Hyrje | Art Kulture | Muzike | Shpërthimi i dytë i Alban Skenderaj

Shpërthimi i dytë i Alban Skenderaj

Shpërthimi i dytë i Alban Skenderaj

Alban Skenderaj, djali me zërin melodioz dhe paraqitjen trendy, që me këngët e tij bëri të ëndërrojnë me qindra vajza shqiptare, është gati të shpërthejë me albumin e dytë, i cili në fund të qershorit pritet të hidhet në treg.

 

Nga Gentian Minga

Një sprovë e vërtetë kjo për Albanin, pas suksesit të albumit të parë dhe melodive të bukura që rrodhën prej tij. “Larg dhe afër”, është kënga dhe klipi i parë promovues i këtij albumi, i cili shpejt do pasohet edhe nga këngë të tjera, për të cilat kantautori deklaron se përbëjnë një hap më profesional në karrierën e tij. Klipi i ri, opinionet e tij për muzikën, planet frymëzuese të së ardhmes.Përgatitja e albumit, i ka marrë shumë kohë kantautorit të ri, por mjaft të njohur shqiptar, Alban Skenderaj. Pas disa muajsh punë intensive, e shohim të rikthyer në Tiranë, me albumin e përfunduar, gati për promovimin e tij. Koha e qëndrimit kryesisht në Gjermani, kanë bërë të mundur që Albani të finalizojë albumin, në të cilën pretendon që njerëzit të mos gjejnë vetëm një ose dy këngë që të pëlqehen dhe të tjerat të kapërcëhen sikur të mos ishin fare, sikurse ndodh shpesh me albumet. Por të jetë i tëri një album i pëlqyer ku çdo këngë të mbetet si melodi e bukur në buzë. Përveç albumit në Gjermani, duket se për Albanin ka zënë fill edhe një ndjenjë e bukur me këngëtaren Miriam Cani, por që këngëtari përveç se pranon miqësinë me të, nuk pëlqen të bëjë komente për një lidhje, e cila gjithsesi ngelet enigmë.

Sapo keni hedhur në treg klipin me titull “Larg dhe afër”…Çfarë mund të thoni për këtë klip?

Shpresoj që të pëlqehet sepse është punuar me dashuri; s`është një këngë komerciale, por një këngë që e kam bërë për qejf, për të ardhur në një tjetër formë te publiku. Eshtë një këngë rrok, me temë sociale kështu që s`mund të jetë kurrsesi komerciale. Kështu e kam unë: i bëj gjërat kur e ndiej dhe njerëzit që e pëlqejnë muzikën, do të mbeten të kënaqur edhe kësaj here. Natyrisht, sezoni i verës është i favorshëm për prodhimet muzikore, jo vetëm sepse në këtë periudhë konsumohet shumë muzikë, por dhe sepse vijnë emigrantët nga jashtë dhe albumet shiten.

Kur do shohim një këngëtar shqiptar të parakalojë në tapetin e kuq të MTV Avvards?

(Buzëqesh) E di si është puna? Fakt është se mund të kesh ose jo talent. Ndodh që e ke talentin, e meriton dhe të parakalosh në atë tapet, por kjo s`mjafton. Jashtë është një treg i egër dhe fati luan rolin e vet. Ka shumë rregulla dhe janë të rrepta. Andej artistin e shohin gjithmonë në formëne euros dhe muzika është komerciale po jo në atë formë që interpretohet në Shqipëri. Komerciale në muzikën botërore do të thotë të shitesh mirë, të mbledhësh shumë njerëz në stadium apo sallë kur këndon dhe të shesësh disqe. Kurse këtu te ne, komercialiteti nënkupton muzikën banale. Për të qenë komercial, nuk mjafton të jesh artist apo talent, por ka rëndësi menaxhimi. Punohet shumë në çdo drejtim dhe për çdo detaj nga stafi me të cilin punon. Deri dhe qimja e flokut është e kuruar. Kjo ka të bëjënë radhë të parë me imazhin tënd, cili do jesh dhe ç`vend zë në treg. Zakonisht të favorizuar në këtë lloj tregu janë njerëzit origjinal, origjinaliteti i të cilëve shet. Po pavarësisht se duhet të ruash stilin tënd, ka të tjera gjëra që duhet t`i modifikosh.

