Hyrje | Lajmet e dites | Dodona pellazgjike dhe pretenduesit e saj në Tomor të Beratit dhe rrethinat e Janinës në librin më tëri të prof. Alfred Frashërit.

Dodona pellazgjike dhe pretenduesit e saj në Tomor të Beratit dhe rrethinat e Janinës në librin më tëri të prof. Alfred Frashërit.

Dodona pellazgjike dhe pretenduesit e saj në Tomor të Beratit dhe rrethinat e Janinës në librin më tëri të prof. Alfred Frashërit.

Nga Kujtim Mateli

Për Tomorin e Beratit është shkruar dhe folur vazhdimisht duke e pretenduar atë si vendndodhjen e Dodonës. Në vazhdën e këtyre studimeve është dhe libri i prof Alfred Frashërit “Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba” Tiranë 2015. Në këtë studim, Tomori është parë në disa aspekte: në ndërtimin e tij gjeologjik, si vend i besimit të vjetër të shqiptarëve, si mal i besimit të krishterë dhe në shekujt e fundit si mal i besimit bektashi. Të tre këto besime janë gërshetuar me njëri-tjetrin dhe shqiptarët, të çdo besimi qofshin, shkojnë çdo mes gushti për të festuar ritin e besimit të tyre. Mbi të gjitha ata e konsiderojnë atë mal të Zotit, duke respektuar në mënyrë të veçantë besimin e vjetër të shqiptarëve
Naim Frashëri
Tomor! O mal i bekuar, fron i lartë që rri Zoti,
Pas fesë së vjetër që kishin shqipëtarët qëmoti.

I
Po në mënyrë të veçantë vërehen përpjekjet për t`i dhënë Tomorit statusin e malit të Dodonës. Këtë status ia dhanë Rilindasit tanë si: Jani Vreto e Naim Frashëri, Kostandin Kristoforidhi e Sami Frashëri, por ai që solli një vepër të plotë ishte Perikli Ikonomi “Historia e Tomorit, Dodona pellazgjike dhe Tomor` i zotit të pellazgëve” 1934 dhe 1936.
Perikli Ikonomi u mbështet tek autorët e antikitetit që e sillnin Dodonën në veri të Epirit, ku sipas tij, Tomori i Beratit bënte pjesë në veriun e Epirit. (Shih hartën e përpiluar prej tij në faqet e para të librit).

Perikli Ikonomi “Historia e Tomorit, Dodona pellazgjike dhe Tomor` i zotit të pellazgëve” 1934 dhe 1936.

Harta 1)

Po që nga koha e Perikli Ikonomit, studimet mbi antikitetin kanë ecur përpara.  Sot pranohet gjerësisht që kufiri perëndimor midis Ilirisë dhe Epirit shënohet me malet e Vetëtimës (Akrokeraune). Kështu rrjedha e poshtme e Vjosës ku në të majtë banonin amantët dhe orikasit dhe në të djathtë apoloniatët dhe bylinët i përkasin Ilirisë. Rrjedha e mesme e Vjosës në të majtë ka patur kaonët dhe në të djathtë atintanët. Kaonët i kanë përkitur Epirit, kurse atintanët herë janë konsideruar si fise ilire dhe herë si epirote. Skylaksis, (Lundrimi, Illyrioi) 2) dhe  Apiani Alexandrini, Historia e Romës, 3) e quajnë Atintaninë ilire. kurse Straboni Gjeografia, libri VII, 4)  e quan Atintaninë epirote

Rrjedha e sipërme e Vjosës i ka përkitur federatës molose ku në të majtë të tij ishin parauejtë dhe në të djathtë fise  molose (Tit Livi, Libri XXXII, 13) e gjitha tokë e Molosisë 5).
Nëse atintanët do t`i konsiderojmë  ilirë, do të thotë që krahu i djathtë i rrjedhës së poshtme dhe të mesme të Vjosës i kanë përkitur Ilirisë. Nëqoftëse atintanët do t`i konsiderojmë epirotë, do të thotë që rrjedha e mesme dhe e sipërme e Vjosës i kanë përkitur Epirit. Sidoqoftë, siç shihet, lugina e Vjosës shënon kufirin verior të Epirit dhe kufirin jugor të Ilirisë. Pikërisht në tokën e Molosisë dhe në kufi me atintanët e vendosin Dodonën autorët e antikitetit 6). Në tokën e Molosisë do të thotë se ndodhet në luginën e Përmetit, kurse në kufijtë e Atintanisë do të thotë se ndodhet në kufirin më verior të luginës së Përmetit pranë territorit të sotëm të rrethit të Tepelenës.

