Hyrje | Me Teper | Historia | Nata kur hebrenjtë e Danimarkës u shpëtuan nazistëve

Nata kur hebrenjtë e Danimarkës u shpëtuan nazistëve

Nata kur hebrenjtë e Danimarkës u shpëtuan nazistëve

jë ushtarak gjerman njoftoi një politikan danez për planin e rrëmbimit dhe deportimit të hebrenjve të vendit. Politikani njoftoi hebrenjtë dhe kështu filloi një arratisje e madhe drejt brigjeve të Suedisë

Arratisja e madhe

 

Ellen Otzen, BBC

 

 

Shtatëdhjetë vjet më parë këtë muaj, një arratisje masive e jashtëzakonshme ndodhi nga Danimarka e pushtuar nga nazistët. Të informuar mbi një plan gjerman për të rrëmbyer dhe për të dërguar nëpër kampe përqendrimi hebrenjtë e vendit, pothuajse e gjithë popullata hebraike, disa mijëra njerëz – u larguan brenda një nate dhe ikën drejt Suedisë.

 

Ndërsa ai hipi në varkën e peshkimit që do të duhej t’i dërgonte në anën tjetër të ngushticës së Oresundit, 14-vjeçari Bent Melchior pati frikë se mund të mos e shihte më kurrë shtëpinë e tij.

 

Një javë më herët, ai ishte larguar nga shtëpia e vet në Kopenhagën ku banonte me prindërit e katër vëllezërit e motra. Ishte 8 tetori 1943 dhe Danimarka gjendej nën pushtimin nazist. Bashkë me mijëra hebrenj të tjerë të Danimarkës, Bent dhe familja e tij po largoheshin nga gjermanët.

 

“Ne u mblodhëm në këtë varkë që supozohej se do të mbante harenga, por në vend të tyre po mbante njerëz”, thotë ai.

 

Ata e nisën udhëtimin pas muzgut. Ishin 19 njerëz në atë varkë, të fshehur poshtë kuvertës për të shmangur mundësinë që avionët gjermanë t’i zbulonin nga sipër. Ajri i natës ishte i ftohtë ndërsa deti, i ashpër.

 

“Njerëzit filluan të sëmuren dhe çdo minutë ndihej si të ishte një orë”.

 

Melchior dhe familja e tij qenë pjesë e një arratisjeje masive. Atë natë vjeshte, 2500 hebrenj lundruan drejt Suedisë fqinje nga plazhet dhe portet e Danimarkës, në varka me lopata, kanoe e varka peshkimi, si pasagjerë pa biletë nëpër tragete apo në anije mallrash. Disa prej tyre e kaluan ngushticën me not.

 

Në shtator të atij viti, policia sekrete naziste – Gestapo – pati vendosur të transportojë të gjithë hebrenjtë e Danimarkës drejt kampeve të përqendrimit, njësoj siç patën bërë me miliona të tjerë hebrenj në të gjithë Europën.

 

Operacioni i ekstradimit ishte përcaktuar ditën e premte më 1 tetor, ditë kur ata patën shpresuar se do t’i gjenin familjet hebraike bashkë në darkën e sabathit. Por kur ata sulmuan shtëpitë e tyre, gjetën më pak se 300 njerëz atje.

 

Disa ditë më parë, Georg Duckwitz, një atashe i marinës gjermane që punonte në ambasadën e Kopenhagës, informoi Hans Hedtoft, një udhëheqës të rëndësishëm të Partisë së Punës së Danimarkës. Hedtoft, i cili më vonë u bë kryeministër i Danimarkës, paralajmëroi bashkësinë e hebrenjve dhe u tha të iknin.

 

“Prindërit e mi ishin të shqetësuar se telefoni mund të ishte nën përgjim. Kështu, nëna ime filloi të marrë me radhë familjet e tjera hebreje dhe t’i nxiste të ‘merrnin disa ditë pushime në fshat’”, tregon Melchior.

 

“Ajo u tha atyre se edhe ne po shkonin për pushime disa ditë për shkak se atë vit nuk kishim bërë pushime”.

