Hyrje | Art Kulture | Kinema | Kadri Roshi: Familja, pasuritë dhe borxhet e aktorit

Kadri Roshi: Familja, pasuritë dhe borxhet e aktorit

Dëshmia e parë publike prej djalit të aktorit. Cila është bashkëshortja që ndau 60 vite jetë me gjeniun e skenës shqiptare? Detaje për njeriun e thjeshtë, që kërkonte rregull dhe harmoni në familje. Një shtëpi artistësh me burrat në teatër dhe gratë në kor. Si dhe shpresa për të ardhmen artistike të nipit në rrugën e gjyshit, që vjen nga vendi i Ezopit…

 

 

Ylli Molla, Revista VIP Albania, mars 2011

Telefonatat në shtëpinë e Kadri Roshit janë shuar. Vizitat po se po. Në rrugën “Mine Peza” nuk gjen dot asnjë shenjë që mund të të drejtojë për tek apartamenti 21, në katin e tretë të pallatit numër 1. Pikërisht në këtë adresë, midis viteve 1963- 2007, drejtoheshin shumë njerëz, nga më të zakonshmit deri tek artistët e ofiqarët, që tentonin të rrëmbenin diçka nga fama e “Ezopit”.

Në sirtarët e vjetër, teksa gërmon mes kujtimeve të ruajtura në letër, aktori Kliti Roshi - djali i vetëm i Kadriut - ndesh në një tufë fotosh të zverdhura nga koha. Shumica e tyre janë të formatit të vockël 6x9 cm, që përdornin studiot e printimit në vitet e komunizmit. Kësisoj, portreti i gjeniut të skenës shqiptare në këto pamje shfaqet me një modesti ngjethëse. Vetvetiu kujtohesh se ai jetoi plot 16 vite në “kapitalizëm”, por formatet dhe luksi i fotove kanë mbetur po ato. As pensioni i posaçëm si “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit” nuk i kanë mjaftuar për të printuar ca foto të mëdha, së paku për ta kënaqur kureshtjen e gazetarëve të rinj. Duket një shfaqje ironike, por e vërtetë. Ai iku nga kjo botë me po atë modesti që kishte ardhur. Me këtë “pasuri” arkivore që të shtang dhe të lë pa fjalë. Por, më e keqe se kjo mungesë “infrastrukture” për të bërë marketing mediatik, është heshtja që vazhdon të rëndojë mbi shtëpinë e tij të vjetër. Ata që e donin për të marrë diçka nga dora ose nga goja e tij janë strukur në mikrobotën e tyre fill pas largimit të aktorit në botën tjetër. Familjarët e Kadriut e dinë mirë pse mungojnë vizitat e “miqve”, që vetëquheshin të tillë, sa herë kishin nevojë për të trokitur në derën e tij. Dhe që, çuditërisht, ai i përcillte gjithmonë me një buzëqeshje shfajësuese: “Janë në hall, duhen ndihmuar!”

Më 6 shkurt të këtij viti u mbushën plot 4 vjet nga largimi i Kadriut në botën e përtejme. Për figurën e tij artistike janë shkruar qindra artikuj, janë xhiruar dokumentarë, janë botuar edhe dy monografi. Por rrallëkush prej artdashësve mund të ketë lexuar diçka për familjen e aktorit, për njerëzit që e kanë mbështetur në ditët e mira dhe të vështira. Sepse bashkëshortja, vajza dhe djali i familjes Roshi i janë shmangur me modesti interesit mediatik, duke vijuar jetën normalisht, secili në fushën e vet. 

Martesa dhe pasionet

Duket si një rastësi fatlume dhe, më shumë se kaq, njohja e martesa me një vajzë të rritur në një familje që ishte shpërngulur nga Gjakova në Tiranë. Drita Taho quhej vajza që u prezantua për herë të parë me 23-vjeçarin Kadri Roshi në vitin 1947. Atëherë ajo këndonte me korin e Sindikatave, i cili më vonë mori emrin Teatri i Operas dhe Baletit. Aty punoi deri në vitin 1979 kur doli në pension dhe vendin bosh e zuri, e bija, Ermira Roshi.

