Hyrje | Me Teper | Historia | Koçi Xoxe, dëshmia për vrasjet dhe torturat

Koçi Xoxe, dëshmia për vrasjet dhe torturat

Koçi Xoxe, dëshmia për vrasjet dhe torturat

Komunisti pa shkollë që mbante mbi supe një mal me funksione
Koçi Xoxe, sinonimi i “kohës” kur komunistët çimentuan pushtetin
Koçi Xoxe ishte një njeri pa shkollë, anëtar i Grupit Komunist të Korçës, anëtar themelues i PKSH-së më 8 nëntor 1941, i burgosur nga fashistët dhe i dalë nga burgu pas një aksioni që është bërë edhe film artistik, kishte pasur një varg funksionesh të larta.

Qysh në luftë ai u zgjodh në mungesë Sekretar Organizativ i PKSH-së në mars 1943 dhe në korrik anëtar i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë. Në vitet 1944 – 1946 ishte zëvendëspresident i KANÇ-it. Në vitet 1944 – 1948 ishte anëtar i Byrosë Politike të PKSH-së. Profili i tij ngeli drejtimi i shërbimit sekret komunist në vitet 1944 – 1946 (drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit) si dhe puna me kuadrot në parti.

Në vitin 1945 ishte kryetar i të ashtuquajturit “gjyq special” kundër “kriminelëve të luftës”, një gjyq që do të mbahet mend, pasi nuk vërtetoi asnjë krim. Koçi kishte edhe poste të tjera të larta, pasi më 1946 – 1948 ishte deputet, zëvendëskryeministër, ministër i Punëve të Brendshme dhe kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe zëvendëspresident i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në vitet 1945 – 1948 ishte zëvendëspresident i Frontit Demokratik. Në fund të karrierës, ishte edhe ministër i Industrisë. Ishte besnik i Enver Hoxhës dhe aspak lëkundës i pushtetit të tij.

Konkurronte për nga postet e shumta vetëm me “komandantin”, i cili ishte edhe Sekretar i Përgjithshëm, edhe Kryeministër, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Mbrojtjes Kombëtare, deputet, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, president i Frontit Demokratik.

Përgjigjet e sekretarit Organizativ të PKSH-së në gjyqin ku ai numëron krimet që ka urdhëruar dhe viktimat që duheshin eleminuar

Dëshmi që tregojnë mekanizmin e krimit komunist të drejtuar me gjakftohtësi dhe pasion kriminal nga udhëheqësit komunistë të sapoardhur në pushtet. Është dëshmia e procesit më të bujshëm të vitit 1949, në të cilin më shumë doli vepra e Partisë Komuniste dhe e Sigurimit sesa e Koçi Xoxes.

Njeriu që përgjigjet është ai që kishte bërë gjyqet speciale, apo kishte urdhëruar vrasjet pa gjyq për të gjithë ata që cilësoheshin apo mendoheshin se ishin kundërshtarë të regjimit të ri komunist.

Një dëshmi që akuzon se të gjitha krimet që u bënë në vitet pas çlirimit të Shqipërisë, ashtu siç do të vijonin, edhe pas vrasjes së Koçi Xoxes, nuk ishin vepër e mendjes kriminale të një njeriu të vetëm, por e kastës drejtuese, e cila me këtë mënyrë, kishte mundësinë të mbante pushtetin.

Dëshmitë janë pjesë e librit “E vërteta e fshehur e një procesi”, përgatitur nga Kastriot Dervishi, ku sillet ana më e errët dhe gjakësore e e funksionimit të sistemit komunist shqiptar.

Pyetje: Vendimet me vdekje kush i ka marrë?
Përgjigje: Nuk e di, nga drejtësia. Unë s’kam dijeni për gjyqe speciale të tjerë, që të jenë bërë nga organet e Sigurimit. Po unë jam përgjegjës për torturat që janë bërë me iniciativën e atyre poshtë, se nuk i kam kontrolluar. Unë jam përgjegjës për ato që janë bërë me urdhër direkt timin.

Unë jam përgjegjës për gjithë ato vrasje që janë bërë me urdhrin tim pa dijeninë e ndonjë tjetri. Nuk e ndiej veten përgjegjës për shkeljen e ligjeve që kanë bërë organet e sigurimit, se i kam urdhëruar të mos i shkelin ligjet, por kam përgjegjësinë se duhej t’i kontrolloja këto organe.

Ndërhyrjet që ka bërë Prokuroria Publike i kam pritur mirë dhe kemi bërë udhëzime të përbashkëta dhe kam pranuar propozimet e saja. Nuk është e vërtetë që t’i kem thënë Vaskës “Të rrinë mirë ata të Prokurorisë me ndërhyrjet e tyre se do t’i marrë drejtim ose se do t’i fus në ndonjë vrimë nga të mos dalin kurrë”.

