektivës së rolit, nga figuronte një shpërndarje e drejtë e energjive mendore, emocionale e fizike dhe jo njëherë të arrinte në punime filigrame, veti këto edhe të Kadri Roshit. Prandaj Bexheti ishte mjeshtër i së tërës por edhe i së veçantës."



Epilog

Ka një pishë me emrin e Bexhet Nelkut në oborrin e Teatrit Popullor. Në Teatrin e Metropolit, një prej dhomave të aktorëve, mban emrin e tij.

Shekulli

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7