Do ishit gati të ndryshonit rrënjësisht për të ecur në këtë treg?

Jo, por do bëja kompromise me gjëra të vogla. Do bija dakord disi për rrymën, lukun por nuk do bëja dot kurrë marrëveshje dhe lëshime përsa u përket teksteve. Ajo që më pëlqen shumë në mënyrën si punojnë jashtë, është se të thonë menjëherë në sy nëse u duket diçka e bukur, apo aspak e bukur. Dhe nuk mjaftohen thjesht te gjykimet, por të japin gjithashtu këshilla dhe ide se si një krijim mund të bëhet më tërheqës. Për fat të mirë, unë jam natyrë e hapur dhe i mirëpres këto këshilla. Di të punoj dhe të besoj se artistikisht kam dhënë maksimumin tim. Ajo që mbetet, është çështje menaxhimi.

Fillimet tuaja në muzikë nuk kanë qenë kaq të suksesshme. Ju dorëzuat këngën “Vetëm ty” në festivalin e dhjetorit por jua refuzuan. E përjetuat keq këtë zhgënjim atëherë?

Mua s`ma morën në dhjetor atë këngë dhe po në dhjetor, ma pranuan këngën te Top Festi, kështu që nuk pata kohë të zhgënjehesha. Pastaj nuk e konsideroja Shqipërinë si një vend që do më jepte kaq shumë, kam marrë më shumë nga ç`prisja. Ideja ime ishte thjesht të argëtohesha pak, të sillja thjesht një këngë pa pritur asgjë të madhe si shkëmbim. Kështu që gjithçka ishte një surprizë për mua.

Si ka qenë Albani këngëtar kur ende nuk ishte ngjitur në një skenë të vërtetë?

Kam kaluar goxha kriza, që në momentin që sheh se nuk po merr rrugët që do. Sheh që mënyra se si po të ecën jeta, nuk është ajo që ëndërron. Ndodh të pyesësh veten: “Ej, a do ndodh diçka më e mirë se sa kaq, a do arrij t`i realizoj ëndrrat e mia?’ Këto pikëpyetje kanë qenë pjesë e jetës sime dhe vazhdojnë të jenë, sepse pas çdo arritjeje, i vë synime të reja vetes dhe vazhdoj të shqetësohem sa do të realizohen ato. Po tani ndihem më i realizuar kurse atëherë isha adoleshent, mosha perfekte për kriza. (Qesh)

I këndonit tekstet tuaja kur ishit vetëm në dhomë?

Sigurisht, këtë e kam bërë gjithmonë. Orët që kam kaluar me muzikën atëherë kanë qenë të pafundme, në krahasim me tani. Kam nostalgji për ato kohë, do doja t`i rikthehesha, por kjo është diçka e pamundur.

E ëndërronit që atëherë këtë sukses?

Absolutisht po, por ti e di po aq sa unë se ëndrrat zakonisht duken të pamundura por kur i ke realizuar, çuditërisht harron se sa me forcë i ke dashur dikur këto ëndrra, sepse gjithçka të duket më reale, më e kapshme. Pikërisht kur je duke bërë diçka, kujtohesh sa e largët të duket koha e ëndërrimeve. Më ndodh që, kur jam duke kënduar, në një fraksion sekonde i them vetes: “Ej Alban, e mban mend kur e dëshiroje këtë skenë? Dhe ja, tani je këtu!”. (Buzëqesh)

Dy çmime të para në Top Fest, janë një motiv për të mos marrë pjesë më kurrë në këtë festival?

Kurrë mos thuaj kurrë! Unë jam shumë i hapur përsa i përket Top Festit, ai është festivali që e dua më shumë. Më ka mbështetur atëherë kur debutova, më dha besim. Mendoj se ky festival ka një format perfekt për të zhvilluar muzikën në Shqipër, kështu që ku i dihet, mund të rikthehesha me kënaqësi në këtë eveniment. Më tepër si një gjest falenderimi!

Mendoni se ky festival e meriton prapashtesën “i muzikës moderne shqiptare”?

Them se po, në çdo aspect. Përsa u përket këngëve, skenografisë dhe formulës. Eshtë modern në çdo detaj.