Bashkëjetesa e gjatë me këtë grua fisnike ka luajtur një rol të madh edhe në ndjenjën atdhetare të Kadriut. Ai e donte Kosovën dhe këtë ndjenjë e shprehte në realizimet brilante të roleve të figurave patriotike. Por edhe duke “nxirë” më tepër se askush tjetër rolet negative që i jepeshin shpesh nga regjisorët. Edhe pas kësaj dëshire në dukje profesionale, ruhej sekreti për t’i mbishfaqur figurat pozitive dhe atdhetare.   

Në këtë familje, ku burri ishte aktor i shquar, Dritës i mbetej më shumë ngarkesë në shtëpi, për të gjitha punët që tradicionalisht në familjet shqiptare janë kryer prej grave. Por mungesa e gjatë në mjedisin familjar, e kishte bërë Kadriun më kërkues ndaj rregullit të përgjithshëm, si edhe shumë tolerant për mbarëvajtjen e harmonisë. Bashkëshortja, e cila ia lexonte më qartë se kushdo pasionin e jashtëzakonshëm për artin, ia falte edhe situatat e pakëndshme që krijonte ai nga qëndrimi me peshkatarë, lypës, apo endacakë. Qortimit të saj, kur kthehej nga peshkimi, ku gjunjët e pantallonave i griseshin dhe i bëheshin pis në llucë, ai i përgjigjej me të qeshur, duke nënvizuar një të vërtetë të hidhur: “Nëpër kazanë zifti jam rritur moj grua!”    

Te kjo thjeshtësi e jashtëzakonshme me njerëzit e “vulgut” për një aktor të kalibrit Roshi, fshihej edhe një hile e vogël. Në ato fytyra të lodhura nga skamja dhe brenda shpirtit të tyre të trazuar, aktori “vidhte” karakteret që i duheshin për skenën e teatrit dhe sheshxhirimet e filmave. Te kjo përulësi ndaj njerëzve të thjeshtë duhet kërkuar çelësi i suksesit të mjaft roleve, që për aktorët e sotëm duken të pakapshëm. Ishin po këta njerëz të thjeshtë që e mbushnin sallën e Teatrit Kombëtar dhe i duartrokisnin me shpirt interpretimet e Kadri Roshit.          

Sa i dashur dhe njerëzor ishte me të thjeshtët, aq i paduruar dhe agresiv bëhej me shtetarët. Aktorët i kishte miq dhe vëllezër deri në çastin kur ata ngjiteshin në poste drejtuese. Pas ndryshimi të statusit ata i konsideronte “armiq”. Nuk mbahet mend asnjë drejtor i Teatrit Kombëtar që ta ketë kaluar paqësisht ushtrimin e detyrës përballë Kadri Roshit. Ndryshe nga çfarë propagandonte Partia, ku militoi edhe vetë gjatë gjithë periudhës komuniste, ai e konsideronte drejtorin e teatrit si shërbëtor të aktorëve dhe regjisorëve. Ky qëndrim nuk u shkonte për shtat pushtetarëve, të cilët do ta gjenin rastin për t’u hakmarrë. Siç ndodhi realisht, kur e larguan nga teatri për riedukim nëpërmjet punës.   

Njihet vetëm një rast, kur Kadriut i është dashur të bëjë “pakt me djallin”. Në arkivin familjar ruhet ende një leje peshkimi e firmosur nga ish-ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu. Veçse një pasion i jashtëzakonshëm, që e kënaqte teksa ulej pranë tokës dhe e çonte në viset hyjnore të monologëve dhe bashkëbisedimeve unikale, mund ta detyronte aktorin të ngjitej deri në zyrën e një ministri, pa lejen e të cilit nuk mund të shkelte në zonat kufitare të bregdetit. Për këtë dhe vetëm për këtë, ai e ruante miqësinë dhe respektin me ta. Asnjë detyrim tjetër nuk ndjente brenda vetes për “ta pasur mirë” me të mëdhenjtë e pushtetit të kohës.