Është biseduar në fund të 1946 në Byro çështja që po bëheshin torturat. Komandanti më ka thirrur për çështjen e Fushë – Bardhës dhe një rast tjetër unë i thashë se kemi marrë masa për ndalimin e torturave. Komandanti dhe Nako Spiro, nuk di nëse ka qenë tjetër nga Byroja.

Masat që kam marrë për rastin e Fushë Bardhës janë këto: Transferova dhe paraqita në gjyq Petrit Karkanaqen. Nuk mora ndonjë masë kundra përgjegjësit të seksionit të Sigurimit pse përgjegjësia i binte Petrit Karkanaqes.

Nuk e kam parë vendimin e gjyqit që ka dënuar Karkanaqen, vetëm nga shefi që më ka raportuar nga poshtë e di që ishte përgjegjësia vetëm e Karkanaqes. Ka patur ndërhyrje nga prokuroria për çështjen e Fushë Bardhës, si edhe nga anë të tjera.

Janë vënë në korrent siç thashë më lart për vdekje nga torturat të Muzafer Pipës edhe një tjetër që nuk e mbaj mend, më kanë informuar edhe për një tjetër që është torturuar dhe ka vdekur. Me kanë informuar edhe për dy veta në Mirditë, ku kanë vdekur prej përdorimit të dinamitit në zorrën e trashë.

Torturuesit e këtij rasti të fundit u hodhën në gjyq dhe u dënuan me varje. Këto mbaj mend për të cilat më kanë lajmëruar. Kur kam marrë vesh për torturat kam bërë edhe transferime shefash të Sigurimit, si dhe kam dhënë dënime disiplinore me arrest.

Kundra shkaktarit të vdekjes së Muzafer Pipës në Shkodër nuk mora masa, sepse e para, ma justifikuan se ishte kardiak dhe iu mbeti në dorë pa përdorur tortura të rënda dhe se e dyta, pse mbi atë rëndonte një fajësi e madhe.

Drejtësia humbi në këtë rast nga vdekja e Muzafer Pipës. Në lidhje me arbitraritetet dhe me shkeljet e ligjeve që janë bërë, siç janë rastet që na janë cituar neve, kemi mësuar se ka një ligj të madh që është përmbi ligjet e tjera të shkruara e që është ligji i mbrojtjes së Republikës dhe të popullit. Këtu jam bazuar kur kam urdhëruar ose kam lejuar.
Pyetje: Si ndodh që gjendesh përbri dhe në bashkëpunim me Velimir Stojniçin me akuzën e jugosllavëve që provokoi plenumin e 8-të me flamurin që ke marrë në plenumin e 8-të si Tito të ka dhënë vendin e parë në Beograd para Enverit?

Përgjigje: Nuk jam ndodhur përbri Velimir Stojniçit, i kam kundërshtuar kritikat. Unë e kam pranuar akuzën e jugosllavëve, si dhe gjithë anëtarët e Byrosë. Flamurin e kam pasur vetë çështjet e brendshme në plenumin e 8-të. Edhe mua më la përshtypje që më vuri Tito në vendin e parë dhe i kam thënë komandantit të zinte vendin e parë.

Pyetje: Kur Republika Popullore e Jugosllavisë mbrohej në Shqipëri nga një veprimtari antipopullore dhe antidemokratike nga organet e Sigurimit tonë, përse Qeveria Jugosllave shtroi çështjen më 1947 se nuk do të organizonin këtu rrjet?

Përgjigje: E shtroi në kuptim që në Republikat Popullore nuk duhet të ekzistojnë rrjetet e spiunazhit, mbasi në këto republika mbrohen interesat e njëra-tjetrës.

Pyetje: Si është e mundur të mos të të binte ndër mend fakti se Qeveria Jugosllave ngre çështjen e rrjetit të spiunazhit ose siç thua ti, që Seksioni i 1-rë nuk do të organizonte veprimtari këtu në Shqipëri ishte tërthorazi një konfirmim që deri në atë kohë ishte krijuar ky rrjet të paktën?

Përgjigje: Nuk më ra ndër mend dhe m’u duk i arsyeshëm një propozim i këtillë.

Pyetje: Si të ra ndër mend tani që the më sipër mbi pyetjen e bërë se mund që deri në atë kohë të kenë qenë organizuar një rrjet i tillë?

Përgjigje: Thashë mundet pasi më pyetët. Unë nuk kam ditur përpara rezolucionit të Informbyrosë, që të ketë pasur një rrjet informatorësh të Jugosllavisë Popullore në vendin tonë.

