Hyrje | Lajmet e dites | Aleancë dhune greko-shqiptare kundër afro-aziatikëve

Aleancë dhune greko-shqiptare kundër afro-aziatikëve

Departamenti Shën Panteleimoni (Agios Panteleimonas) është kthyer në "bastion" të grupeve ultra të djathta që përleshen gati përditë me imigrantë afroaziatikë.Pjesë e kësaj dhune janë edhe segmente imigrantësh shqiptarë.



I kredhur në qetësinë e mëngjesit plot diell dhe i shpëlarë nga shiu i furishëm triditor, sheshi para kishës së Shën Panteleimonit nuk të kujtonte asgjë nga imazhi i krijuar për të, si një "geto" në qendër të Athinës dhe arenë e përleshjes raciste midis qytetarëve të indinjuar dhe të huajve, kryesisht afroaziatikë. Por shpejt e kupton se është një qetësi e rreme.



Frikë për të përshkruar ngjarjet

Prifti në hyrje të kishës thotë se "nuk mund të flasë" dhe mbyll me nxitim derën. Berberi shqiptar në floktoren e tij na bën me shenjë të kuptojmë se bashkë me flokët e klientëve "ka prerë" dhe gjuhën e tij, për ato që shikon. Athinaja, pastruesja e bashkisë, refuzon të thotë në mikrofon se shpesh gjen "thika, shkopinj, shufra hekuri dhe mjete të tjera rrethanore", që grupet e të rinjve ultra të djathtë i përdorin në sulmet e tyre, sapo të rinj me ngjyrë shfaqen në shesh apo në rrugët përreth.

"Këtu pra sundon dhuna. Shikojnë të hanë njëri-tjetrin," thotë një qytetare që po nxiton në rrugën Alqivjadhu.

"Rrinin fëmijët tek shkallarët dhe erdhën tri afganë dhe i goditën me thikë. Pastaj mbërritën 20 vetë, me shkopinj, dhe u bë hataja," thotë Kostas, një mesoburrë që shikon majtas-djathtas sikur e ndjek njeri.

I referohet ngjarjes së 15 shtatorit, kur një grup afganësh iu turrën një shqiptari 13 vjeçar dhe dy të rinj grekë, 19 dhe 24 vjeç që i vajtën në ndihmë, u goditën me thikë, njëri në bark dhe tjetri në kofshë.


Policia përballë "grupeve të mbrojtjes"

Një grup policësh të motorizuar në qoshe të sheshit na kujton buletinin policor që është shumë i pasur. Vetëm nga 15 gushti deri më 8 tetor janë shënuar 33 incidente, me 23 rrahje dhe 10 goditje me thikë, me viktima nga të dyja palët. Akoma edhe të vdekur. Policia komunikoi këto ditë se zbardhi krimin e vrasjes së një të riu pakistanez më 2 korrik nga një grek, që u arrestua. Policia është në kërkim të dy bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë.

Sheshi dhe zona përreth konsiderohen bastioni i segmenteve ultra të djathta, që shpesh organizojnë dhe tubime kundër imigrantëve me ngjyrë. Të ashtuquajturat "grupe të mbrojtjes" kanë marrë përsipër të spastrojnë zonën nga imigrantët me ngjyrë, që shpesh bëhen objekt sulmi nga të rinj me ose pa maska.

Dhuna raciste për çudi ushqehet dhe nga segmente imigrantësh shqiptarë. Është e vërtetë? pyetëm një grup shqiptarësh, që luanin letra në një qoshe të sheshit pa i shqetësuar njeri.

"I pari fare jam unë, që jam përleshur me të zinjtë, se nuk kanë edukatë dhe nuk e dinë se çfarë është jeta në Greqi" thotë Spiro Qytyku nga Berati dhe shton:

"Me grekët kaloj fare fare fare mirë. Për çdo nevojë që kanë pasur kundër të zinjve unë jam afër atyre". Ai thotë se është shumë i kënaqur nga Greqia, ku me punën e tij rriti katër fëmijë, ka kumbar grek dhe është i respektuar. Po pse ngrihet kundër zezakëve?

"Nuk është puna se jam racist. Është puna se nuk po ushqehemi dot ne. Ata venë me 15 euro dhe ne kërkojmë merokamato kanonika, me ensima ( kërkojmë ditë pune të rregullt, me pulla siguracioni), me të tëra". Dhe përserit refrenin e tij: "Unë them se duhet të ikin që këtej".


Shqiptarët kundër shfrytëzuesve të sistemit

Spiroja është familjar dhe me rrëfimin e tij të sinqertë për shpërthimin kundër imigrantëve me ngjyrë vjen për të dëshmuar atë që evidenton për DW si shkak më të thellë edhe kriminalisti i shquar dhe profesori i Universitetit të Athinës, Janis Panusis:

"Shqiptarët si të krishterë dhe të integruar në shumicën e tyre kanë filluar të kenë si armiq jo grekët, siç ishte në fazën e parë, por ata që u rivendikojnë, si racë, ngjyrë apo fe e ndryshme, të drejtën për të jetuar me mënyrën, që kanë vendosur dhe janë integruar në mënyrë pqësore. Kështu vërejmë fenomenin të varfërit kundër të varfërve, shqiptarët kundër të zinjve, Grekët e Azisë së Vogël kundër romëve dhe kategori të tjera, që kanë një farë integrimi në Greqi, të cilët shikojnë si armiq jo klasën e pasur, establishmentin grek, por ata që rivendikojnë atë pjesë të vogël, që ata e kanë fituar në mënyrë të ligjshme dhe me integrimin e tyre në shoqërinë greke".


Aleanca e dhunës përballë bashkëjetesës

Për profesorin grek është gabim të thuhet se "nxjerrin komplekset e tyre" për atë që ata kanë vuajtur vetë vite më parë, gjë që "mund të ndodhë në planin privat, por jo kolektiv".

Ky parametër i errët i "aleancës së dhunës" nuk shfuqizon sigurisht vlerën e kulturës së bashkëjetesës midis vendasve dhe imigrantëve shqiptarë, siç shprehet dhe në sheshin e përbashkët që ndajnë.

"Bashkëjetojnë me grekët. Janë njerëz të qetë. Kanë ardhur të parët, janë nikoqirë, familje për së mbari, njoh shumë shqiptarë," thotë Jorgos Andrikopullos, imigrant edhe vetë dikur, që kujton me nostalgji edhe ditët e mira të zonës, ku tani kalon pleqërinë. Atëherë kur, siç thotë, "ishte nga më të mirat e Athinës. Këtu ishte ëmbëltorja e famshme "Mallamos", janë xhiruar filma me aktorë të famshëm. Kurse tani..."

 

Shekulli

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7