Hyrje | Lajmet e dites | Berluskoni: Kjo është kthesa vendimtare

Berluskoni: Kjo është kthesa vendimtare

Berluskoni: Kjo është kthesa vendimtare

Një ndër temat kryesore që qëndrojnë në listën e tij është problemi i plehrave në Napoli: "Do të punojmë menjëherë për zgjidhjen e krizës së plehrave dhe do të merremi me problemin e Alitalias. Dhe diçka tjetër tepër e rëndësishme: Nuk do të marrin asnjë vendim që mund të rrisë taksat duke kufizuar kështu lirinë e qytetarëve"

Duket se politika italiane ka marrë një formë të re, janë larguar një numër partish të vogla të së majtës dhe të djathtës që i kishin kthyer qeveritë në kompromise të brishta.

Figura politike më e njohur e Italisë, udhëheqësi i qendrës së djathtë Silvio Berluskoni ka paralajmëruar se vendi ka muaj të vështirë përpara, ndërsa ai merr postin e Kryeministrit pas zgjedhjeve të përgjithshme. Pas vetëm dy vitesh largimi nga qeverisja, Silvio Berluskoni është kthyer në postin e Kryeministrit. Ai fitoi një mandat të tretë në detyrë së bashku me aleancën e tij politike duke marrë nën kontroll të dyja dhomat e Parlamentit, Dhomën e Ulët dhe Senatin. Kundërshtari i tij i qendrës së majtë pranoi humbjen vetëm pak orë pasi filluan të dalin rezultatet. Manjati 71-vjeçar miliarder i mediave, Berluskoni, ka premtuar veprim urgjent për përmirësimin e ekonomisë në përkeqësim të vendit.

Ai tha se ishte i prekur nga besimi që shumë qytetarë i kishin dhënë atij. Përparësitë e tij të menjëhershme do të jenë shitja e kompanisë ajrore me humbje Alitalia dhe zgjidhja e krizës së plehrave të pambledhura në Napoli.

Duket se politika italiane ka marrë një formë të re, janë larguar një numër partish të vogla të së majtës dhe të djathtës që i kishin kthyer qeveritë në kompromise të brishta. Ka mundësi që në dhomën e re të deputetëve të fitojnë mundësinë e përfaqësimit deri në gjashtë parti nga rreth 20 që ishin në Parlamentin e shkuar. Megjithatë, Berluskonit do t'i duhet të bëjë marrëveshje të vështira me partnerët e tij. Liga e Veriut, që dëshiron autonomi të gjerë për rajonet e Italisë, gati i dyfishoi votat në favor të saj. Dhe pa mbështetjen e Ligës zoti Berluskoni do të humbiste shumicën e tij.

Politikë e re

Ai ia doli mbanë sërish: Silvio Berluskoni, mbret i mediave italiane dhe ish-kryeministri u zgjodh sërish në krye të shtetit. Por këtë radhë, ai tingëllon ndryshe. Strategji e re? Berluskoni dha menjëherë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve një konferencë për shtyp në kanalin televiziv shtetëror RAI dhe deklaroi se italianët do të njohin gjatë 5 viteve të ardhshëm një Berluskoni të ri: "Kam ndryshuar. Nuk jam më siç kam qenë kur isha Kryeministër në vitin 2001".

Nuk pasoi vetëkritikë për ligjet e marra asokohe në favor të interesave të tij, por premtimi se do të fillojë më në fund me reformat aq të domosdoshme për Italinë. Berluskoni përmendi si idhullin e tij ish-kryeministren britanike Margret Thatcher: "Ashtu si Margret Thacher gjatë periudhës së saj të dytë legjislative, edhe unë do të përqendrohem tek politika konkrete. Kam vendosur të mos shtrihem asnjë natë për të fjetur, pa bërë gjatë ditës diçka pozitive për vendin tim dhe italianët".

Një ndër temat kryesore që qëndrojnë në listën e tij është problemi i plehrave në Napoli: "Do të punojmë menjëherë për zgjidhjen e krizës së plehrave dhe do të merremi me problemin e Alitalias. Dhe diçka tjetër tepër e rëndësishme: Nuk do të marrin asnjë vendim që mund të rrisë taksat duke kufizuar kështu lirinë e qytetarëve".

