Hyrje | Lajmet e dites | Video - shok, Skandali i ri i Grekeve

Video - shok, Skandali i ri i Grekeve

Video - shok, Skandali i ri i Grekeve

Tjetër video dhune tronditi policinë greke. Sërish i njëjti protagonist, Nikolas Xixa. Këtë herë ai ka mundur të kapë e të dhunojë një emigrant aziatik. Videoja e cila sapo është publikuar është e treta brenda një kohe tepër të shkurtër. Të gjitha tregojnë skena dhune të pajustifikuara të policisë greke. Në videon e re, 30-vjeçari Xixa, shefi i policisë në Omonia, duket qartë teksa torturon një emigrant aziatik, i cili është kapur me dokumente qëndrimi të falsifikuara. Këtë herë Xixa ka detyruar aziatikun që të godasë veten e tij me shpulla. Vendi i torturës është sërish e njëjta skenë, zyra e tij në rajonin e policisë në Omonia.

Kanë mjaftuar vetëm 5 minuta e gjysmë për të shokuar gjithë Greqinë. Një video-shok e cila është transmetuar nga të gjithë kanalet televizive greke dallohet qartë dhuna e ushtruar nga policia ndaj dy emigrantëve. Videoja ka sjellë një furtunë të vërtetë dhe reagimet politike kanë qenë të ashpra. “Skena që të kujtojnë burgun famkeq Abu Graib”, ka theksuar Partia Komuniste Greke në deklaratën e saj.

Duke parë klimën e krijuar vetë Kryeministri Karamanli ka komunikuar personalisht me Ministrin e Brendshëm duke i kërkuar atij fjalë për fjalë që të “dënohen ashpër personat të ngatërruar në ngjarje”. Megjithëse reagimi i Ministrit ka qenë i menjëhershëm klima ndaj tij vazhdon të jetë e rënduar ndërkohë që parti të opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e tij. Janë shkarkuar nga detyra shefi i sigurimit të rajonit dhe shefi i rajonit të Omonias, në mënyrë që të parqiten përpara drejtësisë. Nga ana tjetër, televizionet greke kanë theksuar se askush nuk do të dënohet, ashtu siç edhe ka ndodhur në raste të tjera me oficerë të lartë të policisë greke. Një gazetare bëri të ditur në kanalin “Antena” se shefi i rajonit pasi ishte marrë në pyetje, ishte pyetur se meqenëse pas kësaj ngjarjeje do të trasferohej ku donte të shkonte. “Meqë më pyetën, po të kërkoj të shkoj roje afër Kryeministrit”, i tha ai pas intervistës gazetarës së “Antenës”.

Videoja-shok dhunë ndaj emigrantëve

Sipas deklaratave të bëra edhe nga oficerët e pyetur policë, ngjarja ka ndodhur në Rajonin e Policisë në Omonia, në Qershor 2006, plot një vit më parë. Në video duket qartë një person civil që sipas deklaratave është shefi i sigurisë së rajonit, të godasë më një dërrasë dy emigrantët shqiptarë dhe t’i detyrojë ata që të godasin njëri-tjetrin. Dy emigrantët ishin kapur për vjedhje dhe më pas ishin shoqëruar për në qelitë e paraburgimit të rajonit të Omonias. Aty ata janë detyruar nga 4 punonjës të policisë së rajonit që të godasin njëri-tjetrin dhe të shajnë njëkohësisht. Herë pas herë oficeri grekë i cili nuk ngelte i kënaqur nga fortësia e goditjes, ndërhynte duke goditur herë njërin, herë tjetrin, ashtu siç i tekej, herë me grusht, herë më shkelm, herë me dërrasën që mbante në dorë.

Videoja është marrë me celularë nga një prej të pranishmëve në ngjarje. Personi i cili ka marrë videon së bashku me një kolegun e vet është ende në kërkim. Sipas shefit të arrestuar ai nuk mbante mend kush ishte me të atë ditë pasi sipas tij ka kaluar një vit.