 

Më 1943, Danimarka ishte shtëpia e rreth 8 mijë hebrenjve. Megjithëse vendi qe pushtuar nga Gjermania tre vjet më parë, qeveria pati pranuar pushtimin në këmbim të një mase kontrolli mbi punët e brendshme. Hebrenjtë e Danimarkës mbroheshin nga qeveria e Danimarkës, udhëheqësit e së cilës bashkëpunuan me Hitlerin.

 

Por një fushatë e ashpër nga rezistenca e Danimarkës shtyu Gjermaninë të marrë nën kontroll të plotë punët e vendit dhe qeveria dha dorëheqjen në gusht. Muajin që pasoi, Hitleri urdhëroi transferimin e të gjithë hebrenjve të Danimarkës.

 

Ndërsa lajmi për një operacion nazist u përhap, babai i Melchior, një rabin në sinagogën kryesore të Kopenhagës, ndërpreu shërbimin fetar për festimin e vitit të ri hebraik, për të nxitur besimtarët që të fshiheshin dhe të njoftonin hebrenjtë e tjerë.

 

Familja e Melchior kapi një tren drejt ishullit Falster në juglindje të Danimarkës. Vagonët ishin të mbushur me ushtarë gjermanë dhe nëna e Bent bashkë me vëllain e vogël pesëvjeçar Paul udhëtuan në një vagon bosh të klasit të parë për të shmangur mundësinë që më i vogli i familjes të thoshte ndonjë gjë dyshuese se ku po shkonin pa dashje.

 

Bashkë me 60 refugjatë të tjerë hebrenj, babai Bent Melchior dërgoi gruan dhe katër fëmijët më të vegjël në një vend të fshehtë në shtëpinë e një prifti. Prej aty ata shpresonin të kalonin detin drejt Suedisë neutrale, e cila ofronte siguri për refugjatët.

 

Por arritja atje nuk ishte punë e lehtë. Për të siguruar një vend për një varkë të vogël peshkimi që do të përdorej për transferimin e hebrenjve mund të kushtonte mbi 9 mijë dollarë për kokë me vlerën e sotme të dollarit.

 

Pas tetë orësh në det, varka ku gjendej familja Melchior iu afrua tokës. Mëngjesi po shfaqej në horizont dhe një far ishte i dukshëm. Por diçka nuk po ecte siç duhet. Pasi patën mësuar gjeografinë në shkollë se Suedia ishte në lindje të Danimarkës, Bent kuptoi se drita e diellit po vinte nga drejtimi i gabuar.

 

Në fakt, varka pati lundruar në një rreth në vend që të lundronte në lindje drejt brigjeve të Suedisë. Fari që po shihnin i takonte Danimarkës dhe refugjatët ishin kthyer praktikisht aty nga ku qenë nisur. Peshkatarët në drejtim nuk patën lundruar kurrë larg brigjeve dhe nuk ia kishin idenë se si duhej të lundronin natën dhe në distanca të gjata.

 

Duke u ulur në apartamentin e tij të rehatshëm në qendër të Kopenhagës ai ndan bashkë me bashkëshorten e tij Lilian, nën fotot e katër fëmijëve të tyre, kujtimet e tij për arratisjen e madhe që ndodhi 70 vjet më parë dhe mban mend çdo detaj.

 

“Ne ishim të frikësuar. Vëllai im pesëvjeçar nuk ia kishte idenë se çfarë po ndodhte. Unë nuk e dija, por në atë kohë nëna ime ishte shtatzënë, kështu që po përjetonte kohë të tmerrshme”, thotë Bent Melchior.

 

“Nëse ishte e rrezikshme të gjendeshe në det natën, ishte edhe më e rrezikshme ditën. Ne mund të dëgjonin avionët gjermanë mbi kokat tona. Nëse ata do të na shihnin, Gestapo do të na kishte kapur”.

 

Në fund, ata vendosën të lundrojnë në lindje, duke ndjekur detin. Në fund, pas 18 orësh të kaluara në lundrim, ata mbërritën në Lilla Beddinge, një fshat i vogël peshkatarësh në brigjet e Suedisë. Një djalë gjashtëvjeçar, Per-Arne Persson, i dalloi ata nga plazhi dhe njoftoi të atin, një peshkatar vendës, i cili lundroi për të takuar njerëzit në varkë.

