Hyrje | Art Kulture | Muzike | Eva Golemi sopranoja shqiptare e skenave evropiane

Eva Golemi sopranoja shqiptare e skenave evropiane

Eva Golemi sopranoja shqiptare e skenave evropiane
Është një nga zërat më brilante të muzikës lirike, e cila ka disa vite që është pjesë e pandarë e roleve kryesore në vepra të ndryshme operistike. Tashmë ajo e ka krijuar rrugën e saj artistike duke u bërë një nga zërat më të talentuar edhe në skenat evropiane. Këngëtarja lirike Eva Golemi e ka filluar aktivitetin e saj në vitin 1996 pa mbaruar akoma Akademinë e Arteve me rolin e ‘Dona Anës’ në operën “Don Xhovani”. Pas këtij roli ajo vazhdoi rrugën e saj në TOB ku deri tani ka interpretuar rreth 21 role ku më të rëndësishmit janë: roli i Violetës në operën “Traviata”, roli i Xhildës në “Rigoletë”,roli i Lju në “Madam Butterfly” etj, por një nga interpretimet më të shkëlqyera së fundi është edhe roli i Rosalindës tek opereta “Lakuriqi i natës”. E vlerësuar si “Femra e vitit 2006” këngëtarja lirike Eva Golemi pranon me shumë dëshirë që në këtë fundviti të na tregojë rrugën e bukur dhe të vështirë të karrierës së saj.

-Keni vite që me talentin tuaj jeni bërë pjesë e pandashme e çdo aktiviteti kulturor që janë në kalendarin e TOB. Por, si kanë nisur fillimet tuaja në karrierën operistike?

Studimet në Akademinë e Arteve unë i kam mbaruar në vitin 1996 me pedagogen Shqipe Miçomata. Rolin tim të parë e kam bërë pa mbaruar shkollën e lartë në maj të po këtij viti dhe ka qenë Dona Ana në operën “Don Xhovani” e Moxart për të cilin unë kam punuar tre muaj. Këtë rol, i cili ishte shumë i rëndësishëm për mua duke pasur parasysh që isha dhe një studente që akoma nuk kisha dhënë akoma diplomën dhe ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme ku këtë rol unë e kam fituar me audicion. Në atë kohë ka qenë udhëheqës artistik Muharrem Denizi. Opera u bë me dirigjent të huaj dhe regjisorë të huaj po të njëjtët që ishin me operën “Lakuriqi i natës”, të cilët u kthyen përsëri në TOB pas 10 vjetësh. Mbaj mend që ka qenë një rol shumë i vështirë për një moshën 21 vjeçe, rol shumë i vështirë për sopranon dhe madje pedagogia ime më thoshte që: Eva bëje këtë rol, dhe vërtetë ky rol të krijonte një hapësirë jashtëzakonisht të madhe për të kaluar në atë që do të doja unë që të përbënte karrierën time të mëvonshme sepse ishte rol i rëndësishëm në TOB. Kam punuar me të goxha dhe rolin e mësova për nëntë ditë sepse ishte një kohë shumë e shkurtër. Mund të them se për mua ishte një kënaqësi madhe pasi isha më vogla aty dhe kisha rolin kryesor. Pra ky ishte dhe roli im i parë në maj të vitit 1996. Pas kësaj në qershor dhashë diplomën dhe më këtë filloi e tërë karriera ime në TOB.

-Ju keni filluar të jeni pjesë e TOB në vitin 1996, por sa role numëroni deri tani duke ditur edhe faktin se ju jeni soprano e parë e tij.

Nga fillimet e mia dhe deri tani unë kam luajtur gjithsej 21 role vetëm në TOB ku të gjitha janë rolet kryesore të çdo vepre. Këtu mund të përmend disa role si: Neda tek  opera “Paliaçi”, Xhilda tek “Rigoleto”, Violete që është edhe një nga më të preferuarit e mi tek “ Traviata” e Verdit, Margarita tek “Fausti” Liu tek “Turandot” si dhe shumë rolet të tjera ku unë nuk i jam ndarë asnjëherë roleve kryesore. Madje kam kënduar edhe muzikë kontemporane po atë kohë shumë. Kam interpretuar në operën e Ermir Dergjinit “The room”, të Aleksandër Peçit “Oirat”, opera të vështira moderne tani kam hequr dorë dhe nuk marrë pjesë më në to, por këto i përkasin vitit 1999. Me këto i kam dhënë fund këtij procesi ndonëse kam kënduar shumë edhe muzikë moderne, por po flas për klasiken që deri tani kam ecur shumë mirë.

