Hyrje | Art Kulture | Muzike | Elvana Gjata - Zbulohet i dashuri i kengetares

Elvana Gjata - Zbulohet i dashuri i kengetares

Elvana Gjata - Zbulohet i dashuri i kengetares
Një zë i thellë në një fytyrë të ëmbël dhe të dashur. Elvana Gjata është nga ato këngëtare, që di t’i fitojë zemrat e publikut për zërin e saj, po aq sa edhe për pamjen tërheqëse.

Manjola Bregasi

Sepse nëse nuk do të ishte kështu, çmimi i diskografisë nuk do të shkonte tek ajo. Duket se albumi i fundit i këngëtares “Mamës”, i prezantuar edhe me foto dhe një videoklip shumë interesant, është shitur mjaft mirë nga shtëpia diskografike “Supersonic”, që atribuoi edhe këtë çmim. Ndërkohë, e përfolur edhe për jetën e saj private duket se Elvana zgjedh të përgjigjet shkurt për këtë pikë. Por ne kemi zbuluar se kush i ka fituar zemrën vajzës bukuroshe.

Një ditë pas festivalit “Kënga magjike” telefoni yt ka qenë i mbyllur. Si ka qenë kjo ditë për ty? E gjitha relaks?

Relaks total! Kisha kaluar tri ditë të mbushura me ankth, stres, kënaqësi, lumturi, frikë, një miks ndjenjash që kërkonin një ristart. Kam shijuar atë krevatin tim, me macen afër në maksimum. (qesh).

Një çmim në festival, që u shoqërua edhe me vendin e tretë në renditje. Kujt ia dedikon këtë sukses?

Ia dedikoj Florit, sepse ishte ai me muzikën e tij të mrekullueshme, që solli gjithë suksesin e këngës. Falënderoj shumë dhe kolegët, të cilët vlerësuan dhe votuan këngën time. Iu jam shumë mirënjohëse. Pa diskutim dhe familjen time, që më ka qëndruar pranë.

Shumë interesante ishte edhe pamja jote gjatë netëve të festivalit. Mua madje më ka kujtuar Xhenifer Lopezin në filmin “Dashuri në Manhatan”. Ishte ideja jote të prezantoheshe me atë luk?

Kam frikë se s’ka lidhje fare me atë luk. Flokët e kapura janë tendencë e vitit 2007. Fustani i bardhë ishte zgjedhja ime dhe këtë veshje nuk e ka pasur vetëm ajo. Më duket shume banal kur patjetër duhet të krahasohesh me një artiste tjetër.

Çfarë do të bësh, tani që impenjimi i festivalit mori fund?

Tani do të merrem me familjen, shoqërinë, miqtë e zemrës dhe me shkollën, që e kam lënë pas dore.

Si po ecën me studimet? Të tundon më shumë regjisura apo muzika?

Nuk më dëmton asnjëra, por secila do impenjim. Deri tani ja kam dalë më së miri dhe shpresoj të vazhdoj me këto ritme.

Prej vitesh vazhdon të menaxhohesh nga Flori Mumajesi. Ke menduar ndonjëherë të shkëputesh prej tij?

Kurrë... Dhe mendoj që nuk ka për të ndodhur asnjëherë! Jam shumë e kënaqur me muzikën e tij dhe me faktin që është një nga producentët më të mirë dhe më të suksesshëm në Shqipëri.

Çfarë përparësish ka një artiste, që drejtohet nga një menaxher?

Përparësitë, që nuk duhet të flasë me të gjithë njerëzit që të lidh puna në telefon. E mban ai axhendën e koncerteve, ai i rregullon të gjitha datat sipas interesit të këngëtares dhe shumë arsye të tjera.

Elvana, gjithmonë je përpjekur ta mbash larg mediave jetën tënde private. Megjithatë je përfolur shpesh. Të vjen keq për këtë fakt?

elvanaJam përpjekur ta mbaj larg mediave jetën private. Më vjen keq për aludimet, që kanë krijuar gazetarë të ndryshëm në momentet që unë kam refuzuar të flas për këtë pjesë. Megjithatë në momentin, që kam pranuar të futem në show-biznes, i pranoj edhe të tilla komente.

Do të na zbulosh diçka më shumë për jetën tënde private tani, sepse publiku gjithmonë është i interesuar të mësojë rreth jetës private të artistëve. Tani je aq e rritur, për të pasur një partner...

Fakti që jam e rritur nuk do të thotë, që domosdoshmërisht duhet të kesh partner. Megjithatë publikut i interesojnë më tepër gjëra të tjera që kanë lidhje me mua sesa jeta ime private. Por unë do vazhdoj ta mbaj të tillë dhe jo ta bëj publike.

Ndjehesh e dashuruar?

Ndjehem shumë e lumtur.

E thua shpesh fjalën të dua?

Kam një familje dhe njerëz të mrekullueshëm pranë vetes dhe ua them shpesh atyre.

Sa e rëndësishme është për ty dashuria në jetë?

Pa dashuri nuk do kishte jetë.

Çfarë vlerëson Elvana tek një mashkull?

Çdo gjë të vërtetë.

Çfarë nuk pëlqen te një mashkull?

Çdo gjë jo të vërtetë.

Je ndjerë ndonjëherë e zhgënjyer nga ndjenjat?

Jo.

Çfarë vlerëson te një lidhje?

Respektin reciprok.

Kohët e fundit, kemi dëgjuar në disa rrethe artistike, që Elvana është e lidhur me një djalë, student në Universitetin e New Yorku-ut. Mund të na thuash diçka më tepër rreth këtij fakti?   

Për momentin unë nuk kam dëshirë të flas për jetën time private.


rogertiKush është Rogerti,  i dashuri i Elvana Gjatës

Një lidhje që zgjat  tre vjet mes Rogertit dhe Elvanës.  Një dashuri të cilën këngëtarja e mban të fshehur, por që ekziston prej kohësh në zemrën e saj. Djaloshi në foto është pikërisht  ai që ka pushtuar zemrën e këngëtares simpatike. Kjo foto është realizuar vetëm një javë më parë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, gjatë festivalit “Kënga magjike”. Mësojmë se djali është në vit të pestë për Administrim Biznes si dhe punon si dizajner tek studioja e të atit. Njerëz pranë Gertit  tregojnë se ai dhe Elvana kanë një lidhje relativisht të gjatë, ndonëse nuk është bërë publike në media. E ndoshta kjo është një arsye më shumë, për të cilën Gerti e ka ndjekur festivalin si një spektator i thjeshtë dhe nuk ka kontaktuar në asnjë moment me këngëtaren.

Panorama
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7