 

Bent Melchior dhe familja e tij filluan jetën e re në Suedi. Bent u regjistrua në një shkollë daneze në qytetin e Lundit, ndërsa babai i tij mori një vend pune si rabin. Por tashmë ata ishin refugjatë në një vend të huaj.

 

Suedishtja nuk ishte e vështirë për danezët për t’u kuptuar dhe qeveria e Suedisë i siguroi ata se do të mund të qëndronin pa probleme gjatë kohës që vijonte lufta. Pavarësisht kësaj, të huajt shpesh bënin komente për ta.

 

“Njerëzit shpesh ankoheshin për gjëra të tilla, si ne po merrnim racionet e tyre të kafesë, apo ndonjë gjë tjetër që ishte bërë me racione në atë kohë. Si refugjatë, ne duhej të hynim në radhë për të blerë të brendshme të përdorura, të cilat ata patën vendosur se ishin të mjaftueshme për ne”.

 

Shtatë dekada më vonë, Bent kujton ndjesinë e të qenët refugjat jashtë vendit: “Të gjitha ato shenja denigruese, unë vijoj t’i ndiej edhe sot”, thotë ai.

 

Rreth 200 vetë që u kapën nga gjermanët, ndërsa përpiqeshin të arratiseshin, u depërtuan në Theresienstadt, një kamp përqendrimi në atë që sot është Republika e Çekisë. Por më shumë se 7500 hebrenj të Danimarkës ia dolën të kalojnë në Suedi në tetor 1943.

 

Ata u transportuan fshehtazi. Disa rrugë shpëtimi u organizuan nga anëtarët e lëvizjes së rezistencës. Por shumica e historianëve danezë mendojnë se arratisja nuk do të ishte e mundur nëse nuk do të ishte angazhimi i mijëra danezëve të zakonshëm që ndihmuan hebrenjtë të largohen.

 

Disa prej tyre “u pranuan” në spitale nën emra të rremë, të tjerë u fshehën nëpër kisha, ferma e shtëpi pushimesh pranë detit ndërsa organizohej transporti.

 

Pati gjithsesi përjashtime. Tetëdhjetë refugjatë hebrenj të fshehur në papafingon e një kishe në qytetin verior Gilleleje u arrestuan nga Gestapo pasi një shërbyese e re daneze e lidhur me një ushtar gjerman i spiunoi. Ata u depërtuan në Theresienstadt.

 

Pasi kaluan 19 muaj në Suedi, pushtimi gjerman i Danimarkës mori fund. Çlirimi erdhi më 4 maj 1945 dhe refugjatët ishin të lirë të ktheheshin në shtëpi. Melchior dhe familja e tij u kthyen tek apartamenti i tyre i vjetër në Kopenhagë.

 

Jeta u rikthye në ritmin e vet të zakonshëm, por nuk qe kurrë si më parë. Përvoja e tij si refugjat bindi Bent Melchior të angazhohej për të gjithë pjesën e mbetur të jetës me refugjatët.

 

“Ne ishim njerëz të ndryshuar. Unë u bëra shumë aktiv në lëvizje të ndryshme brenda dhe jashtë bashkësisë së hebrenjve. Ne u përpoqëm të marrim një leksion nga ajo që ndodhi, për të ndalur këtë intolerancë të tmerrshme”.

 

Ai më vonë u bë anëtar i lartë i Këshillit Danez për Refugjatët dhe pasoi babain e vet në rolin e rabinit të madh të Danimarkës.

 

Ai ka udhëtuar nëpër botë për të treguar këtë histori, i vendosur se ngjarja e mbijetesës nuk duhet të harrohet kurrë.

 

Per-Arne, gjashtëvjeçari suedez që dalloi varkën e tyre duke iu afruar plazhit 70 vjet më parë, është ende mik i tij sot.

 

Komente (0 publikuar)

total: | Treguar:

Publikoni komentin tuaj

Ju lutem fusni kodin qe shikoni ne imazh:

Captcha
  • Email shokeve Email shokeve
  • Print version Print version
  • Vetem tekst Vetem tekst

:

Ska tags per kete artikull

Vlereso kete artikull

0
Powered by www.merbraha.com v4.7