Hyrje | Art Kulture | Muzike | Xhovani Luci, një nga pesë dirigjentët e orkestrës rinore botërore

Xhovani Luci, një nga pesë dirigjentët e orkestrës rinore botërore

Më kot u lodhëm për t'i zbuluar ndonjë rrënjë që i nxiti pasionin për muzikën. Nuk ka familje shkodrane, - thotë Xhovani, - që të mos kishte në shtëpi, një artist. Edhe në familjen e tyre, kishte kohë që vëllai i tij, Nikolini, ishte dashuruar pas pikturës. Me sa duket fati për Xhovanin kishte caktuar muzikën. Ndryshe talenti i tij nuk do të kishte ngacmuar edhe kompozitorin e njohur shkodran, Gjon Kapedani, që e kishte këshilluar për të vazhduar udhën e nisur. Merakun e hodhi mbi violinën. Kjo ishte edhe dega që studioi në shkollën e muzikës "Prenk Jakova". Bëri emër kur ende ishte fëmijë... Pikërisht në Festivalin e Fëmijëve të qytetit të Shkodrës. Edhe pse ishte në klasën e shtatë, emri i tij jehoi si kompozitor i njërës prej këngëve konkurruese. Nuk fitoi çmim, por më shumë se aq. Fitoi besimin dhe kurajon për të konkurruar në çdo festival të mëvonshëm. Kështu, emri i Xhovani Lucit do të ishte mes emrave të kompozitorëve të çdo festivali për fëmijë. E ndërsa kishte bërë emër si talent, nuk kishte dritë jeshile për të vazhduar studimet e larta. Daja i vet, ua kishte mbyllur të gjitha portat e dijes që mund të hapeshin nga sistemi komunist. Gjithsesi, nuk ndihej i qetë në fatin që i kishte ofruar jeta. Ndaj nuk iu tremb as grykës së automatikut që i drejtoi ushtari i Gardës, atë ditë kur me vrap i zuri rrugën Anastas Kondos të posadalë nga zyra e tij në Komitetin Qendror. Thjesht i shprehu dëshirën që t'i krijohej edhe atij mundësia, për të vazhduar edhe ai shkollën e lartë për muzikë. Ndoshta sinqeriteti dhe këmbëngulja e djaloshit shkodran, për të bërë realitet ëndrrën, e prekën shkrimtarin e asaj kohe, që të ndihmonte atë artist të ardhshëm. Akademinë e Arteve e ndoqi për kompozicion. Por prapa e ndiqte edhe pasioni i dirigjimit. Njëkohësisht merrte informacion dhe studionte edhe për këtë degë. Mësimet ia jepnin Eno Koço dhe Jetmir Barbullushi. Në vitin 2005 e në vazhdim është duke shijuar realizimin e ëndrrës disavjeçare duke drejtuar orkestrën sinfonike të Liceut Artistik në Tiranë. Nga ky moment për të nis jeta e gjallë dhe e pasur e koncerteve të shumta jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera të vendit. Në shumë koncerte ka drejtuar orkestrën e përbashkët të RTSH dhe Liceut Artistik. Përvoja e fituar, pasioni për dirigjimin dhe dëshira për të ecur edhe më lart i krijuan edhe shansin për të shtuar lidhjet dhe bashkëpunimin me orkestrat sinfonike jashtë vendit, për të arritur kulmin e vet duke qenë një nga pesë dirigjentët e orkestrës rinore botërore. Kultura profesionale dhe mjeshtëria artistike e Xhovani Lucit, bënë që të fitojë respektin dhe besimin e madh nga ana e drejtorit të orkestrës rinore botërore, japonezit Minami. Prej tre vjetësh të dy palët shijojnë frytet e bashkëpunimit të suksesshëm. Kohët e fundit, ai ka marrë ftesën që të drejtojë këtë formacion muzikor gjatë vitit 2010, në koncertet që do të organizohen fillimisht në Londër dhe më pas, në korrik në Pekin. Edhe pse duhen muaj për këto aktivitete të rëndësishme, ai ka kohë që ka filluar përgatitjet. Sepse këtë radhë edhe synimet e tij janë edhe më të veçanta. Dëshiron që në këto koncerte, të luajë edhe pjesë nga krijimtaria e dy kompozitorëve shqiptarë, Preng Jakova dhe Gjon Simoni. Këtij suksesi të dëshiruar i ka paraprirë me promovimin ditët e fundit të Cd dhe DVD me orkestrën e harqeve dhe solistët e Liceut Artistik, ku ai vetë është dirigjent. Në të përfshihen kompozime nga P. Jakova, S. Gjoni, K. Kono, Popullore, K. Jenkis dhe L. Anderson. Për këtë sukses i ndihet mirënjohës edhe drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, Petrit Beci, i cili i krijoi mundësinë që të punonte në studiot e këtij institucioni të rëndësishëm artitik. Nga muaji tetor, dëshiron të promovojë CD e dytë, që do të ketë krijimet e kompozitorëve Prenk Jakova dhe Gjon Simoni.

