Hyrje | Me Teper | Historia | Kush ishin 23 drejtuesit që kontrolluan financat e shtetit

Kush ishin 23 drejtuesit që kontrolluan financat e shtetit

Kush ishin 23 drejtuesit që kontrolluan financat e shtetit

Historia 88-vjeçare e Kontrollit të Lartë të Shtetit  

Institucioni i Kontrollit të Shtetit është një ndër institucionet më të vjetra të shtetit shqiptar. Janë plot njëzet e tre drejtuesit që kanë kontrolluar “xhepat” e institucioneve shtetërore shqiptare që nga krijimi i tij në vitin 1925 e deri më sot. Për të marrë drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë historisë së tij 88-vjeçare janë përzgjedhur ekonomistët më të zotë të vendit apo personalitete të ndryshme të politikës.

Drejtuesit e KLSH-së

I pari që e ka drejtuar këtë institucion ka qenë Laç Gera, ai ka qëndruar në këtë post për gati një vit për t’u zëvendësuar më pas nga Llambi Aleksi. Gjatë viteve 1925-1939 janë të paktë ata krerë të këtij institucioni që e kanë mbajtur atë post deri në fund të mandatit të tyre. Kjo për shkak të zëvendësimeve të tyre të shumta. I fundit që ka drejtuar KLSH-në gjatë atyre viteve ka qenë Rrok Gera, i cili ka qëndruar dy vjet në atë post. Ndërkohë gjatë regjimit komunist drejtuesi i parë i KLSH-së ka qenë Kiço Kasapi, një nga ekspertët më të mirë të ekonomisë dhe jurisprudencës së vendit tonë. Gjatë këtyre 50 viteve nuk kanë munguar edhe emrat e njohur të politikës së asaj kohe, duke filluar që nga Shefqet Peçi, Simon Stefani, Spiro Koleka, Manush Myftiu e shumë të tjerë. Por kreu më jetëgjatë i këtij institucioni, ose njeriu që e ka çuar mandatin e tij deri në fund, të paktën deri më sot, është Mustafa Kërçuku. Ish-kreu i KLSH-së e drejtoi këtë institucion për gati 7 vjet, nga viti 1997 deri në vitin 2004. Drejtuesi i fundit i këtij institucioni është Robert Çeku, i cili e mban këtë post që nga viti 2004, pas zgjedhjes së tij nga Parlamenti. Por si është krijuar “rojtari” i xhepave të institucioneve shtetërore?

Historia e krijimit të KLSH-së

Më 1925, Asambleja Kombëtare miraton të parin Statut Themeltar të Shtetit Shqiptar (Kushtetuta). Për kohën e vet, ky dokument ishte një arritje e madhe historike që sanksionoi tiparet kryesore të shtetit dhe të institucioneve të tij legjitime. Në këtë kushtetutë, përpos të tjerash përcaktohet edhe institucioni që ngarkohet me kontrollin shtetëror të financave publike. Ajo ishte Dhoma e Deputetëve. Dhoma e Deputetëve kishte atributet e një institucioni që kishte të drejtë dhe detyrë të kontrollonte qeverinë, për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të vendit. Dhoma e Deputetëve krijonte komisione hetimi për të studiuar çështje e fakte që lidheshin me këto interesa. Komisionet kryenin hetime, kërkonin shpjegime nga autoritetet publike, shoqëritë shtetërore apo individët privatë dhe kishin të drejta ekskluzive mbikëqyrëse mbi aktet zyrtare për të provuar pajtueshmërinë e tyre me interesat publike. Këto atribute kishin në përmbajtje një autoritet ligjor që sanksiononte kontrollin e parlamentit mbi qeverinë. Në vitet 1928-1939, vendi drejtohet nga një monarki institucionale. Në Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, kontrolli shtetëror pëson perfeksion në formë dhe përmbajtje. Në këtë Statut (Kushtetutë), financat e shtetit kontrollohen nga Këshilli Kontrollues i cili merr atributet e një organizmi të pavarur. Këshilli Kontrollues, pranë Parlamentit, përbëhej nga kryetari dhe dy anëtarë të zgjedhur. Me ligj të veçantë përcaktohej mënyra e organizimit dhe ushtrimit të detyrës. Objekt i veprimtarisë së Këshillit Kontrollues ishte kontrolli preventiv dhe konsuntiv i të ardhurave dhe shpenzimeve të shtetit. Me ligj përcaktohej mënyra e raportimit në Parlament dhe marrëdhëniet e tij me këtë organ, me qeverinë dhe mbretin. Gjithashtu, në ligj përcaktohen edhe modalitetet e emërimit dhe mandati kushtetues prej 7 vjetësh, i cili siguronte paprekshmërine funksionale dhe mbrojtjen ligjore të anëtarëve të këtij Këshilli. Në vitet 1939-1944, Shqipëria pushtohet nga forcat e koalicionit nazifashist të Italisë dhe Gjermanisë. Për rrjedhojë, pezullohet i gjithë aktiviteti i këtij institucioni suprem, sikurse gjithë institucionet e tjera shtetërore.