Vajza, djali dhe nipi

Boshllëkun arsimor që kishte trashëguar nga fëmijëria dhe rinia e tij, kërkoi ta mbushte duke këmbëngulur që djali dhe vajza t’i ndiqnin të gjitha nivelit e shkollimit. Njohës shumë i mirë i historisë dhe i gjeografisë së Shqipërisë dhe të botës, Kadriu përsëriste vazhdimisht: “Ai që nuk i njeh këto, nuk di se cili është kombi i tij”. Nga vitet e fëmijërisë, sot djali i aktorit kujton i mallëngjyer çapkënllëqet e shumta dhe mungesën e dëshirës për të qenë një nxënës shumë i dalluar. Por shkujdesja e tij në përmbushjen e detyrimeve shkollore me kohë u shndërrua në një brengë të vërtetë për babanë. “Nëse mund të ketë ndodhur që të më ketë hequr ndonjë pëllëmbë gjatë gjithë fëmijërisë, kjo mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të notave jo të mira që merrja unë”, tregon me sinqeritet Kliti. Me gjithë kokëçarjet që “i dhuroja” shpesh, arrita që në vitin 1988 t’i përfundoja studimet e larta për aktor në Fakultetin e Arteve. Dita e diplomimit të Klitit ishte një nga ngjarjet më të mëdha në jetën familjare të Kadriut. “Atë ditë dukej shumë më i ri se 64 vjeç”, kujton i biri me nostalgji. Një pjesë të dëshirës prindërore për t’i parë të rregulluar mirë fëmijët e tij, e plotësoi Mira, vajza e vetme e aktorit, e cila për afro 30 vite punoi si koriste në Teatrin e Operas dhe Baletit. Një ndarje e çuditshme, sipas seksit: burrat në teatër - gratë në kor, thotë Kliti duke qeshur. 

Në fakt, lidhja e familjes Roshi me artin nuk fillon me Kadriun. Gjyshi i tij, Mukim Roshi, dhe babai, Maksuti, kanë qenë regjisorë dhe aktorë të talentuar. Nga i njëjti fis në Libohovë numërohen rreth 18 arsimtarë dhe drejtorë shkollash. Një traditë që sot është zhvendosur gjeografikisht në Tiranë dhe më larg, në Athinë. Një shpresë reale për të ruajtur lidhjet me kinematografinë dhe teatrin është nipi i aktorit të madh, 17-vjeçari Maks Roshi (shkurtim i emrit Maksut - babai i Kadriut). Kliti shprehet me modesit se “djali kërkon të bëhet aktor si gjyshi, jo si unë”, ndonëse vetë Maksi e pranon që kjo sipërmarrje do shumë, shumë punë.

Largimi drejt përjetësisë...

“Doja të jetoja akoma, por iki i ngopur nga kjo jetë”. Këto janë fjalët e fundit të baba Kadriut, të cilat ia ka thënë Mirës në shtëpinë e saj. Dhe cila ishte ngopja që shihte aktori para ndarjes me të dashurit e familjes?

“Më ka lënë një pasuri të paçmueshme - emrin e tij të madh. Por më ka lënë edhe borxhe të mëdha, që janë detyrimet për njerëzit e thjeshtë, të cilët e kanë dashur e respektuar si rrallëkënd. Nuk e di a do të më mjaftojë fryma dhe mendja për t’ua shpërblyer me dashuri dhe përkujdesje”, përfundon rrëfimin Kliti Roshi.

Pranë Spitalin Psikiatrik në Tiranë ndodhet një rrugë krejt e zakonshme që mban emrin Kadri Roshi. A thua nuk kishte ndonjë rrugicë pranë qendrës së kryeqytetit që të çonte drejt Teatrit Kombëtar dhe që mund ta meritonte këtë emër? Në Sharrë po ashtu gjendet një varr i thjeshtë, i rrezikuar nga vendosja anës rrugës, që mban të njëjtin emër. Vetëm 300 metra larg ndërtesës së Teatrit Kombëtar, sot duket pothuajse e kotë të mundohesh për të gjetur apartamentin ku jetoi për afro gjysmë shekulli një nga emrat më të mëdhenj të skenës shqiptare. Katër vite pas vdekjes nuk po gjendet ende një pllakë mermeri ku të shkruhet thjesht: Këtu ka jetuar aktori Kadri Roshi. Për të gjitha këto njerëzit e kanë humbur orientimin dhe takohen rrallë, fare rrallë me atë që u dha aq shumë.

Më e rëndë se vdekja është harrimi. Fatkeqësisht, kjo po ndodh me të gjithë emrat e shquar skenës, ata që Kliti i quan “46 gurët e xhevahirit në gjerdanin e artë të Teatrit Kombëtar”.