Ironia e gjithë historisë është se gjithë këtë fyerje të plotë të personalitetit të tjetrit, pavarësisht se çfarë ka bërë ai, policët grekë e bënë për shaka. “E bëmë thjesht për shaka. Ishte thjesht një mënyrë për t’u dhënë një dënim” theksoi oficeri grek i cili godet me dërrasë shqiptarët në video. Nga ana e tij, shefi i rajonit të Omonias ka bërë të ditur se nuk kishte dijeni për videon. Por theksohet se videoja kishte plot një vit që qarkullonte nga një celuar në tjetrin, deri në momentin që përfundoi në internet.

Reagimet ne Greqi

Skena që të kujtojë Abu Graib e ka quajtur videon Partia Komuniste Greke, e cila kërkuar largimin e Ministrit të Brendshëm Viron Polidhora. Ndërsa Kryeministri grek, Kosta Karamanlis, nga Kriti ku ndodhej për një turne ka theksuar se: “të gjithë grekët të shokuar mësuam për një ngjarje të papranueshme për vlerat e demokracisë sonë. Një ngjarje që ofendon shoqërinë greke. Askush nuk ka të drejtë të veprojë mbi ligjin. Dhe nuk do të lejojmë askënd që të turpërojë kulturën e vendit tonë dhe të denigrojë figurën e Greqisë”.

Menjëherë Kryeministri ka komunikuar me Ministrin e Brendshëm grek dhe i ka kërkuar atij dënimin maksimal të të gjithë atyre që janë përfshirë në ngjarje. Nga ana e tij Ministri i Brendshëm, z. Viron Polidhoras, ka dënuar videon e cila sipas tij “është e papranueshme dhe denigron figurën e policisë, është në kundërshtim të plotë me kulturën e Greqisë”.

Sipas tij fajtorët do të dënohen pas vendimeve të marra me urgjencë për t’i shkarkuar dhe përjashtuar nga policia. Sipas agjencisë IN.GR ndaj tyre Prokuroria greke ka hapur një çështje penale.

Videon e ka dënuar edhe partia më e madhe e opozitës PASOK si dhe Koalicioni i Majtë SINASPIZMOS.

Ambasadori shqiptar në Greqi, Vili Minarolli, sqaroi se i ka konsideruar pamjet e transmetuara nga mediat greke si të ulëta, të cilat e turpërojnë policinë greke. Sipas diplomatit shqiptar në Greqi, tashmë të katër oficerët e policisë të përfshirë në këtë skandal janë shkarkuar nga detyra nga ministri i Brendshëm i Greqisë. “Nga interesimi ynë në policinë e Athinës rezulton se njëri prej dy personave është shqiptar dhe tjetri është grek. Shqiptari quhet Paulin Papuçiu, i datëlindjes 4 gusht 1984. Të dy janë kapur për vjedhje. Pamjet që u transmetuan janë vërtet një skandal dhe nuk e nderojnë policinë greke, i vënë një njollë të pamerituar asaj. Reagimi nga qeveria ishte i menjëhershëm dhe të gjithë oficerët e policisë 3-4 që ishin të implikuar janë shkarkuar me urdhër të ministrit të Policisë z. Polidores. Ky rast i shëmtuar duhet të jetë edhe një mësim për të p a r a n d a l u a r raste të tilla si veprime antinjerëzore”,- tha Minarolli për mediat.

