Hyrje | Lajmet e dites | Lulzim Basha: “Tirana ka nevojë për ndryshim

Lulzim Basha: “Tirana ka nevojë për ndryshim

Ju jeni shprehur, sigurisht, krejt i bindur në fitore në zgjedhjet e sotme. Është kjo një shprehje që e kërkon fushata elektorale, apo një bindje e thellë e juaja? Nëse po, ku e bazoni këtë bindje?

Unë nuk paragjykoj votuesit, janë ata që vendosin. Por unë jam i bindur se votuesit në Tiranë janë të lodhur nga konfliktet politike shterpë, që nuk sjellin asgjë të re në jetën e tyre. Bindja ime më e madhe është se Tirana ka nevojë sot të ndryshojë. Kryeqyteti ynë, shtëpia jonë e përbashkët, gjendet sot në një ngërç, në një gjendje kënete. Bashkia e Tiranës, administrimi i qytetit, qeverisja e tij, nuk i përgjigjet kërkesave të banorëve, të qytetarëve, të rinjve, të moshuarve, fëmijëve, studentëve, biznesmenëve, artistëve. Të gjitha kategoritë sociale jetojnë sot mijëvjeçarin e tretë, ndërsa për fat të keq vizioni i bashkisë i takon së shkuarës dhe nuk i përgjigjet ritmit dhe nevojave të shoqërisë. Duke e parë këtë situatë nga afër, përmes takimeve të përditshme për më shumë se 6 javë me qindra e mijëra vetë në Tiranë, më është krijuar bindja e plotë se ky qytet e ka në ADN-në e tij nevojën për ndryshim. Unë jam i sigurt se përfaqësoj këtë shpresë, këtë nevojë për ndryshim. Sepse, kemi të bëjmë me dy botë të ndryshme. Atë aktuale, ku në qendër të Tiranës është kryetari i Bashkisë, pika kryesore e gravitetit, ndërsa qytetarët janë satelitë që sillen rrotull. Dhe botën që unë kam ndërmend dhe që e kam në platformën time, ku qytetari është në krye dhe bashkia rrotullohet rreth tij. Graviteti i programit tim është qytetari, interesat e tij. Kjo është jo vetëm çka unë do të bëj, por sakaq, çka qytetarët e Tiranës meritojnë.

Mendoni se sot do të ketë ndryshime në pjesëmarrjen në zgjedhje? Parashikoni ngritje apo rënie të numrit të njerëzve që do të shkojnë të votojnë?

Nga takimet që kam pasur me mijëra vetë në Tiranë, mund të them me siguri që qytetarët kërkojnë ndryshim. Nevoja për ndryshim në Tiranë është e prekshme, është prezente kudo. Kjo, natyrshëm, do të sjellë pjesëmarrje të konsiderueshme në zgjedhje. Unë e kam parë këtë në interesin e madh të qytetarëve që kam takuar, e kam parë në mbështetjen që më është dhënë në rrugët, lagjet, në periferi dhe në qendër të Tiranës. Kjo energji duket qartë edhe në mbështetjen e madhe që kam marrë në ‘Facebook’. Nga ana tjetër, program im i përgjigjet të gjitha shqetësimeve që ka çdo qytetar i Tiranës. Kështu që sekush që gëzon të drejtën të votojë, gjen tek projekti im një arsye që më 8 maj të marrë pjesë në zgjedhje. As edhe një qytetar i Tiranës nuk është i përjashtuar apo i lënë në neglizhencë nga oferta ime. Ndaj, nuk kam se si të mendoj ndryshe, veçse pjesëmarrje të lartë në zgjedhje.

Cilat janë shtyllat kryesore të programit tuaj elektoral?