Por, fatmirësisht, ka edhe një botë tjetër virtuale, ku Kadriu shfaqet madhështor, prej admiruesve të artit të vërtetë. Pa asnjë shpërblim, moderatorë faqesh online apo amatorë lajmesh vazhdojnë të përcjellin në internet foto, skena filmash, dramash dhe komedish të dikurshme me të njëjtin personazh gjenial, Kadri Roshin. Imazhi i aktorit të madh prej Shqipërisë së vogël tashmë ka nisur rrugën e pafundme në përballje me miliona admirues e kureshtarë, të cilët nuk i pengon asgjë për të gjetur sa herë dëshirojnë kohën dhe vendin e takimit me idhullin e tyre të përjetshëm.   

“RIEDUKIMI”/ Rënia dhe ringritja në OAN

Dikur Kadri Roshi ka punuar edhe në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Jo si regjisor apo drejtues artistik. Thjesht si xhenerik! Një “stazh” partie i papritur e transferoi në vitin 1973 nga Teatri Popullor në një ofiçinë mekanike. Një dënim absurd, i nxitur nga xhelozitë mes kolegëve për shkak të talentit. Por që Kadriu nuk u mbajti mëri, sepse ishte zemërgjerë dhe ia linte kohës të merrej me ta.

Në ditët e vështira të riedukimit, pasioni i jashtëzakonshëm për teatrin e mbajti gjallë. I jepte forcë, ashtu si Anteut prekja e tokës. “Xheneriku” Kadri Roshi themeloi grupin teatror të ndërmarrjes me aktorë amatorë, duke realizuar disa shfaqje të suksesshme drame dhe estrade, me të cilat fitoi disa trofe.

Me këtë trupë ai u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, duke shënuar një ngjarje të rrallë për nga pjesëmarrja e spektatorëve dhe emocionet që përcolli. Dëshmitarët e asaj nate të vitit 1974 kujtojnë se, para fillimit të dramës, një nga punonjësit e mirëmbajtjes u ngjit disa herë në skenë për t’i paralajmëruar spektatorët e shumtë që i kishin mbipopulluar lozhat që të zbrisnin në katin e parë, sepse ndërtesa kishte nisur të kërciste dhe rrezikonte të shembej nga çasti në çast. Po shfaqej “Koha e komisarëve”, dramatizim i romanit “Komisari Memo” të Dritëro Agollit. Spektatorët në sallë nuk dëgjonin asnjë batutë të aktorëve të OAN-së, vetëm duartrokisnin për rikthimin në skenë të komandantit Rrapo (personazhi kryesor që luhej nga Kadri Roshi).

Me trupën amatore të kësaj ndërmarrjeje, ai ngjiti në skenë si regjisor edhe dramën “Fisheku në pajë” të Fadil Krajës, si dhe “Gurët e Kreshanës” të Loni Papës.     

