Hyrje | Art Kulture | Kinema | Will Smith, mbreti i ri i Hollivudit

Will Smith, mbreti i ri i Hollivudit

Will Smith, mbreti i ri i Hollivudit

Eshtë i fiksuar pas suksesit dhe filmat e tij janë ndër më të pëlqyerit në kinematë e gjithë botës. Në të kaluarën, maksimumi mund të renditej në vendin e tretë, ndërsa sot që Tom Kruiz dhe Tom Henks po i mbushin të pesëdhjetat, aktori më i mirë i Hollivudit padyshim është Uillard Kristofer Smith, i quajtur ndryshe Uill. Kështu ka sugjeruar "Newsweek", kështu vendosi "Time".

Në fakt, mjafton vetëm një llogari e thjeshtë: 2 miliardë dollarë fitime nga filmat e tij deri tani vetëm në Amerikë (rreth 120 milionë për film) dhe rreth 4.4 miliardë në të gjithë botën. Por më befasuesja është se ai u pëlqen të gjithëve. Në çfarëdolloj gjinie që vendos të interpretojë në një film, të gjithë e duan njëlloj, si në filmat fantastiko-shkencorë, filmat me aksion, komeditë apo ata romantikë. Me pak fjalë, nuk është vetëm çështje dollarësh, për më tepër që "Entertainment weekly" e ka renditur të pestin në listën e 50 personave më inteligjentë të Hollivudit. Për më tepër, shumë nga revistat më të famshme të modës, mes të cilave edhe "Men‘s Vogue", mendojnë se dalja e tij në faqe të parë mund të ndikojë më shumë në shitjen e gazetës apo revistës. Për më tepër nuk mbaron këtu, sepse sapo në kinema doli filmi "I am a legend", arriti që të fitonte 75 milionë dollarë që në fundjavën e parë që u shfaq. "Trofeu" i fundit në kurrikulumin e tij është thënia e një kritiku shakaxhi, që mijëvjeçarin e ri kinematografik ka propozuar ta quajnë "mijëvjeçari Uill". Po si dreqin arriti "princi i Bel Erit" të bëhej mbreti i ri i Hollivudit? Sekreti, thonë miqtë dhe të afërmit që e njohin, qëndron te loja që ai ruan me kujdes mbi tavolinën e sallonit në shtëpinë e tij në Manhatan. Shpesh herë e sheh dhe përsërit me vete: "Di ta zgjidh". Kjo është edhe metafora e jetës së tij. "Jam njeri i fiksuar pas gjërave. Suksesi fshihet gjithmonë këtu. Nëse fikson në mendje se diçka duhet ta bësh, madje ta bësh mirë, atëherë ia arrin", thotë Smith. Sigurisht që kjo është një nga cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Pothuajse të gjithë miqve Uill kërkon t‘u tregojë një histori që ai e ka aq shumë për zemër: "Babai im më kam mësuar të luaj shah që kur isha shtatë vjeç. Tani është e vështirë që dikush të më mundë. Megjithatë, në sheshin e xhirimeve të filmit ‘Enemy of the State‘, një i moshuar arriti t‘ia dilte mbanë.



Ditën tjetër kërkova një mësues, me të cilin mora mësime për tre muaj rresht, në mënyrë që të merrja hakun para se të mbaronte puna me xhirimin e filmit". Mendimi i tij për t‘u cilësuar si "më i miri" ka nisur qysh kur ishte 16 vjeç, kur u tradhtua nga e dashura e tij e parë. "Kjo hodhi poshtë atë që unë mendoja, se më i miri nuk mund të humbasë asnjëherë. Por nëse ajo më tradhtoi, kjo do të thotë që unë nuk isha njeriu i duhur për të dhe pikërisht që nga ajo kohë vendosa që në jetën time nuk do të ndodhte kurrë më që ata me të cilët do të rrija të më braktisin, ose do të mendonin se nuk isha më i miri". Ndoshta shumë pak e dinë që para se të bëhej një yll kinemaje, Uill Smith ishte një rreper, ndërsa sot jo vetëm që interpreton me mjeshtëri filmat, por në shumicën e rasteve është edhe regjisor i tyre. Kjo është edhe arsyeja se përse e kanë përcaktuar si "One man Entertainment industri". Nga i ati, një tregtar frigoriferësh që punonte pa ndaluar gjatë gjithë javës, ka mësuar të mos bëjë kurrë naze kur bëhet fjalë për punën, ndërsa nga e ëma, sekretare në një shkollë, vlerën e diturisë.

