Hyrje | Art Kulture | Muzike | Panorama Speciale: Zbardhen te palarat e Festivalit te Kenges.

Panorama Speciale: Zbardhen te palarat e Festivalit te Kenges.

Panorama Speciale: Zbardhen te palarat e Festivalit te Kenges.


Mbledhja e Këshillit Drejtues të RTSH

DIALOGJET

ZBARDHEN TË PALARAT E FESTIVALIT

Telefonata enigmatike e Alban Skënderajt

Skenderaj - Xhuvani
Mbase kur pranoi të ishte anëtar i jurisë së Festivalit të 46-të, Alban Skënderaj, nuk e kishte menduar se do të përballej me të tilla akuza. Madje nga ky pozicion, këngëtari përfitoi nga rasti t’u tregonte kolegëve se përvoja e tij e bëri të kuptonte që gjithçka në Festivalin e Këngës në RTSH, ishte transparente. Por ndoshta të tjerët nuk mendonin kështu. Sapo ka dalë pas skene dhe ka ndezur celularin, Albani është përballur me reagimin e parë. Nuk dime se cili ishte bashkëbiseduesi dhe çfarë flitej në anën tjetër të receptorit, por përgjigja e Skënderaj e shoqëruar me çudi, u dëgjua e qartë: “Unë kam marrë para?! Ndërkohë thashethemet e para tregojnë se me këtë veprim, Albani ka ulur veten dhe reputacionin e tij. Skënderaj i cili konsiderohej një gjetje brilante e “Top Fest” duke fituar menjëherë famë, papritur gjendet i kryqëzuar nga akuzat se ka qenë i korruptuar pasi vendimi i tij për të mos i dhënë asnjë pike këngës së Edmond Zhulalit “Jeta kërkon dashuri”, është konsideruar absurd.

Festivali dhe polemikat që nuk mbarojnë

Fjalori i përdorur dhe akuzat e artistëve prapa kuintave

Manjola Bregasi

Festivali i 46-të i Këngës në RTSH, ka nisur me një polemikë, që është bërë edhe më e nxehtë në përfundimin e tij. Edhe pse ka kaluar thuajse një javë, që nga shpallja e këngëtares, Olta Boka si fituese e festivalit, mediat, por sidomos disa prej artistëve konkurrentë vazhdojnë të diskutojnë e të kontestojnë çmimin e parë, mënyrën e votimit, seriozitetin dhe objektivitetin e jurisë. Gjatë gjithë këtyre debateve, diskutimeve, por edhe akuzave, emrat më të lakuar kanë qenë dy: këngëtari Alban Skënderaj dhe regjisori Gjergj Xhuvani, të cilët kanë vlerësuar me zero pike këngën “Jeta kërkon dashuri”, që nga kolegët muzikantë të jurisë ishte vlerësuar me pikë maksimale. Për më tepër, në rrethet artistike çështja merr të tjera nuanca, që shkojnë deri në nota nacionaliste apo ngjyrime politike. Ndërkohë, të dy anëtarët “e nderuar” të jurisë të shndërruar tashmë në “plangprishës” e kanë mbrojtur votën e tyre me shprehjen: “shijet nuk mund të gjykohen”. Mos ndoshta duhet të besojmë se regjisori Gjergj Xhuvani, kur deklaroi përpara kamerave, se juria kishte qenë unanime në zgjedhjen e këngëve për natën finale, por jo për fituesen,donte t’i paraprinte pikërisht kësaj situate? Debatet televizive, artikujt mediatikë apo edhe thashethemet e korridoreve nuk kanë mundur ta shpërndajnë tymnajën e ngritur, për të parë më qartë. Përkundrazi, lëmshi po pështjellohet më tej. Sepse nëse disa nga faktet janë kontradiktore, të tjera janë të mbështetura në vlerësime subjektive apo më keq akoma, të pavërtetuara. Pa dashur të përsërisim ato që janë shkruar, por edhe pa dashur të anashkalojmë rëndësinë e këtij eventi muzikor, që përfaqëson muzikën shqiptare në Evropë, nuk kuptojmë përse rëndësia e këtij çmimi duhet të kalojë përtej kufijve të artit? Përse duhet ta përziejmë me ngjyra kombëtare apo partiake muzikën? Mos ndoshta artistëve apo krijuesve shqiptarë iu duhen vetëm çmime për t’u ndjerë të suksesshëm? Mos ndoshta kjo është hera e parë, që krijues e këngëtarë dalin të pakënaqur nga një festival? Apo është kjo hera e parë, që një çmim kontestohet? Nëse 7 anëtarët e jurisë u vendosën atje për të votuar, përse duhet ta diskutojmë votën e tyre? Ajo ishte e hapur. Nga ana tjetër, publiku, por edhe profesionistë të muzikës, ndonëse preferojnë të qëndrojnë larg akuzave, ndjehen skeptikë për përfaqësimin tonë në “Eurosong”. Sepse për dy vjet rresht gjetjet e Adi Hilës, nuk rezultuan të duhurat për publikun evropian.