Shtyllat kryesore të programit tim janë punësimi dhe zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës dhe qeverisja transparente e Tiranës. Shqetësimet dhe hallet e Tiranës sot, por edhe rruga e daljes nga kjo gjendje, zgjidhja e problemeve. Së pari, zhvillimi ekonomik i Tiranës. Një model që do të garantojë mirëqenie, punësim dhe ta bëjë qytetin motorin më të fuqishëm ekonomik të vendit. Përmes reformës fiskale, jo vetëm që do të gjenerohen vende të reja pune, por do të krijohen kushtet për normalizim të çmimeve. E dyta ka të bëjë me cilësinë e jetës në Tiranë. Kjo lidhet me mënyrën se si do të zhvillohet qyteti. Plani urbanistik dhe mënyra se si do të pasqyrohen aty interesat e qytetarit. Interesat e qytetarit do të rëndojnë mbi gjithçka tjetër. Plani urbanistik do të respektojë qelizën e qytetit, që është prona private e qytetarit, janë lagjet e Tiranës. Nisur nga kjo qelizë do të ndërtojmë organizmin e madh të gjithë qytetit. Do të ketë një revolucion në infrastrukturë, që do të ndikojë në cilësinë e jetës, në hapjen e vendeve të reja të punës, në zhvillim ekonomik të Tiranës.

E treta ka të bëjë me atë që unë e quaj: ta konsiderojmë Tiranën shtëpinë tonë të madhe, familjen tonë të përbashkët. Një familje nuk mund të jetë e lumtur nëse dikush rritet e pasurohet çdo ditë, ndërsa dikush tjetër vuan. Nuk mundet që dikush të ketë një axhendë e dikush tjetër një axhendë tjetër. Në Tiranën time nuk do të ketë të humbur e të fituar. Harmonizimi i interesave e çon përpara qytetin dhe u jep të gjithëve shansin të ndjekin ambicien dhe ëndrrën e tyre.

Si duhet ta imagjinojmë Tiranën gjatë mandatit tuaj të ardhshëm?

Tiranën duhet ta imagjinoni si një qytet që zien, që regëtin nga energjia, nga puna, nga projektet, nga ambicia. Duhet ta imagjinoni si një nga qendrat më atraktive për biznesin në rajon. Dhe, kështu do të jetë. Do të bëj gjithçka, që nga lehtësitë fiskale dhe kontaktet e përditshme, për të sjellë në Tiranë investimet e huaja. Si një kryeqendër të artit dhe kulturës, sepse kam ndërmend të rris buxhetin në këtë fushë si dhe të krijoj një fond ekselence për stimulimin e artit. Tirana do të jetë një qendër e madhe e sportit, duke nisur nga shkollat, gjimnazet, e deri tek ekipet profesioniste. Tirana do të jetë e 100 mijë studentëve, të cilët do të kenë kartën që u jep bashkia për t’u lehtësuar jetën ekonomike, do të kenë bibliotekën e tyre universitare, kampus të madh e modern. Tirana do të jetë vendi ku mund të jetojnë të moshuarit, të rinjtë, fëmijët, ata që kërkojnë punë, ata që duan të bëjnë karrierë, ata që kërkojnë që një qytet t’u japë shanset që meritojnë.

A mendoni se duhet të ketë kufizime në mandatin e kryetarit të bashkisë, njësoj si për Presidentin e Republikës, ta zëmë?

Këtë e përcaktojnë votuesit. Nëse kryebashkiaku nuk punon për ta, atëherë qytetarët kanë në dorë të ndërpresin mandatin e tij. Kryetari i bashkisë duhet t’ia kushtojë mandatin e tij qytetit dhe qytetarëve, dhe jo ambicieve të tija politike që bien ndesh me votën që merr nga populli.

Si jeni ndjerë gjatë fushatës tuaj elektorale? Cilat janë përshtypjet më të thella nga takimet me njerëzit?

Përshtypja ime më e thellë ka të bëjë me atë se sa nevojë kanë qytetarët dhe qyteti për ndryshim. Jam prekur teksa kam parë tek qytetarët shpresën dhe nevojën për të pasur vëmendje për ta, për të treguar dhe manifestuar dashuri e solidaritet me dhimbjet, hallet dhe shqetësimet që ata kanë.

A mendoni se në Tiranën e së ardhmes duhet të ndjehet më shumë zëri i të rinjve? Si mund të realizohet kjo?