Por pavarësisht se e dënon një rast të tillë Minarolli, vëren më tej se kjo nuk është fytyra e vërtetë e policisë greke dhe rasti nuk duhet përgjithësuar. Sipas tij kjo është vetëm sjellje e papërgjegjshme e individëve që abuzojnë me detyrën “Unë doja të shtoja që kjo nuk është fytyra e vërtetë e policisë greke, që kurdoherë ka treguar dhe tregon një nivel të lartë profesionalizmi dhe kulturor dhe drejtohet nga personalitete me karrierë të gjatë profesionale. Ky rast nuk duhet të shërbejë për të thënë që kështu është policia greke. Në të kundërt, duhet menduar se ky është një rast shumë i ulët, pavarësisht se njëri është shqiptar dhe tjetri është grek dhe i dënueshëm, dhe nuk mund të shërbejë për të ilustruar sesi trajtohen shqiptarët në Greqi, siç kërkohet të trajtohet ky rast. Kjo është sjellje e individëve të papërgjegjshëm që abuzojnë me detyrën dhe nuk mund të hedhë hije dhe të cënojë bashkëjetesën unike të shqiptarëve dhe grekëve. Këta janë të dy fajtorë, janë kapur duke vjedhur, por veprimi i oficerëve të policisë është i ulët i dënueshëm, qoftë nga autoritetet greke, qoftë nga opinioni publik grek”, - tha më tej ambasadori Minarolli. Sipas kryediplomatit shqiptar në Athinë, ky rast duhet të ndikojë që shteti grek dhe institucionet e tij të punojnë për krijimin e kushteve më të mira për emigrantët shqiptarë në Greqi, në mënyrë që ata të ndihen çdo ditë e më shumë qytetarë të barabartë, në atë vend ku jetojnë prej vitesh.


HISTORI QE PERSERITEN

2002 - I riu shqiptar GENTIAN ÇELNIKU ka qenë duke pirë një kafe në një nga baret e Athinës pas një ditë të lodhshme pune. Një oficer i policisë greke ka qëlluar me pistoletë Çelnikun duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Vrasësi është liruar nga gjykata greke.

2003 - ODISE CENAJ, 18 vjeç nga Shkodra, u pengua me forcë që t’i printe parakalimit të gjimnazistëve me flamurin grek në një ceremoni zyrtare. Sipas rregullores së arsimit grek në ceremonitë zyrtare flamurin helen duhet ta mbajë nxënësi i dalluar i shkollës. Dhe Odiseja ishte vërtet më i dalluari, por nuk ishte grek.

2003 ALEKSANDER LUFO është viktima e radhës ndër emigrantët tanë në Greqi, ku gjykatat greke kanë liruar thuajse të gjithë personat që kanë vrarë shtetas shqiptarë. 20-vjeçari është qëlluar disa herë me thikë nga një shtetas grek, pasi ky i fundit mendonte se emigranti i kishte vjedhur një aparat radioje.

2003 VULLNET BYTYÇI është një nga emigrantët e shumtë të vrarë në kufirin greko-shqiptar. I riu Vullnet Bytyçi u ndalua nga një skuadër e ushtrisë greke gjatë kalimit të kufirit. Në rrethana të paqarta një nga ushtarët ka nxjerrë pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

2004 GRAMOZ PALUSHI vritet me thikë nga greku Panajotis Kladhis vetëm për arsyen se Palushi po festonte me flamurin shqiptar pas fitores së ekipit tonë kombëtar ndaj skuadrës greke. fitorja e kombëtares shqiptare ndaj asaj greke në futboll është kthyer në një tragjedi mbrëmjen e 5 shtatorit 2004.

2004 LUAN BERDELLIMA qëllohet për vdekje nga një polic special, pasi kërkoi të mos e ofendonin meqë ai kishte dokumenta të rregullta. Por polici grek nxori pistoletën dhe e qëlloi me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e
menjëhershme.

2005 ILIR FRROKU vritet me thikë në një lokal të Athinës nga një grek vetëm sepse po këndonte këngë shqiptare. Sipas dëshmitarëve dhe shokëve të Ilirit vrasja është bërë nga badigardët e lokalit të cilët i kanë qëlluar shqiptarët që po festonin.

2006 EDISON JAHAJ vritet në shtëpinë e tij nga një grup të rinjsh grekë pas konfliktit që lindi në një lokal, pasi shqiptari mbante veshur një bluze me flamurin shqiptar.

2007 - Një marsh urrejtjeje i kënduar nga ushtarët grek gjatë stërvitjes që ka acaruar publikohet në internet, ndërkohë që teksti i këngës është botuar nga gazetat greke dhe shqiptare. “I shikoni ata, janë shqiptarë. Me zorrët e tyre do të bëjmë lidhëse këpucësh”.

Altin Metaj - Shqip

  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull
Powered by www.merbraha.com v4.7