Jonida Maliqi
Jonida Maliqi, e vetmja që di të mirëkuptojë Kolegët artistë, kur përmendin emrin e Jonida Maliqit, gjejnë për të fjalët dhe vlerësimet më pozitive. Ndoshta tani arritëm të zbulojmë edhe sekretin e Jonidës. E vetmja që di të mirëkuptojë. Ndërsa pas kuintave këngëtarët dhe krijuesit dëgjonin votimin e jurisë, në momentin, që emri i Olta Bokës u rendit i pari në cast mbretëroi heshtja. Ndërsa këngëtarja 16-vjeçare, tërësisht e shokuar nga ky moment, duke mos pasur aty pranë asnjë mik apo të afërt, gjeti supin e Ardi Asllanit për t’u mbështetur. Të tjerët heshtnin. Kurse e vetmja, Jonida Maliqi diti të dhurojë një “bravo” dhe një duartrokitje për Olta Bokën, gjë që duket se i vuri në sedër artistët e tjerë për të dhuruar një duartrokitje të ftohtë.

Rovena Dilo, skualifikohet në natën finale, por preferon heshtjen

Rovena Dilo
Ndoshta për të parën herë, që nga dalja e saj në skenat e festivaleve, Rovena Dilo nuk e gjen veten në këngëtarët e natës finale. Një fakt, që kolegëve iu ka bërë përshtypje të veçantë, ndërsa këngëtares....? Nuk dimë se si do të jetë ndjerë. E cilësuar tashmë si një prej këngëtareve profesioniste të skenës shqiptare, Rovena Dilo është treguar gjithmonë e kursyer në daljet e saj publike dhe në pjesëmarrjen në festivale. Një këngëtare, që ka ditur gjithmonë të tregojë vlera vokale, duket se festivalin e fundvitit në RTSH, Dilo e ka cilësuar si një ndër të paktat aktivitete serioze, ku mund të prezantohet denjësisht. Nuk dimë, nëse vazhdon të mendojë ende kështu. E kontaktuar nga gazeta, këngëtarja nuk ka dashur të japë asnjë koment rreth skualifikimit të saj nga skena e festivalit mbrëmjen finale, sikurse nuk ka pranuar të thotë asgjë, nëse do të jetë sërish pjesë e këtij aktiviteti. Dilo është poaraqitur në festivalin e 46 - të të këngës në RTSH me një këngë të kompozuar nga Armend Rexhepagiq, një kantautor i njohur nga Kosova. Ndërkohë Dilo ka fituar disa vite më parë çmimin e parë në këtë festival.

Greta Koçi: “Më janë mbledhur pikët gabim”