Kur Kukësi iu bë më i dashur se Shkodra

Mbaroi shkollën e mesme të muzikës "Preng Jakova" dhe zemra i qante për të vazhduar Institutin e Lartë të Arteve. E dëshironte, por e dinte që edhe nuk do ta fitonte këtë të drejtë, pasi biografia ia kishte mbyllur të gjitha dyert. E vetmja mundësi ishte që të shkonte në një qytet të largët të punonte dhe të shpresonte për të drejtën e studimit, dhe më pas, duke iu nënshtruar kushtit që pas shkollës së lartë të shërbente po në atë qytet. Pasioni dhe dëshira për të bërë realitet ëndrrën e madhe, i verbuan sytë e shpirtit dhe të mendjes... Niset drejt Tiranës dhe ndal frymën te Ministria e Arsimit. Një turmë e madhe që kishin mbaruar për mësues, mjekë, agronomë... Me ditë të tëra parashtronin para Drejtorisë së Personelit dhjetëra arsye që i detyronin të refuzonin emërimet në zonat e thella dhe larg vendbanimeve të tyre. Tjetër "dëshirë" kishte djaloshi shkodran. I lutet punonjësit të këtij dikasteri që ta emërojnë në Kukës. Ende mban të freskët në kujtesë Xhovani edhe sot, reagimin e drejtorit që nuk i harron as emrin, Harillës:

-Ti je i Shtëpisë së Fëmijës?

Kthehet brenda ditës në Shkodër dhe të nesërmen niset drejt Kukësit. Gjithçka për të fituar të drejtën e shkollës së lartë. E mira e vetme ishte që u emërua pranë estradës së qytetit, që për fat trajtohej si profesioniste nga shteti. Ndërkohë jepte mësim violine në Shtëpinë e Pionierit dhe në Shtëpinë e Kulturës. Duke punuar më shumë besonte se do ta kishte edhe më të lehtë për të realizuar qëllimin e vajtjes në këtë qytet të largët. Edhe ashpërsinë e dimrit të parë e ndjeu të jashtëzakonshëm. Ishte pikërisht ai janar i acartë i vitit 1985 që mbajti të bardhë me ditë të tëra edhe Tiranën. Por edhe kjo e keqe e pati të mirën e vet për Xhovanin. Dy ditë para se të bllokoheshin udhët në Kukës i kishte ardhur për ta takuar nga Tirana e fejuara, Renata. E gjithë kjo ftohtësi u kthye në nxehtësi dhe dashuri për dy të porsafejuarit. Për fat, trepunësimi i kishte shtuar po aq fitimet. Shumë, që në ato dy muaj u tret më shpejt se dëbora... Dy muaj mbeti i izoluar Kukësi nga dëbora. Dhe nuk u bllokuan vetëm udhët, por edhe linjat telefonike. Largimi dhe mungesa e komunikimit vuri në merak familjen e Renatës. Dhe jo vetëm në merak, por edhe në dyshime. Duke qenë qytet kufitar dhe dhëndri me biografi të keqe te prindërit e Renatës në Tiranë filloi të përjetohej edhe skenari i arratisjes... Një tmerr i vërtetë, para të cilit ashpërsia e atij dimri ishte lluks. Shqetësim jo vetëm në familje, por edhe në organet e punëve të brendshme. Agjentët e Sigurimit të Tiranës filluan të grumbullojnë të dhëna shtesë për shkodranin Xhovan Luci, duke ia përcjellë degës së punëve të brendshme të Kukësit. U tret bora pas dy muajve dhe dy të rinjtë udhëtojnë drejt Shkodrës. Kur ende nuk kishin hequr këpucët, në derë u troket një njeri i panjohur. Me buzëqeshjen e tij karakteristike nis bashkëbisedimin me Xhovanin. Më pas interesohet dhe kërkon takim edhe me Renatën për të zbuluar ndonjë skenar të paragjykuar nga të vetët.