Ministria e Brendshme e Jugosllavisë nuk na ka dhënë informata mbi shqiptarët dhe mbi jugosllavët në Jugosllavi që ushtronin veprimtari kundra interesave të Republikës Popullore të Shqipërisë. Nuk kam dhënë informata në lidhje me gjendjen politike, ushtarake dhe ekonomike të vendit. Çdo informatë ka ardhur nga shërbimi ynë në shtetet e tjerë.
***
Përgjigje: Nuk di nëse kanë bërë tentativa jugosllavët ose nëse Partia ka organizuar rrjet brenda në partinë tonë. Edhe kur më ka thënë Filipoviçi se nuk do të ketë veprimtari Seksioni i 1-rë i ministrisë se tyre të brendshme në vendin tonë prapë nuk më shkoi ndërmend se mund të kishin rekrutuar agjentë në radhët e partisë komuniste Shqiptare.

Kur shkuam në Bullgari, kaluam nga Beogradi. Mua më thirri ndihmësi i parë i Rankovicit i quajtur Ceco, këtë emër e kam dëgjuar nga Nesti. Në zyrën e këtij takova edhe Rankoviçin.

Ky më rekomandoi që të bisedoja me ndihmësin e tij mbi itinerarin mbi trenin, që ta dija unë vetëm edhe ndihmësi i Rankoviçit edhe na dha trenin e tyre dhe më tha se po të doni, e merrni deri në Sofje. Me Cecon bisedova edhe çështjen e klerit. Ai filloi të më shpjegojë se anglo-amerikanët synojnë të përdorin klerin kundër pushtetit, pse reaksioni është goditur.

Një gjë të këtillë ata e kishin konstatuar në Kroaci. Mbi këtë çështje me gjatë edhe mbi çështje të tjera si kooperativat. Me frontin do të bisedonim kur të kthehesha unë me ndonjë delegacion tjetër nga Shqipëria në Beograd, si dhe do bisedonim mbi çështje të tjera si partia organizata e masave. Në këtë takim nuk më pyetën dhe nuk më thanë asgjë tjetër.

Mua ndihmësi i parë i Rankoviçit nuk më pyeti asgjë në lidhje me Partinë tonë dhe me ngjarjet dhe gjendjen e vendit tonë. Ato gjëra ishin biseduar, sikurse edhe çështja e marrëveshjes me Bullgarinë në Byronë Jugosllave të referuara nga shoku Enver dhe në këtë mbledhje isha edhe unë.

Pyetje: A ishin në sy d.m.th. në observacion nga ty shokët që ishin në një vijë me Nakon?

Përgjigje: Në atë kohë nuk ishte vënë asnjeri në vëzhgim, por mendoja se Liria p.sh. ishte 100 % me vijën e Nakos që Mehmet Shehu kish përkrahur Nakon dhe Fadili. Këta shihja unë atëherë.
***
Pyetje: Pse nuk përmendi Tempo edhe shokun Enver, kur ishte çështja për bashkimin e tre Republikave Jugosllavi- Bullgari e Shqipëri, por përmendi vetëm Titon dhe Dimitrovin?

Përgjigje: Ai e kishte fjalën tek deklarata e përbashkët që kishin bërë ata të dy. Kjo s’ka të bëjë me atë që thuhej se Shqipëria është një Republikë e shtatë e Jugosllavisë. Ai tha se në të tre Republikat Popullore jemi të afruara dhe mund ta bëjmë bashkimin. Ai nuk përcaktoi këtë bashkim.

Pyetje: Cilat ishin masat që u morën në vendin tonë për bashkimin me Jugosllavinë?

Përgjigje: Nuk u morën masa për të bërë bashkimin. Ata kanë kërkuar që të bëjmë unifikimin e ushtrisë që të bëjmë një bashkëpunim më të ngushtë ekonomik, me anë të koordinimit të planeve në frymë të akordit ekonomik dhe politik, pastaj kërkuan ardhjen e një divizioni jugosllav në Korçë, pastaj kërkuan të bëjnë komandë unike, pastaj kërkuan bërjen e federatës, pastaj kërkuan një seri masash ushtarake që vendi të ishte i mobilizuar, sikurse të ishte lufta imediate dhe me këtë pretekst të dërgonin këtu regjimente dhe batalione xhenierësh dhe t’i afroheshin tokës sonë në kufi forca jugosllave të motorizuara dhe për këtë qëllim të përgatiteshin tek neve nga forcat e tyre ushtarake të xhenios dhe rrugë.