Greta Koçi
“Nuk do të këndoj më në festival, derisa festivali të jetë i hapur, me votim publik, ose me një juri të hapur”. Janë këto fjalët e këngëtares Greta Koçi, e cila gjithashtu ka rezervat e saj për festivalin dhe mënyrën e votimit të jurisë. Për më tepër, këngëtarja dhe prindërit e saj flasin për pa përgjegjshmëri absolute në mbledhjen e pikëve. Ata tregojnë, se pasi kanë riparë votimin e jurisë në media, mbledhja e pikëve ka rezultuar në 37 dhe jo 22, siç e ka deklaruar juristi, gjë që do të thotë se këngëtarja renditet në vendin e katërt. “Këtë fakt e kemi deklaruar edhe tek drejtoresha e radios, Zamira Koleci, e cila është shprehur se do ta rishikojë këtë fakt”, tregon nëna e këngëtares. Nga ana tjetër ata shprehen gjithashtu, që asgjë nga performance skenike nuk vlerësohet në festivalin e këngës. “Nëse ne shpenzojmë përveç këngës edhe për balerinët, për veshjet, apo për grimin, duket se asgjë e tillë nuk vlerësohet, e sidomos me pagesën prej 25 mijë lekësh që marrim nga TVSH”. - kanë reaguar ata. Dhe në fakt indinjata e tyre e ka një spjegim, kjo jo thjesht për faktin se çdo konkurent synon çmimin e parë, por edhe për fjalët që qarkullonin. Në fakt vetë “Panorama plus” javën e shkuar, një natë para finales, deklaroi se në koridore përflitej kënga e Greta Koçit si njëra nga pretendentet për çmimin e parë. Kjo edhe për faktin se këngën e kishte kompozuar i mirënjohuri Flamur Shehu. Në fakt kënga u pëlqye dhe u duartrokit në publik. Greta Koçi njihet si një këngëtare që pëlqehet nga rinia edhe për për moshën e saj të re. Këngëtarja vinte në këtë festival me euforinë e dy çmimeve të fituara në dy kompeticione të tjera.

Manjola Nallbani: “Më është hequr fonia”

Manjola Nallbani
Është larguar nga prapa kuintat pa pritur rezultatin final. Në prapaskenën ku të gjithë këngëtarët ndiqnin vlerësimet e jurisë, Manjola Nallbani e ka shprehur hapur dhe qartë indinjatën e saj, pa u shqetësuar për praninë e kolegëve apo gazetarëve. “Këta janë plehra dhe manipulojnë çdo gjë”, është shprehur këngëtarja duke u larguar në dhomën e zhveshjes, e pakënaqur nga pikët e jurisë. Më pas, Nallbani nuk është kursyer të shprehë hapur gjithë pakënaqësitë. Ajo madje, ka akuzuar se gjatë këngës I është hequr fonia, duke e vështirësuar të kënduarin live. Këngëtarja e njohur gjithsesi është duartrokitur për performancën e saj si dhe për potencën e zërit të saj i cili ishte mëse evident në këngën e sivjetshme me titull “Jeta kërkon dashuri”. Nallbani solli mbas 20 vitesh në skenën e festivalit, kompozitorin e njohur Enver Shëngjergji i cili ka bërë këngë shumë të njohura që janë kthyer në hite. Mbas kësaj që ndodhi, Nallbani është betuar që nuk do të marrë pjesë më kurrë në festival. Shpresojmë që të mos e bëjë me të vërtetë pasi Manjola është një nga këngëtaret tona më të mira.

Agim Doçi: “Çmimi i festivalit është në hetim”

