Hyrje | Lajmet e dites | Italia: Ne Shqiperi nuk ka siguri per Centralin Berthamor

Italia: Ne Shqiperi nuk ka siguri per Centralin Berthamor

Italia: Ne Shqiperi nuk ka siguri per Centralin Berthamor
Reagimi i qeverisë italiane, një ditë pas aksidentit bërthamor në Slloveni


Duket se ndërtimi i centralit bërthamor në Shqipëri ka pak shanse të kryhet, pasi partneri kryesor i qeverisë "Berisha" për këtë projekt ka ndryshuar qëndrim. Vetëm një javë pas deklaratës së Kryeministrit të vendit, Sali Berisha se, "miku im Berluskoni ka dhënë mbështetjen e plotë për ndërtimin e nuklearit në Shqipëri", vjen zhgënjimi nga pala italiane. Anëtari i kabinetit, drejtuar nga Silvio Berluskoni, nënsekretari i Zhvillimit Ekonomik, Adolfo Urso, ka lëshuar sinjale të qarta, kundër ndërtimit të centralit në Shqipëri, pasi nuk ofron garanci të sigurisë së lartë. Reagimi vjen një ditë pas aksidentit nuklear të ndodhur në Slloveni, vend ky partner me Italinë për sa i përket furnizimit me energji elektrike. Prej afro pesë muajsh me radhë, qeveria shqiptare ka hedhur dhe përforcuar më shumë idenë e ndërtimit të centralit nuklear në vendin tonë, duke marrë shkas edhe nga mbështetja që jepnin si zyrtarët italianë të qeverive "Prodi" e më tej "Berlusconi", ashtu dhe kompanitë strategjikë të vendit fqinj. Mjafton të përmendim qëndrimin e ekspertëve italianë të energjisë nukleare, të mbledhur nga Ambasada Italiane për "Javën e Energjisë", ku ndër të tjera u mbështet ideja e ndërtimit të centralit në Shqipëri, duke parë dhe pozicionin gjeopolitik tepër të favorshëm. Po në këtë periudhë, pra dy muaj më parë, kryetari i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore deklaroi se kishte nisur punën për hartimin e kuadrit ligjor që bën të mundur zbatimin e projektit nuklear, madje Akademia e Shkencave kishte nisur prej kohësh punën me mbështetjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Nukleare në Vjenë të Austrisë. "Projekti nuklear" u përforcua më shumë në forumin e Crans Montana-s, ku ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, së bashku me drejtues të institucioneve të linjës, shprehën dëshirën për ndërtimin e centralit, i cili do të garantonte prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike. Në këtë forum, Kryeministri Berisha shprehu bindjen e plotë se, ndërtimi i centralit bërthamor do të kthente Shqipërinë një vend të sigurt energjie për rajonin. Kreu i qeverisë mori mbështetje edhe nga drejtuesit më të lartë të OKB-së, gjatë takimit të zhvilluar para një jave. Në këtë takim, Kryeministri i vendit përmendi me tone optimiste projektin e centralit nuklear, duke shtuar se kishte marrë mbështetje nga miku i tij, Silvio Berluskoni, Kryeministër i qeverisë italiane. Kjo e fundit, në fakt, kishte shprehur interes për ta ndërtuar nuklearin në Shqipëri, pasi një gjë të tillë e kishte të ndaluar nga referendumi popullor. Aksidenti në centralin nuklear të Sllovenisë, 30 kilometra larg kufirit me Italinë, ka ndryshuar mendjen e kësaj të fundit. Nënsekretari i Zhvillimit Ekonomik në Itali, në intervistën e dhënë për "Corriere della Sera", ka hedhur poshtë planin e mëparshëm, duke u deklaruar pro ndërtimit të centralit në Itali.


Çfarë mendoni për aksidentin nuklear të Sllovenisë, a mund të ndryshojnë planet e qeverisë për ndërtimin e centraleve bërthamore?

Në të vërtetë nuk besoj. Shpresoj që të mos t‘i ndryshojë planet. Qeveria e ka zgjedhur tashmë strategjinë që do të ndjekë dhe është e nevojshme të ecet përpara. Kjo është shumë e rëndësishme.

Sipas jush, a nuk përbën rrezik ndërtimi i centralit bërthamor?

Realisht, kur ndodhin aksidente, gjithnjë ka diçka për t‘u shqetësuar, por në fakt, nga njoftimet e fundit rreth aksidentit në Slloveni, duket se situata ndodhet plotësisht në kontroll. Pastaj...

Pastaj?

Ky aksident forcon më shumë ndërgjegjen tonë: jetojmë në një Evropë të nuklearizuar. Presidenti i Komisionit Evropian, Barroso, na ka shtyrë të gjithëve drejt këtij drejtimi. Në këtë mënyrë...

Në këtë mënyrë?

Centrali nuklear slloven ku ndodhi aksidenti pozicionohet 30 kilometra larg kufirit me Italinë. Dhe jo vetëm kaq.

Çfarë ka tjetër?

Përveç vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të tjera vende jashtë kontinentit kanë zgjedhur ndërtimin e centralit bërthamor. Në këtë mënyrë nuk ka kuptim që ne të mos ta bëjmë një gjë të tillë.

Në këtë mënyrë ju besoni se ndërtimi i centralit bërthamor do të ishte më me avantazh të bëhej në Itali, sesa në Shqipëri apo Slloveni?

Kjo është logjike. Këtu te ne, Itali, centralet mund t‘i ndërtojmë me më shumë siguri, duke marrë mbi vete përgjegjësitë rreth mënyrës sesi do të menaxhohen nuklearët.


Alarmi

KE-ja mbyll nuklearin deri më 10 qershor


Komisioni Evropian ka mbyllur centralin bërthamor në Slloveni (Krsko), pas sinjaleve të marra për një aksident të ndodhur dy ditë më parë. Tashmë, pas sinjalit alarmues, është aktivizuar procedura e sigurisë për fikjen e impiantit, duke ulur fuqinë e reaktorit deri në 22%. Sipas njoftimit të lëshuar nga KE-ja, është verifikuar një humbje e likuidit nga sistemi principal i ftohjes së centralit nuklear në Krsko, duke sinjalizuar Brukselin përmes sistemit të alarmit nuklear të shpejtë. Aktualisht situata është nën kontroll dhe për këtë janë njoftuar të gjitha vendet anëtare të BE-së, ndërkohë nuk kanë munguar kritikat ndaj Agjencisë së Energjisë Nukleare në Vjenë, e cila e ka quajtur aksidentin si "eksperiment", në mënyrë për të mos krijuar panik. Centrali nuklear në Slloveni është ndërtuar nga amerikanët në vitet ‘80 dhe ka fuqi transmetimi 630 MW.



Burimi i lajmit: 'Shqip'

Editor per merbraha mario

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7