Hyrje | Art Kulture | Muzike | Blunt elektrizon mijëra fansa në "Qemal Stafa"

Blunt elektrizon mijëra fansa në "Qemal Stafa"

Blunt elektrizon mijëra fansa në "Qemal Stafa"

Blunt elektrizon mijëra fansa në "Qemal Stafa"

Këngëtari i njohur britanik, koncert në kryeqytet

 

Blunt ka mbetur ende një djalosh, tepër simpatik, megjithëse flokët i tregojnë se vitet kanë filluar të lozin dhe me të. Të martën ishte dita e tij e dytë në Tiranë dhe në mbrëmje mijëra fansa do ta prisnin në stadiumin "Qemal Stafa". Por para se të këndonte hitet e tij në koncertin e parë në Shqipëri, Blunt bëri një rrëfim të shkurtër për mediat, në një nga sallat e konferencave të hotel "Sheraton".

Rrëfimi i tij nisi me arsyen përse zgjodhi Shqipërinë për të dhënë një koncert. "Ky koncert është në vazhdën e turit tim botëror dhe Shqipëria si pjesë e botës normalisht është dhe pjesë e këtij turi. Për mua ishte interesante të vija në vendin tuaj, pasi në Angli kam shumë miq shqiptarë. Dhe ky tur është një lloj "justifikimi" për të shkelur në vende të reja që nuk kam qenë ndonjëherë", tha Blunt.

Më pas Kosova do të përbënte minutat më të gjata të rrëfimit të këngëtarit të njohur britanik.

Ai ka shërbyer në Kosovë si ushtar i forcave paqeruajtëse të NATO-s gjatë trazirave të vitit 1999, duke qenë dhe oficeri i parë britanik që hyri në kryeqytetin e Kosovës. Gjatë shërbimit në këtë vend shkroi këngën e njohur "No bravery". Po tashmë kur këngët e Blunt janë në krye të klasifikimeve në hit-paradat evropiane dhe jeta e tij nuk është më jeta e një ushtari, si vjen Kosova në rrëfimin e tij?

Ai tregoi se dy vjet më parë kishte qenë në Prishtinë për të kënduar për ushtarët britanikë, por dhe për serbët dhe shqiptarët e Kosovës. I pyetur se përse nuk shkon në Kosovë në këto momente kur është i kërkuar në të gjithë botën, Blunt u shpreh se "Për momentin Kosova po kalon një ndryshim shumë të madh politik, gjë të cilën unë nuk dua ta ngatërroj me muzikën që bëj, pasi ajo është një muzikë që nuk njeh ndryshime në gjini, në raca apo fe. Shpresoj të kthehem në Kosovë në momentin kur situata politike të jetë më e qetë".

Por këngëtari ka pranuar se Kosova ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën e tij si artist. "Kosova ka ndikuar shumë në krijimtarinë time. Kam parë njerëz në momentet e tyre më të mira apo në momentet më të këqija. Jam marrë me jetën dhe vdekjen përditë dhe Kosova ka qenë një shkollë për vete për mua.

Në albumin tim të parë kam një këngë që i referohet direkt Kosovës. Në albumin tim të dytë kam dy këngë të tjera që kanë lindur nga kjo periudhë", tha Blunt.

Një pjesë e të ardhurave nga koncerti i djeshëm do të shkojnë për bamirësi në Kosovës. Blunt tregoi se ndihmonte organizatën joqeveritare "Mjekët pa kufi", e cila mbledh fonde jo vetëm për Kosovën, por të gjitha vendet që kanë nevojë për ndihmë kudo në botë.

Blunt është padyshim një këngëtar romantik. Hitet e tij të famshme si "You‘re beautiful" apo "Goodbye my lover" janë rrëfimet më të bukura për dashurinë. Por a ka Blunt një model për femrën që do ta donte pranë tij dhe çmendon ai për të bukurën?

"Në fakt është një këngë që i këndon të bukurës. Por unë nuk është se e kam menduar se cila do të ishte femra ime ideale. Këngët e mia në përgjithësi nuk janë për bukurinë e jashtme. Janë për përpjekjen që njeriu bën për të krijuar një lidhje me të tjerët nëpërmjet mendjes. Kanë të bëjnë me izolimin që ndiejmë të gjithë në jetën tonë të përditshme dhe për pengesat dhe lidhjet që përpiqemi të krijojmë gjatë këtij rrugëtimi që është jeta jonë", tha ai.

Blunt ka hedhur poshtë zërat se gjatë qëndrimit në Kosovë ka pasur një të dashur kosovare. "Kjo nuk është e vërtetë, pasi në atë kohë unë nuk isha atje për pushime, por për të punuar. Më duhet të kryeja detyrën time si ushtar në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën", tha ai.

Ky është rrëfimi i shkurtër që Blunt bëri pak orë para koncertit të madh në stadiumin "Qemal Stafa". Mijëra fansa kanë ndjekur për orë të tëra këngëtarin e njohur britanik teksa interpretoi këngët më të zgjedhura të repertorit të tij. Koncerti i Blunt të Tiranë pati mbështetjen e "Top Channel" dhe "Top Albania Radio". Blunt erdhi në Shqipëri pas një turi mbarëbotëror që ka ndërmarrë për të prezantuar albumin e tij të fundit "All the lost souls", i cili u hodh më treg më 17 shtator të vitit 2007. Pjesa më e madhe e këngëve janë shkruar prej tij në shtëpinë që ka në Ibiza. Vetëm gjatë dy javëve të para, albumi është shitur në 650 mijë kopje.



Blunt



James Blunt ka qenë i lidhur me muzikën që kur ishte ende fëmijë. Gjatë adoleshencës ai do të kuptonte se muzika ishte diçka që buronte lehtë brenda tij dhe me të cilën ai mund të merrej me shumë dëshirë. Por seriozisht rrugës muzikore ai do t‘i futej pas shkëputjes nga ushtria. Albumin e tij të parë, "Back to Badlem", që menjëherë tërhoqi vëmendjen e kritikëve muzikorë që e vlerësuan maksimalisht, e hodhi në treg në vitin 2005. Kënga e tretë e CD-së, "You‘re beautiful" u kthye në një hit të momentit, duke u klasifikuar që në fillim në majat e klasifikimeve britanike. Vetëm gjashtë javë pas debutimit, ajo u rendit e para, duke bërë që albumi "Back to Badlem" të klasifikohej si më i shituri. Pas suksesit në Britaninë e Madhe, kënga pushtoi kontinentin evropian, duke fituar statusin si hiti absolut i verës së 2005-s. James Blunt u bë artisti i parë që kryesoi për javë të tëra klasifikimet amerikane. Britaniku i fundit që kishte bërë një gjë të tillë ishte Elton John. Artisti ka marrë dhjetëra kandidime për çmime prestigjioze, mes të cilave edhe "Grammy" dhe është vlerësuar në 2006-n si artisti më i mirë britanik dhe artisti më i mirë i muzikës pop në ceremoninë "Brit Awards".

Burimi i lajmit shqip

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7