Kaloi viti shumë shpejt dhe Xhovani priste t'i jepnin sihariqin e të drejtës së studimit. Por më kot! Nuk duroi më dhe u largua nga Kukësi në drejtim të Tiranës, drejt familjes së të fejuarës së vet. Por jo se e pati të lehtë. Ligjet e shtetit të atëhershëm nuk lejonin mbipopullimin e kryeqytetit. Për më tepër, në rastin në fjalë do të thoshte që të shtohej edhe një armik më shumë... Mundëson shpërnguljen nga qyteti i Shkodrës, por kjo nuk do të thoshte se Tirana ishte e detyruar t'i hapte portat... Për fat, një javë më pas ishin zgjedhjet ku populli votonte 99.99 përqind për pushtetin popullor. I dëshiruar për të votuar, Xhovani shpreh shqetësimin pranë zyrave përkatëse se rrezikon mospjesëmarrjen në votim. Kjo i detyron organet kompetente të Tiranës, t'i japin lejën e banimit. Merr pjesë në votimin e të dielës dhe siguron përfundimisht të drejtën e banimit - të banimit por jo të punësimit. Pas kalimit të kësaj pengese, për të cilën Xhovani nuk derdhi djersë, në mënyrë të detyruar të gjithë të porsaardhurit duhet të punonin në minierë. Por edhe në këtë kohë kishte shkodranë që bënin për njëri tjetrin. Në Ambulancën Qendrore punonte doktor Pustina si neurolog. Një raport paaftësie për punë fizike e shpëton Xhovanin nga nëntoka, por jo nga vështirësitë... Vështirësi që do të fillonin t'i zbuteshin vetëm në ditët e bardha të lirisë dhe demokracisë që gëzojmë...