II

Në këtë studim të prof Alfred Frashërit janë përfshirë studiues të sotëm që e vendosin Dodonën në malin e Tomorit. Shumë prej këtyre studimesh apo shkrimesh janë komente mbi veprën e Perikli Ikonomit. Por kuptohet që në këto komente, ata kanë sjellë dhe diçka që është e tyrja, që nuk është përmendur në veprën e tij. Shohim disa prej këtyre prurjeve të reja që prof. Alfred Frashëri i sjell në studimin e tij:
Alfred Frashëri “Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba” Tiranë 2015. Harta në faqen 7.


Mali Temer i kësaj harte komentohet si mali Tomor i Beratit 7). Po a është realisht ky mali Tomor?  Nëse kjo hartë do të shihet me kujdes, mali Temer ndodhet në segmentin Berat (Belgrad)-Gjirokastër (Argjirokastër). Pra, mali Temer ndodhet në distancë më afër Gjirokastrës dhe më larg Beratit. Në veri të Gjirokastrës, në drejtim të segmentit drejt Beratit, ndodhen malet Shëndëlli dhe Lunxheri, nga vargmali Shëndëlli-Lunxheri-Bureto dhe mali i Trebeshinës nga vargmali Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë. Njëri prej këtyre tre maleve, e ka patur emrin në kohë më të hershme  Temer. Po cili është pozicioni i këtij mali në raport me Beratin? Është në jug të tij. Në terrenin gjeografik, mali në jug të Beratit është mali i Trebeshinës. Pra, harta shënon me emrin Temer emrin e malit Trebeshinë. Saktësinë që mali Temer është një nga tre malet që përmenden, është se aty kalon rrjedha e lumit Vjosë.

Po ku ndodhet Tomori? Është në lindje të Beratit dhe është shënuar dhe vendndodhja e tij në hartë pa ia vendosur emrin. Për  një shqiptar që ka mbaruar minimumin një shkollë 9-vjeçare, do të ishte e pafalshme që në një orë gjeografie të ngatërronte malin e Trebeshinës me atë të Tomorit. Duke marrë si pikë referimi Beratin, Trebeshina  është në jug të tij dhe Tomori në lindje. Lajthitje të tilla nuk kanë të bëjnë se shqiptarët nuk e njohin mirë gjeografinë e vendit të tyre. Është dëshira e besimtarit. Ne ende e adhurojmë malin Tomor si stërgjyshërit tanë. Shkojmë atje me flijime si 3 mijë vjet më parë. Lutemi si 3 mijë vjet më parë. Pra është një mal i perëndishëm sikundër i kanë kënduar dhe Rilindasit tanë. Sikundër i këndojnë dhe i thurin lavde dhe në ditët e sotme. Gabojnë nga dëshira se duan t`i shtojnë këtij mali çdo dëshmi që lidhet me Dodonën.

Besimtari i kërkon gjërat të jenë mistike. Ashtu siç është mistike dhe perëndia që ai adhuron e bashkëbisedon me të gjatë gjithë jetës dhe asnjëherë nuk e shikon. Për besimtarin e sotëm, ekzistenca e një Dodone mistike në malin e Tomorit, po bëhet pjesë e botëkuptimit të tij fetar. Për disa ajo është në majat e këtij mali dhe për të tjerë rrëzë tij. Midis tyre nuk ka ndonjë debat për këto vendndodhje të ndryshme, që të gjendet vendndodhja reale. Për ta mjafton që ajo të jetë diku që ka të bëjë me Tomorin. Madje dhe mali Temer që ndodhet në rrjedhat e Vjosës qënka, sipas tyre, emri i vjetër i malit Tomor. Kjo është normale për besimtarin, por nuk është normale për studiuesit seriozë. Studiuesit, pavarësisht se e adhurojnë malin Tomor si besimtar, Dodonën duhet ta kërkojnë si shkencëtar. Nëse në kohët e vjetra Dodona ishte pjesë e besimit, në kohët moderne ajo është pjesë e historisë. Zbardhja e vendndodhjes së Dodonës, është njëkohësisht dhe zbardhja e historisë së atij populli në territorin e të cilit ajo ndodhet.