KLSH në komunizëm

Në vitin 1945, Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar, i cili kishte atributet e një Parlamenti, institucionalizon kontrollin shtetëror nëpërmjet një Këshilli Kontrollues. Ky Këshill kishte për objekt kontrollin ekonomik e financiar në të gjithë vendin. Detyra kryesore e Këshillit Kontrollues ishte: kontrolli preventiv dhe konsuntiv i shpenzimeve të shtetit, mbikëqyrja për të ardhurat shtetërore dhe ajo e veprimtarisë të nëpunësve që administronin paratë e materialet e shtetit. Në Gusht 1946 bëhet riorganizimi tërësor i organeve të kontrollit, si në formë edhe në përmbajtje. Me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor krijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit.

Sikurse gjithë struktura shtetërore, krijimi i Komisionit të Kontrollit të Shtetit kishte qëllim që sistemi i organizimit, funksionet dhe detyrat e këtij institucioni t’u përshtateshin nevojave për konsolidimin e sistemit komunist në ekonomi. Shteti kishte nisur rrugën e shoqërizimit të pronës private. Ekonomia e vendit drejtohet mbi bazën e parimit të centralizmit absolut. Komisioni i Kontrollit të Shtetit nuk është me një organ i pavarur i parlamentit, por pjesë e strukturës së Qeverisë. Ai vepron kolegjialisht, kurse kryetari ishte anëtar i Qeverisë. Komisioni i ushtronte detyrat përmes inspektorëve të përgjithshëm. Organizimi i kontrollit realizohej mbi bazë rajonesh (Prefektura). Në ligjin organik ndryshojnë tërësisht funksionet, objekti, vartësia, organizimi dhe kompetencat e Kontrollit të Përgjithshëm të Shtetit. Si objektiv kryesor, këtij institucioni i ngarkohej: të ndihmonte dhe mbikëqyrte veprimtarinë e administratës shtetërore, të instituteve dhe ndërmarrjeve që varen prej tyre, të mbikëqyrte zbatimin e ligjeve, vendimeve, rregulloreve dhe udhëzimeve të organeve më të larta të pushtetit shtetëror nga hallkat në vartësi të tyre. Komisioni i Kontrollit të Shtetit kishte të drejtë të hetonte organizimin e brendshëm të institucioneve shtetërore, raportet dhe librat financiare, veprimtaritë private; të pezullonte çdo veprim të paligjshëm apo shpenzim të parregullt. Ky institucion mund të fillonte vetë ndjekjet disiplinore dhe të zhdëmtimit, kundrejt nëpunësve të shtetit që kishin kryer veprime të paligjshme. Pra, në kushtet e një sistemi totalitar edhe Kontrolli i Shtetit, si pjesë i këtij organizmi shoqëror, ishte veshur me kompetenca represive. Në Janar 1950, me disa ndryshime në ligjin organik, këtij institucioni i kufizohet rrethi i objektit të kontrollit. Objektiv i tij ishte vetëm kontrolli mbi llogaritë dhe shpenzimet e Qeverisë dhe zbatimi i vendimeve të saj. Në vitet 1952 dhe 1959, në vartësi të situatës politike dhe gjendjes social-ekonomike të vendit, dispozitat ligjore për Kontrollin Shtetëror pësojnë ndryshime parciale. Me dekrete të posaçme u bënë disa kufizime në objektin e veprimtarisë ose në kompetencat vendimmarrëse. Më 1966 suprimohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit. Ky organ riorganizohet në formën e një Inspektimi Shtetëror. Këtë formë ai e ruajti deri në vitin 1987. Si tipar kryesor, ky organizim kishte reduktimin e thellë të pozitës institucionale, objektit të veprimtarisë dhe kompetencave të kontrollit shtetëror. Inspektimi i Shtetit merr tiparet e një zyre brenda administratës së qeverisë, që vepron me porosi dhe në emër të saj dhe raporton vetëm në qeveri. Në vitin 1987, me dekret të veçantë, rikrijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit, thuajse me atë organizim, objektiva dhe kompetenca që kishte ky organ në vitet e mëparshme. Ky institucion vazhdoi të veprojë deri në fund të vitit 1991.