Ju i shkruani vetë tekstet e këngëve. Çfarë ju frymëzon më tepër për të shkruar?

Vetë jeta! S`ka nevojë që të shkoj më larg se realiteti, sepse nuk jam një Nostradamus që të fantazoj motivet kur jeta e përditshme na i ofron me bollëk. Ndihem kaq pranë njerëzve, përditshmërisë. Ndihem kaq normal dhe aspak “më i aftë” apo njeri ndryshe, më i rrallë se të tjerët. Nga jeta që bëj, marr detaje dhe i përpunoj në funksion të muzikës. Asgjë më shumë! Kam qejf ta përdor strukturën e poezisë për të thënë gjëra shumë të pranishme, të prekshme por në një mënyrë të paprekshme. S`jam fort direkt në tekstet e mia, jam më poetik dhe filozofik paçka se ato që them janë mëse të zakonshme. Thjesht s`më pëlqen të jem shumë banal apo i varfër në shprehje.

Të bësh poezi aspak të thjeshta po gjithsesi të këndueshme, është goxha arritje!

(Buzëqesh) Balanca është thjesht çështje njohurie. Mjafton të dish të ruash masën, ja dhe ti e ke kuptuar thelbin e teksteve të mira të këngëve. Në kësi rastesh, duhet shumë punë sepse poezitë s`janë aq fantazi sa ç`duken. Jo! Ky s`është thjesht krijim po një proces i mirëfilltë pune, teknikë. Artistët, sidomos si puna ime, kanë nevojë që të mos i kenë të gjitha në vijë, të jenë shumë shumë mirë që të bëjnë gjëra të bukura. Duhet të kenë disa probleme, po jo shumë të mëdha. (Qesh) Thjesht një artist duhet të jetë vazhdimisht i ngacmuar, i pakënaqur që të ketë çfarë të thotë.

Eksperienca ka treguar se kush bëhet menjëherë i famshëm, po aq shpejt del nga qarkullim. Ju si keni qëndruar në treg?

Duke pasur gjithmonë besim te vetja! Mund të kisha qenë edhe unë një nga ata njerëzit që merren me muzikë që tre vjeç, duke mësuar ndonjë vegël muzikore. Po unë s`i kam pasur këto mundësi. Ishin vitet `90, demokracia, Italia dhe emigracioni. Kështu që u desh kohë që të dilja në sipërfaqe si artist, që të më jepej mundësi të tregoja veten. Mendoj se ka artistë shumë më të mëdhenj se unë që kanë dalë nga hiçi dhe janë bërë legjenda në muzikë. Këtu në Shqipëri shpesh fëmijët e artistëve e kanë pasur më të thjeshtë në këtë drejtim, por tani po hyn dhe te ne ai fenomeni botëror, sipas të cilit gjithkush mund të bëhesh dikush nëse i jepet mundësia dhe ka brum. Ka njerëz që deri 40 vjeç kanë larë pjata në restorante e krejt papritur janë bërë yje kinemaje.

Ju pëlqen jeta e natës, pabet me muzikë live?

Po të jetë fjala për të dëgjuar një kolegun tim, në një vend të qetë ku ka pak lëvizje dhe zhurmë, po. Po përsa i përket jetës së zhurmshme të natës, ka kohë që jam distancuar prej saj. Puna ime është e tillë që jam vazhdimisht në mes të zhurmës dhe atë pak kohë të lirë që kam, dua ta shfrytëzoj për t`u qetësuar.

Ku ndryshon kjo jetë nga ajo e perëndimit?

Asgjë, biles këtu ka teprime. Standardi i jetesës bie ndesh me gjithë këtë luks. Klube të mira ka, po ka pak klientelë që mund t`i mbushin ato. Më bën përshtypje se njerëz të famshëm, të mëdhenj jashtë shtetit dëfrehen në lokale që këtu i gjen rëndom. Lokale si këto të Tiranës, i gjen pa frikë dhe në Manhatan, Nju Jork.

Jeni maskilisit? Një pyetje e drejtë për një mashkull shqiptar….

Absolutisht, madje këtë gjë e vuaj. E vuaj deri dhe te miqtë e mi! Ne shqiptarët kemi tendencën që, kur thuhet ndonjë gjë pro femrës lindin reagime tip “shqyerje sysh” (qesh) kur në fakt bota e ka treguar se meshkujt dhe femrat qëndrojnë në të njëjtin nivel dhe s`duhet të ketë dallime. Ne si komb duhet të punojmë shumë në këtë aspekt, që nga institucionet deri te individët.