Të zbulosh vendndodhjen e vërtetë të Dodonës, do të thotë të gjesh ato dëshmi që do të hidhnin dritë për historinë dhe origjinën e shqiptarëve.

III

Thotë Herodoti,
Në Tomor Zoti,
Shtëpi qëmoti,
Kishte Dhodhonë

Këto janë  vargjet e Naim Frashërit, me anën e të cilave mësohet se Dodona ndodhet në malin e Tomorit. Po ku ? As Naim Frashëri, as autorë të tjerë të Rilindjes, nuk e kanë pretenduar një vend konkret se ku mund të ishte ajo.  Mendimi i përgjithshëm që ekzistonte tek Rilindasit ishte se Dodona nuk ndodhej në jugperëndim të Janinës. Kjo tezë e tyre ka qenë e mbështetur mbi kundërshtimet e autorëve të huaj të asaj periudhe, por edhe të dijetarit të madh të Rilindjes sonë,  Sami Frashërit.
Duke lexuar me vëmendje vargjet e Naimit, lind pyetja ? Në ç`pjesë të Tomorit mendonte ai se ndodhej Dodona ? Duke parë edhe një herë me kujdes vargjet e shikon se ai nuk ka ndonjë të dhënë as se ku ndodhej, as si ishte ndërtuar ajo.
Alfred Frashëri “Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba” Tiranë 2015.

Foto në faqen 31.

Pretendimi për ta përcaktuar Shpellën e të Mirëve si vendndodhje të orakullit të Dodonës sipas Naim Frashërit, është e padrejtë 8). Nuk mund t`i atribohet një njeriu, aq më tepër një Poeti Kombëtar, diçka që ai nuk e ka thënë. Sipas autorëve të antikitetit, orakulli ndodhej jashtë qytetit të Dodonës, ndanë lumit Dodon, në një vend moçalor, ku fatthënat realizoheshin nga fëshfërimat e gjetheve të lisit madhështor, por edhe nga lëvizjet e pëllumbave etj. Pra ndodhej në luginë, ndanë një lumi.

IV

a)
Alfred Frashëri, Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba, faqe 39.

“Polibios thotë se Dodonën e shkatërruan “etolianët”,,,, kjo pohohet dhe nga Enciklopedia e Historisë Britanike, në të cilën theksohet se etolianët shkatërruan tempullin e Dodonës në vitin 219 p.K.

Ata prenë edhe lisin e shenjtë. Por orakulli ka vazhduar të egzistojë deri në shekullin e tretë të erës sonë. (Shih Enciklopedinë Brtitanike). Shkatërrimi ka qenë i madh saqë dhe gjetja e rrënojave të orakullit është gati e pamundur ” 9).

Shtojmë se dëshmia e Polibit përmendet dhe në librin e Perikli Ikonomit, por po e sjellim për konkluzionin që del nga kjo dëshmi se Dodona është shkatërruar aq shumë saqë rrënojat e saj nuk mund të gjenden. E sjellim të plotë dëshminë e Polibit për të kuptuar më mirë se çfarë shkatërroi gjenerali Dorimah dhe se në cilën pjesë të Epirit hyri ai.

Polibi, libri IV 67.

“Kur erdhi dita e zgjedhjeve, etolët zgjodhën për strateg të tyre Dorimahun; ky, me të marrë fuqinë në dorë, mblodhi ushtrinë dhe hyri në krahinat e sipërme të Epirit, duke shkretuar vendin pa pikë mëshire dhe jo aq pse kështu ia kërkonte interesi i vendit të tij, sesa për t`u bërë keq epirotëve. Kur arriti në faltoren e Dodonës, dogji portikët e tempullit, prishi një pjesë të madhe të kushtimeve dhe rrëzoi edhe muret e faltores” 10).