Çdo qytetar i Tiranës meriton të dëgjohet. Të rinjtë janë padyshim pjesa më vitale e Tiranës. Ata thjesht duhet të marrin vendin që u takon në hierarkinë e vlerave të qytetit. Unë kam një plan, që ka të bëjë me dy momente kyçe në jetën e tyre: arsimimin dhe punësimin. Për sa i takon arsimimit, kam parashikuar që t’u krijohen kushtet që çdokush të ndjekë shkollën. Nuk do të lejoj qoftë edhe një rast që për arsye ekonomike një i ri të mos jetë në auditor. Nga ana tjetër, për më të mirët do të ketë stimulime të vazhdueshme dhe ata do të jenë në vëmendjen e bashkisë. Bashkia do të jetë ura e sigurt e kalimit të tyre nga shkolla në tregun e punës. Me rolin e agjentit që do të luajë bashkia, do të mundësojë që të kualifikuarit të ushtrojnë profesionin, por edhe tregu të furnizohet me profesionistët për të cilët ka nevojë.

Kur mendoni se, më në fund, Tirana do të këtë nënkalime dhe mbikalime për këmbësorët?

Do të nisim menjëherë me këto projekte për nënkalimet dhe mbikalimet, në pikat ku ka më shumë trafik, për ta lehtësuar atë, dhe aty ku kaosi urban ka shkaktuar, për fat të keq shumë viktima.

Keni parashikuar ndërtimin e parkingjeve shumëkatëshe? Kur mendoni se kryeqytetasit do t’i kenë ato në dispozicion?

Në planin e ri urbanistik do të parashikohet ndërtimi i tre parkingjeve të mëdha në Tiranë. Plani i ri urbanistik do të jetë gati dhe në zbatim brenda një viti.

Si mund të zgjidhen përfundimisht telashet e Unazës së Re?

Telashet e Unazës së Madhe si dhe shumë telashe të tjera do të zgjidhen me vullnet për të punuar për qytetin dhe qytetarët. Do të zgjidhen ditën kur kryetari i bashkisë nuk do të jetë ushqyesi kryesor i konfliktit politik në vend, por ushtruesi i detyrës dhe përgjegjësive të tij. Unë do të jem i gatshëm të bashkëpunoj dhe të gjej konsensus me këdo, me çdo aktor e institucion, për t’i çuar përpara punët e Tiranës. Unaza e Madhe do të fillojë të ndërtohet brenda 6-mujorit të parë të mandatit tim.

A do të zgjidhet ndonjëherë përfundimisht problemi i ‘Zogut të Zi’?

Nuk mendoj se aty ka një problem. Kishte një tentativë për të krijuar një problem, për t’i shtuar edhe një tjetër, një mijë e një problemeve që ka Tirana, por që u zgjidh në kohë.

Periferia e Tiranës vazhdon të mbetet një zonë gjysmëurbane. Kur mendoni se ajo do të bëhet përfundimisht një pjesë integrale e kryeqytetit?

Qytetarët e Tiranës meritojnë të kenë vëmendjen dhe shërbimet e bashkisë kudo ku ata jetojnë. Kjo do të ndodhë sapo të fillojë zbatimi i programit tim, që parashikon një Tiranë të jetueshme kudo. Unë kam në plan të çoj në çdo periferi investime, vëmendje e standard. Tirana do të ketë shumë qendra dhe qytetarët do ta ndiejnë veten në qendër, në gjithë kuptimet e kësaj fjale, kudo që ata kanë shtëpinë dhe jetojnë.

Keni premtuar shtimin e vendeve të punës? A mund ta realizojë bashkia këtë? Nëse po, si?

Bashkia mund të bëjë shumë për punësimin nëse vendos të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Rivali im e nisi fushatën duke thënë se, bashkia nuk ka çfarë bën në këtë drejtim. Unë mendoj ndryshe. Lehtësirat fiskale që parashikoj; heqja e dhjetëra tarifave dhe taksave, ulja dy-tri herë e nivelit të atyre që mbesin, do t’i japin krah biznesit në Tiranë, për të kursyer para dhe për të investuar në sipërmarrjen e tyre. Kjo do të thotë të paktën 4 mijë vende pune brenda dhjetorit të këtij viti. Gjithashtu, fondi i garancisë që do të krijojë bashkia, do të krijojë mundësinë që biznesi të kreditojë deri në 20 milionë euro. Kjo do të thotë sërish, mijëra vende pune. Unaza e Madhe dhe shumë vepra të tjera të mëdha infrastrukturore, si Parku i ri i Madh i Tiranës, aksi i ri nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit të Tiranës etj, të gjithë këto krijojnë mijëra vende pune. Thithja e biznesit të huaj do të krijojë vende pune. Kjo do të arrihet duke e bërë punësimin në Tiranë si prioritetin numër 1.