KLSH në demokraci

Rrëzimi i diktaturës komuniste dhe vendosja e pluralizmit politik në Shqipëri, në fund të vitit 1991, shoqërohet me reforma të thella politike dhe demokratike. Këto reforma kondicionuan edhe një rishikim të KLSH. Më 1992, me ligj të veçantë, krijohet institucioni supreme i kontrollit të shtetit. Ky institucion u emërtua Shërbimi i Kontrollit të Shtetit. Shërbimi i Kontrollit të Shtetit merr atributet e një organizmi të pavarur nga qeveria. Drejtimi i institucionit realizohej në mënyre kolegjiale nga një kryesi e përbërë nga tre anëtarë (kryetari dhe dy zëvendës kryetarë) të cilët emëroheshin nga Parlamenti. Mandati i tyre përcaktohej për 7 vjet. Në 23 Dhjetor 1997, për të përsosur bazën ligjore e institucionale të Kontrollit Shtetëror, me ndihmën e SIGMAs, u miratua nga Parlamenti ligji nr. 8270, datë 23.10.1997 “Mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit”. Ky ligj, pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nëntor 1998, u pasurua në muajin prill 2000 me disa amendime plotësuese. Institucioni merr emrin ” Kontrolli i Lartë i Shtetit” (KLSH). Me këtë ligj u bënë ndryshime të rëndësishme dhe në tërësinë e tij ai i përmbahet parimeve të standardeve ndërkombëtare të kontrollit të INTOSAI-it.

 

 

KLSH ka për detyrë të kontrollojë:

- Veprimtarinë ekonomiko-financiare të institucioneve shtetërore e të personave të tjerë juridikë shtetërorë;

- Përdorimin dhe mbrojtjen e fondeve shtetërore nga organet e pushtetit qendror dhe vendor;

- Veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve apo të aksioneve ose kur huatë, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti;

- Përdorimin e fondeve që iu janë dhënë nga buxheti i shtetit partive politike dhe shoqatave;

- Mbikëqyrjen e veprimtarisë së institucioneve të kontroll-revizionit të brendshëm shtetëror, përfshirë auditin e brendshëm;

- Subjekte të tjera të përcaktuara me ligje të veçanta.

23 drejtuesit e KLSH-së

1. Lac Gera, kryetar i KLSH-së në vitin 1926

2. Llambi Aleksi, kryetar i KLSH-së në vitin 1927

3. Kolë Thaçi, kryetar i KLSH-së nga viti 1928 deri në vitin 1930

4. Lame Kareco, kryetar i KLSH-së nga viti 1930 deri në vitin 1931

5. Eqerem Libohova, kryetar i KLSH-së nga viti 1931 deri në vitin 1932

6. Xhaferr Ypi, kryetar i KLSH-së nga viti 1933 deri në vitin 1937

7. Rrok Gera, kryetar i KLSH-së nga viti 1937 deri në vitin 1939

8. Izedin Beshiri, kryetar i KLSH-së nga viti 1943 deri në vitin 1944

9. Kiço Kasapi, kryetar i KLSH-së nga viti 1945 deri në vitin 1946

10. Shefet Peçi, kryetar i KLSH-së nga viti 1946 deri në vitin 1947

11. Spiro Koleka, kryetar i KLSH-së nga viti 1949 deri në vitin 1950

12. Manush Myftiu, kryetar i KLSH-së nga viti 1950 deri në vitin 1952 dhe më pas përsëri në vitet 1989-1990

13. Osman Murati, kryetar i KLSH-së nga viti 1982 deri në vitin 1986

14. Bujar Kolaneci, kryetar i KLSH-së nga viti 1986 deri në vitin 1987

15. Enver Halili, kryetar i KLSH-së nga viti 1987 deri në vitin 1989

16. Simon Stefani, kryetar i KLSH-së nga muaji gusht i vitit 1990 deri në dhjetor të vitit 1990

17. Ali Kaza, kryetar i KLSH-së nga muaji dhjetor i vitit 1990 deri në shkurt të vitit 1991

18. Ylli Memisha, kryetar i KLSH-së kryetar në vitin 1991

19. Alfred Karamuça, kryetar i KLSH-së nga viti 1991 deri në vitin 1992

20. Blerim Çela, kryetar i KLSH-së nga viti 1992 deri në vitin 1997

21. Mustafa Kërçuku, kryetar i KLSH-së nga viti 1997 deri në vitin 2004

22. Robert Çeku, kryetar i KLSH-së që nga viti 2004 deri në vitin 2011

23. Bujar Leskaj, kryetar i KLSH që 23 dhjetori i vitit 2011 e në vazhdim

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7