Dëshmia e Polibit e përcakton qartë vendndodhjen e Dodonës: ndodhet në pjesën e sipërme të Epirit. Po a janë krahinat përreth Tomorit të Beratit pjesë e Epirit? Përderisa e mënjanojnë këtë të dhënë të rëndësishme nga dëshmia e marrë prej Polibit, do të thotë se dhe ata vetë e dinë që krahinat përreth Tomorit nuk janë pjesë e Epirit. Në të gjitha burimet historike ato janë quajtur ilire. Një studiues serioz, që vërtet kërkon vendndodhjen e Dodonës, nuk merr gjysmën e dëshmisë, por e merr atë të plotë dhe e analizon.
Me gjysmën e dëshmisë, që vërteton shkatërrimin e Dodonës, del në përfundimin se Dodona nuk mund të gjendet, sepse atë e kanë shkatërruar etolianët: “Shkatërrimi ka qenë i madh saqë dhe gjetja e rrënojave të orakullit është gati e pamundur”. Po brenda citimit të mësipërm pranohet se Dodona ka ekzistuar dhe pesë shekuj të tjerë pas shkatërrimit të Dorimahut. “Por orakulli ka vazhduar të egzistojë deri në shekullin e tretë të erës sonë”.  Pikërisht, diçka nga ndërtesat e këtyre pesë shekujve pas shkatërrimit që u bëri Dorimahu, le të kërkojmë e të gjejmë.
Po studiuesit e malit të Tomorit, nëse nuk kanë ndonjë dëshmi nga burimet historike që ta ketë vendosur Dodonën në Tomorin e Ilirisë, në trupin e këtij mali gjenden disa emra që e lidhin atë me kohët homerike dhe që i bën ata të këmbëngulin se Dodona gjendet aty dhe që Perikli Ikonomi i ka pasqyruar në veprën e tij. Të tillë janë:
1- Qafa e Dhodhonit, vend mbi katundin Bargullas, në faqen jugore të Tomorit.
2- Pllaka e Dhodhonit, vend mbi katundin Bargullas ku poshtë saj ndodhen burime me ujë shumë të ftohtë.
3-Stradomi, vend në majën veriore të Tomorit.
4-Çuka e Peljes, quhet maja veriore e Tomorit.
11) 

Kur shikon këta emra, duket sikur pretenduesit e Dodonës në malin e Tomorit kanë të drejtë ta kërkojnë Dodonën aty. Po mali i Tomorit ka një status të veçantë që nuk e kanë malet e tjerë rrotull kësaj hapësire: është selia e perëndive pellazge. Do të ishte e pazakontë që një mal që nderohet edhe sot nga shqiptarët si mal i perëndive pellazge, të mos kishte dëshmi onomastike që e vërtetojnë këtë mal si të tillë me një status të veçantë si: Olimpi i Maqedonisë, Mali Ida në jug të  Trojës, Mali Ida në ishullin e  Kretës etj.
Përderisa të vjetrit tanë, Tomorin e kanë patur si seli të perëndive dhe në veçanti të kryeperëndisë së tyre, është normale që në pjesë të këtij mali të ketë emra perëndish. Sikur sot shqiptarët të mos i drejtoheshin këtij mali si mal i Zotit të pellazgëve, vetëm emrat në trup të tij do të tregonin se dikur ky mal ka qenë mal i besimit pellazgjik.  Fatmirësisht i kemi të ruajtura të dyja: shqiptarët e nderojnë atë si mal të Zotit dhe njëkohësisht kanë ruajtur dhe emrat e vjetër të tij që e lidhin me perënditë.

b)

Po edhe pretenduesi i Dodonës në luginën e Carakovistës, Konstandin Karapanos e ka gjymtuar dëshminë e Polibit po aq sa dhe pretenduesit e saj në malin e Tomorit.

Karapanos, Konstandin, “Dodonë et ses ruins”, Paris 1878.