Poeti tregon se drejtori i Përgjithshëm i TVSH-së i kishte komunikuar fitoren

Pirro Cako dhe Agim Doci
Poeti Agim Doçi nuk mendon të ndalet në kërkim të Beogradit. Pas kontestimeve të shumta në lidhje me vlerësimin e jurisë së festivalit të 46-të, autori I vargjeve të këngës “Jeta kërkon dashuri”, duket se është më i vendosuri për të vazhduar më tej. Ai tregon për gazetën se dosja e festivalit është në hetim dhe se cështja është paditur në Europian Broadcasting Union. “Unë do të shkoj në Beograd”, shprehet poeti. Jeni krijuesi, që në mënyrë absolute kontestoni jurinë dhe çmimin e festivalit, ndërsa përpara festivalit keni vlerësuar profesionalizmin e tyre....
Kam thënë që profesionalizmi fillon tek Agim Krajka, David Tukiqi, Gjergj Leka dhe Baton Haxhiu. Sepse juria në mesditën përpara finales kishte vendosur unanimisht, që çmimi i pare i takonte këngës “Jeta kërkon dashuri”. Në darkë dikush i ka dhënë porosi me sms, (janë të filmuara sekuencat e natës finale), dikush është ulur pranë dyshes Alban Skënderaj - Gjergj Xhuvani. Ky dikush është i panjohur? Do të merret Prokuroria dhe hetuesia me të. Ju e dini emrin e tij? Do ta dëshmoj në gjyq. Për të vazhduar më tej, ju tregoj se në orën 21 e 46 në mbrëmjen finale u bë një pushim publicitar dhe unë dola për të pirë një cigare me gazetarin Alfons Zeneli. Aty ka ardhur drejtori i Përgjithshëm i TVSH-së dhe më ka thënë: “Do të dalësh të marrësh çmimin e parë, por të lutem ti je i papërmbajtshëm në mikrofon. Thuaj çfarë të duash vetëm mos përmend UÇK-në”. Petrit Becit i dhashë fjalën, por i thashë se kishte shumë mundësi që edhe këtë radhë të ndodhte si në kohën e Enver Hoxhës. Pse e thatë këtë? Sepse dyshova. Vetëm për një gjë nuk dyshoj. Unë do të shkoj në Beograd me këngën time, sepse kam kaluar padinë në Europian Broadcasting Union, me presidencë në Zvicër dhe janë katër shtete, që do të marrin pjesë direkt në finale. Ia kam kaluar dosjen Prokurorisë, dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Krimit Ekonomik. Doruntina Disha, e para në Norvegji e dyta në Shqipëri Lidhja e saj me muzikën nis në Norvegji ku edhe jeton. Por nëse në Shqipëri emri I Doruntina Dishës nuk është ndër më të njohurit, vajza kosovare ka arritur të triumfojë në qytetin nordik të Oslos, pas pjesëmarrjen e saj në një prej konkurseve më të mëdha muzikore në kërkim të talenteve të reja, duke zënë vendin e parë. Konkurrente në festivalin e 46-të të Këngës në RTSH, Doruntina Disha në një duet me Flaka Krelanin renditen në vendin e dytë, me këngën “Jeta kërkon dashuri”. E sigurisht, edhe pse do të kishte dëshiruar vendin e parë, për Doruntinën vendi i dytë është shumë më mirë se vendi i parë. Duket se nga ky bashkëpunim muzikor lindi edhe miqësia me Flakën. “Unë me Flakën nuk njiheshim më parë”, tregon kosovarja duke shtuar se lidhja e tyre u bë e mundur përmes krijuesve të këngës, kompozitorit Edmond Zhulali dhe poetit Agim Doçi. Studente për ekonomi Doruntina shton, se muzika është pasioni i saj më i madh. E lindur në korrik të vitit 1988 në Prishtinë, familja e këngëtares kosovare ka emigruar drejt Norvegjisë, kur ajo ishte vetëm 4 vjeçe. E rritur larg vendlindjes së saj 19- vjeçarja flet një shqipe të qartë, me tone të dialektit kosovar. Që nga mosha e fëmijërisë Doruntina është marrë me aktivitete kulturore të ndryshme si në Komunitetin Shqiptar të Norvegjisë, ashtu edhe në atë norvegjez, duke prezantuar denjësisht origjinën e saj. Por emri i vajzës simpatike nga Kosova do të bëhej i njohur për të gjithë vetëm në mars të vitit 2005, kur ajo u paraqit në një audicion muzikor në Oslo, të organizuar nga “Power Hit Radio”, në kërkim të talenteve të reja. Doruntina, mposhti konkurrentët dhe ndezi publikun me këngën e Celine Dion, “My Heart will go on”. Në maj të këtij viti në finalen e konkursit “Power Star Search” Doruntina është pritur në skenë në mënyrë spektakolare dhe juria e shpall fituese të garës “Power Star Search”. Më pas, ajo do të kishte edhe propozimet e para për produksione muzikore, që u shoqëruan me daljen e albumit të saj në qershor të vitit 2005. Sigurisht pjesëmarrja e saj në festivalin e këngës në RTSH shënon një moment tepër të veçantë në jetën artistike të saj, ndonëse fatkeqësisht kjo pjesëmarrje e shoqëruar me shumë polemika ndoshta edhe i tremb artistët, që vijnë nga jashtë vendit.

Sigurisht pjesëmarrja e saj në festivalin e këngës në RTSH shënon një moment tepër të veçantë në jetën artistike të saj, ndonëse fatkeqësisht kjo pjesëmarrje e shoqëruar me shumë polemika ndoshta edhe i tremb artistët, që vijnë nga jashtë vendit.