Në muajin prill 1948 jugosllavët propozuan që të merreshin masa ekonomike dhe forma organizimi të atilla, që po të realizoheshin ato, do humbiste indipendenca e vendit tonë.

Këto masa nuk më kujtohen mirë, por ishte çështja që të mos ketë dogana e pasaporta që plani të bëhej në kuadrin e planit të Jugosllavisë të ngrihej një komision në Tiranë dhe një komision në Beograd që praktikisht donte të thoshte zëvendësimi i qeverisë sonë prej këtij komisioni. Të gjitha këto çonin drejt Federatës, që ata e kërkuan haptazi, por donin që këtë ta kërkonim neve që të bëhej.
***
Pyetje: A ke dëgjuar gjë mbi listën e të vdekurve të gjallë?
Përgjigje: Nuk kam dëgjuar gjë për një listë të tillë në të cilën të ishin shënuar përbri emra gërmat “P” ose “T”.

Pyetje: A e di ti se si është zbatuar ky urdhri yt për t’u pushkatuar pa gjyq ata që urdhërove?

Përgjigje: Nuk e di si u ekzekutua urdhri. Urdhri im ishte që në qoftë se nuk arrin gjyqi të ekzekutoheshin ata veta që kishin kërkuar ata për interes të operacionit.
Mua më kujtohet mirë sa veta kishin kërkuar ata, që të ekzekutoheshin pa gjyq.

Unë nuk e pyeta Nestin sa u vranë pa gjyq në atë operacion, pse ata nuk mund të vritnin më tepër nga sa ju dhashë leje unë. Operacioni ishte nën drejtimin tim të përgjithshëm, kurse nga pikëpamja operative ishte nën drejtimin e Nestit që ishte dërguar atje dhe të vartësve të tij Hito Çako e Gjeli Argjirit.

Pyetje: Si është e mundur që ministri i Brendshëm të mos ketë dëgjuar torturat dhe vrasjet, djegiet e bëra në Peshkopi gjatë atij operacioni gjë që është e ditur nga gjithë dynjaja?
Përgjigje: Nuk e di, unë di vetëm vrasjet për të cilat kam dhënë leje. Mundet të kem dhënë urdhër edhe për djegien e ndonjë shtëpie, por kjo nuk më kujtohet mirë mbasi më 1946 unë e kisha ndaluar kategorikisht djegien e shtëpive. Vrasjet që kam urdhëruar unë sipas kërkimit të Nestit në Peshkopi i shërbenin operacionit.

Pyetje: A i aprovon populli këto vrasje pa gjyq?
Përgjigje: Në raste operacionesh ose kryengritjesh populli i aprovon vrasje të tilla. Nuk është e vërtetë që vrasja e Babë Rexhës në Gurrës të Krujës të ketë qenë një provokacion nga ana e Sigurimit. Kam dhënë urdhër që të vriteshin menjëherë në vend si reprezalje 7, 8 ose 10 veta.

Vaskës kur shkoi që e dërgova unë në Shkodër me rastin e operacionit të janar shkurtit 1945 i thashë që të kapte organizatorët, fajtorët e mëdhenj dhe t’i ekzekutonte pa gjyq. Këtë ta bënte në bashkëpunim me shokët e atjeshëm.

Këtë urdhër ma dha komandanti. Komandanti i operacionit ka qenë gjeneral – major Mehmet Shehu. Nuk e di nëse e dinte komandanti i operacionit këtë urdhër ose jo. Urdhri ka qenë dhënë që mund të ekzekutonin edhe pa urdhrin e komandantit të operacionit.

Pyetje: Kush është përgjegjës për zbatimin e vijës së partisë nga organet e sigurimit, përpara qeverisë, përpara Byrosë dhe Komitetit Central?

Përgjigje: Unë jam përgjegjës. Unë raportoja në qeveri, në Byro dhe në Komitetin Central për punët e Sigurimit. Edhe për punët e partisë, unë raportoja. Për çështje të sigurimit dhe për çështje partie anëtarët e Komitetit Central nuk kishin mundësi se si të informoheshin ndryshe, veçse nga raportet e mia.
Pyetje: A e kujton ti se Qeveria, Byroja dhe Komiteti Central do t’i dinin vrasjet që janë bërë, torturat e tmerrshme që janë bërë, djegiet e shtëpive që janë bërë, arbitraritetet dhe shkeljet e ligjeve do t’i lejonin këto gjëra.

Përgjigje: Unë kam raportuar në Byro të gjitha sa më janë njoftuar mua nga vartësit e mi në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të gjitha ia kam thënë sekretarit të përgjithshëm dhe një pjesë Byrosë nga ato që më janë njoftuar mua.

Shekulli

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7