-Profesioni i artistit kërkon shumë punë madje ju që jeni edhe soprano merreni me shumë prova etj, por sa ndikojnë këto në jetën tuaj duke ditur që jeni edhe një familjare?

Është shumë e vështirë dhe pa një ndihmë të mirëfilltë, ku mua në këtë rast më ndihmojnë shumë prindërit e mi, pasi unë kam një vajzë tetë vjeçe dhe natyrisht një ndihmë e madhe për mua është edhe bashkëshorti im Arben Llozi, i cili më ka ndihmuar jashtëzakonisht sepse ma ka bërë profesionin më të thjeshtë. Artisti kërkon një komoditet në jetë ai e do një ndihmë pasi është një profesion shumë i vështirë dhe pa këtë ndihmë nuk mund të bëhet asgjë. Profesioni im kërkon shumë prova, kur kemi shfaqje në mëngjes vetëm drekën e kemi pushim dhe më pas fillojnë provat përsëri pasdite deri vonë. Pra ky profesion mund të them që është i vështirë në se do ta bësh tamam, ky profesion kërkon shumë mund dhe shumë përkushtim.

-Thatë që është një profesion shumë i vështirë. Por, ju ka ndodhur ndonjëherë që jeni sëmurë si ja keni bërë pasi dihet që zëri është mbi të gjitha në profesionin tuaj?

Patjetër që më ka ndodhur të jem sëmurë, por unë them ndonjëherë se këngëtarët i mbron zoti sepse të kesh gjithë këtë grip në qarkullim sidomos në dimër edhe të shpëtosh me gjëra të thjeshta fare për mua është privilegj. Mbaj mend se jam sëmurë kur kam kënduar “Traviatën” para dy apo tre vjetësh dhe kam qenë me temperaturë 38 asnjë nuk e dinte përveç mamasë sime, megjithatë opera doli shumë mirë unë këndova sepse duhet respektuar edhe data dhe publiku etj.

-Jeni ngjitur në shumë skena evropiane, por kritika atje çfarë qëndrimi ka mbajtur ndaj profilit tuaj si artiste lirike?

Mund të them se vlerësimi i kritikës ka qenë shumë i mirë dhe unë jam me fat. Ata kanë vlerësuar interpretimin dhe zërin, për mua kjo është shumë e rëndësishme.

-Roli juaj i fundit është ai i Rosalindës tek opereta “Lakuriqi i natës”, çfarë përfaqëson për ju ky rol?

Sapo u ktheva nga gjithë ai turne që për mua pa dyshim ishte një nga më të suksesshmit, mora pjesë tek opereta “Lakuriqi i natës” me rolin e Rosalindës. Por, mua më pëlqente shumë ky rol sepse kjo është e para operetë që unë luaj. Kam bërë 20 role dhe ky ishte roli im i 21. E kam kënduar me shumë kënaqësi gjithashtu mund të them që u zbavita shumë me këtë interpretim. Rosalinda ishte për mua një personazh shumë i këndshëm.

-Keni vite që jeni pjesë e institucionit të operës, si janë ndërtuar raportet tuaja me kolegët?

Marrëdhëniet e mia janë normale, të mira, ndonjëherë shumë të mira. Mendoj se e rëndësishme është të dish të sillesh, ndonëse unë jam njeri shumë i mirë (qesh).

-Në interpretimin e roleve tuaja, cili është personi që ju kritikon më shumë?

Janë shumë persona kritikë. Është im shoq, është pedagogia ime Shqipe Minomata dhe unë e vlerësoj shumë.

-Kush ju bën të bukur në opera, pasi gjithmonë keni një performancë të shkëlqyer?
 