Festivali, dialogjet që zbardhën të palarat

Debat i ashpër në mbledhjen e Këshillit Drejtues

Anila Mema

Edmond Zhulali Petrit Beci e Zamira Koleci gjate nje konference shtypi
Pas shumë debateve, sherreve, akuzave dhe kundërakuzave mes jurisë dhe drejtuesve të Festivalit të Këngës në RTSH, rrëzohen kërkesat për rishikim të votave dhe hetim të jurisë nga këta të fundit. Dje gjatë mbledhjes, Këshilli Drejtues I RTSH ka hedhur poshtë kërkesën e kompozitorit Edmond Zhulali, për të verifikuar dy zerot e dy anëtarëve të jurisë, Gjergj Xhuvani dhe Alban Skënderaj. Gjithashtu po dje gjatë kësaj mbledhje plot debate të ashpra mes anëtarëve të Këshillit, u hodh poshtë dhe kërkesa e kompozitorit, të paraqitur në një letër-ankesë drejtuar dje këtij këshilli, për ngritjen e një jurie tjetër për vlerësim të dytë dhe objektiv. Mbledhja ka nisur fillimisht nga kryetari I saj, Agron Tufa, i cili paraqiti letrën ankesë të Edmond Zhulalit, por anëtarët e tjerë të këshillit e kanë kundërshtuar këtë veprim, pasi nuk ishin njohur më parë me letrën e kompozitorit. Pas fotokopjimit dhe shpërndarjes së saj, debatet mes të gjithë anëtarëve kanë nisur me pyetjen se a kemi tagër ne që të marrim parasysh ankesën e një kompozitori? Pas kësaj kompozitori e ka grisur letrës dhe ka nisur të bëj të ditura shtatë pikat ku ai konteston jurinë, pika të cilat botohen të plota në këtë shkrim. Gjatë kësaj mbledhjeje e cila ka nisur në orën 17:00 dhe ka përfunduar dikur rreth orës 19: 40 minuta ka pasur debate të ashpra mes anëtarëve të jurisë, por jo vetëm edhe drejtuesit e RTSH janë konfliktuar me njëri tjetrin. Ndërkohë gazeta “Panorama” zbardh një pjesë të plotë të të gjithë bisedës në këtë mbledhje të Këshilli Drejtues të RTSH-së. E në fund pas gjithë kësaj historie që ka pushtuar Festivalin e Këngës të gjithë anëtarët e Këshillit e kanë vlerësuar më të suksesshmin e 17 viteve.

EDMOND ZHULALI: Tani po flas pa letër. Çështja qëndron te kënga ime, e cila nuk ka fituar, por ishte më e mira e festivalit. Unë u garantoj që do hyja në pesëçen e Eurosongut në Beograd. Por votimi i saj nga dy anëtarët e jurisë, Xhuvani dhe Skënderaj, nuk është bërë, pasi ka një tendencë të Këngës Magjike kundrejt nesh, që të mos shkojë kënga e festivalit dhe e RTSH në Eurosong. Mendoj se ky votim është bërë në këtë kuadër. Kënga nuk kishte pse të mos fitonte, pasi kënga kishte motive tërësisht shqiptare, plus që kënga ishte e kënduar nga dy vajzat nga Kosova. Duhet ta dini që mua nuk më duan në Beograd, se pjesën më të madhe të këngëve i kam për Kosovën, pothuaj të gjithë hitet dhe jam dekoruar dy herë nga UÇK-ja. Unë nuk kasha asnjë interes tjetër, vetëm të çonim një këngë dinjitoze në Beograd dhe të ishin dy vajza kosovare atje.
FATMIR TOÇI: Këto argumente që po thua ti në lidhje me Kosovën, janë mjaft primitive. Edhe unë kam botuar 600 libra për Kosovën dhe nuk më ka gjetur gjë në Beograd. Sjellja nga ana juaj nuk është e drejtë, pasi keni thyer rregulloren dhe nuk lejohet që ti si drejtor artistik i festivalit të marrësh pjesë në garë. Ata që janë në funksione kontrolluese, nuk mund të kenë të drejtë të konkurrojnë.
PETRIT BECI: Për pjesëmarrjen e tij në garë e mbaj unë përgjegjësinë dhe më ndëshkoni mua, pasi i kërkova unë të bëj këngë.
ARTAN MINAROLLI: Ti fole me hipoteza se ke bërë këngën më të mirë dhe në këtë
rast mund të hyje në pesçen e Festivalit. Edhe unë po flas me hipotezë. Unë po them se e ke bërë kastile këngën, dhe në garë ke hyrë me mendimin që meqë je drejtor i festivalit për të fituar kënga jote.
EDMOND ZHULALI: Jo, s’është e vërtetë. Unë e tërheq këngën nga festivali, gjithashtu edhe nga çmimi i dytë tërhiqem. Nuk dua që kënga të jetë në festival, le të jenë 28 këngë dhe jo 29.
KËSHILLI DREJTUES: Nuk ke të drejtë ta tërheqësh këngën, po aq sa dhe nuk ke të drejtë të kërkosh çmim të parë.
GJERGJ XHUVANI: Unë i them mendimet sy më sy, dhe nuk të mbaj inat ty Zhulali, sepse je artist dhe ke emocionet e tua dhe këngët e tua. Por unë s’mund të pranoj që drejtoresha e festivalit, Zamira Koleci, të më ofendojë mua dhe të më thotë racist, sepse unë jam familjar, kam fëmijë, kam studentë, kam miq e shokë (dhe i dalin lot). Alban Skënderaj ka ikur në Gjermani se është frikësuar. Ndërsa unë këtu do rri, nuk do iki, se unë i përballoj gjërat këtu.