Më i suksesshëm në Gjermani se në Shqipëri

E dëshironte vetë këtë titull Xhovani. Jo se ka fituar në këtë vend ndonjë çmim prestigjoz në interpretim apo dirigjim, as pse ka mundur të ndiejë shtrëngimin dhe urimin e një prej ministrave më të rëndësishëm të shtetit gjerman, por sepse është ndier i suksesshëm si njeri, si shqiptar. Vërtet ka jetuar si emigrant, por respektin dhe mirënjohjen e ka ndjerë si të ishte gjerman. Fillimisht iku pranë një kishe në qytetin e Schrambergut pranë Freiburgut. Korrekt, i komunikueshëm dhe dashamirës me të gjithë stafin e këtij institucioni fetar. U kishte thënë që kishte mbaruar shkollën e lartë të Muzikës, i binte shumë mirë edhe violinës, por... Kalonin ditët dhe pak besonin se ai ishte vërtet shqiptar. Emri i tij apo të komunikuarit rrjedhshëm italisht, ngatëronte shpesh herë bashkëbiseduesit duke e quajtur italian. Pasi kishin kaluar disa muaj, një pjesëtar i stafit të kishës, i premton se do t'i falte violinën e të vëllait që nuk i jetonte më. Ishte një relike e shtrenjtë me të cilën ajo familje gjermane nxirrte mallin për njeriun e tyre të dashur, prej 40 vjetësh. Sapo preku atë vegël të dashur muzikore, Xhovani ndieu se i ndryshoi tërësisht edhe jeta. Shumë shpejt arriti të bëhej drejtues i muzikës. Me të u bashkua edhe bashkëshortja Renata, e cila këndonte, dhe djali i tyre, Franci, që luante në piano. Me angazhimin në fushën e muzikës dhe zotërimin e mirë të të folurit gjermanisht arritën që të integrohen shumë shpejt me jetën e këtij qyteti. Çdo javë, kisha organizonte koncerte sinfonike kryesisht në qytetin e Schrambergut, por edhe në qendrat e tjera të banuara të këtij Landi. Interpretimi profesionist i artistëve të familjes Luci e rriti dukshëm nivelin dhe repertorin e aktivitetit artistik. Tashmë ata ishin mysafirë të përhershëm në manifestime humane dhe argëtuese nëpër qendra të moshuarish dhe shtëpi fëmijësh jetimë. Akoma edhe më të prekshëm këtë atmosferë artistike e bëri shtypi gjerman. Gati për javë do të shkruhej për këtë familje që rrezatonte jo vetëm kulturë, por edhe mirësi dhe dashuri për qytetarët gjermanë. Edhe kryetari i Bashkisë u magjeps nga mjeshtëria e interpretimit të Xhovanit. Ndaj dhe ai e ftoi të asistonte në një ceremoni festive me rastin e dekorimit të tij. E ftoi thjesht si qytetar i denjë i atij qyteti dhe jo si muzikant. Por edhe miku shqiptar, nuk mund të rrinte pa e përshëndetur kreun e qytetit me disa pjesë të shkurtëra instrumentale në violinë. Nuk kishte se si të mos mbante lidhje të ngushta në vazhdim kryetari i Bashkisë me këtë familje model jo vetëm për bashkësinë e emigrantëve, por edhe atë të qytetarëve gjermanë. E në këtë vlerësim dhe mirënjohje të dyanshme, natyrisht që edhe opinioni për shqiptarët përmirësohej e shtohej në kahun e duhur. Në këtë mirëkuptim e bashkëpunim të dëshiruar nga të dy palët dalëngadalë filloi të rritej edhe prezantimi i muzikës dhe kulturës shqiptare. Në shumë prej koncerteve të dhëna në këtë qytet, Renata shpaloste edhe bukurinë dhe madhështinë e muzikës dhe këngës shqiptare. Nuk ishte thjesht nostalgji e mall, por edhe dëshirë dhe krenari për vlerat dhe pasurinë artistike të kombit shqiptar. Në një bashkëjetesë demokratike ka hapësirë dhe mundësi që të shprehen lirshëm dhe denjësisht të gjitha kulturat. Janë të shumta mbresat dhe kujtimet e Xhovanit për këto vite të paharruara në Gjermani.

Na duhet të sjellim për lexuesin edhe një rast tjetër, që duket sikur përcjell ndjesi materiale, por në të vërtetë rrezaton më shumë se kaq. Ishin duke dhënë koncert në një qytet tjetër dashamirës dhe mikpritës të kësaj trupe muzikore. Në fund të shfaqjes të gjithë të pranishmit kishin dëshirë të përshëndeteshin dhe të uronin trupën artistike. Por, një 80-vjeçare ishte akoma edhe më e ngarkuar nga pesha e emocioneve... I afrohet violinistit shqiptar dhe pasi e përqafon dhe i puth duart, i thotë se kishte mbetur e magjepsur nga loja e tij. Dhe nuk ishte një komplimet i thjeshtë apo i rastit, por i një zonje që dikur kishte lujtur shumë bukur në atë vegël muzikore. Por, tingujt e dalë nga interpretimi i Xhovanit, e detyroi atë artiste të moshuar që t'i jepte fjalën se do t'i falte violinën e vet. Pas tre ditësh artisti shqiptar i gëzohet peshqeshit të dytë gjerman. Dhe përsëri i njëjtë. Një violinë shumë e mirë solistike që ende është në formën e saj më të mirë edhe sot e kësaj dite në Tiranë. Kështu, artisti emigrant që shkoi pa veglën e tij të dashur muzikore, u kthye në Shqipëri me dy violina...