Normalisht në opera për mua dhe për të gjithë artistët kujdeset Bebeka Alla, e cila është grimirere dhe bën të gjithë personazhet në opera dukke i dhënë karakterin duhur çdo personazhi.

-Çfarë shikon Eva kur hedh një vështrim pas në karrierën e saj artistike?

Ka qenë një karrierë e mundimshme, e vështirë, por jam shumë e kënaqur me atë që kam arritur deri tani. Si çdo artist kur je e re dhe futesh në TOB ka vështirësi sepse rruga është shumë e gjatë që të dalësh në krye, por po punove, po këmbëngule dhe nëse e do me gjithë shpirt profesionin ti ecën, por është puna e madhe që duhet të bësh. Kam marrë shumë sadisfaksione në profesion tim, por gjëja më e bukur që më ka ndodhur deri tani është Laura vajza ime, e cila është tetë vjeç.

-Si e shikoni zhvillimin e artit klasik në vendin tonë?

Është shumë e vështirë që të kuptohet arti klasik pasi njerëzit mund të shkojnë më shumë nga muzika e lehtë, por nga viti në vit ka filluar që të ndërgjegjësohet publiku, i cili e mbush gjithmonë sallën e operës. Nga viti në vit ai është shumë i mirë i kupton këto vepra dhe të duartroket.

-Jeni në ditët fundit të vitit 2007, por si ka qenë për ju ky vit, i suksesshëm apo…?

Pa diskutim unë mund të them që 2007 për mua ka qenë një vit që unë nuk e prisja. E kam filluar në janar me “Madam Butterfly” më pas me Masimo Ranierin “Traviatën”, kam bërë një audicion në Milano për “Traviatën”, shumë Violeta ku kishte shumë konkurrentë dhe fitova midis tyre, në tetor- nëntor bëra një turne një mujor në Gjermani, Angli, Francë, Danimarkë etj, ku me rolin e Violetës në operën “Traviata” të Verdit bëra 11 shfaqje. Kam marrë shumë vlerësime, dhe nga publiku një sadisfaksion shumë të madh sepse më kanë vlerësuar lart interpretimin dhe vokalin.

-Cilat janë disa nga projektet tuaja për vitin 2008?

Gjatë vitit 2008, përveç projekteve me Teatrin e Operës dhe Baletit, në muajt mars unë do të jem pjesë e një turneu ku do të jem në disa qytete të Italisë si në: Leçe ku kam operën “Toska” më pas kam në Milano “Al’ rzianet e Çiliea” në këtë opera unë do të interpretoj rolin e Vivetës. Pas këtyre vjen opera “Don Karlosi” e Verdit ku unë do të luaj rolin e Elizabetës. Pas këtyre në Kroaci kam përsëri “Toskën”, më pas në Napoli “Traviatën” si dhe shumë projekte të tjera. Por, ndërkohë që do të jem pjesë e pandarë në veprat që do të vendosen në Teatrin e Operës dhe Baletit.

-Udhëtoni shumë pasi keni shumë projekte në skena të ndryshme të botës, por sa kohë i kushtoni vajzës suaj, e cila është vetëm tetë vjeç?

Me gjithë punën që kam normalisht që mundohem që të gjejë kohë edhe për vajzën time sepse çdo prind pavarësisht se sa i zënë është normalisht që mundohet që të gjejë kohën edhe për fëmijën e tij. Për vajzën mundohem që t’ia plotësoj dëshirat njëkohësisht që merrem edhe me mësimet me të.

-Edhe pak ditë na ndajnë nga mbrëmja e Vitit të Ri. Ju gjatë kësaj nate do të jeni pjesë e ndonjë koncerti apo do të jeni mes familjes suaj ?

Mbrëmja e Vitit të Ri mua do të më gjejë mes miqve me bashkëshortin tim dhe babain tim pasi vajza dhe mamaja ime janë në Paris tek motra ime, ato do të jenë atje gjatë kësaj kohe dhe do ta festojnë atje Vitin e Ri, pra ngelet që ta festoj mes miqve.

Sot
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7