Fituesja Olta Boka
FATMIR TOÇI: Kjo është një sjellje rrugaçërore, është një skandal, si mund të fyhet një anëtar jurie nga drejtoresha e festivalit në këtë mënyrë, në një kohë që juria nuk gjykohet.
ZAMIRA KOLECI: Unë kërkova që ne do të shkonim në Beograd meqë Mondi ka
arritur deri në gjashtçe me Anjeza Shahinin dhe ne me përvojën tonë që kemi arritur në këtë festivali kemi arritur në konkluzionin që nuk fitojnë baladat, por këngë të gëzuara me tekste shqiptare që flasin për jetën, paqen, dashurinë, ndaj unë isha që të fitonte kënga e Zhulalit. Kjo është politika jonë, se Adi Hila ka shkuar dy herë në Eurosong dhe nuk ka fituar.
NJE ANETAR I KESHILLIT: Fakti që diskutohet një kompozitor dhe diskutohet në publik dhe kontestohet vendimi i jurisë, nuk ka asnjë problem. Kjo do të thotë që festivali është i shëndetshëm dhe aq më tepër kur publiku është I interesuar për këtë gjë. Sipas mendimit tim duhet parë baza juridike. Këshilli Drejtues për mua nuk ka drejtë të diskutojë vendimet e jurisë. Atëherë kush e ka zgjedhur jurinë?
PETRIT BECI: Jurinë e kam zgjedhur unë, Zamira dhe Zhulali.
NJE ANETAR I KESHILLIT: Pra, keni qenë dakord me këtë juri?
PETRIT BECI: Po.
EDMOND ZHULALI: Unë nuk kontestoj jurinë, kontestoj vetëm votimin për këngën time.
NJE ANETAR I KESHILLIT: Parimisht ai mund ta kontestojë, po a ka të drejtë drejtori artistik i festivalit të gjykojë jurinë për këngën e vet?
FATMIR BRAKA: Për mua nuk duhet të diskutohet fare ankesa e Zhulalit. Ne nuk do të merremi me vendimet e jurive, se ato nuk kontestohen. Unë flas si anëtar i Këshillit Drejtues, por edhe si jurist.
PETRIT YMERI: Vërtet nuk kontestohet vendimi i jurisë, megjithatë unë do të sugjeroja që Koleci ta orientonte jurinë paraprakisht dhe t’I thoshte që në Eusong duhet një këngë e gëzueshme dhe jo një baladë dhe duke ditur që kompozitori i këngës fituese ka shkuar dy herë në Evropian dhe nuk është kualifikuar.
FATMIR TOÇI: S’mund të orientohet juria në një kohë kur e përzgjedh vetë.
GJERGJ XHUVANI: Mua më keni bërë kriminel, racist, unë jam profesionist, nuk gjykohet një artist. Edhe unë mund të mendoj që filmi im është më i mirë i gjithë botës, por nuk mund të dal të kontestoj për një juri kur ka zgjedhur filma të tjerë dhe jo filmin tim për çmim.