Ka ndikuar qëndrimi jashtë Shqipërisë për të krijuar këto pikëpamje?

Kështu jam edukuar, e kam spontan këtë qëndrim. Grimca të karakterit të një shqiptari gjen dhe tek unë. E kemi parë gjithmonë femrën si të nënshtruar, por prindërit më kanë dhënë shëmbullin më të mirë të barazisë mes gjinive. Një arsye më tepër për t`u shqetësuar nga patriarkalizmi, është edhe fakti që jetojmë në vitin 2008.

Cila është muzika që preferoni?

S`kam më artistë të preferuar sepse tani është koha për të vlerësuar punët dhe jo individin. Kështu që kam këngë të preferuara. Kohët e fundit po dëgjoj shumë Coldplay, japin një shoë/// të mrekullueshëm live. Janë zotërinj në mënyrën si japin spektakël. Në disa raste, edhe Xhastin Timbërleik më tërheq.

Shpenzoni shumë para dhe për çfarë i shpenzoni ato?

Shpenzoj dhe ndonjëherë më shumë se sa ç`duhet, më shumë se sa do mundesha në të vërtetë. Harxhoj nga pakujdesia dhe sepse bëj një jetë tërë kohës në lëvizje dhe s`kam një jetë të përditshme, monotone dhe standarde. Shumica e parave më ikin me bileta avioni, fatura hotelesh e gjëra të këtij tipi. Udhëtimet të lodhin ndonjëherë, sidomos në rastin tim kur janë të detyruara. Se një udhëtim mund të jetë i këndshëm kur zgjedh vetë që ta bësh, për qejf, por jo kur ty të flihet gjumë dhe duhet të jesh në aeroport sepse ke një koncert diku. Kur shkoj diku, përpiqem të marr më të mirën e atij vendi sepse kjo të rrit dhe pasuron si njeri.

Cila është këshilla më e mirë që keni marrë nga prindërit?

Më kanë thënë: “Bëj këngë, se ato mbeten. Merru me këtë punë më tepër se me çdo gjë tjetër!’.

Jeni edhe vetë emigrant. Ju bezdis mënyra si trajtohen emigrantët shqiptarë?

Aspak! E keqja është se kur bën diçka të keqe një emigrant, ia hedhin në sy, kurse 1000 të mira të tij, injorohen. Eshtë ky problemi!

Çfarë bëni kur nuk këndoni?

Kur këndoj lodhem shumë mendërisht dhe fiziku rri pasiv, kështu që në kohën e lirë kam qejf të vë pak fizikun në lëvizje. Pak vrap dhe pak notë, janë dy sporte që i ushtroj sa herë më jepet mundësia.

Cili është citimi i preferuar?

Më është fiksuar që i vogël një shprehje që thotë: “Jeta është shumë e shkurtër që ta kalosh duke urryer”. Kjo është një frazë që më intereson!

E keni menduar veten si pjesë të kinematografisë?

Unë e kam provuar veten në një “musical”, por kjo s`ishte një eksperiencë tamam kinematografike.

Alban Skënderaj ( 26 vjeç) kantautor i ri dhe mjaft i dashur për publikun shqiptar, në pritje të albumit të dytë, që shumë shpejt do të jetë në duart e publikut.

Kënga që i dha famë mban titullin “Vetëm ty”, ndërsa “Fllad në shkretëtirë” është i pari album që Albani publikoi pas kërkesave të shumta nga ana e publikut. Në këtë album ai paraqitej si kantautor.

Përsa i përket jetës sentimentale, këngëtari kohët e fundit është përfolur për një lidhje me kolegen që jeton në Gjermani, Miriam Cani.

Revista Shqip

Komente (1 publikuar)

avatar
bleona 2009-08-26 05:49 +0100
e pra mua me pleqen albani por motra ime vdes per te thot qe nuk ka kengetare me te mire se aj eshte idhulli im thot por esht i mire ka deshir qe te she bile nje hre ne jett
0
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

1.00
Powered by www.merbraha.com v4.7