Në të vërtetë, edhe pse Uill nuk ka frekuentuar për asnjë ditë ndonjë shkollë të veçantë, e ka shtëpinë plot me libra që të mësojnë dhe udhëzojnë se si mund të përballosh çdo argument dhe vështirësi të jetës. Jo më kot në bisedat me të mund të dëgjosh thënie dhe pjesë nga filozofët dhe njerëzit më të mëdhenj të shekullit. Pas suksesit me filmat e parë, i vendosi vetes qëllimin që të mos ishte vetëm një aktor i zoti, i pasur dhe i famshëm, por të bëhej më i miri i të gjitha kohërave. Modeli i tij i të kaluarës ishte Keri Grant, ndërsa ai bashkëkohori është Tom Henks. Por ndryshe nga ata, Uill pëlqen më shumë filmat fantastiko-shkencorë. "Një ditë analizova me kujdes filmat më të suksesshëm dhe me më shumë fitim në historinë e kinemasë dhe zbulova se pjesa më madhe e tyre ishin fantastiko-shkencorë, ndaj vendosa që të jepesha më shumë pas kësaj gjinie". Uill Smith fiton nga 20 deri në 25 milionë dollarë për një film, por kur është e nevojshme i investon të gjitha lekët e fituara pa asnjë hezitim.

Kjo ka ndodhur me dy prej filmave të tij: "Ali" dhe "The Pursuit of Happyness", ku së bashku me regjisorin vendosën që të shpenzonin një pjesë të mirë të fitimeve të tyre. Është një nga të paktët aktorë që i pëlqen t‘i prezantojë vetë filmat e tij jashtë vendit. Kohët e fundit sapo u kthye nga Azia, ndërsa në Japoni, kur e kuptoi se një gazetar e kishte zënë gjumi në konferencën e shtypit, e zgjoi dhe vendosi të bënte një fotografi me të. Interesante... Mes miqve të tij më të ngushtë janë çiftet Tom Kruiz - Keti Holms dhe David e Viktoria Bekam. Është një mbështetës i flaktë i Sajentologjisë: "Jam rritur në një ambient baptist. Shkoja në kishë, jetoja në një lagje hebraike dhe u dashurova çmendurisht me një vajzë myslimane. Ishte Tom Kruiz ai që më futi te Sajentologjia dhe për mua, që e quaj veten një studiues të feve të botës, është e rëndësishme të njohësh dhe të kuptosh gjithçka". Me kaq shumë punë nëpër duar, kohën e lirë ia kushton tërësisht familjes. Prej dhjetë vjetësh ylli amerikan jeton me Xhada Pinket-Smith dhe çdo ditë i jep martesës dhe sigurisht bashkëjetesës rëndësinë që i takon.

Takimi i parë me atë që do të ishte gruaja e tij e ardhshme u bë në zyrën e një këshilltari martesash dhe asnjë nga të dy nuk pranoi që të nënshkruante një marrëveshje paramartesore. Të dy tregojnë se sekreti i kësaj lidhjeje të shëndoshë qëndron shumë te mirëkuptimi dhe pak te puna. Kushti i parë i martesës së tyre ka qenë se asnjëherë nuk do t‘i tregonin njëri-tjetrit gënjeshtra. "Gjërat duhet të thuhen ashtu siç janë", trego ai. Te filmi i tij më i fundit, "I am a legend", në krah të Uillit luan edhe vajza e tij 7-vjeçare. Ai vendosi që ta provojë sërish të ketë një tjetër anëtar të familjes në setin e xhirimeve, pas suksesit që pati kur u shfaq me djalin e tij 9-vjeçar në filmin "The Pursuit of Happyness". Për sa i përket punës që mami dhe babi i tyre bëjnë, fëmijët kanë mendime të kundërta: "Djali pëlqen vetëm histori të bukura. Nuk i interesojnë paratë apo suksesi i filmit në treg. Ndërsa vajza ka dëshirë vetëm të shfaqet në televizion, ta marrësh në intervistë dhe t‘i bësh dhuratë. Është njëlloj si të kesh në familje Xhoni Dip dhe Paris Hiltonin", përfundon ai.

Marre nga : Gazeta Shqip

  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7