SHERRI MES BECIT DHE KOLECI-ZHULALI

PETRIT BECI: Nuk jam dakord me ty për këtë ankesë,se nuk ka kaluar fillimisht nga zyra ime.
EDMOND ZHULALI: Ti nuk ishe këtu dhe ne të telefonuam dhe kishe të mbyllur telefonin.

NË PËRFUNDIM

AGRON TUFA: Vërejtja ime është që në festivale nuk duhet të ketë poetë dhe kompozitorë me dy-tre këngë në këtë garë.
PETRIT BECI: Nuk kemi ligj e rregull për këtë gjë.
BESNIK DIZDARI: Unë jam një prej gazetarëve dhe anëtar i jurisë së Franc Futboll, që zgjedh lojtarin e topit të artë për çdo vit. Dhe përfaqësuesi I Anglisë, Kakanë, nuk e futi në pesçen më të mirë, se aty vlerësohen me vota deri në pesë pikë. Njëri aty se futi fare Kakanë, por ai fitoi. Vendimet e jurive nuk janë të kontestueshme, por ama nuk mund të pajtohem me anëtarët e jurise që votojnë me zero pikë, sepse ky votim është tendencioz dhe nuk mund t’i thuash një artisti që ti je zero. Votohet me një pikë e lartë, por jo zero.
NJE ANETAR I KESHILLIT: Fakti që kënga e drejtorit artistik të festivalit nuk ka fituar, do të thotë juria ka funksionuar, por kjo nga ana tjetër nuk do të thotë që kënga fituese është kënga më e mire e festivalit, ai është mendimi subjektiv i jurisë.


7 KONTESTIMET E ZHULALIT
1. Në mbledhjen e parë të jurisë kur ka qenë prezent z. Petrit Beci, znj. Zamira Koleci, z. Edmond Zhulali është kërkuar nga juria për consensus në kuptim të mosekstremizmit të këngëve fituese dhe z. Xhuvani ka qenë një ndër iniciatorët e këtij mendimi.
2. Në natën e kualifikimit të këngëve për në natën e tretë, Drejtoria e Radio Tiranës dhe drejtori artistic i Festivalit u nxorën jashtë pa u lënë mundësinë të zgjeronin as procedurën, as platformën artistike si dhe disa kritere për këngët konkurruese. 3. Z. Xhuvani ishte i ashpër dhe me sa duket foli në emër të nënkryetarit të KD dhe jo si anëtar jurie, me pretekstin se unë isha autor kënge, duke harruar që drejtoria e RT, nuk ishte as kompozitore, as poete.
4. Në mbarim të këngëve të natës së tretë në hollin e Pallatit të Kongreseve, GJ.Xhuvani dhe A.Skënderaj kanë parë pikët e kolegëve të tyre, janë shprehur për konsensus për këngën “Jeta kërkon dashuri” dhe më pas kanë bërë llogaritë për t’i hequr çmimin e parë kësaj kënge, ku u pa qartë dhe në TV gëzimi dhe bashkëpunimi i tyre.
5. Të gjitha këto si dhe dallimi i madh në vlerësimin me profesionistët e muzikës, këmbëngulja për shije personale kur kënga duhet të përfaqësojë mbarë shqiptarët në Eurosong, mendoj që tregojnë për një qëllim të caktuar dhe paragjykim për të ulur vlerat e Festivalit, duke mos zgjedhurfituesin e vërtetë.
6. Reagimi i publikut shqiptar, shtypit dhe sidomos i publikut kosovar dhe në diasporë, e ka dënuar me forcë këtë akt të papërgjegjshëm, duke kaluar në gjykime hera-herës dhe mjaft të ashpra dhe me karakter politik, gjë e cila nuk është competence e këtij këshilli, as imja, por e organeve të tjera shtetërore.
7. Duke u nisur nga këto arsyetime, kërkoj nga KD i RTSH shpalljen si të pavlefshme të votimit të kësaj jurie dhe ngritjen e një jurie tjetër, për të bërë një vlerësim të dytë dhe objektiv.

Gazeta Panorama
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7