Falë fitores së tij triumfale, Berluskoni ka në të ardhmen mbështetjen e pothuajse të gjithë Parlamentit. Falë gjithashtu fitores së partisë së tij Lega Nord, koalicioni i Berluskonit ka 9 për qind pikë më shumë se koalicioni qendror i majtë i kontrahentit të tij gjatë zgjedhjeve, Walter Veltroni. Shefi i Partisë Demokratike Veltroni, i bëri thirrje fituesit të zgjedhjeve që të bashkëpunojnë në marrjen e vendimeve për reforma të rëndësishme: "Këto rezultate dëshmojnë qartë, se të djathtët do ta qeverisin këtë vend. Ne do ta vazhdojmë punën tonë opozitare, por jemi gjithashtu të gatshëm që së bashku me Qeverinë të bëjmë një reformë të re kushtetuese dhe zgjedhore, sepse vendi ka nevojë të domosdoshme për ato".

Kthesë

Zëdhënësi i zotit Berluskoni tha se italianët kishin fituar sepse ata arritën të siguronin, atë që ai e quajti, një kthesë të qartë dhe vendimtare pasi një Qeveri e majtë shkatërrimtare, siç u shpreh ai, ra në janar pas 20 muajsh në pushtet. Zoti Berluskoni tha se ndjeu një përgjegjësi të madhe dhe u zotua se Qeveria e tij, ashtu si qeveria e tij e mëparshme, do të shërbejë një mandat të plotë 5-vjeçar. Megjithatë, ai shtoi, se Italia ka përpara muaj të vështirë. Shumë italianë janë të disiluzionuar dhe të shqetësuar rreth gjendjes së vështirë ekonomike. Zoti Berluskoni është zotuar të ulë taksat dhe të frenojë borxhin e madh të vendit. Ai ka deklaruar se Qeveria e tij do të ndalë shitjen e firmës ajrore Alitalia një blerësi të huaj si dhe do të zgjidhë krizën e plehrave në Napoli.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e madhe, por pak më e vogël se zgjedhjet e fundit para 2 vjetësh. Zoti Veltroni tha se kjo pjesëmarrje e madhe flet për fuqinë e demokracisë në Itali. “Italianëve iu kërkua të shkonin përsëri në qendrat e votimit pas vetëm 2 vjetësh dhe 80 për qind e tyre morën pjesë në këto zgjedhje, shifër kjo shumë më e lartë se në shumë vende të tjera evropiane”. Zoti Veltroni shtoi se këto zgjedhje tregojnë se Italia ende dëshiron të shprehë marrëdhëniet e saj të forta me demokracinë dhe institucionet demokratike.

PARLAMENTI

Ka qenë një fitore neto e Kavalierit edhe në Dhomën e Deputetëve. Aleanca e udhëhequr nga Populli i Lirisë ka arritur të marrë në fakt 46.81 për qind të votave, ndërkohë që aleanca e udhëhequr nga Partia Demokratike ka marr 37.54 për qind. Në detaje, Populli i Lirisë ka marrë 37.39 për qind, Lega Nord 8.3 për qind, MPA 1.13 për qind. Në anën tjetër, Partia Demokratike e Veltronit ka marrë 33.17 për qind dhe IDV 4.37 për qind. Mes partive të vogla, UDC ka marrë 5.62 për qind, E Majta-Ylberi ka rënë tek 3 përqindëshi, e djathta 2.43 dhe socialistët 0.98 për qind. Aleanca e drejtuar nga Kavalieri ka marrë 340 vende në Parlament, ndërsa ajo e drejtuar nga Veltroni ka marrë 239.2

Të parët, Sarkozi e Bush

Ndërkohë, Kavalieri ka marrë urimet e krerëve të shteteve evropianë si dhe ka patur një telefonatë me Bushin. Me Sarkozinë, ka thënë ai, pata një telefonatë të gjatë dhe shumë të këndshme dhe pas pak kam një takim telefonik me Amerikën. Kam marrë tashmë urimet nga të gjithë kolegët evropianë, të cilët më telefonuan në darkë punë të mbarë dhe më dhanë kurajë, për përgjegjësinë e madhe.  

Nga   Gazeta Metropol

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7