A e konsideroni problem akut atë të të pastrehëve? Çfarë do të bëni për ta?

Është një problem i madh, që unë e kam ndeshur edhe në takimet që kam pasur me qytetarët e Tiranës. Brenda 4 viteve do të ndërtoj 1000 apartamente sociale për të pastrehët. Gjithashtu, Bashkia do të ndërhyjë për të zbutur interesin e kredisë në rastin e çifteve të reja që kanë vendosur të jetojnë në Tiranë.

A duhet të ndërhyjë Bashkia për të rregulluar gjendjen e fëmijëve që vazhdojnë të shesin në rrugë?

Fëmijët që shesin në rrugë e kanë vendin në shkollë. Është e dhimbshme ajo që shohim çdo ditë. Bashkia do të ketë ndjeshmërinë e plotë dhe një plan konkret për t’i kthyer këta fëmijë në rrugën e arsimit. Nuk do të ekzistojë asnjë arsye për të braktisur shkollën me të cilën të mos merret bashkia.

Keni premtuar ndihmë për të varfrit. Në ç’mënyrë do t’i ndihmoni ata?

Gjëja e parë, do të krijojmë vende pune. Të varfrit nuk zgjedhin vetë të jenë të tillë, ata nuk kanë mundësi dhe shanse. Unë do të punoj që ata të kenë mundësi të përmirësojnë jetën e tyre. Unë e di se në këtë qytet ka zemërgjerësi dhe solidaritet. Bashkia do të jetë partneri i vyer dhe shërbëtori më i mirë për ata që duan të ndihmojnë më të varfrit. Veç kësaj, vetë bashkia do të ketë në politikat e saj detyrimin për të ndihmuar të varfrit, me ngritjen e qendrave sociale, me shtimin e buxhetit për këtë kategori.

Cila do të jetë politika juaj për taksat vendore?

Aktualisht Bashkia e Tiranës aplikon 85 taksa dhe tarifa vendore. Niveli i tyre është 7-8 herë më i lartë se në komunat dhe bashkitë fqinje. Unë kam në plan të heq 60 taksa dhe tarifa vendore dhe të reduktoj 2-3 herë nivelin e atyre që mbesin. Kjo do të sjellë frymëmarrje për biznesin. Unë nuk do të drejtoj një institucion taksidar, por një institucion që në këmbim të taksave që mbledh, ofron shërbime dhe krijon kushte më të mira për të gjithë qytetarët.

Cila mendoni se është shtresa sociale që do t’ju përkrahë më shumë?

Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan ndryshim. Në fakt, këtu nuk di të bëj dallim. Kam gjetur mbështetje tek të rinjtë, tek të moshuarit, tek studentët, tek familjarët, tek nënat, tek kryefamiljaret, tek artistet etj. Kudo dhe tek të gjitha shtresat sociale, që në fakt janë lënë në harresë.

Mendoni se sot do të shkojë gjithçka qetësisht? I druheni ndonjë incidenti?

Shqipëria është një demokraci e re, megjithatë ne jemi vend anëtar në NATO dhe lëvizim lirshëm në zonën “Shengen”. Shpresoj se gjithçka do të shkojë qetësisht. Garancia ime më e madhe është qytetaria e votuesve të Tiranës. Kjo qytetari është frymëzuese për mua, shpresoj edhe për kandidatin tjetër.

Mesazhi juaj për kandidatin rival?

E kam thënë që në fillim. Ai nuk është armiku ynë. Por, ne na duhet një kryebashkiak që vë qytetarët të parët, Tiranën të parën.

Mesazhi juaj për zgjedhësit?

Nëse besoni se është koha që Tirana të ndryshojë, nëse kërkoni më shumë vende pune, nëse doni cilësi të mirë të jetës, nëse doni që bashkia t’ju dëgjojë dhe të jetë zyra që bëhet pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe shqetësimeve, atëherë votoni numrin 3, Lulzim Basha.

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7