SHKOLLIMI/ Historia e një karriere brilante

Duke dashur t’i gjejmë rrënjët e thjeshtësisë që e mbështillte këtë figurë madhore të artit skenik, rrëfimi i Klitit na çon në një qytet të vogël, ku në një familje të varfër më 4 janar 1924 u lind Kadri Roshi. Fatkeqësitë e njëpasnjëshme familjare do ta përballin me sfidat më të vështira që mund të parashikojë një fëmijë. Në fillim nëna, pastaj babai, e lanë jetim kur ishte herën e parë 2 dhe të dytën 12 vjeç. Në kërkim të një rruge për të mposhtur mjerimin shkon në Kavajë dhe Durrës, ku provon punë të rëndomta, deri edhe hamall porti. Çlirimi i vendit e gjen në Tiranë, ku falë një rekomandimi miqësor e gjen veten si biletaprerës kinemaje. Por një ëndërr që e kishte ngacmuar prej kohësh, mbase për shkak të origjinës nga një familje me tradita në fushën e arsimit dhe artit, po ia ndriçonte rrugën drejt skenës. Lajmi për hapjen e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) e çon pikërisht në konkursin e posaçëm për aktor. Prova e parë u mbyll me keqardhjen e dështimit. “Ishte pothuajse gagaç, nuk fliste dot rrjedhshëm”, tregon Kliti. Por shpresa nuk u shua, pasionit të jashtëzakonshëm ju gjet një profesion i përafërt - sufler në Teatrin Popullor. Kaq do t’i mjaftonte për të treguar se shumë shpejt do të ngrihej nga nëndyshemeja poshtë skenës për të treguar se vlente shumë më tepër. Në vitin 1946 iu ofrua një rol te “Revizori” i Gogolit. Kësaj radhe triumfoi. Me interesimin e miqve, më 1947, u nis me bursë të plotë nga shtetit shqiptar për në Zagreb, Kroaci (Republika e ish-Jugosllavisë). Ishte me vetëm 4 klasë shkollë fillore, kur u regjistrua si studenti i parë shqiptar në një shkollë të lartë për aktor! Prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë në 1948 shërbeu si një mundësi e mirë për t’i vijuar studimet në Pragë, bashkë me kolegun Lazer Filipi. Të dy rifuten në provim dhe një pedagog i njohur me emrin Pashek - kryetar komisioni - befasohet nga paraqitja dinjitoze e dy të rinjve që vinin nga vendi i Aleksandër Moisiut, dhe aty për aty vendosi t’i marrë si studentët e tij.

Pas studimeve universitare kthehet në Tiranë i diplomuar si aktor. Roli i parë debutues si profesionist është Osipi i “Revizorit” të Gogolit. Pas këtij roli do të vijonin shumë të tjerë, deri sa pati fuqi njerëzore për t’u përballur me spektatorët.             

 

 

DETAJ/  “Më përgatiti Kadriu por më skualifikoi mbiemri!”

Historia e djaloshit të talentuar kavajas, Ali Plaku, që nuk e realizoi dot ëndrrën e jetës për shkak të biografisë. Profesor Roshi e ngushëlloi: Nuk të bën shkolla artist!

 

Oficeri i policisë, Ali Plaku, sot mund të ishte një aktor shumë i njohur. Ai është vetëm njëri prej njerëzve të thjeshtë me “biografi të keqe”, që ka pasur fatin të njihet personalisht, madje edhe të punojë për pak kohë me aktorin e madh. Para 35 vitesh, Aliu ëndërronte të bëhej aktor, por as fama e Kadri Roshit nuk e ndihmoi ta kalonte murin e paragjykimit si pinjoll i një familjeje të përndjekur nga regjimi komunist. Fqinj me vëllanë e aktorit në Kavajë, Aliu kishte parë me sytë e tij se sa pak i përfillte komunisti Kadri “porositë e Partisë për ta zhvilluar me vigjilencë luftën e klasave”. Sapo kishte mbaruar gjimnazin në qytetin ku ishte internuar familja, Aliu iu fut seriozisht përgatitjeve të konkursit për t’u pranuar si student në të vetmin fakultet të artit dramatik që kishte Shqipëria. Për më shumë se dy muaj përgatitjet e tij i ndiqte nga afër Kadri Roshi, i cili ia ndryshoi edhe pjesën që ia kishte sugjeruar një nga të paaftët e shumtë të asaj kohe.

Por në fund të dyja tentativat e njëpasnjëshme të djaloshit nga Kavaja rezultuan pa sukses. Komisioni ishte i mirinfomruar për biografinë e familjes Plaku, që mbante mbi shpinë dhjetëra vite burg dhe internim. “Lajmin e skualifikimit ia dhashë vetë aktorit të madh, i cili nuk ishte në komision”, kujton sot Aliu. “Kadriu e lexoi mirë çfarë mbeti pa thënë prej meje dhe m’u drejtua: Ti ore djalë e ke artin të shkruar në sy, nuk të bën shkolla artist!”

Me këtë ngushëllim të ngrohtë, kavajasi e përjetoi disi më lehtë dhimbjen e humbjes së shansit për realizimin e ëndrrës, që e kishte ushqyer për shumë vite me radhë në qytetin e vogël provincial. “Që nga ajo ditë, figura mistike e aktorit veçse rritej brenda përfytyrimit tim dhe do të mbetet e papërsëritshme deri sa të jem në këtë botë”, përfundon tregimin Ali Plaku. 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

5.00
Powered by www.merbraha.com v4.7