Pra, jashtë dëshirës së tyre familja Luci kthehet në atdhe. Ndoshta të ndikuar nga realiteti shqiptar, por edhe për të testuar gjithë atë lavdi gjermane që ata na shprehën, i pyesim se si nuk u gjend pranë jush në këtë nevojë ai kryetar Bashkie apo ai ministër i fotografisë.

- Sepse ai ishte shteti demokratik që nuk pyeste për mik. Ishte shteti që fliste ligji dhe rregulli.

Paçka se në këtë rast, atyre nuk u shërbeu ajo ligjshmëri shtetërore, ata përsëri ndiejnë respekt dhe mirënjohje. Ndiejnë mall për atë vend që më shumë se artistë i bëri të ndihen mirë, si njerëz. Ja pse ende mbajnë gjallë kujtimet dhe komunikimet me ata njerëz që i bënë të ndihen më të suksesshëm se në vendin e tyre.

Më shumë se sa një shtrëngim duarsh...

Për një moment, i bëri përshtypje Xhovanit refuzimi i takimit nga ana e kryetarit të Bashkisë atë ditë që ai e ftoi për një kafe. Por më pas, i doli akoma edhe më mbarë. Nga shpjegimi mësoi se atë ditë në qytetin e tyre do të vinte për vizitë ministri i Mbrojtjes, Rudolf Sharping. E kush më shumë se sa kreu i Bashkisë do të merakosej për ta pritur sa më mirë një anëtar të rëndësishëm të kabinetit qeveritar. Një emër i dëgjuar dhe një personalitet i lartë që do të dëshironte ta përshëndeste kushdo banor i këtij qyteti. Akoma edhe më e skajshme dëshira e shqiptarit. Pas disa minutash të refuzimit, telefonon përsëri kryetarin e Bashkisë. I lutet që t'i krijojë mundësinë për ta takuar edhe ai ministrin. Nuk i jep plotësisht fjalën, por i lë të ndezur shpresën se në varësi të axhendës do ta kishte në konsideratë dëshirën e tij. Në fakt, jo thjesht pse e kishte mik, por edhe për kryetarin e Bashkisë nuk do të kishte rast më të mirë për t'i dëshmuar një të ardhuri nga qendra se në ç'nivel është bashkëjetesa mes qytetarëve gjermanë dhe atyre të huaj. Ndryshe nuk do të kishte kërkuar atë tufë gazetash që ai mbante në zyrën e tij, ku i bëhej jehonë shembullit të kësaj familjeje emigrantësh nga Shqipëria. Në drekën e rastit, në një moment të përshtatshëm në vend të një pjatance të shijshme, kryetari i Bashkisë i zgjat ministrit gazetat. Pas disa sekondash i bën shenjë që të afrohet personazhi i atyre titujve. E ndërsa iu gëzua atij urimi dhe shtrëngimi miqësor duarsh, as që i kishte shkuar ndër mend shqiptarit se ajo ditë për të kishte rezervuar surprizën e madhe. Ministri gjerman thyen rregullat protokollare dhe e fton që të ulet pranë tij. Minuta të tëra Xhovani qëndroi atë drekë në krah të Sharpingut. Nuk e mbytën emocionet edhe këtë shqiptar në një takim kaq të pazakonshëm. Harroi muzikën që ia krijoi këtë privilegj bashkëbisedimi dhe filloi të flasë për luftën e Kosovës... Ministri i Mbrojtjes gjermane ndjeu papritur përsëri, dinjitetin e shqiptarit. Një buzëqeshje e atij ministri, në atë kohë kur kishte shpërthyer lufta për liri në pjesën tjetër të kombit, do të ndihej shumë jo vetëm nga ai artist shqiptar, por nga të gjithë bashkëkombasit e vet...

RD

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7