“Rreth vitit 220 para Krishtit, tempulli i Dodonës u shkatërrua për herë të parë nga etolianët, lidhja e të cilëve ishte në luftë me Akejtë. Dorimahu, gjenerali i etolianëve, duke u hakmarrë ndaj epirotëve, aleatë të maqedonasve dhe të Lidhjes Akeje, pasi kishte shkatërruar një pjesë të madhe të Epirit, shkatërroi dhe Dodonën” 12)
Edhe Karapanos ka elemeniuar të dhënën që bën fjalë për vendndodhjen e Dodonës, që ishte në veri të Epirit apo në pjesën e sipërme të tij. Duke i hequr kësaj dëshmie pjesën më të rëndësishme, që është vendndodhja, i dha të drejtën vetes ta vendoste Dodonën aty ku ai dëshironte.

Po nëse Karapanos e vendosi Dodonën në luginën e Carakovistës me dëshmi të deformuara, çfarë vërtetojnë gjetjet arkeologjike në këtë luginë ? Vërehet se aty nuk ka asnjë gjetje arkeologjike që të vërtetojë se ky qytet i përket Dodonës. Gjetjet arkeologjike vërtetojnë se aty nderohej Zeus Naios.  Çdo qytet kishte faltoren e vet ku Zeusi etiketohej me një atribut të caktuar.

I shohim epitetet e perëndisë Zeus në disa qytete të Epirit, por që ilirët dhe epirotët ndryshe nga grekët e quani Di.

1- Butrint (Buthroto)- Di Soter

2- Qyteti Kasope- Di Soter.

3- Qyteti Bylys- Di Tropeos

4- Qyteti Mavrora (Olimpe) Megistos

4- Qyteti Fotike- Di Dodoneen  dhe Sarpis.

5- Qyteti Pasaron- Di Aresios

6- Amantia- Di Boulaios

7- Ambracia- Di Soter

8- Qyteti Dodonë-  Di Dodonnen

9- Qyteti i Carakovistës- Di Naios.

Siç shihet ky qytet i luginës së Carakovistës nderonte Zeus Naios. Që do të thotë se nuk është qyteti i Dodonës, i cili nderonte Zeus Dodonen.

V
Alfred Frashëri, Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba,faqe 39.

“ Në vitet e fundit është shkruar se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, në malin e Trebeshinës pranë Këlcyrës [33], çka është kundërshtuar nga akademiku M. Korkuti [31] ”. 13)

Po si e argumenton akademiku Muzafer Korkuti mungesën e Dodonës në Dëshnicë të Përmetit ? Çfarë argumentesh sjell ai që Dodona ndodhet në luginën e Carakovistës ?

Muzafer Korkuti, Qeveria financon vepra diletante.
“Siç përmenda më sipër rastin e tempullit të Dodonës, që disa thonë se është në mal të Tomorit apo në Këlcyrë. Jo. Dodona është atje ku thotë se e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, që është shënuar në albumin e Kristo Frashërit”. 14)

Argumenti është se Ismail Qemali e kishte parë atë në luginën e Carakovistës. Po si ka qenë e mundur që dijetarë të shquar të shekullit XIX për gati tetëdhjetë vjet, që e kishin pretenduar Dodonën në rrethinat e Janinës në disa vende, nuk kishin patur dot mundësi të shkonin te kjo luginë e të zbulonin Dodonën? Po a e ka pranuar Ismail Qemali se Dodonën e kishte zbuluar ai? Për këtë le të shohim se çfarë ka thënë ai dhe se çfarë ka shënuar në albumin e tij akademiku Kristo Frashëri.

Kristo Frashëri, “Album, Ismail Qemali”, Tiranë 2012
“Dhjetë vjet më vonë, një mision shkencor francez, që kishte ardhur në Janinë deklaroi se çdo kërkim për faltoren e Dodonës në këtë rajon, ishte i kotë. Unë atëhere ndodhesha në Vlorë, me një shokun tim të fëmijërisë, Kostandin Karapanon, të cilit i besova përshtypjet e mia lidhur me rrënojat e Melingosit. Karapano që ishte plot inisiativë, filloi pak kohë më vonë gërmimet dhe zbuloi faltoren dhe një sasi thesarësh arkeologjik të një vlere të jashtëzakonshme”15).

Kuptohet që këtu ka patur një bisedë midis Ismail Qemalit dhe Karapanos. Po një bisedë, a mund të konsiderohet një zbulim arkeologjik, kur dihet që një qytet që ndodhet nën rrënoja nuk mund të përcaktohet me një të parë? Cila është arsyeja që, kur gjithë bota akademike ia atribon zbulimin e Dodonës Karapanos, akademiku Muzafer Korkuti ia atribon atë Ismail Qemalit?
Kuptohet që ka një lidhje jashtë shkencore midis Dodonës dhe Ismail Qemalit. Atij nuk mund t`i atribojmë dhe detyrën e shkencëtarit, sepse nuk ishte i tillë dhe akush nuk e njeh për shkencëtar deri më sot.
Detyrën e shkencëtarit e kanë marrë përsipër ata që sot janë pjesë e institucioneve shkencore shqiptare. Përballë shkencëtarit Karapanos duhet të qëndrojnë historianët dhe arkeologët shqiptarë të ditëve të sotme, të punësuar në institucionet shkencore. Albanologët shqiptarë kanë heshtur dhe në botën e sotme shkencore është ngulitur teza e Karapanos që e konsideron Dodonën një faltore helene, kur gjithë bota e antikitetit e njihte atë si një faltore pellazge që nga krijimi i saj. Akoma më keq është mbështetja që i japin Karapanos, kur pretendojnë se Dodona ndodhet në jugperëndim të Janinës. Fshehja e vendodhjes së vërtetë të Dodonës është fshehja e provave se ajo ishte një faltore e pellazgëve, e cila ndodhet në zemër të trojeve shqiptare. Opinionin publik, prej kohësh e ka shqetësuar një pyetje : pse bëhet dhe kujt i intereson fshehja e vendndodhjes së Dodonës ? Ajo që mund të them është se ky shqetësim i opinionit publik nuk është shqetësim dhe i institucioneve shkencore shqiptare.

VI

Libri studimor i  prof. Alfred Frashërit “Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba” sjell një panoramë të plotë të përpjekjeve që studiues të shumtë, të gjithë pothuajse jashtë institucione shkencore shqiptare, kanë bërë për Dodonën. Studimet e tyre janë një këmbanë për institucionet shkencore : duhet kërkuar dhe gjetur vendndodhja e Dodonës atje ku ajo ndodhet. Të çudit fakti që për Tomorin nuk kryhen gërmime arkeologjike dhe studime historike e gjuhësore të specializuara në kërkim të dëshmive pellazge, kur dihet që disa nga emrat e këtij mali u përkasin atyre. Mbetet ende e paqartë arsyeja pse albanologët shqiptarë i tremben vendndodhjes së vërtetë të Dodonës që është në Dëshnicë të Përmetit apo dëshmive të shumta pellazgjike me të cilat është mbuluar Tomori i Beratit. Ky libër i prof. Alfred Frashërit u drejtohet në radhë të parë institucioneve shkencore shqiptare që e quajnë Dodonën një çështje të mbyllur nga Ismail Qemali dhe u përcjell mesazhin se duhet  të sqarojnë shkencërisht opinionin publik mbi vendndodhjen e Dodonës pellazgjike.

1-Perikli Ikonomi “Historia e Tomorit, Dodona pellazgjike dhe Tomor` i zotit të pellazgëve” 1934 dhe 1936.

2-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, faqe 36.

3-Ilirët dhe iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, faqe 252.

4-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, faqe159

5- Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002,  faqe 111
6-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë 2002, faqe 36.
7- Alfred Frashërit “Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba” Tiranë 2015, faqe 7.

8- Alfred Frashërit “Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba” Tiranë 2015, faqe 31
9-Alfred Frashëri,Tomori, mali i shenjtë që ne shqiptarët e quajmë Baba, faqe 39.
10-Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,Tiranë, 2002, faqe 56.

11-Perikli Ikonomi, “Historia e Tomorit, Dodona pellazgjike dhe Tomor` i zotit të pellazgëve” Vlorë 1936, faqe 16.

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7